LDK-ja kompani private e matrapazëve politikë!

0
20

Gani MEHMETAJ

Lidhja Demokratike e Kosovë është kompani private e disa aksionarëve: Sabri Hamitit, Lutfi Hazirit, Ismet Beqirit e grupit të Llapit e Gollakut. Isa Mustafa erdhi më vonë për të administruar kompaninë me ftesën e aksionarëve kryesor. LDK-ja ka edhe aksionarë të tjerë, mirëpo ata nuk kanë asete, nuk kanë as ndonjë ndikim, megjithëse janë në kreun e partisë, ata më shumë i morën për dekor demokracie. Një pjesë të kryesisë e zgjodhi pedagogu autoritar nga bashkëkatundarët e Llapit në kufi me katundin e tij, ose nga raportet e krushqisë. Pjesën e Gollaku i plotësoi kryetari Mustafa, sepse druante që do ta mbivotojnë aksionarët e llapit. Të tretët u morën sa për sy e faqe për përfaqësim rajonal, prapë me lidhje krushqie a biznesore, por që nuk i pyet askush për asgjë, pos për orën – ndonjëherë. Ka edhe partiakë biznismenë që ndihmuan në fushatë, por që pastaj kapitalin e shumëfishuan me tender e biznese të përbashkëta me aksionarët kryesor të partisë.
Të gjithë dolën të fituar: njerëzit që më këmisha të grisura e këpucë të ngrëna me të cilat u futen në parti, u bënë pasunar të makinave të shtrenjta, disa banesave e të shtëpive.
Asnjëri prej aksionarëve kryesor, por as ata me kapital fiktiv nuk janë ndër themeluesit e kësaj partie, të gjithë themeluesit e intelektualët me emër i dëbuan, ose i dekurajuan më ndërskamsa, intriga e kërcënime. Në kreun e LDK-së mbetën “qendrestarët” agresiv, të paskrupullt e këmbëngulës jo për ideale, por për qëllime zhvatëse e pasunare. Ithtarët e militantët në terren janë ata të vjetrit më fëmijët e tyre, të sinqertë e të devotshëm, që simpatizojnë nga inercia, sepse s’mund të ndryshojnë flamur, ndërsa aksionarët nuk harrojnë t’i mashtrojnë herë pas herë kinse kjo edhe më tutje është partia e Ibrahim Rugovës. S. Hamiti që i bënte intriga e ndërskamca më së shumti Rugovës në të gjallë, tash betohet në besnikëri, madje shkruan libra e panegjirike për te, ndërsa dihet botërisht se presidenti nuk e pranonte fare në zyre për shkak të vështirësive që i krijonte brenda partisë dhe në terren.

Nga partia pro evropiane në parti islamike!

Nga kreu i LDK-së iku edhe pika e fundit e frymës së Ibrahim Rugovës, kështu që partia më pro evropiane në rajon u bë parti fetare-islamike, ku 30 deputetë votuan për shami grash, ku anëtari i kryesisë , aksionari i dytë (Lutfi Haziri) mbështet islamizmin antishqiptar, xhihadin në Siri, duke i inkurajuar shqiptarët të bëhen mish për top për interesat e beduinëve e të anadollakëve, kurse Sabri Hamiti, anëtari tjetër i kryesisë, mysliman i devotshëm, i del në mbrojtje Hazirit, kur e sulmojnë për radikalizëm islamikë e antishqiptarizëm primitiv, duke deklaruar: kryetari i Komunës së Gjilanit është shembull i kryetarit të mirë! Pra shembull i kryetarit të mirë duhet të jetë , sipas S. Hamitit antishqiptari, mbështetësi i xhahadit islamik, përjashtuesi i intelektualëve nga qeverisja në komunë, futja e femrave mesjetare me shami në qeverisje, kryetari gjysmë analfabet! Ndërsa gjatë gjithë kohës aksionarët kryesor janë angazhuar për ndërtimin e xhamive, në vend të angazhoheshin për ndërtim shkollash e sallash koncertale që nuk i ka Prishtina as Kosova. Që 50 vjet nuk u ndërtua asnjë teatër, asnjë sallë koncertesh a manifestimesh kulturore e publike, kurse aksionarët e LDK-së, ranë copa për ndërtimin e xhamisë biznesore me 80 dyqane më të madhen në Ballkan! Nuk ma thotë mendja se aksionarët e LDK-së iu kthyen zotit, as pse synojnë të marrin votat e një grushti islamikësh antishqiptar, por për ndarje fitimesh, sepse në leje ndërtimi zhvaten paratë. Aksionarët kryesor u bën islamikë të devotshëm, megjithëse deri dje ishin ateist agresiv. Arsyet dihen u këndon të veshi tringëllima e parave të fituara pa djersë me biznese të dyshimta me turqit. Pra nuk ua përkëdhel veshët zëri i zotit, por zëri i interesit. Por kusht e kanë të çjerrin gurmazin sikur janë myslimanë të devotshëm, që nuk ia kanë nevojën Evropës.
Kështu LDK-ja e Ibrahim Rugovës, sot nuk ndryshon asgjë nga partitë islamike e aksionare, pos që Kryesinë e Këshillin e Përgjithshëm i kanë më pak të arsimuar se simotrat, më pak të përfaqësuar në proporcionin gjeografik e rajonal.
LDK-ja me të drejtë quhet parti e Llapit dhe e Gollakut, por unë do të thosha parti e një pjese të Llapit e Gollakut, sepse edhe këto dy krahina LDK-ja i humbi, në pjesën më të madhe ua mori Vetëvendosja e PDK-ja. Aksionarët kryesor e shikuan interesin e tyre personal e jo interesat e popullatës së Llapit e Gollakut, megjithëse çirreshin për dashuri ndaj tyre.

