Legjislacioni në krizë, Braçe: Duhet të largohet Jozefina Topalli

0
25

Erion Braçe

Shekulli Online, 28.05.2010

INTERVISTA

Z. Braçe, opozita në respekt të frymës së dialogut të vendosur në darkën e Strasburgut iu kthye jetës normale parlamentare. Kjo do të thotë se ju keni fituar besimin se konsensusi me mazhorancën për transparencën e zgjedhjeve do funksionojë?

Nuk është çështje besimi. Në Strasburg, ne kemi marrë angazhimin të punojmë për një zgjidhje të plotë, të qartë, të garantuar e pa kthim, të krizës politike dhe institucionale në Shqipëri. Dialogu është instrument, përmes të cilit mund të arrijmë në zgjidhje. Besimi mes palëve është thyer keq, qyshkur, burri Sali dhe kryeministri Berisha, ndarë shpesh në kohë të turbullta, thyen fjalën dhe grisën marrëveshjen për zgjedhje të lira e të ndershme! Të garantuara nga Kodi Zgjedhor, nene të posaçme konsensuale të tij! Zgjedhjet u vodhën, besim nuk ka më! Kriza është në kulm të saj. Ne jemi vullnetplotë ta zgjidhim krizën përmes dialogut, në dy javë, për ditët e të cilave ka nisur numërimi. Nëse ditët harxhohen për të kërcënuar zgjidhjen me zjarr, atëherë jam i bindur që zgjidhjen do ta japë populli! Ne do ta udhëheqim!

Çdo të thotë që “zgjidhja po kërcënohet me zjarr?”

Besoj se jeni në dijeni. Më herët, një “ekspert” socialist i marrë peng tani vonë; pak më pas, një “ekspert” i djathtë i marrë peng herët, qyshkur Sali Berisha ua tregoi shqiptarëve si gjykatës të korruptuar; së fundi, një “ekspert” televiziv dhe përfaqësuesi tipik i klientelës së pushtetit, të cilin, Berisha e trodhi në burg më herët dhe e bleu me kile tani vonë, kanë folur për djegie të fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit! Kur e thotë i pari është e rëndë për PS-në dhe i takon çdo socialisti të vendosë për të. Kur e thotë i dyti, nga zyrat kushtetuese të KQZ-së, atëherë çdo shqiptar, duhet të kuptojë përfundimisht se, vota e tij është vjedhur më 28 qershor dhe do të vidhet sa herë do të ketë zgjedhje!

Kur e thotë i treti – ky nuk mendon, ky vetëm vjedh me leje prej pushtetit-atëherë rreziku i instalimit të një sistemi të korrupsionit politik dhe ekonomik, permanent, do të zhdukë fare zgjedhjet si parim themelor i demokracisë! Vendosja e standardit të “djegies së fletëve të votimit” garanton vjedhjen e zgjedhjeve përherë dhe rikthimin e sundimit të një pushteti politik e të korruptuar! Kjo nuk është zgjidhje! Kjo e djeg zgjidhjen!

Do të pranojë PS vetëm hapjen e kutive të materialeve zgjedhore apo do të këmbëngulë edhe për kutitë e fletëve të votimit?

Ne mendojmë se ka vetëm një zgjidhje: transparencë kushtetuese, e plotë dhe e pa kushtëzuar e zgjedhjeve të 28 qershorit, përmes hetimit parlamentar që duhet të nisë menjëherë; vendosje me ligj e standardit të kutive të hapura për çdo palë zgjedhje që do të mbahen në këtë vend! Kjo zgjidhje përfshin çdo element të zgjedhjeve, çdo kuti që mbart material zgjedhor brenda, nga listat tek fletët e votimit! Natyrisht, ne kërkojmë që kjo zgjidhje të ketë garant BE-në deri në fund!

Po, por duket se kjo e kthen konfliktin në fillim, pozicionet nga e para, ndërkohë që Berisha duket i vendosur të djegë fletët e votimit…

U lodhet? E di që kjo histori ka lodhur çdo kënd në këtë vend, por duhet durim. Ndryshe,
djegia e fletëve të votimit mund të rrëzojë sistemin që ne të gjithë bashkë vendosëm në Shqipëri 20 vite më parë, Demokracinë. Besoj se do të jetë shkatërruese për çdo shqiptar nëse kthehemi 46 vite pas! Ju thoni se Berisha është i vendosur ta bëjë këtë! Unë dua të them se djegia e fletëve të votimit, djeg Kuvendin, djeg Qeverinë! Të dy institucionet, thonë se e kanë legjitimitetin tek fletët e votimit! Po i vënë zjarrin vetes?!! Ky është një akt dëshpërimi dhe dëshpërim të tillë ka vetëm hajduti!

