Leksion gjerman për qeverisjen

0
31

Afrim Krasniqi

Afrim Krasniqi, 28.10.2009

Pas tri javësh negociatash në nivel politik dhe në nivel ekspertësh, dy partitë përbërëse të koalicionit të ri, CDU e kancelares Merkel dhe FDP e ministrit të ri të jashtëm Westerwelle arritën marrëveshjen bashkëqeverisëse. Koalicioni i ri CDU (CSU) dhe FDP vjen pas 8 viteve të qeverisjes së majtë dhe 4 viteve të qeverisjes së koalicionit të madh CDU – SPD.

Zgjedhjet e fundit parlamentare i dhanë një rol të ri politik liberalëve të rinj, të cilët arritën rezultatin më të lartë historik të tyre dhe për pasojë, forcën e nevojshme parlamentare për t’u imponuar si një partner real në qeverisje.

CDU dhe FDP nënshkruan së bashku një marrëveshje bashkëqeverisjeje të përbërë nga 46 premtime konkrete, 124 faqe kompjuterike dhe 6137 rreshta.

Kontrata bashkqeverisëse thekson pesë prioritetet e koalicionit, zhvillimin ekonomik me synim mirëqenien për të gjithë, reformën arsimore me qëllim arsim më të mirë dhe forcim të komponentit të kërkimit shkencor, reformën sociale dhe natyrën solidare të saj, reformën në politikën e jashtme me qëllim rritjen e hapësirës së lirisë dhe sigurisë kombëtare, si dhe reformën e lirisë së brendshme, me masa konkrete kundër kriminalitetit, politikave emigratore, etj.

Çështja më e debatueshme midis partnerëve të koalicionit ishte premtimi elektoral i FDP për reformimin e sistemit të taksave, me synim uljen e tyre, si dhe premtimi tjetër liberal për largimin e bazave të huaja ushtarake nga Gjermania.

Të dyja premtimet liberale u bënë pjesë e marrëveshjes politike dhe në fund, të dy palët morën dhe lëshuan diçka nga premtimet elektorale, duke arritur kompromis katërvjeçar qeverisës.

Pika e fundit në marrëveshjen prej 124 faqesh është përcaktimi i ndarjes së protofolëve ministrorë, temë të cilës i kushtohen vetëm 5 rreshta.

E gjithë pjesa tjetër e marrëveshjes është konkrete, me premtime të detajuara në fusha të ndryshme të qeverisjes, me angazhime në afate kohore dhe me standardet përkatëse.

Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy partitë partnere mblodhën organet e tyre kryesore vendimmarrëse, FDP Kongresin Kombëtar dhe CDU Këshillin Kombëtar. Këto organe votuan dhe miratuan kontratën e bashkëpunimit politik, duke i hapur dritën jeshile kalimit në Parlament dhe krijimit të kabinetit të ri qeveritar.

Në këtë mënyrë, modeli gjerman i demokracisë partiake dha një shembull tjetër, sesi funksionon demokracia, sesi partitë dhe liderët negociojnë dhe respektojnë vullnetin e popullit, sesi politika bëhet e besueshme dhe sesi institucionet politike burojnë përmes mekanizmave legjitimë, transparentë dhe kushtetues.

Për vetë natyrën e funksionimit të shtetit dhe demokracisë gjermane, për shkak të përbërjes federative, përvojës historike dhe një sërë faktorësh të tjerë, politika gjermane ofron një model unik të funksionimit të sistemit dy plus dy, të koalicionit dhe bashkëqeverisjes efektive dhe kështu, të ndarjes së përgjegjësive në vendimmarrjen më të lartë politike. Rasti i fundit ishte një tjetër dëshmi e kësaj vlere demokratike.

Leksioni gjerman i vlen çdo demokracie të re, sidomos vendeve me probleme në funksionimin e demokracisë, siç është edhe Shqipëria. Le të bëjmë një paralelizëm midis dy vendeve për të kuptuar largësinë e madhe në sjellje, koncept dhe përmbajtje midis dy modeleve, modelit gjerman dhe modelit shqiptar, të dyja modele të vendeve anëtare në NATO dhe pas pak vitesh, edhe në BE.

Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 prodhuan një sistem të ri partiak në Shqipëri, dy plus një, ku për shkak të numrave parlamentarë dhe preferencave subjektive, qeveria e re doli në sajë të koalicionit midis demokratëve të djathtë dhe fraksionit të majtë socialist, LSI.

Pa gjykuar zgjedhjen e lidershipit të të dy palëve për këtë koalicion, le të shohim formën sesi kjo u realizua, si dhe kryesisht, dallimet me përvojën e fundit gjermane.

E para, bisedimet midis dy partnerëve qeverisës, mbështetur në vetë deklaratat e liderëve përkatës, zgjatën vetëm 5 ditë, midis 28 gushtit dhe 3 shtatorit. Këto negociata nuk ishin direkt në nivel politik dhe ekspertize, por me delegim dhe në thelb, të lidhura me koeficientët e mundshëm të ndarjeve të posteve.