LDK-ja e KEK-u: kush i bleu e kush i shiti?

Fati dhe fatkeqësia e LDK-së është si fati e fatkeqësia e KEK-ut: trashëgiminë dhjetëra vjeçare, rrjetin e shkëlqyeshëm të degëve e nëndegëve, militantëve partiakë e entuziastët e pashoq, i morën ata që më së paku i meritonin. Edhe KEK-un, njërin ndër sistemet elektro-energjetike më të mëdha në gadishull, me rrjet të shkëlqyeshëm elektrik, godina e objekte madhështore që e ndërtoi kombi ynë 60 vjet pune të palodhshme, i privatizuan turqit me një shumë qesharake prej 28 milion eurosh, ndërsa ka vlerë disa miliardë euro.
LDK-ja dikur pasuri kombëtare, ishte partia shqiptare më e madhe në gadishullin Ilirik me 700 mijë anëtarë, me shtrirje në tërë kontinentin e vjetër, me organizime të shkëlqyeshme në SHBA e Australi, me një organizim që e mrekullonte botën. Sot aksionarët e zhvlerësuan duke e bërë parti patericash që s’mund ta merr pushtetin pa ndihmën e disa partive të tjera. Anëtarësinë e degët jashtë Kosovës që nuk ishin me ta i shpërndanë, të tjerët i neutralizuan. Nuk lanë gati asgjë nga pasuria kombëtare, i shndërruan në aksione kompanie. Megjithatë simpatizuesit e anëtarësia janë aty ku ishin, por të shushatur e në pritje të një kaste tjetër politike.
Ndërkaq, për pasurinë tjetër kombëtare- KEK-un, turqit dhanë ca para, kurse për LDK-në aksionarët nuk e dhanë asnjë lek, duke fituar miliona euro e privilegje të pakufishme me tenderët, me bizneset publike apo të fshehta, me futjen në punë të gjithë familjarëve e farefisit të gjerë.
LDK-ja nuk ishte më synim i intelektualëve idealistë, as grupim politik që i mbron interesat e shtresave të caktuara të qytetarëve, por profesion që sjell miliona euro. Shumica e kësaj kryesie u bënë milionerë në pesë-gjashtë vjetet e fundit.
Krahasimi LDK-KEK,vlen edhe në segmentet të tjera. Kur u privatizua KEK-u, protestoi e terë Kosova, meqë shihej qartë se pasuria e Kosovës e fituar me djersë po falej, ndërkaq për blerjen e LDK-së nga grupi i aksionarëve të cilët nuk e patën asnjë meritë për LDK-në, reaguan fare pak njerëz në mënyrë të flashkët. Thua nuk e morën vesh? Apo s’patën kujt t’i ankohen? Idealistët e militantët i vranë e i kërcënuan grupet kriminale politike, apo u bëheshin shantazhe nga aksionarët e partisë së tyre. Prandaj partitë kundërshtare kishin arsye të entuziazmoheshin, sepse e dinin fare mirë që s’kishin kundërshtarë të denjë, e dinin se me aksionarët pa parime, do të bënin pazare e biznese të përbashkëta, do të bënin aleanca publike apo të fshehta ashtu si nuk ta merr mendja. Dhe këto aleanca bizenesore e politike i bënë
Kështu, aksione në LDK- futi edhe PDK-ja përmes anëtarëve të kryesisë së LDK-së, aksione futën edhe partitë tjera a grupet islamike, prapë përmes anëtarëve të kryesisë së LDK-së. Disa thonë se aksione futi edhe ish-SHIK-u.
Me këta aksionarë arrogantë me anëtarësinë e elektoratin e vet, të lëndueshëm në raport me të tjerët, kryeministri Thaçi tallej publikisht: Ismet Beqirit ia kujtonte kohën e informatorit (spiunit) : i ke raportuar Shtabit Zgjedhor të PDK-së për veprimet e LDK-s, i tha para gjithë botës , në transmetim televiziv. Thaçi u tall me cinizëm në Kuvend edhe me aksionarin tjetër – S. Hamitin për plagjiaturë. As Beqiri, as Hamiti, nuk bënë gek as mek, heshtën dhe e futën kokën në mes të këmbëve.

