Analiza Nga Preç ZOGAJ, 08 Shkurt 2013
Nuk ka përfunduar. Përkundrazi, sapo ka nisur. Maratona gjyqësore e 21 janarit 2011 do të vazhdojë në Apel, në Gjykatën e Lartë dhe mandej, na vartësi të vendimit që do të jepet në këto dy hallka të sistemit të drejtësisë, në Gjykatën e Strasburgut. Për fat, Gjykata e Strasburgut është de fakto Gjykata e Lartë e vendeve të Këshillit të Europës, vendimet e së cilës kanë fuqi të korrigjojnë padrejtësitë e gjykatave shqiptare, madje, me shumë se kaq, të nxjerrin në pah përmes gjykimit të çështjeve me karakter politik shkallën e degradimit të tyre.
Vrasjet e 21 janarit, të parat e llojit të tyre në Europën demokratike, do të ishin kocka e fortë dhe guri i provës për drejtësinë shqiptare. Dje përfundoi përballja e parë në gjykatën e faktit. Trupi gjykues dha pafajësi për dy ish-gardistët e akuzuar si autorë të vrasjeve, duke befasuar, tronditur e skandalizuar botën mbarë, pra jo vetëm ata që prisnin dënime të njëjta apo përafërta me dënimet që kishte kërkuar përfaqësuesi i akuzës, por edhe ata mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë, të cilët, skeptikë për pavarësinë dhe integritetin e gjykatave, kishin parashikuar zbutjen e dënimeve si në Gerdëc. Jo. Në rastin e 21 janarit gjykata e Faktit ka ndjekur një linjë tipike rregjimi, pa të mesme, pa asnjë gram kompromisi, dhëmb për dhëmb, gjithçka ose asgjë.
Pra vetëm pafajësi. Pas këtij vendimi, për tragjedinë e 21 janarit kemi katër qytetarë të vrarë në bulevard me armë zjarri nga Garda e Republiëks dhe asnjë vrasës, kemi shtatë të plagosur po me armë zjarri dhe asnjë plagosës, kemi krimin e fshirjes së serverit të kryeministrisë, por nuk kemi autorin, pra kemi plojën tipike të një bande që ka bërë ç’ka dashur, por ka mundur të lajë duart me vendim gjykate. Me këtë rast nga ndërtesa e gjykatës së shkallës së parë Shqipëria ka valvitur dje më lart se asnjëherë tjetër flamurin e kulturës së pandëshkueshmërisë, flamur turpi, që na ka vendosur në toplistën e rekordeve të zeza të kontinentit ku bëjmë pjesë. Gjyqtarët e çështjes i janë shtuar triumfalisht skotës që ka meritat më të mëdha për këtë damkë që ka marrë Shqipëria prej tre katër vjetësh në progress-raportet e BE-së. Por kanë shkuar edhe më larg këta gjyqtarët e 21 janarit sepse rrezikojnë të na fusin në krizë me SHBA-në.
Vendimi i djeshëm i trupit gjykues është një sfidë e pagjasë ndaj Prokurorisë, e cila, nëpërmjet rindërtimit sekondë për sekondë të ngjarjes dhe me ndihmën e ekspertizës amerikane, ka provuar se vrasjet u kryen kur demostrata po shpërndahej, se vrasësit shtinë në mish të gjallë njeriu, se të vrarët nuk kishin manifestuar asnjë shfaqje eksesi sado të vogël në demostratë, se nuk paraqisnin asnjë lloj rreziku as ata, as demostruesit e tjerë.
Vendimi është një sfidë cinike ndaj ekpertizës së një laboratori me famë dhe siguri botërore, siç është ai i FBI-së amerikane. Kjo agjenci zbuloi se nga arma e ish komandantit të gardës Andrea Prendi ishin qëlluar në drejtim të turmës njëmbëdhjetë fishekë, se nga kjo armë ka dalë plumbi që i mori jetën Faik Myrtaj dhe plumbi që dyshohet se i ka marrë jetën Aleks Nikës, se zotëruesi i armës, i vetëdijshëm për krimin, duke dashur ta fshehë atë, kishte ndërruar tytën e pistoletës së tij me pistoletën e shoferit të tij. Prendi e kishte paditur veten e tij me ketë veprim dhe është e pakonceptueshme si e ka nxjerrë të pafajshëm gjyqtari. Kuptohet se e ka nxjerrë të pafajshëm, duke bërë nul ekpertizën e FBI-së. Ekpertiza e FBI-së ka provuar shkencërisht atë që mbarë shqiptarët e panë me sy: vrasjen live të Ziver Vizit nga g6ardisti Llupo dhe vrasjen po prej tij të Hekuran Dedës. Qëndrimi i gjyqtarëve shqiptarë ndaj rrezultateve të ekspertizës amerikane tregon qartë se qeveria e ka kërkuar me hipokrizi këtë ekspertizë, duke dashur të kalojë radhën, të fitojë kohë. Injorimi i ekspertizës amerikane e dekonspiron vendimin e gjytarëve si vulosje të mbrojtes dhe stimujve që u ka dhënë qeveria dhe kryeministri Berisha oficerëve të akuzar si autorë të vrasjeve të 21 janarit.
Vendimi është ndërkaq një agresion i rrallë ndaj opinonit publik që i ka parë e jetuar nga afër ngjarjet e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Duke shpallur të pafajshëmn personin që mori në shenjë dhe vrau me uniformën dhe armën e shtetit Ziver Veizin, gjykata ka legalizuar dënimin kapital pa gjyq të Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit. Gjykata e vulosi me hara-kiri këtë vendim tronditës, që e vendosi menjëherë drejtësinë dhe demokracinë shqiptare në syrin e ciklonit euroamerikan.
Gjykata e shkallës së parë ra dje pasi “fitoi”. Kjo është logjika e duelit të 21 janarit me drejtësinë. Ky është 21 janari, tashmë jo thjesht si guri i provës, por si guri i shkatërrimit të një drejtësie të kalbur. Tani duhet të presim reagimin e së sfiduarës së madhe, Prokurorisë. Do bjerë apo do qëndrojë prokuroria? Do të presim Apelin. Do të bjerë apo do të qëndrojë Apeli? Do të presim Gjykatën e Lartë. Do bjerë apo do të qëndrojë Gjyekata e Lartë? Nuk kam as fall, as baste. NUK ka përfunduar. Përkundrazi. Sapo ka nisur. Kam një siguri: drejtësia është e pashmangshme. Vrasjet që u kryen në sy të mbarë një populli nuk mund të mbesin pa autorë.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 8 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)