Marrëveshja e firmosur midis dy palëve është vetëm 1.5 faqe kompjuterike, me 35 rreshta, nga të cilat, 60% e saj i kushtohet ndarjes së posteve ministrore, raporteve vendimmarrëse midis dy liderëve, zgjedhjes së presidentit të ri, afatet për dhënien e posteve lokale, etj.

Në marrëveshje nuk përcaktohet asnjë prioritet konkret në lidhje me bashkëqeverisjen, nuk ka tema orientuese rreth çështjeve më problematike, nuk ka afate dhe as të dhëna.

Ajo ka natyrë deklarative, pa thelb, pa rezultate dalluese. Palët premtojnë se programi që qeveria do të paraqesë në Parlament do të quhet projekt bashkqeverisës. Nuk ka një kontratë programore të nënshkruar nga palët, siç edhe vetë programi qeverisës është 50% retorik, pa angazhime konkrete, pa elementë të bashkëqeverisjes, pa identitet politik.

Ai mund të ishte fare mirë program i përkohshëm i një qeverie te djathtë, të majtë apo një koalicioni tjetër. Në aspektin formal, LSI-ja e ratifikoi koalicionin (jo marrëveshjen programore, sepse nuk kishte të tillë) në organet e veta drejtuese, kurse PD-ja nuk i mblodhi fare strukturat, e konsideroi atë një punë të faktit të kryer.

E njëjta praktikë u ndoq edhe me partnerët e tjerë në qeveri. Edhe dy muaj pas krijimit të qeverisë vijojnë emërime në poste zëvendësministrash dhe zyrtarësh të tjerë të lartë të figurave drejtuese të partive aleate.

Nuk ka marrëveshje programore, nuk ka kontratë bashkëqeverisëse, nuk ka angazhime konkrete, por ka poste numerike që jepen falas për kryetarët aleatë, pra ka ndarje të pushtetit politik në mënyrë proporcionale.

Partitë aleate, në thelb fiktive dhe pa identitet të qëndrueshëm, i quajnë të konsumuara negociatat dhe bisedimet e bashkëqeverisjes në momentin që në mesazhet e liderëve të tyre vjen një mesazh, sipas të cilit njoftohet dhënia e një posti dytësor në ekzekutiv.
Në këtë mënyrë, politika e bashkëqeverisjes merr karakter numerik, imponohet si ndarje torte, si shpërndarje postesh nominale e personale, pa bazë politike, programore dhe profesionale.

Sot ende është e paqartë për të gjithë, përfshirë për vetë protagonistët, se cilat janë çështjet programore të qeverisë që bashkojnë apo ndajnë PD-në me LSI-në, demokratët me çamët, legalistët me republikanët, ballistët me liberalët, etj.

Thjesht, askush nuk ka lexuar programe, nuk ka kërkuar negociata programore, nuk ka folur për parime dhe vlera bashkëqeverisëse, por të gjithë kanë folur, negociuar dhe nënshkruar vetëm akte deklarative për ndarje postesh nominale.

Sipas modelit gjerman koalicioni i ri vjen si produkt kompromisi që u jep përgjigje të gjitha premtimeve elektorale të palëve, kurse në modelin tonë shqiptar, koalicioni vjen si produkt shifrash, që nuk u jep dhe nuk synon tu japë përgjigje asnjë prej premtimeve të bujshme elektorale të secilës palë në bashkëqeverisjeje. E njëjta logjikë ka udhëhequr edhe qeveritë e mëparshme të koalicionit, madje edhe krijimin e koalicioneve elektorale në të gjitha anët e spektrit politik.

Për pasojë, në dallim nga praktikat tashmë të zakonshme evropiane, modeli shqiptar i funksionimit të sistemit partiak, institucionit zgjedhor dhe atij qeverisës vijon të jetë produkt i një shoqërie dhe mentaliteti parademokratik, ku vendin e vlerave dhe parimeve, e kanë zënë dhe vijojnë ta kenë interesat personale, karrierat e pavotuara dhe format e imponimit prej liderëve të shkollës së vjetër.

Modeli gjerman vjen si një leksion shtesë demokracie, një leksion i freskët i liderëve të përgjegjshëm dhe politikës moderne, një leksion për të cilin ka nevojë çdo palë, qytetarët votues dhe politikanët tanë vendimmarrës. Ne duam të jemi pjesë e BE-së, të tregojmë se i përkasim pa kthim dhe në nivelin e standardeve të kërkuara, bashkësisë evropiane.

Gjendja e jonë i ngjan një banese të re, e cila mund të jetë e bukur, mund të ndryshohet, mund të ribëhet brenda pak muajsh, por që në fakt ka brenda të njëjtët banorë, me të njëjtin mentalitet, me të njëjtat forma sjelljeje dhe për pasojë, të destinuar për të qenë edhe më tej të vjetruar, të dalë nga moda, një banesë për të cilën shumica e banorëve të tjerë të lagjes nuk janë të gatshëm t’ia hapin portën e miqësisë dhe jetesës së përbashkët!