Fatjona Mejdini
Platforma e Brukselit përfaqëson tri faza: qetësimi, diskutimi dhe më pas drafti për kompromis
Bashkimi Europian i dha dje politikës shqiptare një ultimatum të qartë për sa i përket qëndrimit që mazhoranca dhe opozita duhet të kenë pas ngjarjeve të 21 janarit. Ky mesazh, i cili kishte si fjalët kyç ndaljen e dhunës dhe hetim për vrasjet, ju përcoll dje drejtuesve më të lartë të vendit, siç ishte Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama nga i dërguari i BE-së për këtë çështje, Miroslav Lajçak.
Pas takimeve intensive të cilat u mbyllën në mesditën e djeshme, Lajçak bëri një komunikim të shkurtër me median dhe theksoi në mënyrë të qartë se BE-ja kishte disa kërkesat të cilat ishin një detyrim për politikën shqiptare, në rast se ata kërkonin që vendi të ecte në rrugën e tij drejt Bashkimit Europian. “E bëra të qartë që e ardhmja europiane e Shqipërisë varet nëse bëjnë atë që u kërkojmë ne dhe e bëjnë tani”, – theksoi në mënyrë të prerë i dërguari slloven.
Duke u rikthyer tek kërkesat e tij, Lajçak deklaroi se partitë duhet të dinin se nuk mund të qëndronin mbi institucionet dhe duhet të shmangnin çdo lloj acarimi të mëtejshëm të situatës. Po kështu, në kërkesat e BE-së, Lajçak e vuri theksin tek nevoja për të vënë përpara drejtësisë vrasësit e tre personave përgjatë demonstratës së 21 janarit.
“BE-ja kërkon parandalimin e çdo dhune dhe gjakderdhjeje të mëtejshme, funksionimin e institucioneve shtetërore dhe respektimin e tyre; askush nuk është mbi institucionet shtetërore, nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësive që shkaktuan vdekjet, shmangien e çdo veprimi që do të çonte në zgjerimin e mëtejshëm të hendekut që ndan aktualisht skenën politike dhe shoqërinë dhe që do të rriste më tej nivelin e konfrontimeve dhe së fundi, kthimin e Shqipërisë drejt rrugës europiane”, – ishin kërkesat që Lajçak i renditi të përmbledhura në mënyrë koncize përpara medias, duke bërë të ditur se mbi këto kërkesa kishte biseduar edhe me drejtuesit e lartë të vendit. Nga ana tjetër, gjatë deklaratës së shkurtër për shtyp që mbajti i dërguari slloven i BE-së, la të hapur mundësinë e vizitave në Shqipëri edhe të drejtuesve më të lartë të unionit, siç janë Catherine Ashton dhe Stefan Fule. “BE-ja është bashkë me ju, e gatshme për ta ndihmuar vendin tuaj.
Jemi të gatshëm të kthehemi në Shqipëri në çdo moment. Si Ashton dhe Fule janë të gatshëm të vijnë sërish, por është e rëndësishme që politikanët të bëjnë lëvizjen e parë të duhur në drejtimin e duhur. Ata e dinë saktësisht se çfarë duhet bërë”, – theksoi në fund të deklaratës së tij, Lajçak. Në një interpretim të saj duket se në një faze tjetër të hetimit dhe të perceptimit nga ana e politikës të ngjarjeve të 21 janarit, palët mund të zhvillojnë negociata me krerët më të lartë të BE-së.
Por, gjatë takimit të Lajçak u vu re edhe nevoja e përqendrimit të dialogut politik drejt Presidencës. Këtë shembull e dha vetë i dërguari i BE-së, duke zhvilluar dy takime brenda ditës me Presidentin Bamir Topi. Takimi i parë ishte prezantues dhe siç bëhet e ditur nga zyra e shtypit të Presidencës, takimi i dytë ishte konsultativ nisur nga informacioni që Lajçek kishte marrë nga dy drejtuesit e partive kryesore në vend.







