
Nga Pandeli Majko, 16 Gusht 2012
“Gazeta Shqiptare” zbulon videon ku deputeti i parlamentit grek, Kristo Papa ka lëshuar thirrje antishqiptare nga Himara. Deputeti i partisë neonaziste të “Agimit të Artë”, ka qenë i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar më datë 12 gusht në qytezën bregdetare. Ai ka shfrytëzuar këtë mundësi për të deklaruar se Himara është tokë greke dhe se Epiri është një…
Propaganda e deputetit grek arriti deri në deklarata për lirinë e Himarës, e cila sipas tij është e skllavëruar.
“Me ndihmën e grekëve të zgjuar, besoj se nuk do të vonojë koha që kjo copë e tokës greke do të bëhet, edhe nëse përkohësisht, autonome, pasi janë në fuqi vendimet e Protokollit të Korfuzit. Më pas të vijë edhe liria që kemi kërkuar”, deklaroi Kristo Papa…(marrë nga Balkanweb)
Në faqen zyrtare të Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë mund të lexoni diçka autentike rreth Himarës. Në faqen “Kontaktet politike” (http://www.albania.mid.ru/polit_kon_shqip.html) shkruhet si vijon:
Kontaktet e para politike midis shqiptarëve dhe Rusisë datojnë në shekullin XVIII. Në mes të shekullit XVIII u vendosën lidhje politike midis Himarës dhe Rusisë. Në këshillin e Himarës, në tetor 1759 u vendos të pranohet protektorati i Rusisë dhe të dërgohen përfaqësues në oborrin rus për bisedime. Drejtuesit e bashkësisë himariote përgatiten edhe një mesazh për Careshën Elisabeta Petrovna, ku shprehej gëzimi për fitoret e armëve ruse në luftën shtatëvjeçare dhe shpresa se së shpejti “këto armë fitimtare” do i shpëtojnë popujt e shtypur ortodoksë të Ballkanit nga zgjedha otomane.
Njëherit shprehej gatishmëria për të rreshtuar nën flamujt ruse 1-2 regjimente të himariotëve ortodoksë. Bashkë me malësorët ortodoksë të Shqipërisë së Jugut, shqiptarët katolikë në veri të vendit i bënë me dije qeverisë së Carit se në rast të një lufte ruso-turke, ata “mund t’i shkaktojnë armikut diversion të konsiderueshëm”.
Kështu thuhej në peticionin, që në mars 1762 i dorëzoi Car Pjetrit të III në Petërburg pjesëtari i një familje të njohur shkodrane J. Suma. Por në të dy rastet Petërburgu nuk e quajti të nevojshme të futet në marrëdhënie me shqiptarët në kohe paqe. Por, kur më 1768 nisi lufta ruso-turke, komandanti i përgjithshëm i eskadrës ruse në Mesdhe A.Orllov, iu drejtua himariotëve për të hyrë në shërbimin ushtarak rus, shumë himariotë iu përgjigjën thirrjes dhe luftuan me trimëri në përbërje të eskadrës në arkipelag. Disa syresh, pas mbarimit të luftës, u shpërngulën në Rusi bashkë me familjet e tyre.
Në vitet 1787– 1791, gjatë luftës tjetër ruso-turke, shumë himariotë u rreshtuan me luftëtarët e flotës vullnetare, që vepronte në Mesdhe kundër turqve nën komandën e patriotit grek, oficerit të shërbimit rus L. Kaconis. Një pjesë e këtyre ushtarëve dhe detarëve pas nënshkrimit të paqes së Jasit u vendosën në Rusi, pranë Odesës. Kësaj periudhe i përkasin emrat e rrugëve të Odesës “Arnaute e Madhe” dhe “Arnaute e Vogël”.
Në kufirin e shekulli XVIII-XIX lidhjet ruse-shqiptare vazhduan të zgjerohen. Gjatë ekspeditës së admiralëve Ushakov dhe Semjavin në Detin Mesdhe dhe qëndrimit të trupave ruse në ishujt e Jonit, shumë shqiptare luftuan nën flamujt ruse. Në rrethimin e Korfuzit (1798-1799) morën pjesë afër 4500 shqiptarë. Qindra shqiptarë shërbyen në “legjionet e pushkatarëve të lehtë”, të krijuar më 1805 nga komanda ruse në ishujt e Jonit…
(Marrë nga faqja zyrtare e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë)
P.S: Unë i besoj variantit zyrtar të diplomacisë ruse për marrëdhëniet me shqiptarët. Tek e fundit, vjen nga një diplomaci e një shteti me arkiv të vjetër dhe memorie historike…







