Leksioni amerikan i Indro Montanelit

0
56

I dashur Edmund*,

më duhet të bëj disa vërrejtje ndaj gjykimeve të tua për hipokrizinë amerikane. Si fillim nuk e vura re se në Amerikë hipokrizia është më e përhapur se gjetkë : p.sh në Itali. Vura re se ajo është e një natyre tjetër. Tek ne hipokrizia nuk është një fakt social. U përket kategorive të nismave private dhe secila e ushtron për qëllime personale. Italianët, p.sh, nuk do të bien kurrë dakord mes tyre që ta mbështetin një mashtrim të dobishëm në interes të shtetit apo një klase, siç ndodh tek ju, ku herë pas here miratohen gënjeshtra kolektive, ndaj të cilave secili përpiqet të bëjë sikur u beson.

Tek ne as diktatura fashiste nuk ia doli mbanë ta imponojë konformizmin. Njerëzit e duartrokisnin Musolinin, por nuk i besonte as minimumi i nevojshëm që të mund të jetonte në paqe. Guvernatori i Libisë, Italo Balbo, që një herë shkova ta takoja në Tripoli, më tha, duke iu referuar uniformës së vet me këmishë të zezë : E sheh se çfarë më duhet të bëj që të mbaj familjen? Dhe është pak a shumë e njëjta përgjigje që i dha Rosini plak të riut Vagner që i kërkonte sesi kishte hequr dorë nga kompozimi. Çfarë prisni? Më parë kur më duhej të mbaja fëmijët isha i detyruar t’i besoja rëndësisë së muzikës. Por tash fëmijët e mi janë rritur dhe ia dalin vetë me mjetet e veta…

Hipokrizia në Itali është e diktuar nga sensi i nevojës. Është e thjeshtë, praktike dhe e dobishme. Kur një Italian dëshiron të ndryshojë parti, nuk e gjykon veten; kufizohet me një llogari që i vjen për shtat. 50 vjet më parë në Kapri një familjeje të pasur angleze i hipi në kokë t’i kthente banorët në protestantë. Dhe në një farë mënyre ia doli, sepse të gjithë neofitët kishin të drejtën të hanin gratis. Por një ditë zbuloi se çdo të dielë shkonin të rrëfeheshin tek një prift katolik që ua kishte dhënë lejën. Ndërkaq tek misionarët kishte pllakosur varfëria plotësisht, sepse ndjekësit e tyre besonin pak, por kishin shumë uri. Dhe qenë “hipokritët” që i mbajtën ata pa u kërkuar që ta ndryshonin besimin.
Jo, një hipokrizi e vërtetë në Itali nuk ekziston; ka një arsye të thjeshtë dhe pak fisnike se italianët nuk kanë një ideal. Ata e pranojnë vetveten. Nuk përpiqen që të ndryshojnë apo të të jenë më mirë sesa janë. Në Amerikë hipokrizia lind nga kjo tentativë.

Gruaja amerikane para se të bëjë dashuri me një burrë, që nuk është burri i saj, pi pak që t’i stimulojë me alkol dëshirat e veta, por mbi të gjitha që të mund të besojë të nesërmen se veproi pa e patur në dorë kontrollin e ndërgjegjes, sigurisht është një hipokrite; por është sepse e ka në shpirt një ide ndershmërie dhe pastërtie që duhet ruajtur ndaj debulesave të veta. Më kujtohet surpriza ime të nesërmen e përvojës sime të parë erotike amerikane, e trajtova veten me ftohtësi të skajshme nga e fejuara ime që nuk pranoi të flisnim. Isha i tërbuar. Si Italian i mirë, më dukej ofenduese dhe e padenjë që një grua ta harronte apo të ndjente krupë për një natë dashurie me mua. Dhe nuk gjeta forcë që t’ia falja.
Edhe tani s’e kam këtë qëndrim, kuptohet, më pëlqen; por besoj se i kuptoj arsyet. Por mendja ime i pranon, edhe pse temperamenti im i refuzon.

