Lajthitja e Pandeli Majkos

1
46

Nga Dritan Hila, 12 Shtator 2012

Para disa ditësh, në një intervistë dhënë gazetarit Roland Qafoku, ish kryeministri dy herë i socialistëve dhe ndër eksponentët kryesorë të tyre, Pandeli Majko, bënte disa deklarata të cilat lanë shumë njerëz me gojë hapur. Jo se nuk janë të dëgjuara. Shumë nostalgjikë të monarkisë i kanë refren të tyre sajesat e krijuara nga romantizmi i tyre mbretëror, dhe i tregojnë si përralla edhe ditën për diell. Por ti dëgjosh nga një eksponent kryesor i të majtës, është risi. Nuk do ishte çudi nëse do ti kishte thënë nga pozicioni i analistit të pavarur, por si udhëheqës i të majtëve, është pak të thuash, apostasi.

Majko në ligjëratën e tij me siguri është nisur nga dëshira që të jetë një personalitet sa më i pëlqyert për gjithë shtresat e shoqërisë, por ja që këtë nuk mund ta bëjë deri sa është në një karrige që ja kanë dhënë të majtët. Mund të ketë dëshirën e mirë të jetë sa më paqëtues, por kjo i takon një shkrimtari, apo personaliteti të pa anshëm, dhe jo dikujt që kryeson pasardhësit e atyre që janë shitur, tradhëtuar apo përgjakur nga Ahmet Zogu. Nuk mund ta bëjë apologjinë e Zogollit, aq më tepër, kur nuk ka njohuritë e nevojshme historike. Pasi është po aq e dëmshme një nakatosje e duarve të politikës në histori kur vjen nga Berisha, po ashtu si kur vjen nga Majko.

Tani, sa për ti kthjelluar idetë, akti i arratisë së Ahmet Zogut, erdhi si rezultat i një politike thellësisht antikombëtare të beut të Burgajetit. Kredi të marra në emër të shtetit Shqiptar, por të përdorura për nevojat e oborrit të tij; administratë klanore; ushtri karikaturale; politika thellësisht personale, bënë që pushtimi i Shqipërisë nga Italia, të shikohej nga fuqitë e mëdha si një marrje e hipotekës nga kredidhënësi.

Jo më kot askush nga udhëheqësia perëndimore, nuk e prishi gjakun ditën që Shqipëria u pushtua. Shteti shqiptar nën drejtimin e Ahmet Zogut, kishte humbur çdo dinjitet ndërkombëtar, ndaj nuk meritonte as edhe një meshë, lere më shpallje lufte apo sanksione ndaj Italisë. Katër vjet përpara, në tetor 1935, Lidhja e Kombeve i kishte vënë sanksione Italisë për pushtimin e Etiopisë. Ahmet Zogu nuk i kishte lënë erz Shqipërisë as sa për një akt simbolik të komunitetit ndërkombëtar.

Ahmet Zogu, iku nga atdheu duke rrëmbyer arin e shtetit shqiptar. Ishte një akt i pastër hajdutllëku. Jo shumë larg, por mbreti i Jugosllavisë, kur iku bëri të njëjtin veprim. Por hapi në Londër sportelet e bankës së Jugosllavisë, si dëshmi e sovranitetit të pa dorrëzuar të sllavëve të jugut. Pasi banka qëndrore e një vëndi, është simbol i fuqishëm i sovranitetit nacional. As sot e kësaj dite Ahmet Zogu apo pasardhësit e tij, nuk ja kanë kthyer arin e rrëmbyer shqiptarëve. Harram!

Majko tha se zbythja nga sytë këmbët e Ahmet Zogut, ishte akti i vetëm juridik që tregonte mos njohjen e pushtimit të vëndit. Në qoftë i tillë, është zbulim i zotit Majko dhe meriton të duartrokitet. Por është mirë që nëse duam të rrisim pasardhës dinjitozë, mos ta quajmë Zogollin burrë shteti dhe arratinë, akt me vlerë. Të bukur shembull ju lëmë atyre që vijnë pas.

