‘Kuvendi, Ekonomia dhe çfarë ka në dosjet e SHISH..’

0
41

Erjon Braçe, INTERVISTE – 29.07.2010

INTERVISTA E PLOTE – Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, shpjegon ngjarjet në Kuvend, duke nisur nga sherri i seancës së fundit e deri tek miratimi i buxhetit, duke përdorur të dhëna të rreme. Braçe ndalet tek roli i kryeparlamentares Topalli në acarimin e situatës parlamentare, si dhe tek fakti që grushtet mes deputetëve e kanë kthyer parlamentin në një vend ku nuk ka më siguri për jetën. Në këto kushte, strategjia e deputetëve të majtë nuk do të jetë më largimi nga salla, por vetëmbrojtja me çdo kusht. Një tjetër pikë është edhe rritja e buxhetit të shtetit nëpërmjet gjobave që po u vendosen bizneseve private…

Zoti Braçe, kohët e fundit është parë një marrëdhënie e acaruar mes deputetëve të PS dhe kryeparlamentares Topalli që është shoqëruar me debate të ashpra, përjashtime e deri bllokim të shpenzimeve të deputetëve. Përse ndodh kjo?
Ju pyesni dhe keni parasysh kryetarin e Parlamentit italian, gjerman, francez, austriak, danez, anglez; po ndalem këtu. Roli i gjithsecilit prej tyre është ai i garantit të lirisë; për çdo deputet, grup parlamentar dhe gjithë Parlamentin, pa ndarë në pozitë apo opozitë. Administruar nga rregullore të gjithëpranuara e demokratike! Topofina ka bredhur shumë, më shumë se cilido nga homologët e saj. I ka vizituar këto parlamente. Për të parë, jo për të mësuar e marrë përvojë. Cektësia intelektuale e saj e lejon deri tek konkluzioni: Gjanfrankoja asht’ idhulli jem!

A thua se shqiptarët paguajnë “gjuetinë e saj jargëplotë” në kapërcyell të moshës për të tilla gjëra! Kanë kaluar 5 vite dhe është e qartë: Jozefina Topalli është kryetare e Kuvendit për të luftuar opozitën, lirinë, të drejtat dhe funksionalitetin e deputetëve të saj – si elementi jetik i demokracisë; për të shëtitur; për të vjedhur! Puna e saj kalon nëpër këtë trekëndësh! Herën e fundit kur jemi takuar, tre muaj më parë, i kam thënë: “Kuvendi është sot në krizën më të thellë në historinë e tij. Është në ditë të zezë dhe me faqen e zezë! Në të mund të bësh ç’të duash: të rrish, të flesh, të çohesh, të pish (çdo gjë të kundërligjshme, duke nisur nga duhani, alkooli më i fortë), të dehesh, të provokosh, të shash, të fyesh, të rrahësh, të dhunosh, të paguhesh për besnikërinë, të përfitosh, të vjedhësh, të bredhësh, të bësh nder, të pasurohesh e të bësh të pasur veten, familjarin, mikun, klientin, të emërosh e shkarkosh, nisur nga interesa personale, jo parime kushtetuese!!!

Por, në të nuk mund të mendosh, të flasësh, të debatosh, të gjesh marrëveshje të ndershme, të propozosh ligj, të diskutosh ligj (në mënyrë të ndershme, me grupet të cilëve ligji u adresohet apo qoftë edhe me kolegun përballë), të ndryshosh ligj, të votosh ligj, të vendosësh (për gjera të thjeshta apo për borxhet marramendëse), të kontrollosh pushtetin legjislativ apo ekzekutiv, të mbash në binarë kushtetues një mori institucionesh pavarësia kushtetuese e të cilave nuk është më, të zgjedhësh gjykatësit më të lartë në këtë vend!!! Më tej, në të nuk mund të lexosh, të kërkosh, të arkivosh, të pyesësh, të konsultosh, të shkruash, në fund të fundit, të presësh një njeri, për më tepër atë që të ka zgjedhur! Pra, në të as mund të punosh, as mund të kontrollosh, as mund të përfaqësosh! Ky është Kuvendi i Jozefina Topallit, nuk është Kuvendi i popullit!” Ky është Kuvendi! Populli nuk përfaqësohet në Kuvend dhe kjo është kriza e përditshme e Kuvendit! Tani dua t’ju pyes: Shihni të ketë ndryshuar gjë?

Ju jeni brenda tij, mund të na e thoni…
Po! Ka ndryshuar dhe për më keq! Po ua materializoj me dy fakte: I pari; deputetëve iu hoq e drejta e votës së fshehtë, në rastin e votimit të gjykatësve më të lartë të Republikës! Pas 28 qershorit, ky ishte akti tjetër që dëshmoi se gjysmë pushteti nuk e do votën – nga vota popullore tek vota e deputetit! Pra, procedurat parlamentare të parapara në Rregullore po shkelen e tjetërsohen në mënyrë të njëanshme për të kufizuar opozitën dhe fuqinë e saj! I dyti: siguria e jetës brenda në Kuvend është cenuar dhe kërcënuar rëndë. Kjo po zhbën lirinë brenda institucionit! Brenda në Kuvend, ka deputetë që nuk mendojnë, ndaj e folura, debati për ta “asht’ fymje”!

Ata vihen në veprim nga urdhri! Ata janë gati të vrasin nëse Berisha apo Topalli urdhërojnë kështu! Për ta, mu aty në Kuvend, në mënyrë të përhershme, ka një trupë policësh të Gardës – një pjesë të armatosur, politikë e jo profesionistë, të urdhëruar të konfrontohen pa shkak me deputetët e opozitës. Më keq, të ardhur nga një e shkuar problematike në raport me ligjin penal, në Shqipëri e jashtë saj!!! Në këto kushte, jo ikja, por vetëmbrojtja me çdo kusht, legjitimohet!

