Lavdi folklorik (Ku mbrohet Kosova?)

0
23

Rexhep Kasumaj, Berlin, fundgusht 2015

1. “Jeta jonë është bërë nga vdekja e të tjerëve”!..
Mendimin që arrin kufijtë e çelësit të Krijimit, pra vetë tharmin e natyrës njerëzore, do t’mund ta riskajonim në një rrafsh më të prekshëm e toksor. Kështu thoshte Kryemjeshtri Da Vinçi, kurse i zbritur në miljeun kosovar dhe në ballin e pushtetarëve të tij, do të dukej, ndoshta, kështu: luksi ynë është bërë nga mjerimi i të tjerëve! Cakmbërritjet e Kosovës përvijohen, përgjithësisht, dy udhësh: njëra është gjeopolitika, lojërat a interesat e saj dhe tjetra, puna që bëjnë guvernantët për ta justifikuar aftësinë shqiptare për mëvetësi shtetërore. Ndërsa në të parën ata s’kanë asnjë ndikesë, e dyta, ndërkaq, është krejtësisht në dorën e tyre.

2.
Tani: a ishte paraqitja e këtoditshme e ministrit të jashtëm të Kosovës në Këshillin e Sigurimit, H.Th., e denjë për hymnizimin brohoritës? Fare pak! E, përse? Sepse fjala në këtë Instancë madhore, pos kulturës, retorikës dhe elegancës, në një anë, duhet, mbanë tjetër – të ketë, më shumë akoma, manifestin rrënues të fakteve. Thjeshtë e qartë prandaj: struktura e antarësisë së këtij institucioni suprem, është e hallakatur e heterogjene që nga përfaqësues me informacion e ndjeshmëri e deri tek ata, visesh të drunjta, pa asnjërën prej tyre…

Por të fundmit posedojnë diç tjetër me vlerë: fuqinë e votës kur në orën e pritshme Kosova të aplikojë për aderim në Asamblenë e madhe. Dhe, pikërisht këta, pra, i duan faktet tronditëse e jo xyfjet shterrake sofiste. Faktet 1000 herë të përsëritura. Ja një pjesë e elaboratit testamental të tmerrit: 800 foshnjet e therura nga bajonetat serbe në gjirin e nënave të pafaj shqiptare. Kjo botë është brutale. Ata të gjithë shohin gjak e lot skutave të saj. Por distanca indiferente është thirrja e ftohtë e detyrës së tyre. Po, së paku, kjo gjuhë ngjan më e kapshme e mendimkrijuese, se truket lojcake që i merr era pa u mbyllur mirë portat e saj.

3.
Mirëpo ata, për habi, nuk e bëjnë këtë. Mos qoftë kështu, por, me gjasë, i druajnë zhvendosjes së lavdisë nga “komandantët” e shumtë – tek ato që dhanë, heshtur deri në tragjikë, bimësinë e zemrës dhe sërish bëjnë përtëritjen e jetës dhe dëshminë e gjallë të truallit arbnor. Kështu i thurej odë, përplot idolatri e folklor, dhe prezantimit të një ministri tjetër pararendës, S. H., por, prapë e gjithnjë, Kosova vijon të jetë temë kujdestare në Kombet e bashkuara, si një territor kontestues në shkallë ndërkombëtare.

Rrjedhimisht, përveç në arenë aleancash, raporti forcash e konfigurimi hemisferash planetare, ku Kosova e vogël ka rolin pasiv që i jep vetëm pesha e hapsirës jetike të ndarë nga Zoti – Indipendenca e saj, më parë se kudo, mbrohet në Prishtinë. Por, fatmjerisht, mbrohet keq. Fundja, si mund të shkëlqejë në sallone të politikës së lartë, ai që nxinë në shtëpi? Ndaj së mbylluri, që thellë kohës, vjen sërish gjeniu i fillimshkrimit. Dhe thotë: kush pasurohet brënda një dite, do t’varet brënda një viti! Mbase. Por këtej i thonë ende Ballkan. Sidoqoftë, shpata e së drejtës ka tehun e gjatë…