Lejla, Të kam rënë në gjunjë

0
40

Sokol Balla

Java e vështirë për kryeministrin, kur një ditë i nxorrën një paralajmërim-shaka (të pamerituar) për ndarje nga jeta e më pas i nxorrën edhe një raport ODIHR-I (totalisht të merituar për zgjedhjet) u duk qartë tek kravata e tij lejla. Edhe tek shamia shoqëruese sigurisht. E ndjek me vëmendje si vishet kryeministri kur del për reagime të rëndësishme. Ngjyrat e kravatës, kombinimi i saj me këmishën dhe sigurisht ngjyra e kostumit, prej kohësh janë body language i Saliut. Po kujtoj kombinimin e kësaj jave, 15 minuta pas publikimit të raportit Stonestreet: kravatë lejla, shami e kuqe e zgjedhur kuturu dhe kostumi bezhë, që e nxjerr sa herë ka krizë.

Çfarë i kishte ngjarë kryeministrit, të veshur kaq keq si rrallë ndonjëherë?
Mu kujtua kollarja electric blue që ai veshi mbrëmjen e heqjes së vizave, ajo e kuqe ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si dhe ajo protokollare kuq e zi kur rrinte përkrah Bush me sikletin e madh të pabarazisë. Që ditën kur thonë refuzoi një mbështetje të madhe financiare nga ca miqtë e tij në Nju Jork – eh ditë të largëta ato kur ishte president – dhe ata ja “shkëmbyen” në natyrë me kostume e kollaro të shtrenjta, për Berishën mund të thuash gjithçka, por jo se nuk vishet mirë. E di që shumëkush sot e sheh të veshur gjithë kohës me një jelek La Coste, por ai është hall tjetër, që ka lidhje me fantazmat që i vijnë rrotull vetes, shtëpisë dhe makinës. Fantazma që ja ndezën keq edhe ca mistrecë me humorin e tyre anglez këtë javë. Po mua prapë s’më hiqet nga mendja kravata lejla, shamia e kuqe dhe kostumi bezhë i krizave.

E padyshim edhe buzëqeshja e ngrirë, vështrimi i vdekur nga syri i djathtë me strabizëm të lehtë, i quajtur nga ata që i rrinë afër si Syri i Ekzekutimit. (E kanë provuar shikimin e akullt të tij nga G. Pashko e deri tek Selami e Pollo, si konktakti i fundit me Doktorrin para se të merrnin plaçkat e të linin Selinë Blu). Por atë konferencë për shtyp, një qeskë e madhe poshtë syrit, e rëndonte edhe më lodhjen e vazhdueshme të portretit të Saliut, tashmë me look-un e tij të ri të flokëve gri në bezhë. Me sa duket raporti i ODIHR e zgjoi atë, nga ëndrra ku kishte rënë që prej vendimit të Sashenkës.

Atij ndoshta nuk ka më kush t’i flasë, por me siguri ka kush t’i shkruajë. Ndoshta atë mund ta qetësojnë diplomatët e huaj e të dashur me të e salçiçet e tij (“E patë zoti kryeministër si e kishim zbutur fjalinë për mungesën e bazës ligjore për votat gabim? Tani quhet vetëm vacuum ligjor”), por ky qetësim është i përkohshëm. Pikërisht kur i kishte të gjitha, pa se nuk ka asgjë. 15 vjet pas masakrës së 26 majit, sërish e akuzuan si hajdut votash, si blerës gjykatësish, si kriminel elektoral. E keqja nuk qëndron në atë që është Brenda kokës së kryeministrit, por në atë që është jashtë. Doktori ka gjashtë vite që lodhet që atë që ka në kokë ta kthejë në realitet, por realiteti jashtë prapë nuk po i bindet atij.

Sot ndoshta të huajt nuk i sugjerojnë atij dot t’i hipi helikopterit e të shkojë në Jordani. Sot kreu i opozitës mund të jetë dorëzuar dhe i është bashkuar shumicës së heshtur që presin sesi ky vigan i malësive me imagjinatën e Harry Potter, të bjerë vetë nga kali, shalën e të cilit sot ja mbajnë shumë veta, nga Idioti i Mirë më Birrë në Dorë e deri te Kaç Sumrrumi. E megjithatë asgjë nuk e ngop dhe e kënaq Atë vetë. Sepse nuk arrin dot të shijojë ëndrrën e tij për t’u bërë mbret. Nuk e lënë. Jo ne. Jo shqiptarët. Neve na e ka gjetur ilaçin. Na jep o dru, o para o pasaportë. (Ah mi Eliza mi Eliza, ah mi goc, mi goc!). Por nuk po e gjen me këta të huajt. Po këta si nuk e pranojnë shtetin e ligjeve të tij? Pastaj ky ODIHR nuk është OSBE-ja e Vol-fart?

Gjithë problemi është se Saliu ka zgjedh gabim sistemin. Gjithë imagjinata e tij Potter-iane, mund të ishte realizuar fare mirë në Shqipërinë kur ai ishte “Disident”, ose në Libi apo Siri. Por ne – siç ka qejf ta thotë edhe ai vetë, por pa e kuptuar fort mirë – nuk jemi as Libi dhe as Siri. Dhe sigurisht nuk jemi Shqipëria e “Disidentit”. Ne jemi një vend ku askush, siç shkruante një e përditshme pranë tij këtë javë, “nuk mund të dënohet me pushtet, apo opozitë të përjetshme”. Kjo javë i kujtoi atij pikërisht këtë: pamundësinë për të qenë i përjetshëm, mbi tokë dhe në pushtet.

Sigurisht në opozitë apo pushtet shkohet/rrihet me votë, nëse Zoti të le rehat e s’të merr pranë vetes (ose në këtë rast konkret ca kate më poshtë). Këtu është problemi i Saliut me raportin e ODIHR (por dhe me shakanë me kripë por të pamerituar të çunave rebelë). Dhe sigurisht edhe problemi i kollares së tij lejla.

Siç do këndonte me “oiii” Eric Clapton, pasi i vodhi Lejlën Bob Dylan-it dhe Zoti e ndëshkoi me tragjedi familjare:

“Leylah, you got me on my knees, Leylah!”

Por Saliu nuk di të këndojë. Do të kishte qënë një mundësi e mirë për Të, për të na kërkuar ndjesë të gjithëve para se të largohet. Bashkë me kollaren e tij lejla dhe kostumin e tij ngjyrë barku.