Në funksion të dialogut për gjetjen e zgjidhjes opozita pranoi të ngrejë çadrën e grevës së urisë. Në këto momente që gjendet debati politik dhe ku shpresat për një zgjidhje konsensuale janë venitur sërish, a mendoni dhe ju se kjo ishte një lëvizje mashtruese e Berishës për të ndërprerë grevën?

Ne nuk na gënjen kush! Unë e di se Sali Berisha vetëmburret lartë e poshtë si ato plakat kallogre se, po të mos e kish emrin Sali do ta kish patjetër emrin Dialog, se po të mos e kish pasur mbiemrin Berisha do ta kish patjetër mbiemrin Ligj!( imagjinoni ç’emër). Por unë e njoh Sali Berishën! Ai nuk mund të japë zgjidhje, atë se lënë të japë zgjidhje. Është familja e tij politike e biologjike, është klientela e tij ekonomike që nuk e lejon të japë zgjidhje! Megjithatë Berisha është në fund, nuk gënjen dot më njeri!

Ne e mbyllëm grevën e urisë për t’i dhënë një shans dialogut. Në dialog nuk na thërriti Sali Berisha, por niveli më i lartë vendimmarrës i BE-së. Nuk na vuri askush kusht mbylljen e grevës, por e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve është përgjegjësia jonë. Zgjidhja është në funksion të qartë të kësaj të ardhmeje. Nuk mund ta refuzojë kush, as Sali Berisha! Ai ka shumë frikë!

Ka zëra edhe nga PS që thonë që greva dështoi…

Në emër të PS-së nuk mund të flasë gjithkush! PS ka udhëhequr një betejë historike në këto 9 muaj (nuk ka qenë e detyrueshme për secilin, dikush zgjodhi të ikë nga beteja). Greva e Urisë ishte kulmi i kësaj beteje. Po të kesh parasysh 4 korrikun e 2009-ës, për të ardhur tek dita e fundit e Grevës së Urisë, dallohet qartë se PS ka fituar popullin, mbi 1.5 milion shqiptare, që në 9 muaj janë bashkuar me ne, që besojnë në kauzën tonë. Por, përtej Shqipërisë, PS ka fituar të vendimmarrësit europianë e amerikanë, për të cilët, liria e zgjedhjeve, liria e shprehjes dhe kundërshtimit, e ardhmja e Shqipërisë përmes Lirisë e Demokracisë, ka më shumë rëndësi se ditët e pushtetit të Sali Berishës apo kujtdo tjetër!

Çfarë do bëni ju nëse nuk do të ketë zgjidhje në këto dy javë?

Ky është një “stop” për të krijuar mundësi për një zgjidhje! Nëse zgjidhja digjet, protesta popullore nuk do të ndalet më! Nga asgjë! Kudo! Zgjidhja është kushtëzuar qartë, publikisht, sy me sy (duke përfshirë dhe sytë e Sali Berishës) me të ardhmen e Shqipërisë. Ky kushtëzim është europian dhe amerikan! Ne nuk mund të lejojmë që Sali Berisha të djegë bashkë me fletët e votimit të ardhmen e çdo shqiptari. Do t’i heqim Shqipërisë, Sali Berishën! Do t’i japim Shqipërisë, të ardhmen!

Rikthimi i PS në Kuvend ka shënuar dhe incidentet e radhës, ku nuk kanë munguar tentativat për përplasje fizike. Keni një koment për këtë sjellje dhe këtë klimë që mbizotëron në Kuvend?

