Arben Rrozhani, 15.12.2009
Shumë kritikë e kanë quajtur të panevojshëm një kuvend partiak për partinë qeverisëse në Shqipëri dhe shtyrjen e datës së mbledhjes së tij, një lajm pa rëndësi.
Por, dje, mbledhja e Kuvendit të IX të PD-së, ishte më se e domosdoshme për të treguar para popullit se në çfarë lloj grupimi është shndrruar PD-ja, çfarë sjell për vendin dhe nga kush udhëhiqet.
Nuk është një Kuvend i panevojshëm edhe pse aty nuk ndodh asgjë në lidership, edhe pse Sali Berisha është kryetar i saj që kur se e rrëmbeu lëvizjen e dhjetorit, sipas orientimeve të ish-PPSH-së për të mbajtur në fre lëvizjen demokratike; edhe pse rival nuk është më as Uran Butka që bën sikur është kandidat për kryetar, as Genc Pollo që me në Kuvendin e VI të 10 viteve më parë, falë mbështetjes së qeverisë socialiste të asaj kohe bënte diversionin për të prodhuar një “fraksion” të ri në PD.
As pse në sallë ishin edhe dhjetoristë të orëve të para, që i dhanë vulën krijimit të të parës parti opozitare në Shqipëri, si Arben Imami, i cili më pas u largua i zhgënjyer, iu thyen dhëmbët nga policët e Berishës në 28 maj 1996 dhe në mars 1997 erdhi me kostumin e gjeneralit për ta rrëzuar nga pushteti dhe në 2005 u rikthye atje ku ishte linçuar në emër të lirisë së fjalës dhe demokracisë së brendshme në parti.
As pse në atë tribunë të Kuvendit, njeriu i vetëm që flet, votohet, dëgjohet dhe komentohet është Sali Berisha, të cilit vetëm tri ditë më parë, në Romë, vetëm shpata i mungonte në trajtimin delirant të vetes si Skënderbeu i Shqipërisë Evropiane.
Tiranës i duhej dje një Kuvend dhe qindra delegatët e tij nga mbarë Shqipëria. Ata i shihje me shumicë dje në bulevardin mes selisë së Presidencës dhe Pallatit të Kongreseve, duke rrezatuar pushtet dhe mirëqenie.
Fytyra të vjetra që lidhen pazgjidhshmërisht me pushtetin e vjetër të PD-së, deri më 1997 po dhe fytyra të reja që këto katër vite kanë çuar stafetën e pushtetit PD-ist në dekadën pasuese.
Makinat e tyre të shtrenjta, me kakofoni targash, të keqparkuara në bulevard, përreth shatërvanit dhe Akademisë së Arteve (o shef pse s’i fut ca betona me e blloku krejt? – i thoshte delegati X një polici trupmadh e të pafuqishëm as për të thënë një gjysmë fjale). Dëgjoje e ridëgjoje me bollëk sharje banale për Edvin Ramën dhe Tiranën.
Gjashtë muaj më parë, këto fytyra ishin të mardhura, edhe pse korrik i nxehtë, pa gjak në fytyrë dhe nuk kishin vrimë ku të futeshin. PD-ja nuk kishte fituar zgjedhjet edhe pse çdo votë e kishte blerë shtrenjtë, dhe selia blu kishte paralajmëruar se do niste kërkesë-llogaritë dhe ndëshkimet pse partia e Sali Berishës dhe ata në çdo qoshe të Shqipërisë kishin premtuar parajsën në tokë, ishin ndëshkuar prej shqiptarëve që votën popullore ia kishin dhënë opozitës së majtë të PS-së.
Ajo çehre u vjen dhe i ikën sa herë përmendet hapja e kutive të votimit dhe nxjerrja e të palarave të pas 28 Qershorit 2009. Por, kanë shumë besim të mjeshtri i 26 majit, dhe 28 qershorit që deklaronte edhe dje se ishte gati për çdo betejë për votën e lirë.
Kuvendi i djeshëm nuk kish se si të qëllonte më mirë për nismën e kryeministrit për luftën kundër mafias. “Mafia nxin imazhin e vendit” – bubullinte dje Berisha dhe salla dëgjonte. Dëgjonin edhe ministra si Fatmir Mediu.
Në anën tjetër të Tiranës jepte dëshminë e tij edhe ish-punëtori i Gërdecit, Mustafa Llaci, i plagosur në 15 mars 2008, dhe që kish humbur edhe gruan aty në punishten primitive që qeveria e Sali Berishës kishte ngritur për të bërë miliardat me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm që lanë kockat të paguar sa një kafe deputeti.
Ai është fatlum që atë ditë të zezë nuk kishte humbur edhe djalin 15-vjeçar, njërin prej dhjetëra të miturve që punonin në qeverinë informale të Sali Berishës dhe Fatmir Mediut.
Ata janë sërish bashkë në qeveri në të njëjtat pozicione dhe sa shkojnë fjalët e kryetarit të PD-së me interesat që bashkojnë të djathtën dhe të majtën në këtë qeveri: “Mafia po gllabëron çdo ditë pasuritë e këtij vendi…”.
Kuvendi i djeshëm i duhej PD-së, sepse ishte një tubim pasunarësh. Të ndarë sipas hierarkisë, nga kryeministri dhe bashkëshortja e tij, te ministrat, drejtorët, pushtetarët vendorë, ata që kanë në dorë pushtetin ekonomik të vendit.
Kryetari i pasunarëve të PD-së sërish premtonte dje se do t’i shpallte luftë varfërisë, se nuk do të kishte shqiptar që nuk do të kishte nga 2 dollar në ditë, ose më pak se një kafe nga ato që dje delegatët e tij e pinin në hotelin “Rogner”.
Në të njëjtën ditë në TV del mjerimi i Shqipërisë së harruar prej qeverive. Është familja Hajdari që nga një zonë e thellë e Tropojës, mezi arrin të mbajë frymën gjallë për 6 pjesëtarë.
Është një familje si gjysma e popullsisë që rron me lëmoshat e qeverisë, pensione e asistenca qesharake, ndërsa kryeministri beson shifrat e veta duke e bërë këtë ushtri të uritur dhe më skamje në vetëm 12 për qind.
Kuvendi i PD-së i duhej Shqipërisë në këtë 19-vjetor të partisë së parë opozitare. Për të treguar se ajo tashmë edhe një parti e familjes dhe shërbëtorët e familjes nga Tirana në bazë janë bashkë për të mbajtur nën zap këtë popull, deri në 2013, deri në 2024, deri kur ky popull të kuptojë se është sërish si 19 vite më parë, skllav nën diktaturën e të njëjtës nomenklaturë.