Pastrimi etnik

Por para se të privatizohej LDK-ja, u bë pastrimi më i madh i partisë, u hoqën të gjithë emrat e kumbueshëm: intelektualë, profesionistë kulmor, shkrimtarë, gazetarë, profesorë universitarë, pra të gjithë ata që ishin shtylla e kësaj partie, mund të ishin edhe shtylla e kombit. Mbetën matrapazët dhe ata që nuk ua prishnin biznesët. Qe në të gjallë të Rugovës përvijohej klani i Llapit në krye me S. Hamitin me intriga e ndërskamsa. Më vdekjen e Rugovës grupi i intrigantëve-komplotistëve, shkarkoi të gjithë intelektualët e emrat e njohur publik me prejardhje nga Dukagjini, apo që jetonin në qytete të Dukagjinit, ndërsa ishin njerëzit që i vlerësonte Rugova. Në fshesën e LDK-së kundër dukagjinasve, nismëtar ishte Hamitit, e mbështeti Fatmir Sejdiu, i cili hoqi me egërsi dukagjinasit dhe grupin e Nexhat Dacit. Megjithëse Sejdiu ua realizoi strategjinë e spastrimeve “etnike”, megjithëse asnjëherë nuk ua prishi tymin e duhanit, duket se nuk u shkonte tërësisht për vi klanistëve Hamiti, apo përpiqej t’u shmangej ndikimit, prandaj e shkarkuan pas fushatës së egër më luftë parullash nëpër mure si në revolucionin kinez, dhe më djegien e posterit gjigantë para selisë së LDK-së.

Me Lutfi Hazirin kundër Isa Mustafës

Me Isa Mustafën e hoqën Fatmir Sejdiun, me Lurtfi Hazirin do ta heqin Isa Mustafën. Janë eliminime tipike staliniste, por pa ekzekutime me plumb. Nuk ka rëndësi që Hazir s’ka arsimim, pos mejtepit të Gjilanit, nuk është e rëndësishme që është ndër pasunarët e LDK-së që i fitoi në biznese partiake, as nuk ka rëndësi që ka akuza në gjyqe për shantazhe e zhvatje ndaj bizneseve derisa ishte kryetar komune e ministër. E rëndësishme është se e ka mbështetjen e Sabri Hamitit. Kështu, I. Mustafa, pedagogu universitar do të zëvendësohet më mejtepliun gjysmë analfabet.
Medet ku ka rënë LDK-ja, dikur pasuria më e madhe e shqiptarëve në Kosovë e territoret etnike.
Prandaj përsëritja për dorëheqjen e Isa Mustafës nuk është e rastit, është e njëjta gjë që u bë për dorëheqjen e Fatmir Sejdiu. Dhe Mustafa ose do të jep dorëheqje, ose do ta shkarkojnë, nëse klani tjetër është më i fuqishëm, meqë misionin e tyre e kreu. Natyrisht kreu edhe punë të veta me thes.
Kam përshtypjen se kërkesa më e zëshme që po bëhet për dorëheqjen e Isa Mustafës është duke u shtruar gabimisht, në vend të shtrohet kërkesa përmes armatës së simpatizuesve, degëve e nëndegëve për shkarkimin e aksionarëve kryesor të LDK-së. Mustafa është vetëm administrator i aksioneve të Hamitit, Hazirit, Beqirit e aksionarëve të tjerë anonim jashtë partisë. Po nuk u shkarkuan aksionarët kryesor kurrë nuk do të ketë ndryshime në parti. Sabri Hamiti do ta luaj rolin e komisarit politik edhe më tutje, duke eliminuar me egërsi kandidatura intelektualësh a emrash të kumbueshëm, duke u bë digë kundër prurjeve të reja në parti dhe duke e shndërruar partinë në korporatë familjare. Edhe Haziri, kandidati çapaçul për kryetar partie është vegël, i vetëdijshëm për paaftësinë e vet.
Kërkesa për dorëheqjen e Isa Mustafës nga dukagjinasit e lënduar, po edhe nga llapjanët e eliminuar është e arsyeshme, por nuk duhet të mbetët kërkesë për një dorëheqje, më shumë duhet të bëhet luftë partiake për shkarkime të Kryesisë së LDK-së, përkatësisht aksionarëve kryesor dhe zgjedhje si duhet të Këshillit të Përgjithshëm. Ndërkaq, kjo procedurë duhet të nis nga nëndegët e degët. Vetëm pastaj do të filloj shërimi i partisë, sepse LDK-ja është duke lënguar rëndë, është në agoni. Ta heqësh Isa Musfafën e ta vesh Lutfi Hazirin, s’ke bërë asgjë, përkundrazi e ke bërë një krim, ke thelluar krizën, apo mbase duhet të thellohet kriza deri në fund që të nis shërimi. Por ta zgjedhësh L. Hazirin do të bëheshe gazi i botës me një kryetar- palaço islamik.
Kërkesat për dorëheqjen e Isa Musfatës me ngjanë më kërkesat e dikurshme për dorëheqjen e Fatmir Sejdiut. Edhe atëherë dukej sikur kërkesa u bë nga dukagjinasit e margjinalizuar, ndërsa në fakt ishte nga dukagjinasit e instrumentalizuar. Tash nuk mendojë se dukagjinasit janë të instrumentalizuar, por duke kërkuar dorëheqjen e një njeriu, mund të krijohet përshtypja e gabuar se çdo gjë është në rregull, e shkarkojmë Isa Mustafën dhe do të vazhdojmë tutje.