Po kam! Në 9 muaj ka ndodhur që Kuvendi të jetë tjetërsuar. Ngjan për publikun me një “zoo park”, ku ne jemi vizitorë e për këtë shkak, mbretëresha e “zoo park-ut” është e inatosur, nxehur tej mase, ndaj i lë kafazet hapur për cilindo që do të na shqyejë! Më keq, për ne ka vendosur të mos e pranoje statusin e imponuar të vizitorit, duke mbyllur derën e jashtme me shul. Besoj e keni vënë re se pasi na ka përcaktuar qëndrimin në “zoo park-un” e saj (ndryshe ne jemi armiq të shqiptarëve) na kërkon edhe të mbijetojmë në stilin e saj!!!! Kulmi!!!!

Po, por kthimi juaj atje i rikthen legjitimitetin Kuvendit…

Asnjë minutë! Vjedhja e zgjedhjeve i cenoi rëndë legjitimitetin Kuvendit! Transparenca e zgjedhjeve do zhbëjë përfundimisht legjitimitetin e tij! Pas transparencës, nuk besoj se do të ketë “burrneshë” – nga ato të lashtat e të leshtat – që të drejtojë më Kuvendin, i cili edhe tani mezi rri në këmbë nga një patericë gjyqësore! Deri atëherë duhet një reformë e plote parlamentare, për të rikthyer parlamentarizmin. Kuvendi është sot në krizën më të thellën në historinë e tij. Është në ditë të zezë dhe me faqen e zezë!

Në të mund të bësh ç’të duash, të rrish, të flesh, të çohesh, të pish (çdo gjë të kundërligjshme, duke nisur nga duhani, alkooli më i fortë), të dehesh, të provokosh, të shash, të fyesh, të rrahësh, të dhunosh, të paguhesh për besnikërinë, të përfitosh, të vjedhësh, të bredhësh, të bësh nder, të pasurohesh e të bësh të pasur veten, familjarin, mikun, klientin, të emërosh e shkarkosh, nisur nga interesa personale, jo parime kushtetuese!!!!! Por, në të nuk mund të mendosh, të flasësh, të debatosh, të gjesh marrëveshje të ndershme, të propozosh ligj, të diskutosh ligj (në mënyrë të ndershme, me grupet të cilëve ligji u adresohet apo qoftë edhe me kolegun përballë), të ndryshosh ligj, të votosh ligj, të vendosësh (për gjera të thjeshta apo për borxhet marramendëse), të kontrollosh pushtetin legjislativ apo ekzekutiv, të mbash në binarë kushtetues një mori institucionesh pavarësia kushtetuese e të cilave nuk është më, të zgjedhësh gjykatësit më të lartë në këtë vend!!!!

Më tej, në të nuk mund të lexosh, të kërkosh, të arkivosh, të pyesësh, të konsultosh, të shkruash, në fund të fundit, të presësh një njeri, për më tepër atë që të ka zgjedhur! Pra, në të as mund të punosh, as mund të kontrollosh, as mund të përfaqësosh! Ky është Kuvendi i Jozefina Topallit, nuk është Kuvendi i popullit! Kjo gjë duhet të ndryshojë. Sa më parë. Të rishkruhen rregullat parlamentare, të etikës, komunikimit. Të ndalet sulmi personal ndaj tjetrit, ndaj atij që ke aty përballë apo jashtë, si shënjestër politike e personale, si rregull verbal që sulmon mendimin, delegjitimon fjalën dhe të vërtetën! Të garantohet fjala e lirë, me thelb e përmbajtje! Të legjitimohet debati, parimor e kushtetues!

Të nxitet dialogu si kulturë komunikimi e mundësi zgjidhje për çdo kundërshti, që më vete, nuk duhet të ndalohet nga askush! Të çlirohet nga kapja ligjbërja, të dalë në dritë për publikun, të jetë transparente në çdo germë dhe çdo qëllim, veçanërisht kur mbart taksa apo përfitime për grupe të gjëra interesi! Të shenjtërohet vota, që aty në sallë, të jetë e lirë dhe e fshehtë, të jetë e barabartë dhe vetjake! Të ligjërohet i plotë kontrolli parlamentar mbi vetë ligjvënësin dhe mbi ekzekutivin, për çdo akt e proces, vendim e projekt ligj! Të kufizohet ligjërisht, pushteti okult i çdo deputeti, sipër tyre, pushteti i paligjshëm i Kryetarit të Kuvendit mbi institucionet e pavarura kushtetuese!

