TemA, 12 Qershor 2013
Mitingjet entuziaste të Partisë Socialiste, sidomos në veriun e vendit, nuk mund të mos linin gjurmë në sistemin mendor të kryeministrit Sali Berisha. Pas mitingjeve të PS në Peshkopi, Bulqizë dhe Burrel, Berisha u deklaroi disa qytetarëve të Tiranës, në një takim në mbrëmje, se Rama ka blerë kamera që trefishojnë njerëzit, ndaj sheshet duken të mbushura.
Mitingu i PS në Burrel
“Tani, ky zotëri, pasi ka humbur çdo betejë me Sali Berishën, nga e para tek e fundit, pasi ka një mungesë totale argumentesh, alternativa e tij është tërësisht e braktisur. Faktikisht, vini re sheshet. Ai ka blerë lente të kamerave, për ta bërë njeriun trefish,” tha Berisha.
Ndërkohë pak më herët, kryeministri deklaroi në Elbasan se mandatrin e ardhshëm do bëjë hekurudhën për Pekin.
“Ka një problem. Problemi ynë është mungesa e lidhjes me Maqedoninë. Dhe kjo lidhje do të vendoset, ka një ujdi të plotë midis dy qeverive. Vendosja e lidhjes me Maqedoninë dhe më tutje, hekurudhën shqiptare e bën një segment të hekurudhave që shkojnë deri ne Pekin, me tunelin që po ndërton Turqia tani së fundmi për trenat. Kjo i jep rentabilitet shumë të madh. Komisioni Europian vetë është shumë i përqendruar në hekurudhat. Komisioni Europian po bën studimin e hekurudhave të Shqipërisë dhe hekurudha është një rrjet strategjik shumë i rëndësishme në konceptin e zhvillimit Europian dhe ka fonde të mëdha për zhvillimin e tyre. Ndaj dhe ne jemi absolutisht për rivitalizimin e rrjetit hekurudhor,” tha Berisha./ep