Si u bë përzgjedhja e kandidatëve të LDK-së për deputetë?

Dhjetë vjet të represionit të Serbisë, kur u keqtrajtuan e u vranë mijëra veprimtarë, tre vjet pas hyrjes së trupave të NATO-s, kur grupet kriminale politike vranë dhjetëra aktiviste, mijëra të tjerë kërcënuan me vdekje, nuk e shprishen as nuk e dëmtuan Lidhjen Demokratike të Kosovës sa tetë vjet të qeverisjes së keqe të aksionarëve të tashëm. S. Hamiti, I. Beqiri, L. Haziri e aksionarët anonim që e diktojnë politiken. Ata e shtrinë për toke partinë dikur më të fuqishme, iu hodhën sipëri, e përdhunuan, e paralizuan, e kafshuan, e zhvatën dhe, e shpërfytyruan. Nga partia më e madhe dhe më e fuqishme shqiptare e bënë parti minore. Partia e cila dikur kishte ajkën e intelektualëve, ekonomistëve, politikologëve, shkrimtarëve të të gjitha territoreve etnike, u bë parti e matrapazëve e gjysmë analfabetëve, që s’kishin përgatitje shkollore e ndershmëri të udhëhiqnin as një lagje katundi.
Nga Ibrahim Rugova, LDK-ja ra në duart e L. Hazirit, I. Beqirit e S. Hamitit. LDK-ja e Ibrahim Rugovës e cila u shqua me intelektualët më të mirë të kombit, tash po bëhet sinonim i eliminimit të intelektualëve, parti e padrinove, ku privilegjohen të korruptuarit, të paarsimuarit dhe analfabetët politik. Të gjitha partitë e tjera në Kosovë kanë më shumë intelektualë se sa Lidhja Demokratike, të gjitha partitë kanë më shumë transparencë e komunikim me simpatizantët se sa LDK-ja .
Partia e Ibrahim Rugovës ishte strumbullari i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në territoret etnike. Sot LDK-së asnjë subjekt politik nuk i shkon prapa, s’ka koncept politik, s’ka parime morale, shquhet për skandale, korrupsion imoralitet.
Kur margjinalizohet diaspora që dha aq shumë për shtetin

Diasporën- armatën më të fuqishme shqiptare e cila për dy dhjetëvjetëshe e mbajti gjallë popullatën e Kosovës e të territoreve etnike, aksionarët e LDK-së e margjinalizuan, e bënë sterile, meqë veprimtarët e Diasporës ishin gati të vetmit që nuk u pajtuan me veprimet e aksionarëve matrapazë të LDK-së. Diaspora edhe sot është ekonomia më e fuqishme e Kosovës, sepse ekonomi tjetër gati se nuk kemi. Veprimtarët e diasporës janë më të zëshmit kundër privatizimit të LDK-së, mbase janë e vetmja shpresë se mund ta shpëtojnë partinë e Rugovës, sepse të tjerët druajnë nga shantazhet, i frikësohen hakmarrjes së aksionarëve, ose ruhen nga të papritura që mund t’ua kurdisin aleatët e aksionarëve, meqë në LDK kanë aksione edhe grupet anonime të rrezikshme.
LDK-ja është në udhëkryq, me rrezik të madh-të fundosët. Për të kapur majat e dikurshme duhen vjet.

Humbësit e Prishtinës, pretenduan majat e shtetit!