Të hiqet imuniteti i deputetit! Të ndryshojë buxheti i Kuvendit. Të bëhen publike çdo muaj shpenzimet e Kuvendit. Paratë publike të buxhetohen për të financuar funksionimin e deputetit, shërbimin e tij në të gjithë konturet e përcaktuara nga kushtetuta dhe përgjegjësinë e dhënë nga zgjedhësi! Pra të financohet puna e deputetit, jo kapardisja e tij, të financohet përgjegjësia e deputetit, jo abuzimi i Kryetarit të Kuvendit! Këtë reformë nuk e bën dot Jozefina Topalli! Mbi të gjitha, këto rregulla nuk i garanton më Jozefina Topalli! Më besoni, ajo nuk jeton dot me këto rregulla. Ajo nuk duhet të jetë më Kryetare e Kuvendit! Nëse ajo do jetë në krye të tij, Kuvendi do të jetë ky që shihni, përfaqësuesi i vulgut të shoqërisë shqiptare!

Ju flisni për abuzime, për kapje të Kuvendit etj. Keni prova për këto apo dhe kjo është pjesë e betejës politike?

Prova! Një pjesë e vogël e tyre është bërë publike. Kuvendi është hermetik, me kamera përgjuese në çdo kthinë, por nuk është e pamundur të gjesh letrat e abuzimeve në të. Duke nisur me shpenzimet e paligjshme paguar për deputetët gjatë këtyre 9-muajve, pra edhe për Kryetaren Jozefinë që banon në Bllok e paguhet sikur në Shkodër, tek tenderët skandaloz, të pakontrolluar, në të cilët, dokumentet mbajnë vetëm një vulë noterie, atë të Familjes! Dhe kjo është Familja tjetër që na qeveris! Kjo në administrimin e shpenzimeve të Kuvendit! Unë kam letrat për sa ju tregoj! Në segmentin më të rëndësishëm, atë të ligjbërjes, kapja e vendimmarrjes po kthehet në rrezik publik!

Në datë 6 maj arriti kulmin! Brenda dy orëve, me kërkesë të Qeverisë, Kryetari i Kuvendit – nga mesdita në pasdite – ndryshoi me vetëm një fjalë, “Dakord”, interesin e një borxhi prej 400 milionë eurosh, duke e rritur atë me 15%!!! Më shumë se 90% e deputetëve të Kuvendit nuk e kanë parë me sy, ta kenë lexuar e diskutuar, atë ligj! Të gjitha procedurat kushtetuese të ligjbërjes janë shkelur! Madje, dhe ajo e hyrjes në fuqi të ligjit menjëherë, pa pëlqimin e Presidentit të Republikës, paraprakisht, me shkrim dhe me vulë! Ky i fundit, Presidenti, në mënyrë po kaq antikushtetuese, dekreton dhe jep pëlqimin në një dekret, vetëm katër ditë, pasi Kuvendi kishte votuar, pa pëlqimin e tij, hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë! Apo doni një rast më të freskët! Po diskutohet tani, ligji për Akcizat.

Qeveria i kërkon Kuvendit të ndryshojë akcizat për disa mallra specifik, në rritje, nisur nga kriza e të ardhurave në buxhet. Por, ajo që të bie në sy, ka të bëj me akcizën e kafes kokërr, e cila, ulet me 60%. Kuvendi rrufe, donte ta votonte të hënën. Njëri prej klientëve të verdhë të Sali Berishës, ka muaj që ka ngritur e po ve në funksionim fabrikën më të madhe të përpunimit, pjekjes, bluarjes së kafesë në vend! Ligji bëhet nominalisht për të, madje në mënyrën më të pa fytyrë në relacion shkruhet se ligji synon nxitjen e industrisë së kafesë në vend! Rasti i vetëm për kafenë ky! Dhe, thua se ne jemi Brazili ku kafeja është simbol, jo vetëm industri. Besoj ju mjafton!

Zoti Braçe, nuk mendoni se mungesa e opozitës gjatë në Kuvend ka stimuluar këtë gjendje?