Do ti jap një shembull se çfarë quan bota dinjitet: Në 8 dhjetor 1914, në ujrat afër ishujve Falkland, pikërisht ato që shtatëdhjet vjet më vonë u bënë arenë e ndeshjes ndërmjet argjentinasve dhe britanikëve, pesë kryqëzorë të flotës të sapokrijuar gjermane, befasisht u ndeshën me një skuadrilje prej tetë kryqëzorësh britanikë. Gjermanët kishin mundësi të iknin, por nuk e bënë. Megjithëse raporti i forcave e tregonte se nga do shkonte fitorja, pranuan betejën. Thirrjet për dorëzim nuk i pranuan edhe atëhere kur anijet gjermane të bëra shoshë nga artileria angleze, dukej qartë se nuk kishin shpresë shpëtimi.

Komandanti i skuadriljes gjermane Von Spee, u mbyt bashkë me dy djemtë e tij. Ekuipazhet gjermane u fundosën në abiset e Atllantikut pa kërkuar ndihmë, megjithëse anglezët bënë të pamundurën të shpëtonin të mundurit. Pyetjes së anglezëve se pse nuk pranuan të dorrëzoheshin, pak nga të mbijetuarit u përgjigjën se ishte një bindje e ekuipazheve dhe komandantit se donin ti tregonin anglezëve që flota gjermane megjithëse e re, ishte po aq e guximshme sa ajo britanike. Këtë quan bota, dinjitet.

Por duke lënë pas kategoritë estetike dhe rikthyer intervistës, Majkoja çuditej se si nuk është marrë njeri me Asamblenë që firmosi dorëzimin e kurorës së Skënderbeut, Viktor Emanuelit, duke bashkuar dy shtetet. Është quajtur asamble tradhëtare i nderuar, dhe vazhdon të quhet e tillë. Ata që firmosën këtë akt, megjithëse ishin antizogistë, nuk u rehabilituan dhe u quajtën tradhëtarë të atdheut. Bazuar në kontinuitetin logjik, i cili mbështetet në arsyetimin se ata që ndërtuan një shtëpi siç ishte shteti shqiptar, të cilën më vonë e shitën, nuk e meritonin të vlerësoheshin. Dhe vazhdojnë të jenë të tillë, deri sa ti kujtohet Sali Berishës ti rehabilitojë.

Duket se Majko në ligjëratën e tij ka harruar që e majta në historikun e saj fillon me Sami Frashërin, deri sa ka ardhur në atë parlamentare të Fatos Nanos dhe Edi Ramës. Ka kaluar të gjitha sëmundjet e saj: Idealiste të Luigj Gurakuqit dhe Zef Malajt, revolucionaren e Fan Nolit, koloboracionisten e Ali Këlcyrës, ekstremisten e Enver Hoxhës, duke provuar në lëkurën e saj persekutimet e kundërshtarëve dhe ato brënda llojit. Dhe ndër ata që e kanë vrarë e burgosur, hyn Ahmet Zogu. Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, Riza Cerova e shumë të tjerë, u vranë nga Zogolli. Qemal Stafa me shokë u burgos. Por e majta asnjëherë të vetme, nuk ka pranuar që për hir të interesave të saj të ngushta ideologjike, të shesë interesat e vëndit. Asnjëherë të vetme nuk ka ardhur me bajonetat e të huajve në pushtet.

E për këtë i takon të jetë krenare. Ndaj nuk ka pse të mirëkuptojë apo të flasë mirë për dikë që i ka punuar të zezën asaj dhe vëndit. Për hir të së ardhmes e majta mund të shikojë përpara, por nuk ka pse poshtëron veten duke i mbajtur iso Berishës. Frustrimet nga mungesa e ideve se si ta sjellin partinë më të madhe të vëndit në pushtet, nuk ju lejon liderëve të majtë të përdhosin historinë, fshehur identitetin dhe shpërfillur gjakun që ka derdhur ky rreshtim politik. Ca më keq, të lavdërojnë ata që i vranë.

1 COMMENT

  1. Po, po, i dashur Dritan Hila. Vetet nje Lajthitie e Pandeli Majkos?!Qofte e tille jo e vertete per bindiet e tij per postin dhe besimin qe ka nga njerezit e thjeshte se pari.
    A thua te jete e vertete?! po qe keshtu, harram besimin e nje populli te tere hallexhi.
    Guri Naimit D.

Comments are closed.