Lamtumirë shkrimtarit të shqetësuar italian – Antonio Tabukit

0
49

Arjan Th. Kallço

(Letërsia është një e vërtetë simbolike)

Gati dy vjet më parë në Selanik pata fatin që ta njihja nga afër shkrimtarin, mikun dhe kolegun tonë Antonio Tabuki. Ishin ditë të paharruara jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që patën mundësi të shkëmbenin disa fjalë me shkrimtarin e madh. Lajmi i dhimbshëm i vdekjes trokiti pas dy ditësh, pasditen e së hënës në emailin tim, përsëri nga qyteti ku u takuam për herë të parë dhe të fundit. Nuk i përmbajta dot lotët dhe një lloj trishtimi më shoqëroi gjithë pasditen deri natën vonë.

Ndërroi jetë shkrimtari që shqetësimin e tij të kohës, shqetësim universal, nuk e mbajti për vete në shpirt si diçka që duhej fshehur me çdo kusht, por e bëri të njohur me veprën e tij, pas një analize tepër të gjerë, duke synuar ndërgjegjësimin e opinionit. Ishte një shqetësim për fatet e botës që e kishte lexuar në mendjen dhe sytë e gati 15 paraardhësve të vet, shkrimtarë të shquar të gjithë dhe që i lidhi pikërisht tronditja e fortë intelektuale ndaj një realiteti të ashpër dhe plot probleme të mprehta.

Në madhështinë tënde…

Vdekja kishte kohë që përsëriste

Apelet e saj qesharake, po, po, vetë ajo shushunja

Me ferrin marrëzisht dashuruar. E ka të gjithin në dorë,

Mjafton një shënjë e vogël pabesie, të vret, të gjunjëzon

Si xhelate e vërtetë mizore me frikën ka flirtuar.

Në parajsë askush nuk e mirëpret më, ëndrrat e saj

Shtyhen tytje, në pritje të një ferri gjigand unik dhe të lulëzuar.

Ajo nuk kërkon njerëz dosido, por emra të mëdhenj, konformistë që

Ngutshëm zhyten në kullën e vet në pritje të lavdisë së përdalë

Nga përulja fituar. Nuk ka zot tjetër mbi dhe’ të cilit t’i thurren këngë,

Vetëm ajo duhet lajkatuar.

Ti, Promete’, i injoroje apelet, joshjet e ethshme i bindur se nuk e

Meritonte asnjë përgjigje, veç heshjes dhe dhimbjes së saj

Tek ndihej keq dhe e sfiduar.

Vdekjes i shkove përballë, ia mbylle gojën e ligë që kurrë s’pushoi

Por në madhështinë tënde mbeti e vetme, mbeti e paftuar.

Arjan Th. Kallço

Korçë, 27 mars 2012

Shkrimtari Tabuki ndërroi jetë në moshën 68 vjeçare në Lisbonë pas një sëmundje të rëndë. Lindi në Piza në vitin 1943 dhe në vitet ’60, kur ishte student, udhëtoi shumë nëpër Europë dhe gjatë asaj periudhe i lindi pasioni për Portugalinë dhe kulturën e saj, një pasion që e bëri kritikun dhe përkthyesin më të madh të Fernando Pesoas, të poetin brazilian De Andrade. Libri i tij i parë Sheshi i Italisë u botua në vitin 1975, një lloj sage familiare që flet për jetën 90 vjeçare në një lagje toskane, ndërsa i fundit doli vitin e kaluar me titull Tregime me figura. Tek libri i tij i parë Sheshi i Italisë autori thotë se mësoi të shkruante tregimtari nga poezia: Aty nga viti 1974 Luçiana Pikio më dha për të lexuar bocën e një nxënësi të saj luzitan, duke më propozuar që të shkruaja hyrjen. Më bëri përshtypje të menjëherëshme vepra, sepse evokonte një mjedis i vendlindjes dhe autobiografik, apuan, me pasione të fuqishme dhe me një fabul po aq të fuqishme. Më pas mori rrugë të tjera, duke kaluar nga si kozmopolit me rrugëtime nga Europa në Azi, duke ndjekur itineraret e lundruesve portugezë, pushtues të mëdhenj të epokës së arit.

Romanet dhe esetë e tij janë përkthyer në 40 gjuhë të botës. Gjatë karrierës së tij të gjatë ka marrë shumë çmime letrare në Francë, Itali, Portugali dhe disa prej romaneve të tij u bënë filma nga regjizorë italianë dhe të huaj. Por ai nuk ishte vetëm letrar, sepse ishte i apasionuar pas politikës dhe ishte një polemist i shkëlqyer, duke mos u tërhequr përballë ballafaqimeve të ideve dhe pozicioneve edhe tek gazeta italiane La Repubblica. Emri i tij u bë i njohur me romanin Flet Pereira në vitin 1994 që ambientohet në Lisbonë gjatë diktaturës dhe tregon për ngjarjet e një gazetari obez dhe katolik që pas aventurave që pati me një revolucionar me origjinë italiane, bëhet antifashist. Kur Berluskoni hyri në politikë personazhi i Tabukit ishte simbol i opozitës ndaj Kavalierit dhe i luftës për lirinë e shtypit. Klima e shqetësimit për provat e mëparshme i mbivendoset një dimensioni me gjurmë të fortë etiko-politike, si një protagonist i jashtëzakonshëm, ish gazetari Pereira, dëshmimtari i vetëm i hipjes në fuqi të fashizmit europian.

Për shumë kohë që nga 1973 dha mësim gjuhe dhe letërsie portugeze në Siena. I pëlqente ta quanin një profesor universiteti, duke theksuar se shkrimi nuk ishte profesioni i tij, por diçka që përfshin dëshirat, ëndrrat dhe fantazitë. Me tregimet e tij Loja e përmbysjes në vitin 1981 personaliteti i tij si shkrimtar afirmohet në veçantinë e vet, duke iu referuar mësimit të pasionit të tij, Pesoas, dhe duke tematizuar idenë e përmbysjes si fill drejtues i ekzistencës, unitet kontradiktor që shqetëson, josh dhe alarmon, por të çon në një njohje më të thellë të botës, përmes një loje të hollë midis finksionit pirandelian, memories letrare, kinematografike dhe figurative. Shfaqet për herë të parë në Lisbonën fantastike dhe reale fantazma e Pesoas si frymëzuesi pas kuintave.

Gjinia që ishte më e preferuar për të ishte romani i shkurtër që i solli suksese dhe famë në Itali dhe jashtë saj. Romani i parë që pati fat në arenën ndërkombëtare është Rekuiem shkruar në portugalisht dhe që u përkthye më vonë në italisht. Presidenti Italian Napolitano e quajti një shkrimtar të impenjuar qytetarisht që me vëmendjen e vet ndaj traditave dhe ngjarjeve, jo vetëm në vendin e vet, diti të interpretojë shpirtin europian. Roberto Saviano u shpreh se po të shkruante me penë këto fjalë, do të ishin gërma që dridheshin dhe të thyera. Salman Ruzhdie në shenjë respekti dhe kujtimi këshillon leximin e librit të Tabukit Netë indiane, i bukur dhe i ngjashëm me një ëndërr.