LAJM I FUNDIT/ Shuplaka e DASH: Në Shqipëri është minuar e drejta për të ndryshuar qeverisjen me votë

0
63

TemA, 24 Maj 2012

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e vitit 2011 për të drejtat e njeriut, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi mënyrën se si bëhen zgjedhjet në vendin tonë.

“Korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë dhe veçanërisht brenda sistemit gjyqësor, mbetet një problem serioz. Një ambient elektoral i polarizuar ndjeshëm, i karakterizuar nga incidente me mashtrime dhe një numërim kontrovers i votave ka minuar të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar lirshëm qeverinë e tyre,” thuhet në raport.

“Vendimi i KQZ për të rrëzuar rezultatin fillestar në garën për kryebashkiak në Tiranë u perceptua gjerësisht si një vendim partizan dhe minoi besimin tek pavarësia dhe paanshmëria e KQZ,” vijon raporti.

Edhe pse nuk përmendet në raport rasti i Ilir Metës, sërish thuhet se zyrtarët e lartë me pushtet shpallen të pafajshëm, ndërkohë që dënohen peshqit e vegjël.

“Qeveria jo gjithmonë ka marrë hapa për të proceduar zyrtarët që kanë kryer abuzime. Shumë zyrtarë të qeverisë kanë imunitet nga hetimi dhe ata me interesa të fuqishme biznesi shpesh janë në gjendje që të shmangin procedimin. Disa zyrtarë të nivelit të ulët janë ndëshkuar për abuzim, por pandëshkueshmëria e policisë për abuzimet fizike vazhdon të mbetet”.

21 janari

Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se hetimi për 21 janarin po ecën ngadalë dhe nuk ka asnjë të dënuar nga qeveria apo Garda.

“Më 21 janar, Garda Republikane qëlloi mbi protestuesit gjatë një proteste të dhunshme të opozitës tek kryeministria. Katër protestues u vranë gjatë demonstratës. Prokuroria e Përgjithshme hapi një hetim për vrasjet. Hetimi eci ngadalë. Në fund të vitit, asnjë zyrtar i qeverisë apo i Gardës së Republikës nuk ishte paditur për rolin e tyre në këto vrasje,” thuhet në raport.

Po ashtu në pjesën e medias, citohen rastet e dhunës ndaj gazetarëve më 21 janar.

“Më 21 janar, gazetari Ened Janina i gazetës Shekulli u rrah nga policia. Sipas Janinës, për këtë çështje nisi një hetim, por ai nuk u thirr kurrë të dëshmojë sërish. Po atë ditë, reporteri Fatos Mahmutaj u gërvisht nga një plumb që vrau personin që kishte ngjitur. Mahmutaj tha se mori kërcënime me vdekje pas deklaratave të tij dhe u largua nga vendi. Ai mori azil politik në Belgjikë.

Reporteri Artan Hoxha transmetoi pamje të protestës së 21 janarit, ku dukej se si u vra një protestues. Hoxha thotë se katër ditë pas transmetimit, djalit të tij 10- vjeçar iu dorëzua një zarf me tre plumba.

Nuk ka pasur raportime se qeveria ka ndërmarrë ndonjë veprim për të ruajtur sigurinë e medias ose për të siguruar që personat që kanë sulmuar gazetarët të hetohen,” thuhet në raport.

Policia

Në raportin e DASH thuhet se policia nuk e zbaton ligjin në mënyrë të barabartë.

“Zyrtarët e policisë nuk e zbatojnë ligjin në mënyrë të barabartë dhe lidhjet politike ose kriminale ndikojnë në zbatimin e ligjit.”

Në raport thuhet se kanë vijuar vrasjet për gjakmarrje dhe hakmarrje, ku janë përfshirë shpesh edhe grupe kriminale.

“Ka pasur pesë vrasje për gjakmarrje gjatë vitit,” thuhet në raport.

Gjykatat

Sa i përket gjykatave, në raport thuhet se është shumë e vështirë të hetohen gjykatësit.

“Shumë pak gjykatës janë proceduar për korrupsion për shkak se hetimet penale duhet të mbeten sekrete, të paktën në fillim, në mënyrë që të jenë të suksesshme.”

“Shumë të dyshuar lihen në arrest shtëpie, shpesh me kërkesën e tyre për shkak se kur të dënohen, marrin kreditë nga kjo kohë. Arresti në shtëpi nuk monitorohet dhe të dyshuarit lëvizin lirshëm jashtë shtëpisë,” vijon raporti.

Po ashtu preket edhe çështja e emërimeve në shkallët e larta të gjyqësorit. “Politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese kërcënon të minojë pavarësinë dhe integritetin e këtyre gjykatave.”

Korrupsioni

Në raport thuhet se korrupsioni në ekzekutiv është shumë i përhapur.

“Sistemi edukativ është i korruptuar dhe zyrtarët ndonjëherë kërkojnë ryshfet nga studentët për tu regjistruar ose për të kaluar provimet. Mjekët dhe stafi mjekësor kërkojnë shpesh pagesa për të siguruar atë që shteti thotë se e jep falas.

Ashtu si në sektorë të tjerë, të pandehurit e profilit të lartë zakonisht shpallen të pafajshëm, madje edhe kur provat janë bindëse. Ndërkohë që zyrtarët e vegjël procedohen dhe shpesh dënohen për korrupsion, hetimi i zyrtarëve të lartë mbetet problematik,” thuhet në raport.

Dhuna

-Dhuna në familje kundër femrave, përfshi abuzimin në martesë, mbetet një problem serioz. Ka pasur 1779 raste të dhunës së raportuar ku përfshihen femra dhe 402 raste ku përfshihen meshkuj.

-Ligji ndalon ngacmimet seksuale, por zyrtarët shumë rrallë e zbatojnë atë.

-Abuzimi me fëmijët, përfshi abuzimin seksual, ndodh, por viktimat e raportojnë shumë rrallë.

-Pavarësisht se ligji mbështet të drejtat e grupit LGBT, sjellja homofobike mbetet. Ka pasur raportime të ngacmimeve nga policia për personat LGBT dhe për brutalitet të policisë ndaj punonjëseve të seksit transgjinore.