Lazim Rexhepi
(Fragmente romani)
Jam i lindur në Malësinë e Tetovës apo më qartë: në bjeshkët e Sharrit, në një familjë të varfër fshatare, e ardhur nga Malësia e Madhe e Shqipërisë, siç na thonë: fisi i Kastriotëve. Katundi ku kam lindur unë ka qenë më i madhi nga Reka e Malësisë së Tetovës, katund nga kanë dalë gjithherë burra të zgjuar dhe kur them burra të zgjuar, vlen të kuptohet patriotë të flaktë, si shembull i tillë ka qenë Rexhep Voka nga Shipkovica , ose si i thonin në kohërat e atëhershme: Rexhep Efendija, pishtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe luftëtar të paepur në kohën e Esat pash tradhtarit.
Më vonë, Shipkovica nxjerr heronj të tjerë të cilën dhanë jetën për dituri. Nxori edhe djem të zgjuar siç ish nipi i Rexhep Vokës, Rexhep Mnjaku si dhe Sadudin Gjura, që dy nipër dhe profesorë të gjuhës shqipe, pastaj daja i tyre Jahja Baftjari në moshën shtatëdhjetë vjeçare, të cilët do të mundohem t’i përfshij në romanin e ditëve të mia, për të cilën shpresoj se do të keni mirësinë ta publikoni e me anë të cilit do të pasqyroj gjendjen e Kosovës, për ta ngritur moralin politik dhe patriotik të kombit.
Ishin dite pranvere, ditë kur në ato maja të larta, në ato brigje të mrekullueshme, në ato katunde shqiptare, çdo gjë e kishte hijen e saj të madhërishme. Që nga ajo kohë kanë kaluar tridhjetë vjet, kohë në të cilën kam rrahur shtatë shtete, por vend më të mrekullueshëm se vendlindjen time nuk kam gjetur dhe nuk besoj të gjej më në botë.
Lazim Rexhepi me familjen ne Moldove
Sot, pas tridhjetë vitesh, gjendem në Rumani. Rumania është një vend shumë i bukur, me pyje të larta të breut, me liqene të hapur, me fusha dhe ndërtesa ultramoderne, me shtëpi pushimi, me kështjella e plazhe, me lulishte e me shumë gjëra të mira; vend në të cilin gjen njerëz të këndshëm, shpirtmëdhenj, zemërhapur. Këtë popull e gjej si një popull i edukuar mirë, me një humanizëm të rrallë, popull i përsosur me ndjenja fisnike që përfiton simpatinë e çdo të huaji që vjen këtu.
Ndër popujt e Ballkanit, të cilët i njoh më mirë se vetën time, ma merr mendja se nuk ka njerëz më të përzemërt se rumunët, me përjashtim të mirëpritësve shqiptarë, të cilët edhe sot i ruajnë traditat ilire, popull i vendosur që karakterizohet si një nga popujt më të lashtë të Evropës. Këto nuk i them nga fjalët e mia, por janë fjalë të atyre që më kanë njohur e të cilët nuk e dinin se jam shqiptar. Si e shpjegoni këtë? – mund të më pyesë lexuesi.
Në çdo shtet ku jetova dhe të gjithë ata me të cilët rashë në kontakt përmes bisedave të ndryshme, unë e sillja fjalën në drejtim të përmendjes së emrit Shqipëri. Dhe kështu i shihja mendimet çdonjërit. Mendimi i përgjithshëm është se kush ka patur punë me shqiptarë është bindur se shqiptari nuk të tradhton, nuk të pret në besë, nuk vjedh, nuk shitet për të holla, nuk poshtëron shokun. Se po ta dha fjalën shqiptari, duhet të dish se ai nëpër flakë kalon, por besën e ka besë…
U zgjova duke u thënë se po largohem ngase bëhet vonë. Kështu, unë u çova i pari nga tryeza dhe ata u çuan një nga një dhe nisa ta hapi derën për t’u nisur për në Tetovë. I mora në grykë motrat dhe vëllezërit, nënën dhe babën, pastaj tezet, hallat e dajallarët dhe kur hapa derën nëna ma hodhi një shtamë me ujë duke më përcjelle. Ky ishte një zakon i vjetër për të cilin as sot e kësaj dite nuk e di se ç’do të thotë.
Kurtishi, Ekaterina dhe Lazim Rexhepi
Deri të Kroi i Radencës më përcollën të gjithë. Kjo po ashtu ishte një traditë respekti. Aty i luta të kthehen të shtëpia, vetëm vëllai të vijë me mua ta marrë kalin nga Tetova. Ata më dëgjuan dhe nëna përsëri më porositi: “Nana ta la amanet: kokën e përulët shpata nuk e pret. Mos u habit ka do shkojsh se në derë të huej shqiptar nuk do gjejsh”. U përqafuam për hërë të fundit dhe së bashku me vëllaun vazhduam rrugën.
Kur dolëm te Rrafshat e Gajres, u ndala me një gurë dhe për herë të parë ndeza një cigare dhe shikoja në drejtim të Fushës së Madhe të Shipkovicës. Ktheva kokën për 25 gradë majtas, hodha një sy katundit tim, vendlindjes sime. Sharrit krenar, fushat e të cilit i shifsha si në pasqyrë, krejt pemët, ato ditë zbulonin, kumbullat, xhenarikat, qershijat, vishnjat, mollët, dardhat. Më dukej se pemë e brigje më të bukura se ato të Shipkovicës nuk ka asnjë vend në botë. Dhe i pashë pastaj fushat e katundit plot dhen dhe shqerra që blegëronin. Dhe dëgjohej ndër brigje kënga e kavallit të barinjve që këndonin në ato ditë të bukura pranverore.