Kriza e thellë e LDK-së kulmoi me humbjen e pafalshme të zgjedhjeve në Prishtinë. Disfata pritej. Kandidatët e propozuar për kreun e Komunës humbën për shkak të qeverisjes se keqe, familjarizimit e emërimeve me hatër. Shumicën e komunarëve ia imponuan Mustafës aksionarët kryesor, por jo pak prej tyre i nxori nga sirtari edhe ai vet, për të krijuar baraspeshë pa u brengosur janë ata për qeverisje të kryeqyteti apo jo. Dukagjinasit prapë u përjashtuan tërësisht nga qeverisja komunale. Mos durimi i vjetër Hamiti-Beqiri ndaj elitës së Dukagjinit iu imponua edhe Mustafës. Kështu me kuadrot nga dy-tri katunde të Llapit apo dy-tri katunde të Gollakut nuk mund të qeverisej Prishtina elitare dhe kryeqytetasit e llastuar. Drejtorët e Hamitit e Mustafës s’mund të qeverisnin as katundet nga kishin ardhur me një gjysmë opinge, ndërsa pas disa vjetësh qeverisje mezi ecin nga majmëria. Prandaj, ishte iluzion të shpresonin humbësit e kryeqytetit se do të fitonin pushtetin e vendit. Humbën sepse s’deshën të ballafaqohen me realitetin.
Pas humbjes Shtabi i Krizave që duhej të formohej, duhej të reflektonte për disfatën dhe të kërkonte fajtorët jo për heqje kokash, por që të mos përsëritej disfata në nivel qendror. Mirëpo, ata nuk e bënë një gjë të tillë, përkundrazi me të njëjtët dështakë paraqitën kandidaturën për pushtet qendror! Aksionarët e LDK-së me arrogancën e tyre karakteristike përpiluan lista deputetësh jo më profesionistë të mirë, emra të njohur publik, apo autoritete që i do komuniteti, por njerëz të tyre, të afërm e të dëgjueshëm.
Në këtë listë u përvodhën edhe emra që meritojnë respekt, prandaj fituan pa ndihmën e aksionarëve apo të numëruesve të votave. Numëruesit e votave, të dirigjuar nga aksionarët kryesor i dëmtuan ata dhe të tjerët që nuk ishin të tyre.
Po u shikua lista e pjesës dërmuese të deputetëve nuk e ke idenë se cila është arsyeja apo merita e kandidimit. Në listën për deputetë u futën krahas kandidatëve nga Llapi e Gollaku, edhe të tjerë që ishin në lidhje biznesore a farefisnie me kreun e aksionarëve të LDK-së. Të tjerët se ku i morën, si i gjetën dhe pse i kandiduan, mendja e shëndosh nuk ta kap. Aksionarët sikur donin ta prisnin degën në të cilën hanë si të babëzitur.
Por hileja ishte gjetiu: synohej që kreu i aksionarëve të marrin sa më shumë vota, prandaj iu shmangën sa mundën emrave të njohur a profesionistëve me zë.
Kreu i listës nis me Isa Mustafën, administratorin e aksioneve të LDK-së dhe humbësin e Prishtinës. Ai mori më së shumti vota, sipas numëruesve të votave, meqë sikurse shkruan një kryeredaktor gazete, garues i votave, ishte direktivë partiake të votohej kryetari dhe disa të përkëdhelur të kryesisë. Ndërkaq, aktivistët e devotshëm e përcollën mesazhin në të gjitha instancat. Natyrisht që aktivistët e qyteteve e katundeve i kryen urdhrat me devotshmëri. Simpatizuesit e sinqertë të LDK-së janë shquar për disiplinë e organizim të brendshëm. Megjithatë një direktivë të këtillë nuk e përfillën kryeqytetasit.
Arsyeja pse u vu nën numrin dy Sabri Hamiti ishte: sepse ai e de rugovizoi partinë, e sterilizoi, e pastroi nga intelektualët e dukagjinasit, i eliminoi llapjanët me emër, e thartoi çdo entuziazëm, i shkurajoi militantët me cinizmin, e zymtësinë e tij karakteristike, me arrogancën primitive, çirrej nëpër zyre herë kundër një nëpunësi, herë kundër tjetrit si sundimtarët anadollak kundër skllevërve të tyre. Kështu e shndërroi LDK-në në kompani familjare, ku i punësoi të gjithë anëtarët e familjes: të vëllanë në kreun e Komunës së Prishtinës, nipin ambasador, kunatën zëdhënëse në ministri të jashtme, të vëllanë drejtor të QKK-së, të birin konsull të përgjithshëm, kunatën tjetër në një ministri tjetër të LDK-së, gruan në Komunën e Prishtinës, dhendrrit nëpër ministri e dikastere partiake, të afërm të tjerë i angazhoi në fushatë me para të partisë, ndërsa mijëra shqiptarë do ta kryenin punën shumë më mirë se sa ata, por nuk e kishin pader familjaris S.Hamitin.
Dihet po ashtu botërisht se S. Hamiti përmes dy ministrave të LDK-së (A. Haraqisë e L. Hazirit) e paralizoi Kosovafilmin, duke u përpjekur ta shuante për ta fuqizuar QKK, (një institucion i shpifur e paralel i filmit) vetëm e vetëm t’ia bënte vendin të vëllait pa përgatitjen e duhur shkollore. Për hatër të vëllait shuante e themelonte institucione si ta kishte shtetin prone private, ndërsa dy ministrat i bëri shërbëtor personal. Asnjë lider partie apo anëtar kryesie në Kosovë nuk ka punësuar më shumë familjarë, ose nuk e ka keqpërdor më shumë partinë për interesa personale e familjare se sa ky aksionarë i LDK-së. Asnjë anëtar kryesie nuk i ka bërë më shumë dëme partisë së vet se sa S. Hamiti, asnjë njeri nuk e përdhosi partinë si ai.
Por Hamiti i hakërrimeve korridoreve të LDK-së kësaj radhe, sipas shtypit, rrezikoi të mbetej jashtë Kuvendit, po të mos qëllonin të zellshëm numëruesit partiak të votave, të cilët thuhet nëpër kuluare nxituan ta plotësojnë boshllëkun votues. Vjedhja e votave nuk është risi në LDK. Vjedhjen e votave brenda kandidatëve të LDK-së në zgjedhjet e kaluara e pranoi edhe kryetari Isa Mustafa. Për vjedhje votash brenda LDK-së flasin të gjithë: deputetët e LDK-së që fituan, por edhe ata që nuk morën numrin e duhur të votave e akuzojnë Shtabin numërues të votave se ua plotësoi aksionarëve numrin e duhur të votave, ndryshe do të mbeteshin me gishta në gojë.