Ju jeni hipokritë edhe në politikë: kur flisni për antikolonializmin, ju që jeni bijtë dhe trashëgimtarët e kolonizimit më të pamëshirshëm në historinë e botës. Gjuha që keni në OKB do të ishte më mirë në gojën e lëkurëkuqve; por në atë të atyre që i shfarosën ata, më lejo të ta përmend, duket se stonon pak. Ju luftoni në Afrikën e Veriut kundër francezëve, duke u rreshtuar në favor të indigjenëve ndaj të cilëve ata shumë më pak se ajo që ju bëtë ndaj indigjenëve tuaj.

Tani është e vërtetë ju i trajtoni lëkurëkuqtë me më shumë ligjshmëri dhe humanizëm sesa francezët i trajtojnë arabët. Por është edhe më e lehtë, pasi i kthyhet në një pakicë të vogël që edhe krejt të barazuar me të bardhët në drejtësi dhe të drejta, askush nuk mund t’u bëjë atyre konkurrencë. Ju i pengoni europianët të bëjnë në Afrikë dhe Azi atë që vëllezërit tuaj, europianë edhe ata, bënë në Amerikë. Politikisht ndoshta kini të drejtë. Por këtë mund ta them unë, bashkëqytetar dhe nxënës i Makiavelit që më mësoi dallimin midis : të bësh politikë dhe moral. Ti, jo. Për ty, amerikan, poltika dhe morali duhet të koinçidojnë. Duhet ta pranosh se ndonjëherë nuk përputhen mirë. Aq sa më sjellin në mendje se Disraeli thoshte për Gladstonin : Unë nuk i kritikoj se gënjejnë në lojë : çdo politikan e bën. E kritikoj duke i thënë se ishte zoti që ia futi letrën nën mëngë.

Megjithatë unë e admiroj hipokrizinë tuaj dhe e kuptoj se ajo përfaqëson një forcë sociale me vlera të pallogaritëshme. Rusvelti ishte një hipokrit i madh kur i detyroi japonezët ta sulmonin Pearl Harbourin, ndërsa u betohej nënave amerikane se asnjë prej fëmijëve…etj. Por me atë hipokrizi ju futi nga ana e të mirëve ndaj së Keqes dhe u dha ushtarëve amerikanë një armë shumë më të rëndësishme sesa bomba atomike: të drejtën. Pra ishte ai puritani, një Makiavel i mirë katolik, një Makiavel më shumë se vetë Makiavelizmi i Musolinit tonë të gjorë që fliste shumë për të, por nuk kuptonte fare. Pastaj, sa rëndësi ka? E gjithë kjo hipokrizi emergjence nuk e pengon në fakt jetën amerikane të jetë e endur me raporte njerëzore mes më të thjeshtëve, të dlirëve dhe të përzemërtve të botës. Unë tek Italia “e sinqertë” nuk e di se deri në çfarë pike ta besoj një mik dhe deri në çfarë pike të mos e besoj armikun.

Përkundrazi këtu e di mirë. Kur dikush në Nju York më fton të hamë mëngjez bashkë, jam i sigurtë, duke pranuar, se i bëj një kortezi. Në Romë jo, ose të paktën jo gjithmonë. Që ta mbyll mendoj se hipokrizia është tribut i detyrueshëm që Mëkati ia paguan Virtytit. Por duhet që ky virtyt të ekzistojë, sepse një popull ia paguan tributin. Në Amerikë ekziston. Qëndron tek përpjekja që çdo ameikan bën, gati me besnikëri, që të jetë i virtytshëm. Nuk ia del gjithmonë, por gati gjithmonë e ka si synim. Brenda çdonjërit prej tyre fle një Xheferson shumë i bindur se e Mira mjafton ta duash që ta futësh në këtë botë. Ne këtë besim naiv e kemi humbur prej shekujve. Dhe për këtë jemi të pjekur që të bëhemi kolonia e një populli puritan, hipokrit dhe të fortë. Nëse ju vazhdoni të silleni si antikolonialistë, dikush tjetër, puritan dhe ai, sipas mënyrës së vet dhe sigurisht më hipokrit se ju, do të përfitojë. Mendohuni.

• Edmund Stevens fitues i Çmimit Pulitzer
Indro Montanelli