Lamtumira e një gazete si paralajmërim kthimi

0
50

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 24.01.2010

Mero Baze njoftoi dje mbylljen e gazetës së përditshme “Tema”. Në editorialin e fundit, botuesi dhe gazetari i mirënjohur u tregoi lexuesve edhe njëherë, telegrafikisht, shkaqet që bënë të pamundur mbijetesën e mëtejshme të gazetës së tij opozitare. Thjesht i tregoi, pa sens ankimi apo revolte, si një gjë që nuk mund të përfundonte ndryshe. Nuk mundemi më! Kjo ishte antistrofa e lamtumirës, që kompletoi në një ditë të keqe portretin e tij prej stoiku.

“E dimë se duke mbyllur këtë gazetë ne kemi gëzuar shumë vete dhe kemi mërzitur po aq shumë vetë”, shkruhej në editorialin e djeshëm. Është e vërtetë, edhe pse gazeta “Tema” nuk ka qenë ndonjëherë gazetë e madhe në kuptimin e numrit të faqeve apo kopjeve të shtypura. Në këtë pikë, më duket se ajo ka qenë gjithnjë një gazetë relativisht modeste. Por ka qenë e veçantë, e rëndësishme dhe e rrallë si gazetë e pavarur opozitare me orientim të djathtë dhe si media kritike kundër fenomeneve të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Tetë vjet në opozitë me qeveritë e njëpasnjëshme të Partisë Socialiste (nga viti 1997 deri në vitin 2005) dhe më shumë se dy vjet në opozitë me qeverinë “Berisha” (nga vjeshta e vitit 2007 e deri ditën e mbylljes), e tregojnë gazetën “Tema” kampione të opozitarizmit në fushën e medias së pavarur. Duke marrë disa vlera që krijuan në për vite gazetat e tjera opozitare, gazeta “Tema”, me gjithë mungesën e përhershme të mjeteve, e modeloi në njëfarë mënyre kriticizmin si standard , duke u orientuar nga profesionalizmi, por, sigurisht, pa shmangur në momente të caktuara teprimet që vinë nga përplasjet e hapura apo intrasigjenca shelbuese. Gjithsesi, asnjë gazetë nuk ka qëndruar aq gjatë dhe aq fort në pozicione kritike dhe opozitare, si “Tema”. E gjithë kjo edhe për faktin se simotrat e saj të majta apo të djathta zakonisht “janë rrotulluar” rreth pushtetit bashkë me grupimet apo partitë politike që kanë mbështetur e shërbyer.

Me ardhjen e PD-së në pushtet në vitin 2005, “Tema” ka pasur shanse dhe mundësi me shumë se çdo gazetë tjetër për t’u bërë një e përditshme e mbajtur dhe, pse jo, e kamur pro qeveritare. Logjika kështu e ka dashur. “Tema” kishte qëndruar si pak kush në transhenë e opozitarizmit të zgjatur e të vështirë të PD-së. Ajo ishte gjithnjë maja e diamantit e shtypit opozitar dhe një lajmëtare e ri ngritjes nga hiri të Sali Berishës. Ajo u sakrifikua deri në fund për fitoren e së djathtës. Botuesi i saj Mero Baze ishte gjithnjë më shumë se një analist. Ai ishte ndërkohë edhe një nga njerëzit më të afërt të Sali Berishës, për të mos thënë më i afërti për shumë vite, i lidhur me të në miqësinë e njerëzve që nuk janë bashkuar për të ndarë pasuri, por për të ndarë fate dhe ideale. Në të vërtetë “Tema” nuk ishte thjesht gazetë dhe Baze nuk ishte thjesht botues. Ishin institucione të opozitës.

Çfarë ndodhi pra që Mero Baze me gazetën e tij përfunduan sërish në pozita të kriticizmit dhe opozitarizmit, kësaj radhe kundër të vetëve? Historia nuk mund të tregohet me dy fjalë dhe nuk është as e rëndomtë, as banale, siç rreket ta paraqesë ndokush. Ashtu sikurse Berisha ka pritur dhe është përpjekur gjatë të evitojë prishjen, po ashtu edhe Baze nuk ka lajthitur ndonjëherë që të kërkojë t’i bjerë murit me kokë sepse kështu e dashka profesioni. Historia është më e thellë dhe ngërthen në pamjen e saj vetë kursin që kanë ndjekur zhvillimet gjatë viteve të fundit. Nuk është sot rasti për të folur për të. Siç nuk e kishte parashikuar kush, një ditë prej ditësh gazeta “Tema” përfundoi në opozitë dhe qeveria, si rastësisht, me disa justifikime që nuk është hiq e vështirë të gjenden në raste të tilla, i mbylli me policë shtypshkronjën dhe zyrat në mjediset e marra me qera të ish Tipografisë Ushtarake.