Votuesit e rrezikuan aksionarin kryesor

Treshi i LDK-së, Ismet Beqir (ish-sekretar teknik i një shkolle) është meritorë për humbjen e simpatizantëve në Kodrën e Trimave, lagjen më të madhe dhe më militante të LDK-së kur ishte gjallë Ibrahim Rugova. Beqiri ka edhe një meritë tjetër: në degën e tij, ndihmoi në shuarjen e qendrës më të madhe të Shoqatës Bëmirese “Nëna Tereze” në Ballkan, për t’ua lënë periferinë e kryeqytetit shoqatave fetare duke e shndërruar në çerdhen më të madhe të islamikëve në Kosovë.
Është inkurajuese që sakicës Hamiti-Haziri, i shpëtuan disa deputetë, me të cilët duhet të nisen ndryshimet e domosdoshme. Ka mijëra veprimtarë që nuk e pëlqejnë rrënimin e LDK-së nga aksionarët kryesor, por kërkojnë një lider, kërkojnë ekipe që do t’i aktivizonin. Njerëzit nga Diaspora nuk duhet vetëm t’i sensibilizojmë për të investuar në atdheun kur të krijohen kushtet, por duhet t’i mbështesim që të na ndihmojnë në shpëtimin e LDK-së nga matrapazët. Kryetari i Komunës së Ferizajit, Muharrem Sfarça është shembulli i mirë i administratorit të mirë që erdhi nga Diaspora dhe e shpëtoi me fytyrë Ferizajin e LDK-në. Sa ka menaxherë e veprimtarë të tillë nga Diaspora, por edhe nga Kosova që mund ta ndihmonin LDK-në e Kosovën, sikur t’i aktivizonim. Por aksionarët kryesor e kanë bërë të kundërtën, i kanë ofruar vetëm ata që u ofrojnë biznese e përfitime atyre personalisht.
Sa herë përtypën “bëmat” e nëndheshme të aksionarëve kryesor jo pak njerëz të informuar shtrojnë pyetjen: me çka u shquan publikisht S. Hamiti, I. Beqiri, L. Haziri? Me asgjë! Hamiti kurrë nuk e dha një deklaratë e cila do të mbahej në mend, kurrë nuk e shkroi një tekst me të cilin do të mbronte çështjen shqiptare apo kauzën tonë, ndërsa sulmonte egërsisht Kadarenë që e mbronte çështjen e Kosovës në Perëndim, duke shpifur kundër tij. Hamiti kurrë nuk bëri ndonjë veprim a kundërshtim, i cili do të flitej nëpër kuluare, ose që do të regjistrohej në medie. Për 15 vjet pati qindra raste, por i mungoi guximi. Ai me dy aksionarët e tjerë gjithnjë janë fshehur prapa palltos së Rugovës, duke mos marr asnjë përgjegjësi, ndërsa kërkonin privilegje.
Ndërkaq, Ismet Beqiri, ka merita- kështjellën e LDK-së, Kodrën e Trimave ua dorëzoi partive kundërshtare dhe islamikëve. Megjithëse të varfër elektorati i kësaj lagje nuk ishin budallenj sa t’i mashtronte deri në pakufi një sekretar teknik shkolle, me tha një bashkëbisedues. “Edhe tash e adhuroj Rugovën, por nuk na mashtron më Beqiri më përralla për partinë e Rugovës”, me tha taksisti i Kodrës së Trimave, dikur militant i guximshëm i kësaj partie, ndërsa së fundmi, me tha, e votova Vetëvendosjen.
Lutfi Haziri, nuk u shqua më asgjë, pos me belbëzime prej nxënësi të dobët të fillores para kamerave, ndërsa e kanë bërë zëdhënës të partisë! Si ta caktonin belbatikun orator para miliona njerëzve. Postin në Gjilan e mori, sepse partia kundërshtare e goditi kandidatin e vet në mënyrë të pakuptueshme, ia mori fitoren duke ia dhënë postin L. Hazirit.
Veprimtarët e LDK-së gjashtë muaj para fushatës flisnin nëpër kafene se ka marrëveshje LDK- PDK që të fitoj L. Haziri. Prandaj PDK-ja nuk e mbështeti kandidatin e vet në Gjilan, përkundrazi e pengoi me të gjitha mjetet.
Haziri, fitoi më së shumti. Ai nga një shitës kasetash e menaxher i muzikës turko-arabe nëpër kafenet e Gjilanit të paraluftës, u bë kryetar komune, madje edhe ministër kulturë(!).
Humbja e LDK-së në zgjedhjet e fundit me këta aksionarë do të thellohej sikur një pjesë jo e vogël e zgjedhësve të mos përcaktoheshin që ta votonin LDK, për ta hequr qafe qeverisjen e keqe të pozitës. Pra votuan kundër pushtetit të keq e jo për LDK-në.

