
Nga: SHKELZEN MALIQI, 02 Nentor 2010
LDK-ja, një javë para Kuvendit zgjedhor, është një parti e mëdyshjeve dhe krizës. Të gjithë janë të shqetësuar dhe në tension, kryetari Sejdiu, Kryesia dhe Këshilli Drejtues, degët me nëndegët, elektorati… Madje edhe aleatët e mundshëm, apo edhe rivalët, po kështu presin në ethe se çfarë…
drejtimi do të marrë Kuvendi Zgjedhor i LDK-së. Gjendja sot duket shumë më e nxehtë dhe më e tensionuar se para atij kuvendi kur ndodhi çarja e madhe. Atëbotë nuk pritej se do të ndodhte ajo që ndodhi. Kurse tani nuk është vetëm frika (ose pritja) e çarjes së re, ajo që i shqetëson të gjithë. Sot ka më shumë shtresime të emocioneve, më shumë kalkulime, më tepër paqartësi drejtimi do të marrë Kuvendi Zgjedhor i LDK-së. Gjendja sot duket shumë më e nxehtë dhe më e tensionuar se para atij kuvendi kur ndodhi çarja e madhe. Atëbotë nuk pritej se do të ndodhte ajo që ndodhi.
Kurse tani nuk është vetëm frika (ose pritja) e çarjes së re, ajo që i shqetëson të gjithë. Sot ka më shumë shtresime të emocioneve, më shumë kalkulime, më tepër paqartësi… Ky momentum, kjo javë mund të jetë vendimtare sepse një pjesë e LDK-së, drejtuesit dhe anëtarësia, janë mobilizuar për projektimin e shpëtimit, madje disa e shohin edhe si ringjallje të LDK-së. Këta optimistë nuk ndalen vetëm te reflektimi i së kaluarës dhe gabimeve, – çka përndryshe e konsiderojnë të domosdoshme për katarsisin – por po i bëjnë me nxitim llogaritë e fundit se si do të mund të kthehet në gjirin e kësaj partie të paktën gjysma e elektoratit të humbur pas vdekjes së Ibrahim Rugovës.
Në reflektimin e së kaluarës theksohet roli i kryetarit aktual dhe Presidentit të dështuar, Fatmir Sejdiu. Konsiderohet se ai nuk ka qenë fati i mirë, por përkundrazi është bërë fati i zi i LDK-së. Pas Kuvendit të çarjes, Sejdiu dhe Kryesia që e mbështeti atë, ka mundur që të mos e reflektojë në mënyrë të drejtë humbjen e madhe në zgjedhjet e vitit 2007, sepse atëherë me lehtësi akuzohej ambicia e akademik Nexhat Dacit dhe ikja e LDD-së, si tradhti e madhe, ku Sejdiu e shihte veten si fituesin dhe figurën që e ruajti bërthamën e partisë. Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2009, ky argument është zgjeruar me pohimin se nën udhëheqjen e “ngrirë” të Sejdiut, jo vetëm që u ndal “erozioni” i LDK-së, por ishin ndëshkuar seriozisht LDD-ja e Dacit, e edhe AKR-ja e Behxhet Pacollit, ku kishte gjetur strehim një pjesë bukur e madhe e elektoratit të rrjedhur të LDK-së.
Por, ky argument ishte gjysmak dhe në esencë mashtrues. As ai i pari, mbi tradhtinë e Dacit, nuk ishte zbërthyer në esencën e tij, sepse harrohej fakti se Daci e kishte pranuar humbjen në Kuvend, por nuk ka mundur të pajtohet me poshtërimin pas kongresit, kur në organet e LDK-së “fraksioni” i tij nuk u përfaqësua proporcionalisht (ai kishte fituar 45 për qind të votës), por sipas logjikës “shkele qenin që të mos marrë më frymë”. Daci, pra, nuk kishte ikur, por ishte përjashtuar dhe pas kësaj, LDK-ja humbi gjysmën e elektoratit të vitit 2004! Nuk mund të amnistohen Sejdiu dhe Kryesia e LDK-së, që nuk ditën ta mbanin balancën e brendshme të forcës dhe kjo pastaj u reflektua në humbjen katastrofale në zgjedhje.
Kurse alibia e këndelljes së LDK-së në zgjedhjet lokale, po kështu është falsifikim. Sepse heroi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve nuk ishte Fatmir Sejdiu i “ngrirë”, por ishte Isa Mustafa. Isai e bëri kthesën në Prishtinë dhe ngjalli shpresën edhe në tërë Kosovën se LDK-ja mund të kthehet në forcë konkurrente. Ai e ktheu dinjitetin e LDK-së, duke e sulmuar Thaçin dhe qeverinë me të cilën Sejdiu ndihej tepër rehat, madje i përkëdhelur. Sejdiu më shumë kujdesej për privilegjin e të qenit president dhe i pari në parti, çka i siguronte ndikim dhe favore të ndryshme personale, familjare dhe për klanin e tij në parti.
