LAVDOSH BEQO: Po mua, për çfarë do të më përgojosh, o Sali Berisha?

0
28

ResPublica.al, 21 tetor 2012

Lavdosh Beqo është i ngujuari më i moshuar në grevën e urisë së të burgosurve politikë që po zhvillohet prej pothuaj një muaji në Tiranë – është plot 81 vjeç. Beqo është një nënshtetas francez me origjinë shqiptare, i cili sapo mori vesh që bashkëvuajtësit e tij ishin futur në grevë urie, la komoditetin dhe sigurinë shëndetësore të jetës në Francë dhe iu bashkua grevës së urisë në Shqipëri.

Ka disa javë pa ngrënë dhe, ditët e fundit, policia nuk i lejon lengjet dhe ilacet e domosdoshme për të mbijetuar. Por ai, me stoicizmin e tij, nuk pranon të shkojë në spital, sepse e di që nuk do ta lejojnë të kthehet në grevë. Biseduam me të mbrëmë dhe deshëm ta vazhdonim bisedën sot, por nuk na la policia. Ato që na tha mbrëmë po i përmbledhim shkurtimisht më poshtë.

Tha Beqo: “Në demokraci, pyetja kryesore është ‘Çfarë’, e jo ‘Kush’, ndërsa në diktaturë ishte e kundërta. Sali Berisha nuk duhet të merret me biografitë e njerzve të grevës, por me çfarë ne po kërkojmë. Por, nejse, le t’i përgjigjem edhe pyetjes “Kush”, që Berisha e ka aq qejf. Përgojoi Gjergj Ndrecën, Lirak Bejkon, Perekli Shqevin, Shpëtim Karamuçën, Fatmir Lamajn, Skënder Tufën e Asllan Patriotin, por unë e sfidoj të më përgojojë edhe mua!!! Për çfarë të më përgojojë, që kam qenë 20 vjet në Burgun e Burrelit, përkrah xhaxhait të Jozefina Topallit e Blendi Fevziut? Apo të më përgojojë që i kam qendruar afër Xhevat Korçës në grevën e urisë që bëri në Burgun e Burrelit?

Të më përgojojë se shteti francez, ndryshe nga shteti shqiptar, më ka trajtuar me dinjitet për vuajtjet që kam hequr nga ish-partia e Sali Berishës? Të më përgojojë pse lashë rehatin dhe sigurinë shëndetësore të Francës dhe u ngujova për kauzën e bashkëvuajtve të mij? Me mua dhe Ramazan Spahinë, Berishën e ka pjellë belaja – ne jemi dy pleq stoikë, njëri nga jugu e tjetri nga veriu, që nuk jemi thyer nga torturat e Enverit, e s’kemi si të qederisemi nga cic-micet e Saliut…”

Në foto: Beqo duke dhenë intervistë. Në të djathtë të tij është Ramazan Spahia

E.Zaloshnja