Kjo ndodhi në dhjetor të vitit 2008. Botuesi ngriti padi në gjykatë. Në pritje të shqyrtimit në rrugë gjyqësore të çështjes, “Tema” vuri një bast të rëndë, do të thosha të pamundur, me fatin: të botohej pa pasur një redaksi, pa pasur një vend të sigurt ku të shtypej, pa pasur një bazë financimi. Nga pikëpamja e biznesit kjo mund të klasifikohej si një aventurë, por askush nuk mund t’i paragjykonte Mero Bazen dhe stafin e tij që, ndërsa prisnin drejtësinë, nuk donin t’i lëshonin duart. Kjo ishte gara e tyre me kohën e pabesë.. Drejtësia dhe një mori rrethanash të tjera i lanë në baltë ata njerëz dhe bashkë me ta edhe eksperimentin e një gazete të vet financuar, që as ka shitur linjë për para,as ka dhënë mbështetje për para. Gjykata e Tiranës nuk e ka shqyrtuan padinë njëvjeçare të Bazes për shtypshkronjën e bllokuar, që me siguri ka venë ndryshk dhe mund të ketë degraduar si aset. Ka fjetur gjumë gjykata, edhe pse në të gjitha raportet për demokracinë në Shqipëri rasti i bllokimit të shtypshkronjës dhe mjediseve të punës të gazetës “Tema” përmendet si tregues i përkeqësimit të lirisë së medias në Shqipëri dhe ka kosto për të gjithë. Por dashuria dhe respekti për aspiratat e popullit shqiptar paska kundër jo vetëm mërinë e politikanëve ndaj njëri tjetrit dhe ndaj kritikëve të tyre, por edhe miopinë, frikën dhe papërgjegjshmërinë e gjykatave.

Mbyllja e gazetë “Tema”, si gazetë që s’lyp mëshirë, është një lajm i hidhur për gjithë shtypin shqiptar, edhe pse në vendin tonë me tre milion e gjysmë banorë dhe me numrin me të vogël të lexuesve për frymë, botohen një numër më i madh gazetash të përditshme se sa në Italinë fqinje me 60 milion banorë. Duam apo nuk duam ta pranojmë, si biznes, fati i gazetës “Tema” është fati i shumicës së gazetave shqiptare që e shtyjnë jetën në kufijtë e mbijetesës dhe vetëm sedra e pronarëve që kanë aty këtu edhe biznese të tjera i pengon të shpallin fundin.

“Tema” nuk u mbyll nga betejat, nga presionet, nga kushtet e vështira të punës, por nga ” malaria” e likuiditeteve, që përbën sot krizën më të madhe të mbarë biznesit shqiptar. Por edhe nga krenaria e botuesit. Në të vërtetë, Baze, po të kërkonte andej këndej mund të gjente një dorë parash për ta shtyrë. Nuk e bëri. Krenaria i duhej me shumë se sa të vinte në shitje opozitarizmin e tij të lindur. Mund ta ketë menduar gjithashtu se edhe lexuesve të tij u vlente me shumë krenaria se sa konformizmi i tij. Në këtë kuptim “Tema” që mbyllet nga pamundësia për të vazhduar, flet me shumë se sa “Tema” që do të vazhdonte po tjetërsohej. Editoriali i fundit i Mero Bazes nuk është ai që shkroi dje, por gjesti i tij kur vendosi të pohonte me mbylljen e gazetës kufizimet dhe degradimin e institucioneve në Shqipëri. Edhe unë, sikurse ai, nuk do të tregoj sot me gisht një qeveri që nuk pranon dot lajmin e keq, që ka nuk ka ditur e nuk di të bashkëjetoje me kritikët e vet, por pikësëpari Gjykatën e Tiranës dhe drejtësinë në përgjithësi që na le pa përgjigje për shumë konflikte e çështje jetike për demokracinë dhe progresin tonë. Zvarritja e padisë së gazetës “Tema”, me gjithë gravitetin që ka, nuk është në fakt asgjë në krahasim me pritjen dyvjeçare të një gruaje nga Gërdeci që kërkon drejtësi për djalin e vet gjashtëvjeçar. Dy vjet dhe kjo nënë nuk merr dot përgjigje nga sistemi ynë i drejtësisë se kush e kurdisi bombën e Gërdecit pranë shtëpive ku loznin fëmijët dhe kush ia vrau djalin që i kërkoi të falur para se te jepte shpirt. Por ky nuk është një fakt për të ngushëlluar kolegët e gazetës “Tema”,| që tani do të dalë online në internet. “Ngushëllim”, nëse duhet, do të gjenin në jetën e profetit Muhamed. Nga shumë sentenca të ilustruara me episode të jetës së tij, ajo që ka me magjepsur gjithmonë është një sentencë që flet për disa humbje që kanë brenda paralajmërimin e fitores pas disa kohësh. Pak misterioze, por e vërtetë.