Legalizimi i Lulit!

0
45

Nga Mero Baze

Dy ministra të rëndësishëm të qeverisë Berisha, Ministri i Transportit dhe Rregullimit të Territorit, Sokol Olldashi, dhe Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, u shfaqën dje në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Ishte ndoshta hera e parë që në atë zyrë kryetari i Bashkisë thërriste dy ministra në dispozicion të tij. Kësaj dite nuk ja kishte arritur dikur as Edi Rama, që me arrogancën e tij dominonte mbi ministrat socialistë dhe herë- herë dhe mbi kryeministrat e partisë së tij.

Pamja ishte domethënëse, në një anë Olldashi, i cili për hir të së vërtetës nuk dukej aq i lumtur që ishte në atë zyrë si Ministër, dhe në krahun tjetër Halimi që nuk mërzitet nga asnjë detyrë dhe detyrim ndaj gjithkujt.

Memorandumi mes dy ministrive dhe Lulëzim Bashës për çështjet e pazgjidhura të hipotekës nuk u bë publik dhe nuk u dha ndonjë detaj. Në të vërtetë dhe sikur të ishte diçka konkrete, ai nuk ishte shumë i rëndësishëm. Lulëzim Basha premtimin e ktheu në proces dhe proceset siç dihet i kthen në procedurë që të mos mbarojnë kurrë. Për të nuk kishte shumë rëndësi memorandumi. Meqë vjeshta po vjen dhe ai i ka premtuar Arjan Çanit se më 15 nëntor do t’i japë hipotekën e apartamentit, gjeti një mënyrë që njerëzit mos t’ia kërkojnë hipotekën. Por mbi të gjitha gjeti një mënyrë shumë poshtëruese për të treguar se qeveria është në dispozicion të tij dhe se ai është qendra kryesore e pushtetit.

Një kryetar bashkie që do të zgjidhë me gjithë mend çështjen e hipotekave, ulet në tavolinë, shkruan një projektligj dhe ja çon parlamentit për ta miratuar. Pas kësaj ai vepron dhe gjithçka merr fund. Konsulta e tij me Olldashin dhe Halimin nuk zgjidh asgjë, pasi çështja e legalizimit të ndërtimeve joligjore nuk është çështje shtrëngim duarsh, por çështje ligjore. Ajo zgjidhet duke ndryshuar kuadrin ligjor ekzistues dhe duke amnistuar shkeljet e standardeve të vendosura nga ligjet e deritanishme.

Nuk dua t’i hyj debatit nëse është mirë apo keq ta bëjmë këtë, por as Lulëzim Basha nuk është duke u marrë me këtë çështje. Preokupimi i tij kryesor në takimin e djeshëm, si në çdo gjë tjetër të tij, është fotografia dhe shfaqja publike. Atij i interesonte ta shikonin njerëzit se si i vë në rresht ministrat për punët e tij dhe si ata nuk mund të bëjnë dot as dhe ndonjë koment për këtë shfaqje teatrale.

E kuptoj se dy ministrat nuk kanë se çfarë të thoshin pasi nuk ka ndonjë memorandum dhe as ndonjë nisëm ligjore për punët e hipotekave. Ata po ashtu nuk janë ekspertë specifikë të çështjeve që kanë të bëjnë me hipotekat. Ata ishin aty në krah të tij, thjesht për të treguar se janë luajalë me të. Të gjithë zërat që thoshin se Bash po denoncon Olldashin nëpër gazeta, apo se Halimi mund të prishë punë për përgjegjësinë e tij në vrasjet e 21 Janarit mbyllen menjëherë.

Shqiptarët shikojnë se Halimi dhe Olldashi hyjnë kokulur në zyrën e Bashës, dëgjojnë Bashën që u flet gazetarëve për një memorandum, tundin kokën, çohen dhe ikin. Kjo është skena për të cilën ka nevojë sot Lulëzim Basha. Ai ka nevojë të ndihet i fuqishëm në pushtet, pasi është i pafuqishëm të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe të mbajë premtimet piramidale që ka dhënë.

Për këtë i nevojitet shpërndarja e përgjegjësisë. Olldashi dhe Halimi janë tani dy njerëzit që do jenë bashkëpërgjegjës nëse Arjan Çani nuk do të marrë hipotekën më 15 nëntor, siç ja premtoi Lulëzim Basha në një emision special që i kushtoi në fushatë për këtë çështje. Po ashtu do të shpërndajnë gjithë çështjet një nga një tek ministrat e tjerë apo agjencitë që veprojnë në vend, lidhur me planin urbanistik, tramvajet, arsimin, vendet e punës, etj. Lulëzim Basha është aty për të legalizuar pushtetin e tij dhe jo për të përmbushur premtimet e tij.

Fuqia e tij e vetme mbetet fakti që të gjithë e shikojnë si njeriun e Berishës, të cilit duhet t’i binden dhe t’i rrinë gatitu. Një kryetar bashkie operativ do të ishte simpatik sikur të merrte qoftë dhe biçikletën dhe të shkonte ministri më ministri për të zgjidhur punët e bashkisë dhe premtimet elektorale. Estradë do ishte dhe ajo, por pak më serioze. Kurse fakti që ai nuk denjon as të lëvizë nga zyra, por i thërret aty ministrat si ushtarë, tregon se problem kryesor i tij nuk është legalizimi i hipotekave, por legalizimi i tij si qendra kryesore e pushtetit pas Berishës.