“Lakmuesi” Adrian Fullani

0
20

Nga Mero Baze, 26 Tetor 2011

Sali Berisha nuk e ka mik Adrian Fullanin. Edhe pse ky i fundit njihet si njeri që di të shtrojë dreka dhe darka pa fund, biles të gatuajë dhe vetë nëse është nevoja, ai nuk ka mundur t’i shtrojë ndonjë darkë apo drekë Sali Berishës. Nuk hyn tek njerëzit konfident të kryeministrit dhe as tek njerëzit që Berisha ka ndonjë keqkuptim që është profesionist i zoti. Biles në momentet e para pasi erdhi në pushtet pas vitit 2005, u mat dhe ta ndërronte, por nuk e kishte të sigurt firmën e presidentit.

Adrian Fullani i përket një brezi nëpunësish, që së bashku me zonjën e tij, janë një rast emblematik se si në shoqëri zënë vend, biles maja, njerëz mediokër, vetëm për shkak të rrumbullakësisë së tyre, jo vetëm fizike. Të përkushtuar deri në fund pas shefave që kanë në dorë emërimet e tyre, të kujdesshëm për bërë ndere me postin e tyre në adresë të njerëzve të pushtetit, dhe gati banalë në raport me njerëzit që kanë ndikim aty ku merret vendim për ta. Tipa të tillë janë të parezistueshëm për t’i lënë në kënaqësinë e tyre të servilosjes, deri aty ku fillojnë e të shkaktojnë bezdi. Ky është pak a shumë dhe raporti që Adrian Fullani ka ndërtuar me Sali Berishën. Nuk është konfident i tij, dhe falë kësaj distance ai është kokë e këmbë i përulur para një grupi sekserësh të kryeministrit, në medie dhe biznes, të cilët i ka kredituar, financuar dhe shpërblyer me miliona euro.

Një prej tyre, pronari i TV Klan, përfitoi prej Guvernatorit një tender prej 12 milion euro për një kompani të afërt me të, për rikonstruksionin e Bankës dhe Hotel Dajtit. Një tjetër biznesmen i afërt me Berishën ka përdorur Fullanin për dhjetëra skema kredish në biznesin e tij, ku fut gjithmonë banka dhe merr gjithmonë garanci nga Banka Qendrore. Këto dy vitet e fundit, kur Shqipëria është thuajse në recesion, Guvernatori e ka kaluar me dreka e darka pa fund me këta njerëz. Por asgjë nuk ka qenë e sigurt. Sali Berisha, duke llogaritur bezdinë që ndjen nga një sistem i tërë kapilar që lidhet me Fullanin, nuk kishte ndërmend ta emëronte atë Guvernator.

Por fati i qeshi dhe Fullanit. Ilir Meta, ish- zëvendëskryeministër i Shqipërisë, po zvarritet nëpër salla gjyqi, për shkak të një skandali të padëgjuar më parë në Shqipëri, ku ai u filmua me zë dhe figurë duke bërë pazare për miliona euro nga taksat e shqiptarëve. Shteti u mobilizua i tëri ta mbyllë këtë skandal, sidomos pas 21 Janarit, kur efekti i nxehtë i këtij skandali bëri që njerëzit t’i dalin në rrugë të zemëruar, dhe Sali Berishës e Lulëzim Bashës ju desh të vrisnin katër vetë në panik për t’i ndalur ata.

Pas kësaj filloi procesi i manipulimit të gjyqit të Ilir Metës. U gjendën skema nga më banalet deri tek më të sofistikuarat, por në fund gjithçka do të vendosej nga trupi gjykues. Qysh në seancën e parë u pa ndarja. Dy gjyqtarë qartazi kundër Metës, dy qartazi pro tij, dhe një gjyqtare që sillej dhe bënte sikur mendohej. Adriana Fullani, gruaja e Adrian Fullanit, që ka ngjitur shkallët e karrierës në drejtësi me një rekord botëror, duke u bërë kryegjykatëse pas nje posti te fituar politikisht sic ishte Drejtoresha e Shkolles se Magjistratures. Ajo dukej se po shtrydhte mirë rastin që i kishte ardhur në dorë. Në vilën e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit gjatë verës u shfaq çifti Fullani me asortimente ushqimore me vete dhe shërbim kateringu pas tyre. Vizitat e tyre në vilën e njohur të pazareve dhanë frytet e veta.

Ilir Meta u bë garant në emër të votave të LSI për kandidaturën e Fullanit, ndërsa Fullani garant për procedurat gjyqësore që do shkatërronin gjyqin më flagrant të historisë së Shqipërisë. Në këtë klimë të një konflikti të pastër interesi dhe kapje të shëmtuar të shtetit, Sali Berisha u detyrua dje të shqiptonte emrin e Ardian Fullanit si kandidat i qeverisë për Guvernator. Ky është rasti i parë kur një guvernator shqiptar merr dy mandate radhazi, ndërkohë që “Alan Greenspan”-i shqiptar ka lejuar qeverinë të fusë duart në kursimet e qytetarëve, të zhysë vendin në borxhe që po çojnë ekonominë drejt falimentimit dhe që e ka çuar borxhin publik 5 herë më lart se sa e ka gjetur kur u bë guvernator.

Pra, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë arsye profesionale përse Ardian Fullani të rimandatohet. Ka vetëm një arsye dhe ajo është politike. Ai është piketuar tashmë si njeri i përshtatshëm për pazaret e këtij pushteti, pasi ka arritur të bëhet pjesë e historisë së mosndëshkimit të politikanëve shqiptarë të lidhur me krimin. Nga ana tjetër ai është modeli i zyrtarit që përdor favoret e postit të tij për të favorizuar rrethin e afërt të njerëzve në pushtet, të cilët i “respekton” duke filluar me miliona euro kredi apo tendera, deri në punësim fëmijësh apo të afërmish në Bankën Qendrore, me kriterin e vetëm që t’i bëjë ndonjë qokë. Nuk është agresiv me askënd, dhe po të ish për të, në vend të Kushtetutës në këtë vend do të ishte më mirë të funksiononte pazari, miqësia apo tarafllëku.

Dhe ja doli. Me një CV banale, me rezultate minimale studimesh, me një biografi mediokre bankieri nën drejtimin e të cilit thuajse falimentoi një bankë, ai ka sot shansin të rizgjedhet Guvernator, duke na treguar të gjithëve se sa i pafuqishëm është ky pushtet të zgjedhë një njeri të aftë në krye të Bankës Qendrorë. Në rastin klasik, në momentin që aty do të shkonte një Guvernator, do të binte pushteti, i cili ka futur duart tek paratë e qytetarëve. Në rastin konkret, në rast se atje nuk do të shkonte Fullani, do të binte pushteti pasi drejtësia do ishte e lirë të çonte atje ku ka vendin, patericën kryesore të regjimit, i cili u kap me zë dhe figurë duke vjedhur. Kjo është arsyeja e vetme përse Berisha kërcen si prifti nga belaja me shaminë e famshme të Fullanit në dorë.

Opozita nuk ka fuqi ta ndalë këtë turp, pasi nuk ka vota dhe as mekanizëm politik. Por ajo mund të premtojë që sot ky njeri duhet të ikë bashkë me regjimin, Po mbijetoi, kujtohuni se regjimi i ri që do të vijë paska nevojë ende për pazare. Lakmuesi është Adrian Fullani.