Nga Elvira Dones
Kur i përjeton ngjarjet së largu, ecin përkrahu dy të vërteta: heraherës të mungojnë një pjesë e hollësirave e ndërthurjeve të asaj që po ndodh në Shqipëri. Përkundër, pikërisht kjo mungesë e hollësirave ta lehtëson këqyrjen e thelbit (U bënë vite që pyes veten: më mirë ta vuash sëmundjen në vetën e parë apo t’i rrish krah të sëmurit?).

Sido që ta kthesh, shqiptarët e diasporës janë në zgripin e një vuajtjeje jo të vogël: jemi të pafuqishëm.
Personalisht jam ndjerë e pafuqishme.
Personalisht ushqej një respekt të shenjtë për urtësinë – kur nuk ke të hedhësh një ide ndërtimtare në tryezë, në vend që të këputësh broçkulla, më mirë hesht. Në pamundësi të ndihmosh konkretisht, të paktën mos hidh tjetër benzinë mbi zjarr. Ky i fundit është i ndezur boll mirë.
Por edhe heshtja vjen një çast e bëhet e dëmshme. E nuk mundem më të hesht, thjesht si një njeri që Shqipërinë e ka për zemër.
Duke cituar nga shtypi i djeshëm: “Komisioni hetimor parlamentar që po heton ngjarjet e 21 janarit ka vendosur të kërkojë tabulatet telefonike të disa gazetarëve të mediave në vend. Në këtë listë përfshihen Filip Çakuli, Sokol Balla, Andi Bushati dhe Mero Baze”.
Përsëri duke cituar, dhe këtu përcjell fjalët e kryeministrit Sali Berisha: “Unë ju garantoj se këta gazetarë që nuk kanë aspak lidhje me profesionin e tyre janë të implikuar direkt në dhunën dhe puçin ndaj shtetit…. Këta s’kanë lidhje me gazetarinë.”
Dhe sot, lidhur përsëri me tabulatet telefonike. kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë: “Nuk ka pasur dhe nuk asnjë kufizim në ushtrimin e lirive dhe të drejtave të njeriut…”
Hetimi i komisionit hetimor parlamentar është diçka që: “ka lidhje me implikim direkt në veprime konkrete që nuk kanë lidhje me gazetarinë, por me probleme jashtë saj.”
E këtu mbarojnë citimet.
Pra katër kolegët e sipërpërmendur qenkan nën shënjestër thjesht sepse janë “puçistë”. Por jo si gazetarë, thjesht si qytetarë që paskan “patur gisht”.
Nënvizoj: “si qytetarë”.
Me këtë llogjikë pa kurrfarë ndershmërie qytetare, politike, vetjake, kryeministri shqiptar, tok me ata që e ndjekin pas, fyejnë inteligjencën fillestare të çdo shqiptari. Nuk lipsen tituj shkencorë për ta kuptuar. Nevojitet veç një fije dëshire për ndershmëri (dhe këtu e kam fjalën edhe, e sidomos, për njerëzit e kahut të maxhorancës. Refuzoj të besoj se nuk gjenden në atë koalicion njerëz ende me ndërgjegje e dashuri të mirëfilltë ndaj vendit. Refuzoj ta besoj. Nëse do të dorëzohesha si individ, para kësaj, do të thoshte t’ia vija kryqin, t’ia hiqja fillin vendit…)…
Por po rrekem (për një çast) t’i besoj profkës se Berishës. Komisioni parlamentar duhet të kalojë në sitën e miellit tabulatet telefonike të katër shqiptarëve, të cilët rastësisht janë gazetarë të “armikut”. Si “qytetarë”?! Sipas kësaj llogjike të gjithë në Shqipëri janë të shqyrtueshëm. Të hetueshëm. Si atmot, nën diktaturë. Nëse mosozot “nomenklatura” vendos se filan fisteku është i rrezikshëm jo vetëm më kontrollon, por më heq edhe lëkurën e shtatë.
Ky është fundi i ëndrrës së demokracisë në Shqipëri! Ndonëse si njeri i librave më është e qartë se demokracia në nivelin më të lartë të vet do të mbetet një ëndërr gjithëherë e papërsosur. Ashtu siç i papërsosur është njeriu, homo sapiens sapiens, plot me difekte, por sidoqoftë më afër ëndrrës utopike të lirisë e barazisë se të tjera eksperimente njerëzore deri më sot.
Me trishtim e indinjatë të thellë sot shoh se komisioni hetimor i kryeministrit tjetër nuk është veç një larje hesapesh në mes të ditës, në mes të diellit, në indiferencën më të plotë kundrejt një interesi më të madh, të tashmes e së ardhmes së popullit shqiptar. Pas këtij gardhi, e më tutje Shqipëria është ajo që ishte dikur: e sunduar.