Sa për të, posti i “ngrirë” i kryetarit të LDK-së nënkuptonte “ngrirjen” e vetë partisë, e debatit të brendshëm, e proceseve të reflektimeve dhe ripërtëritjes.
Dhe kjo “ngrirje” e partisë nuk ka mundur të zgjasë deri në pakufi, që Sejdiu të bëhet zot i çdo vendimi. Pasi e lëshoi presidencën sepse gjyqi konstatoi se e kishte shkelur Kushtetutën, Sejdiu ua ndaloi anëtarëve të Kryesisë që të japin deklarata publike dhe investoi shumë në përgatitjen e Kuvendit të “kontinuitetit”, ku do të riafirmohet pa kundështime të mëdha, pozita e tij e të parit.
Por, rebelimi nuk vonoi, pasi ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, shfaqi ambicien për ta udhëhequr LDK-në dhe denoncoi përpjekjet e Sejdiut që Kuvendi të dirigjohet paraprakisht.
Bukoshi me disa ideatorë të tjerë u kap për idenë e votës së humbur të LDK-së, e mundësisë së ribashkimit të forcave. Si do të mund të rikthehej masa fituese e elektoratit të Rugovës? Ata pohuan se Sejdiu dhe Kryesia, këtë nuk mund ta bëjnë. Përkundrazi, me ta LDK-ja shkon drejt dështimit të ri. Bukoshi mendoi një strategji të ofertës së dyfishtë, nuk kandidoi vetëm për kryetar, por zgjodhi si dy xhokera Ukë Rugovën, që përfaqësonte edhe familjen Rugova, e edhe djalërinë e harruar të Kosovës në LDK, si dhe Isa Rugovën, që shihej si sfidues i vetmi serioz të Hashim Thaçit për postin e kryeministrit.
Me këtë filloi tërmeti… Sejdiu dhe Kryesia po bëjnë gjithçka që të shuhet debati dhe të mos hapet çështja e përgjegjësisë dhe të rinovimit të shpejtë të partisë. Mendon se i ka në dorë aparatin e partisë, delegatët, klientët, biznesët… Por ajo çka kanë harruar Sejdiu dhe Kryesia është motivi i dobësuar dhe mungesa e joshjes. Formula e Sejdiut është e konsumuar, sepse ai nuk synon marrjen e pushtetit; maksimumi që mund ta bëjë është të ripërsëritë koalicionin me Hashim Thaçin, e edhe kjo është në pikëpyetje, sepse sipas të gjitha gjasave, Thaçi do të jetë ai që e zgjedh partnerin.
LDK-ja që ka kuptuar se Sejdiu është i konsumuar, është e etshme për më shumë, për pushtet real, reforma, rinovim, prurje të reja, freski… Asgjë prej këtyre nuk ofron Sejdiu me kllapën e vjetër që kanë frikë nga shkundja dhe freskimi i partisë… Bukoshi dhe Ukë Rugova kërkuan nga Sejdiu të pranojë formulën e rinovimit dhe bashkimit të forcave, madje edhe të negocimit e kthimit të Dacit në parti ose të koalicionit parazgjedhor jo vetëm me LDD-në, por edhe disa subjekte të tjera, mbi një platformë anti-Thaçi! … Sejdiut i është ofruar një post simbolik, që të lejohet ristrukturimi i LDK-së, por ai insistonte në procedurat dhe “legalizmin statutor të zgjedhjeve partiake”. Uka me Bukoshin e kuptuan se janë vonë me nismën. Andaj (me nxitim?) promovuan listën alternative që mori emrin e Ibrahim Rugovës.
Por kjo definitivisht çon në revolucion brendapartiak (pak i mundshëm) ose çarje të re, mbase jo drejt bashkimit. Vetëm se kësaj here, roli i Sejdiut nuk mund të hiqet. Është kuptuar se është faktori çarës, ngase LDK-ja e Sejdiut në të vërtetë përjetohet si LDK-ja e Thaçit. Këtë e ka kuptuar edhe anëtarësia që instiktivisht rreshtohet me Ukën, Isën dhe Bukoshin, madje është rebeluar edhe njëri nga bastionet më të famshëm dhe më fanatik të LDK-së, Kodra e Trimave. Këto nuk janë simptoma të mira për LDK-në, jo vetëm sa i përket kuvendit, por edhe për zgjedhjet që po afrohen.
Me vite të tëra, aq shumë akull është mbledhur në LDK, saqë shkrirja që pritet të ndodhë kësaj jave do të mund të rezultonte me përmbytje shkatërruese.
Nëse kjo ndodh, kush dhe si do ta festojë 21-vjetorin e LDK-së më 23 dhjetor?