Dhe mundet! Por duhet të më besoni, kjo është mënyra e tyre e jetesës! Në fakt është mënyra e jetesës e çdo abuzuesi! Mbi të gjitha, kjo është shenja më e dukshme e “krizës së qeverisjes” dhe e degradimit të pushtetit! Nuk ka dhe aq lidhje me ne. Ju tregoj “Gërdecin”, skandal i cili u legjitimua me ligj mu para syve tanë, me dhunë, në Kuvend! Kur fitimi arrin në 300% këta nuk pyesin për askënd, as për familjarët e tyre që i vranë atje, jo më për opozitë! Por tani çdo gjë ka arritur kulmin! Nuk bëhet më fjalë për “korrupsion”, tani mund të flitet me plot gojën për “kapjen e shtetit”! Në nivelin më të lartë të institucioneve dhe nivelin më të lartë të zyrtarëve!
Është kthyer në Sistem! Thelbi i tij: Me para mund të blesh këdo dhe çdo gjë, çdo të mirë, publike apo private, çdo leje apo licencë, çdo vendim, çdo ligj! Nuk ka më skrupuj, për cilindo zyrtar, deputet, ministër, Kryeministrin; për cilindo funksion, nëpunës civil, në tatime, dogana, zyra të kthim apo regjistrimit të pronave, zyra të shitjes apo qiradhënies së pronës publike, administratë, drejtori, zëvendës ministër, deri guvernator, për cilindo institucion, nga agjencia nacionale e trafikut ajror e deri tek Banka e Shqipërisë!

T’ju ndërpres, kjo është propaganda apo keni prova?

Po e përsëris, po flas vetëm për fakte. Unë kam dokumentet ku materializohen faktet. Meqë më ndalët tek Banka e Shqipërisë më lejoni t’ju tregoj për të. Është rasti, në mënyrë skandaloze, Guvernatori refuzoi të bëjë transparencë, madje refuzoi me arrogancën e një gangsteri të vjetër -nga ata me shami në xhep – t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, duke i dhunuar publikisht ata! Bëhej fjalë për shitjen dhe blerjen e hotel “Dajtit”, blerje për të cilën tashmë thuhet kudo: “Guvernatori po ‘ble’ mandatin e dytë me 30 milionë euro tek Sali Berisha”! E gjitha është pjesë e politikës personale të Guvernatorit të BSH-së, në përpjekje për tu rizgjedhur!

Çmimi që po paguan Shqipëria këtë herë është humbja e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë! Më tepër, keqpërdorimi i Bankës së Shqiptarëve në financim të shpenzimeve, abuzive e të paligjshme, të Qeverisë së Sali Berishës! Prej janarit të këtij viti, Guvernatori Fullani i ka dhënë e do t’i japë Qeverisë së Sali Berishës 9.5 mld lekë të reja (3 mld lekë kredi direkte, 2.5 mld lekë transferim fitimi kur në Buxhetin e Shtetit 2010 ishin planifikuar 1.5 mld lekë për këtë periudhë, mbi 4 mld lekë përmes blerjes së hotel “Dajtit”).

Qeveria e Sali Berishës ka një deficit prej 10 mld lekësh nga të ardhurat, pra nuk ka para, Guvernatori në mënyrë spekulative po i gjendet! Duke keqpërdorur BSH-në, po e përsëris, për të financuar shpenzimet abuzive për koncerte ku harbon Çiljeta – siç në 1 Maj, apo ku do harbojë Lady Gaga – siç po bëhet gati Qeveria të festojë me të, kaq shtrenjtë, heqjen e vizave në shtator! Më besoni nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë më parë me paratë e BSH-së! Natyrisht më parë nuk ka qenë ky Guvernator. A e dëgjuat dje, po revolucionarizon rolin, qëllimin, detyrat e BSH-së; shpreh kënaqësinë që ja arritëm ditës të restaurojmë një prej godinave më të bukura në vend, hotel “Dajtin” – dëgjova të thotë! E kuptoni? Roli i BSH-së, tani e direkt në mandatin e dytë nuk na qenka financiar e rregullues, por qenka komunal e meremetues! Kulmi!

A mund t’i besohen më atij financat kombëtare e familjare?

Foli për transparencë. Po a mund të quhet transparente blerja e hotel “Dajtit”, kur ende nuk ka vendim të shpallur zyrtarisht nga Qeveria në Fletore Zyrtare, kur ende nuk ka Vendim të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, kur blerja marramendëse e hotel “Dajtit” nuk ka qenë fare e parashikuar në Buxhetin e BSH-së dhe kur, Guvernatori refuzon të tregojë se me ç’para do të paguhet kjo blerje? Foli për ligjshmëri. Po, a mund të besojë kush se ky beson në ligj e vepron me dorë mbi të, kur BSH – për shkak të vendimmarrjes detyruese, disa banka tregtare të afërta me Guvernatorin – në rolin e përfituesve, janë vënë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës, për abuzim me pozitën dominuese në treg, përmes veprimeve të parregullta në tregun e Bonove të Thesarit?