Kjo është sot demokracia Albanian Style, pas 20 viteve të rënies së diktaturës (Nuk po zbuloj vezën e Kolombit, deri para pak javësh rezistonte brenda meje nevoja për të besuar se pas sëmundjes së parë fëmijërore të çdo demokracie të re, qeveritarët e atij vendi diçka do të mësonin, me hir a me pahir, në mos për tjetër arsye, për pragmatizëm)…
Ndaj, po i drejtohem përsëdrejti zotit kryeministër të Shqipërisë: ky qenka, në thelb, mesazhi i demokracisë suaj?! Një demokraci sipas modelit Putin; modelit Ben Ali; modelit Mubarak? Për të lënë mënjanë mikun tuaj Berlusconi – “losco figuro”, për ta thënë me një shprehje italiane… ??
Duke iu kthyer “legjitimitetit” të një kryeministri për të kontrolluar tabulatet telefonike të katër gazetarëve shqiptarë, po i bëj një propozim gjithkujt në Shqipëri e në diasporë: gjithë shqiptarët t’i dërgonin komisionit parlamentar të hetimit në mënyrë vullnetare tabulatet telefonike. Njerëz që janë kundër qeverisë, apo edhe ata që janë berishanë të betuar; pak rëndësi ka. Jemi shqiptarë të gjithë, me gjuhën tonë të mrekullueshme, me vogëlsinë tonë gjeografike e politike; me vobektësinë, varfërinë, agresivitetin e bujarinë ballkanase, me dinjitetin e sakatllëkun psikologjik të një vendi të dëmtuar nga 47 vite diktaturë.
Le t’i bëjmë dhuratë kryeministrit Berisha tabulatet telefonike. Është e vetmja mënyrë për t’i bërë ata katër gazetarë shqiptarë të ndihen më pak të rrezikuar e më pak të vetmuar, ngaqë kjo nuk është një kauzë e katër gazetarëve, e gjashtë gazetarëve e dhjetë syresh. Nuk është – aspak – kauza e dy forcave politike, e dy “gjelave” politikanë: Berisha e Rama. Kjo është në radhë të parë kauza e Shqipërisë. Nga cilado anë e “istikamit” që shqiptarët të gjenden, ajo që është në kandar është e ardhmja e Shqipërisë – e po të hiqnim dorë nga “istikami” që na është ngulur si gozhdë në tru do ishte një çlirim për të gjithë ne.
E kotë dhe propagandistike çdo rrekje për fjalë bombastike si: “patriotizëm”, “shqiptari”, “demokraci”. Liria dhe e ardhmja e atij vendi fillon nga e drejta e shtypit të komunikojë me këdo, të shkruajë atë që don të shkruajë.
Dhe Ju, zoti Kryeministër, jeni përgjegjës:
për shëmtinë, varfërinë, çjerrjet kërcënuese, për mashtrimin;
për manipulimin, korrupsionin përgjatë viteve;
për vrasjet e 21 janarit.
Jeni përgjegjës për frymën pështymore që keni mbjellë (me hir e me pahir) në këtë/atë vend.
2.
Problemi juaj, zoti Kryeministër, në këtë çast quhet Sali Berisha, e nga ai problem nuk besoj se do të liroheni dot më. Ndërkohë, ama, lëreni Shqipërinë të marrë frymë. Ju keni humbur, por ende nuk doni ta qasni këtë në ndërgjegje. E ajo që paguan e që do të vazhdojë të paguajë (si ngaherë, në çdo vend, e ky është i vetmi “ngushëllim” për ne naivët) është Shqipëria e njerëzve akoma më naivë; e njerëzve me një kod nderi e besnikërie; e njerëzve që e kanë të vështirë të mosbesojnë në shefin, cilido qoftë ky, si në çdo vend të botës.
Ju morët ç’ishte për të marrë nga Shqipëria. Tani merrni llogaritë tuaja bankare, në emër të kujtdo që ato llogari të jenë, dhe largohuni. Dilni në pension. Këqyrni një perëndim dielli, diku, nëse ndërgjegja jua lejon. Jini i lumtur nëse mundeni. Përpara se të jetë vonë për atë vend të vogël. Sepse “bota” – me kthjelltësinë e lojrave gjeopolitike – nuk e çan kokën për Shqipërinë: ky vend/ai vend është çështja jonë. Dhe komuniteti ndërkombëtar, në këtë çast i ngërthyer në kërthizën e të tjerave bela, më të mëdha se Shqipëria, nuk ka bërë lojën tuaj këto ditë ngaqë ju dashuron apo ju mbështet, apo ju respekton.
Ka bërë thjesht ca deklarata të vakta, ca shpërndarje të “barabarta”, keqardhëse and politically correct të përgjegjësive të “dhunës” së 21 janarit, thjesht sepse kështu i volit në këtë çast. Ju e dini krejt mirë, se “bota” ju shkarkon, lan duart nga ju, sapo t’i bëheni shumë “i rëndë” dhe “i sikletshëm”. Por ai që do të vazhdojë të paguajë për cinizmin e “botës” e për papërgjeshmërinë tuaj si kryeministër është populli shqiptar. Ndjeni, ende, një fije përgjegjësie ndaj atij vendi, kryeministër?
Ju bëni sikur jeni i gjorë mendërisht, por kështu nuk jeni. Ju jeni shumë më i rrezikshëm se kaq. E njëkohësisht më dritëshkurtër se kaq.
*respublica.al







