Nga Mero Baze
Sa herë që ngrihen dyshime serioze për demokracinë në Shqipëri, një shpresë instiktive e shqiptarëve janë diplomatët perëndimorë. Për shkak se shqiptarët nuk kanë asnjë mëdyshje për orientimin e tyre perëndimor, diplomatët perëndimorë kanë qenë dhe janë për opinionin publik një lloj senati ‘de facto’ i politikës shqiptare, që duhet të korrigjojë deformimet e pamëshirshme që i bëjnë shtetit ligjor dhe institucioneve politikanët shqiptarë. Por kohët e fundit kam parë publikisht së paku dy raste kur dy nga ambasadorët më të rëndësishëm në Shqipëri ose nga arroganca, ose nga lehtësia me të cilën e marrin shoqërinë shqiptare, kanë dhënë leksione të këqija për shtetin ligjor në Shqipëri.
Kam lexuar një komunikatë të ambasadorit të OSBE në Tiranë, i cili ka nxituar të vlerësojë si të ligjshme zëvendësimin e komisionerëve socialistë me të ashtuquajtur vullnetarë nga shoqëria civile, që në fakt janë militantë të pushtetit. Pak rëndësi ka cilësia e tyre, por ka shumë rëndësi fakti që ky veprim shkel ligjin dhe saktësisht Kodin Elektoral. Ky vendim duhet të merret me një shumicë të cilësuar në KQZ, e cila në këtë rast nuk është siguruar dhe kjo është shkelja e parë faktike e ligjit.
Shkelja e dytë dhe më e rëndë ka të bëjë me frymën e Kodit Zgjedhor, i cili e mbështet organizimin e KQZ mbi baza partiake. Nëse ky parim bie, duhet të bjerë gjithë sistemi i komisionerëve dhe të riorganizohen ato mbi baza të tjera jo partiake. Dhe i pari që duhet të pësojë nga ky akt është vet KQZ e zotit Ristani. Por ky është një debat i madh që nuk ja vlen të merremi këtu. E frikshme këtu është që një diplomat arrogant del e thotë publikisht një gjë që është në kundërshtim me ligjin dhe e noterizon atë si të ligjshme.
Kur ky ambasador është dhe në krye të misionit të OSBE, atëherë situata është dhe më dëshpëruese. E vetmja mënyrë për ta zbutur është të mendosh që ambasadori ose është një diplomat i papërgatitur, gjë që s’dua ta besoj, ose është i angazhuar personalisht me çdo kusht pro pushtetit, ç’ka do ishte problem për statusin e tij. Sidoqoftë ai ende nuk ka dhënë ndonjë shpjegim tjetër për këtë situatë dhe derisa të dëgjojmë diçka tjetër prej tij, jemi të detyruar të besojmë këto që thashë.
I dyti që ka bërë diçka po kaq të papërgjegjshme është ambasadori i SHBA në Tiranë. Para disa ditësh ai vizitoi “perandorinë” mediatike të pushtetit, TV Klan dhe nuk pashë as një shenjë skuqje apo turpi në fytyrën e tij kur pronari i grupit mediatik Klan, Frangaj, pasi e shëtiti bashkë me shpurën e vet nëpër ndërtesat e ndërtuara në mënyrë jo transparente mbi tokat e pronarëve, e çoi dhe tek një TV tjetër, ABC News, të cilin ja prezantonte si një arritje të re të grupit të tij mediatik. Ne të gjithë e dimë ç’është ajo.
Është një ish-TV i falimentuar, me licencë të hequr, me borxhe dhe pronarë në burg. Frangaj ja mori të gjitha përsipër, i mori licencën, e nxori nga burgu, i pastroi biografinë dhe ndërtoi atë TV. Por zoti ambasador ju duhet të dini se ligji shqiptar për radiotelevizionin nuk të lejon të kesh dy televizione në pronësi. Kjo është një shkelje shumë e rëndë. Për këtë shkelje zoti Frangaj është hetuar një herë në vitin 2006, kur përmes Mesila Dodës rrëmbyen një licencë televizive në Tiranë dhe e shitën pas disa kohësh 700 mijë euro.
Prokuroria hapi hetim për këtë çështje dhe u mbyll nën presionin e pushtetit. Ai bëri lek duke përdorur Mesila Dodën, të cilës nëse nuk i ka dhënë ndonjë lek, e “kompensoi” në natyrë duke e bërë deputete. Tashmë po bën të njëjtën gjë, por duke shfrytëzuar disa njerëz të viktimizuar. Unë e di që nuk e ka shënuar në emër të vet atë TV. Të gjithë e dimë që është i tij dhe ai ka investuar atje. Nëse njëherë këtu do të ketë shtet ligjor dhe të thërrasë për hetime njeriun mbi të cilin është hedhë ai TV, do ta ketë të vështirë të provojë ku i ka gjetur gjithë ato pare.
Por turpi është që atë çfarë ne dimë dhe s’e provojmë dot, pronari real i këtij TV, zoti Frangaj ja thotë në sy ambasadorit të SHBA dhe ai tund kokën dhe buzëqesh thua se po shikon një mrekulli të shtetit ligjor dhe demokracisë. Ajo kronikë televizive zoti ambasador mjafton që zoti Frangaj të hetohet nga prokuroria për vepër penale dhe t’i hiqet licenca e ABC News, kurse ju fatkeqësisht duhet të sqaroni sërish publikisht nëse jeni kënaqur që dëgjuat nga zoti Frangaj që ka dy TV në pronësi apo jeni mërzitur?! Shqiptarët të panë të kënaqur që ishe dëshmitar i shkeljes së ligjit dhe kjo është gjë e rëndë.
Nuk ka rëndësi nëse diplomatët shfaqen krah qeverisë apo janë të kujdesshëm në mesazhet e tyre. Shqiptarët duan të shikojnë që ata të jenë gjithmonë në anën e shtetit ligjor dhe të kenë një inteligjencë të mjaftueshme për të mos u keqpërdorur nga shtrembëruesit e demokracisë në vend. Ajo që po ndodh me disa nga diplomatët më të rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri krijon dyshime për integritetin e tyre profesional dhe jo për parimet e Perëndimit. Shqiptarët tani e njohin Perëndimin dhe e dinë përse luftojnë. Është mirë që ambasadorët të njohin mirë shqiptarët dhe të dinë çfarë u thonë.