Ky zyrtar po vë në rrezik institucionin dhe për këtë shkak po vihet edhe më në rrezik stabiliteti ynë financiar! Po lë mënjanë abuzimet banale me pronat e paratë e BSH-së, siç ka ndodhur në Berat me ish-degën e BSH-së që tani është kthyer nga ky zotëri deri në Hotel! Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori i saj, duhen vënë menjëherë nën hetim parlamentar. Ne kemi vullnetin për t’i shkuar deri në fund kësaj historie që rrezikon gjithçka, përtej krizës politike që po përjetojmë!
Përse në Kuvend dhe jo në Prokurori?

Sepse Prokuroria do jetë shumë e ngarkuar. Duhet të rihapë hetimet për abuzimet, tani gjatë ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash! Janë dhjetëra faqe me dokumente zyrtare të qeverisë që dëshmojnë se kostoja e rrugës, për çdo kilometër të ndërtuar, është rritur në mënyrë të pajustifikuar përtej çdo limiti të parashikuar e programuar si shpenzim po nga e njëjta Qeveri! Dëmi është i madh, ndërkohë që vlera e paguar për rrugën, deri në Prill, ka arritur mbi 1 miliard e 123 milion dollarë! E pa menduar!

Rihapje e hetimeve besoj do të ndodhë edhe për Gërdecin! E ndiqni gjyqin? Edhe pse banal, thuajse çdo seancë ka dëshmi që tregojnë fajtor ish-Ministrin, për atë krim! Të dëgjosh dëshmi e të mos veprosh, në një krim me 26 të vrarë është përgjegjësi e madhe! Për më tepër kur tregohen të tjerë njerëz të përfshirë në krim për të cilët nuk është hetuar fare! Më pas janë zgjedhjet! Ato që janë zbuluar dhe ato që transparenca parlamentare do të nxjerrë në dritë! Më besoni janë shumë! Në fund, mbi Prokurorinë ka dhe shumë presion. Jo presion dosido, por nga ai që të pengon deri të dështon.

Kur Shteti është i kapur, politikanët e kapur në krim, nuk kanë më nevojë për avokatë, nuk besojnë tek ta! Ata kanë nevojë për prokurorë dhe gjykatës! Ka mbi një vit që kjo po ndodh, kapja e Drejtësisë! Me çdo formë e mjet, nga lufta e ndyre ndaj kujtdo që heton e gjykon, deri tek emërimet përmes votimeve politike e të njëanshme të Jozefinës në Kuvend! Ndaj rreziku po bëhet shumë më i madh!

Zoti Braçe, përse shqiptarët duhet të besojnë se ju, PS-ja do të bëni ndryshe nga Sali Berisha me pushtetin?

Shikoni, një biznesmen i korruptuar – në rastin më të keq, një tjetër që thjesht do të përfitojë, duke mbytur konkurrencën përmes favorit politik – në rastin pak më të keq, mund të gjej klientë të tij, cilindo individ në çdo parti! Por kurrë nuk do të bëj klient Partinë Socialiste! Nuk do të ndodhë kurrë! Tani jemi në momentin kur secili nga klientët që korruptoi Sali Berishën, po ndjen që ai po rrëzohet, po nxiton të legjitimojë çdo gjë të paligjshme apo, po kërkon atë që nuk do ta ngacmojë nesër!

Zullumi është trashur shumë, duke sjellë dëme të mëdha për shtetin dhe pasurinë kombëtare. Dua të garantoj çdo shqiptar se, prona e grabitur – publike a private, prona e fituar në mënyrë të paligjshme, përmes vendimit politik – publikë a privatë, pasuria e paligjshme, vënë përmes favorit politik të blerë në akte korrupsioni, në pronësi të cilitdo zyrtari, në çdo nivel, nga më i ulëti tek Kryeministri, familjarët apo klientela e tyre politike, do kthehet në ligjshmëri!