Kuvendi ku vetëm dëgjohet

0
35

Mero Baze

Nga Mero Baze

19 vite më parë, në përpjekje për të ilustruar duke belbëzuar pluralizmin politik në një shkrim në gazetën “Bashkimi”, Sali Berisha përpiqej ta çonte lirinë e të menduarit ndryshe deri te niveli i një “kuvendi apo ode burrash, ku të gjithë flasin dhe dëgjojnë njëri-tjetrin. 19 vite më pas, ai është varrosësi edhe i kësaj forme shumë parademokratike të pluralizmit dhe standardeve të lirisë në një vend. Kuvendi i tij i djeshëm ishte vendi ku mund të dëgjoje, por s’mund të flisje, ishte vendi ku mund të emëroheshe, por s’mund të zgjidheshe, ishte vendi ku mund të anatemoheshe, por nuk mund të mbroheshe, ishte vendi ku mund të gradoheshe, por s’mund të gëzoje.

19 vite më vonë, Sali Berisha është shumë më konservator se Sali Berisha komunist i viteve ‘90. Për të bërë karrierë në partinë e tij sot, kriteri i vetëm po bëhet gjithnjë e më tepër gatishmëria, me të cilën njerëzit në Partinë Demokratike u dalin zot akuzave dhe skandaleve të Familjes Berisha. Ky kriter po dominon mbi gjithçka tjetër në historinë e kësaj partie. Ai po tejkalon kontributin e secilit anëtar në parti, po tejkalon miqësinë apo armiqësinë me Berishën në vite, po tejkalon të qenit i majtë apo i djathtë, po tejkalon faktin, nëse je i ndershëm apo i korruptuar. Për të qenë pjesë e listës së Këshillit Kombëtar, dhe për më tepër pjesë e Kryesisë dhe lidershipit të asaj partie, duhet së paku që vitin e fundit të kesh dhënë prova të qarta se ke qenë i gatshëm të përdoresh për të sfumuar skandalet që tronditën shoqërinë shqiptare, për shkak të përfshirjes së Familjes Berisha në afera financiare dhe lidhje me botën e dyshimtë të trafikut të armëve dhe mafies së koncesioneve në vend.

Kështu, nuk gjen dot thuajse asnjë anëtar kabineti apo pjesë të të zgjedhurve të rinj në PD, që nuk i ka dalë zot akuzave për përfshirje të djalit të Sali Berishës në Fabrikën e Gërdecit, që nuk i ka dal zot skandalit të pastrimit të parave të Damir Fazlliçit përmes studios ligjore të vajzës së kryeministrit, që nuk i ka dal zot vjedhjes dhe spekulimit kriminal me taksat e qytetarëve shqiptarë në segmentin Rrëshen-Kalimash apo ri-shembjen e tunelit të Thirrës.

Partia Demokratike mban Kuvendin e saj zgjedhor larg çdo kurioziteti dhe vëmendjeje publike për ndonjë ndryshim të ri brenda saj. Kryetari i saj historik, Sali Berisha, merr mandatin për të sunduar një çerek shekulli në krye të saj, ndërsa brenda PD nuk ekzistojnë më as shenjat më të vogla të frymës kritike që mund të vëreheshin dikur dhe në organizatat e Partisë së Punës së Shqipërisë. Edhe pse PD ka humbur në zgjedhjet e fundit në raport me rivalen e saj kryesore, Partinë Socialiste, Berisha po përpiqet të justifikojë status-quo-në brenda PD me marrjen e pushtetit, dhe jo me humbjen politike të kësaj partie në raport me rivalen e saj, Partinë Socialiste.

Në përpjekje për të mbytur ndryshimet e mundshme brenda PD edhe nga rezultati politik, dhe shuarjen e rivaliteteve të vogla brenda PD, Berisha prodhoi me këtë Kuvend standardin e gojës së mbyllur dhe stimulimin e figurave eunuke në krye të PD.

Por thelbësore për këtë Kuvend është fakti se ai po forcon frymën familjare të drejtimit të PD nga Familja Berisha, Lista e re e Këshillit Kombëtar, edhe pa shumë rëndësi, ka tendencën të zgjerojë rrethin klientelist të kandidaturave që njihen si shokë dhe miq të Familjes Berisha apo fëmijëve të tij, duke e kthyer përfundimisht këtë parti në një copë toke të pashpresë për shoqërinë shqiptare dhe në një institucion politik, që investohet për të justifikuar një fenomen të shëmtuar qeverisjeje në vend, siç është qeverisja në emër të Familjes.

Tashmë, karriera e re brenda PD kalon përmes kontributeve që individët brenda PD kanë dhënë për të mbrojtur historinë e Gërdecit, historinë e Fazlliçit apo historinë e shëmtuar të grabitjes së taksave të shqiptarëve në një segment të florinjtë rrugor, që ka pasuruar Familjen Berisha. Heronjtë e rinj të PD nuk janë më as studentët e Dhjetorit, as Azem Hajdari, as autoritetet morale, kulturore dhe politike të kësaj partie, as të vdekurit e gjallë apo të gjallët e vdekur, që kanë kontribuar për këtë parti. Heronjtë e kësaj partie sot janë Mihal Delijorgji, Rezart Taçi, Bashkim Ulaj, Rrahman Selmanllari, Aleksandër Frangaj, Samir Mane, Damir Fazlliçi, dhe klientë të tjerë të Familjes, për të cilët është investuar mbrojtja publike nga PD. Të bësh karrierë në këtë parti sot, duhet doemos të kesh thënë një fjalë pro tyre apo të jesh përdorur për të pastruar historinë e tyre me Familjen Berisha.

Nga përdorimi i gjithsecilit në këto histori varet dhe pozicioni i tyre i ri brenda partisë, duke e kthyer këtë garë në një regres të madh për shoqërinë shqiptare, shtetin ligjor dhe liritë themelore të këtij vendi. Nëse doni të dini sa liri ka në një vend, shikoni sa liri ka në partinë në pushtet Nëse doni të shikoni sa institucione ka në këtë vend, shikoni sa institucione kanë mbetur në këmbë brenda PD, ku nuk respektohet më asnjë statut, dhe nuk merret asnjë vendim nga institucionet e partisë. Nëse doni të shikoni sa respekt ka pushteti për ligjet dhe drejtësinë, shikoni sa respekt ka kjo parti për mendimin ndryshe dhe kritikat brenda saj. Nëse doni të shikoni sa frikë ka në shoqëri, shikoni përqindjen e lartë që do të marrë kryetari i kësaj partie nga zgjedhjet brenda saj. Nëse doni të shikoni se si do qeveriset Shqipëria, dhe nga kush po qeveriset, shikoni çfarë rrënimi personaliteti kanë njerëzit e ulur në atë sallë, që i pranojnë vetes vetëm luksin e të dëgjuarit, të duartrokiturit dhe të mos-hapjes së gojës.