Kush mund ta shpëtojë Lidhjen Demokratike?

Lidhja Demokratike e Kosovës është shndërruar në azil pleqsh të-zymtë e grindavec, ku të rinjtë e ndjejnë vetën keq, gati bien në depresion. Të njëjtët njerëz janë tash pesëmbëdhjetë vjet: qendrestarë” e të pa shqitshim, si rriqër që s’duan t’ia dinë për ndërrime demokratike, për avancime konceptesh, as për freskim idesh. Ata e kanë krijuar bindjen se partia është pronë private e tyre, që duhet ta mbajnë nën thundra deri në vdekje. Komunikimi me veprimtarët po ashtu jo rrallë është bërë në parimin e dëgjueshmërisë policore ose me sistemin e intrigave nën rrogoz, kështu që qarkullimi demokratik i ideve ishte nocion krejtësisht i panjohur për ta.
Prurjet e reja janë të rralla, vetëm atëherë kur aksionarët kryesor e nxjerrin nga naftalina ndonjë aktivist që s’do t’ua prish për asgjë dhe që do të punojë ashtu sikurse ia diktojnë mësuesit-nxënësve. Po u përpoq ndonjëri të ve komunikim me medie, apo zoti na ruajt të shquhet, hiqet pa mëshirë. Tipat karizmatikë nuk i honepsin.
E kanë thartuare LDK-në si të ishte parti e Kmereve të Kuq.

Kur kryetari bëhet zjarrfikës i skandaleve

Ky raport është ngulfatës brenda partisë, aty nuk ka qytetarë të barabartë, përkatësisht anëtarë të barabartë të kryesisë. Kryetar është nënkryetari i parë, kurse kryetari shpesh është zjarrfikës i skandaleve të bashkë partiakëve.
Në kryesinë e LDK-së që nga vdekja e Rugovës nuk ka asnjë personalitet karizmatikë. Nuk pati as më vonë, prandaj e ftuan administratorin Isa Mustafa, i cili tërë kohën e shpenzoi në shuarjen apo neutralizimin e skandaleve të vëllezërve, kunatave të aksionarëve.
Isa Mustafa s’pati asnjë mundësi të bëjë ndryshime, edhe po të ishte vëllai i vogël i Rugovës. S’pati si ta nxirrte partinë nga bataku, sepse hija e S. Hamitit nuk i shqitej në asnjë hap, hija e tij ia kujtonte se kush e solli në krye të partisë, prandaj, vullnetin e fillimit për të pastruar partinë nga batakçinjtë, ashtu sikurse pritej nga simpatizantët e padjallëzuar, ia prenë në rrënjë.
Që në fillim të karrierës iu dasht ta kapërdijë skandalin e ambulancës në Kodrën e Trimave, kur i dhanë afër 2 milion euro në kohën kur qeveriste Ismet Beqiri e Sami Hamiti, ndërsa ditën e inaugurimit pikonte çatia. Isa Mustafa, kryetar komune, mbeti pa mend, sikurse ma pati thënë atë ditë pas inaugurimit. Druante se do ta hetonin gazetarët këtë skandal.
Skandalet e tjera të farefisit të aksionarëve i kapërdiu tërë mandatin e parë, ndërsa në mandatin e dytë, kur pritej t’i shmangte autorët e skandaleve, ai i afroi edhe më në pushtet, duke futur edhe njerëzit e vet me simpati e përkatësi katundi.
Në fushatën e kaluar administratorit Isa Mustafa i bënte karshillëk haptazi S. Hamiti. Një herë dilte para foltores Mustafa, pastaj Hamiti, herën tjetër dilte Hamiti, pastaj Mustafa. Krijohej përshtypja sikur janë dy nënkryetar, pa kryetar partie. Hija e Hamitit e ndiqte në çdo hap, madje edhe në vizita ndërkombëtare kishte prapa, sikur i druhej se mos bënë ndonjë marrëveshje të fshehtë me euro perëndimorët. Natyrisht hija e tij e ndiqte në çdo vendim.
Nënkryetarët e tjerë nuk ndjeheshin gjallë. Duket se Mustafa kishte borxhe ndaj Hamitit , ndryshe ishte vështirë të arsyetohej ky imponim agresiv, dhe kjo lojë karshilleku, kur edhe në konferencat për medie, ku zakonisht paraqitet vetëm kryetari, hija e zymtë dhe e thartuar e Hamitit i rri pranë vazhdimisht.

I frustruari nga shpërfillja e Rugovës

Hamiti i frustruar nga shpërfillja njëzetë vjeçare që ia bëri Ibrahim Rugova, i acaruar nga distanca e vazhdueshme që e mbante presidenti ndaj tij, duke mos i dhënë poste dhe duke e mbajtur larg nga zyra presidenciale, nuk lejoi një largim të tillë nga kryetari i ri.
Hija e Rugovës e frustron edhe sot e kësaj dite, megjithëse me emrin e tij mori të gjitha privilegjet, mori votat, mashtro opinionin Dihet po ashtu se Rugova dy herë e përjashtoi Hamitin nga partia, pra e nxori nga dera, por ai sërish dy herë u fut nga dritarja.
Asnjë parti simotër në Kosovë nuk e pati një imponim të tillë të nënkryetarit të parë. Për shumicën e partive politike në Kosovë opinioni as që e di kush është nënkryetar i parë e kush i dytë. Në fushatën e partive të tjera as që ranë në sy rivalitetet të tilla. Nënkryetarët as nuk duhet të imponohen, sepse duket qesharake dhe është e dëmshme.
Në kushte të tilla, kur aksionarët kryesor me aksionarët anonim e kontrollojnë çdo degë, nëndegë a aktiv, është vështirë të gjendet shpëtimtari i partisë, është vështirë të zgjidhet grupi i cili do ta nxirrte nga bataku për ta shkëputur nga kthetrat e aksionarëve që po e fundosin. Edhe Këshillin e Përgjithshëm me ndonjë përjashtim e ka zgjedhur grupi i aksionarëve. Natyrisht KP-ja ka shprehur pakënaqësi të vazhdueshme, ka kërkuar të përfillen mendimet dhe vendimet e tyre, por me taktikën e njohur të shpërfilljes, shtyheshin vazhdimisht ballafaqimet Kryesi-Këshill i Përgjithshëm. Prandaj, disa anëtarë të KP-së hoqën dorë nga përpjekjet për ndryshime, disa dhanë dorëheqje edhe nga KP-ja fare, të dëshpëruar më pafuqinë që të pengojnë batakçillëqet e aksionarëve.
Këshilli i Përgjithshëm është sa për sy e faqe, për dekor demokracie, meqë nuk e pyet askush për asgjë. Edhe më pak pritet se do të përfillet ndonjë vendim i KP-së, pasi Hamiti ta zëvendësoj Isa Mustafën me Lutfi Hazirin.
Megjithatë ata që mendojnë se mund të bëjnë ndryshime, për ta shpëtuar LDK-në e Ibrahim Rugovës, pasurinë më të madhe kombëtare, duhet të angazhohen seriozisht duke filluar nga nëndegët e degët, edhe pse dihet fare mirë se veprimtarët në të gjitha strukturat partiake janë propozuar e zgjedhur nga Kryesia. Por një gjë duhet ta kenë parasysh: luftë krahinore apo ndërskamsa të këtij niveli primitiv sikurse kanë bërë aksionarët: S. Hmaiti, L. Hairi, I. Beqiri etj. në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjnë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ishte parti e të gjithë qytetarëve të barabartë të Kosovës, në qeverisjen e së cilës do të marrin pjesë të gjithë njerëzit e aftë e të ndershëm pa i diskriminuar në baza krahine.
Kosova është aq e vogël sa të rrudhemi në feude primitive mesjetare, sikurse e bënë një gjë të këtillë aksionarët e LDK-së.

Fund
Korrik 2014