Përse thoni se po cenohet funksionaliteti i deputetit të opozitës?
Shikoni! Rrogat kanë qenë njëri nga argumentet në një debat banal. Në fakt, nuk duhet të ishte kështu. Rroga për deputetin, në kushtet e kufizimeve të tjera kushtetuese të të ardhurave, përcaktohet si një element pavarësie për të. Kështu përcaktohet edhe në Statusin e Deputetit të Parlamentit Europian. Shpenzimet e tjera, paguar për deputetin, përcaktohen si shpenzime për funksionimin normal të tij, në Kuvend dhe zonën elektorale! Këto para nuk janë të “luftëtares” Topalli! Ajo mund t’i vjedhë, por nuk janë të sajat. Ajo mund t’i bllokojë dhe kjo ka lidhje vetëm me pengimin e funksionimit të deputetëve të opozitës: të mos lëvizë, të mos kontaktojë, të mos komunikojë, të mos informojë, të mos përfaqësojë!

Unë dhe deputetët socialistë nuk e kemi për turp të jetojmë me rrogë! E di që kjo tingëllon e vjetër në ambientin natyral të Kuvendit: KORRUPSIONIN! Por të jetosh ndershëm është detyrim për një deputet, politikan. Unë as kam pasur e as kam thasë me para! Po hetoj deklarimin e pasurisë së “të ndershmes” Topalli dhe po kërkoj një përgjigje për pyetjen shkodrane: A ka thes me emrin Curri?

Keni denoncuar disa raste abuzimesh financiare të kryeparlamentares Topalli me dietat dhe pagat. Përflitet një kallëzim për këtë, ç’përmban ai?
Rasti i dietave është i turpshëm! Dhe i thjeshtë për t’u hetuar e ndëshkuar! Gjithashtu i provuar! Në 5 vite, Jozefina Topalli është paguar sikur jeton në Shkodër, kur të gjithë e dinë se bën jetë “Blloku”. Në 5 vite, fatura e kësaj pagese arrin në 20 milionë lekë! Të gjithë sishokët e saj në Europë, burra e gra, homoseksualë e lesbike, kanë dhënë dorëheqjen në raste të ngjashme. Është mbrojtur duke thënë se ajo nuk firmos! Gënjen! Ajo firmos dhe merr! Dietat janë “pare xhepi”! Po hetoj një për një tenderët e Kuvendit dhe po kërkoj përgjigje për pyetjen më të bërë në ambientet e biznesit: Çdo vula e noter Ndoc Topallit mbi dokumentet e firmave pjesëmarrëse në tenderët e Kuvendit, një pjesë fituese? Nuk ka ende kallëzim penal për to!

Por, ju garantoj se do të ketë Komision Hetimor Parlamentar në vjeshtë, i cili do të hetojë financat publike të Kuvendit dhe propozojë reformë të plotë për buxhetimin e tyre! Në seancën e fundit të parlamentit opozitës iu mohua e drejta për të diskutuar buxhetin nen për nen. Pse? Sepse opozita duhet luftuar! Qeveria e humbi debatin për buxhetin 7 ditë më parë, ndaj opozita nuk duhej lënë më të fliste! Në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Kuvendit, e cila, garantonte të drejtën e diskutimit 5 minuta për çdo nen! Ne ishim gati për t’u treguar shqiptarëve, nen për nen, se si të ardhurat e tyre do të pakësoheshin, vendet e punës do të mbylleshin dhe borxhet e Qeverisë do t’i rrënonin për fare! Përtej kësaj, ajo seancë ishte e turpshme!

Burri i një gruaje, babai i një vajze, gjyshi i disa mbesave, Kryeministri i Kombit, Sali Berisha, përgjegjës për krizën më të rëndë ekonomike që po kalon çdo familje shqiptare pas rrënimit të ’97-ës, që pyet deputetët e opozitës: A keni kokrra? Mi tregoni dot kokrrat? Dhe qeshte, duke treguar sëmundjen e tij! Ju kërkoj ndjesë, por Kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s pyeste në Kuvend, në një seancë publike dhe e kish fjalën për “koqet”!!!!!! Nuk di ç’kanë menduar gruaja, vajza apo mbesat e tij tek e dëgjonin!

Diskutimi u prish me gjithë seancën kur ju jeni sulmuar nga deputeti Lefter Maliqi…
Nuk pati fare diskutim qyshkur Sali Berisha kuptoi se do ta humbte sërish debatin! Debatin e “vrau” Jozefina Topalli! Pjesa tjetër ka të bëjë me atë që ju thashë, sigurinë e jetës brenda Kuvendit! Besoj i keni parë dëshmitë e “Lef-esit të Jozefinës” këto ditë. Konfirmon se urdhrat për sulm e dhunim, brenda në sallën e Kuvendit i jep Sali Berisha e Jozefina Topalli. Gjithnjë nën kujdestarinë e Komandantit të Gardës së Republikës (edhe ky ish-truprojë e familjes), drejtues i trupës problematike të policëve brenda Kuvendit dhe përgjegjës për mossigurinë e jetës së deputetëve!

Atë sulm e organizoi dhe e nxiti Jozefina Topalli! U pamë sy më sy dhe ishim 2 metra larg! E pashë kur nxiti “Lef-esin” e saj të më godiste! Kjo është arsyeja që vetë Jozefina Topalli u kujdes të zhdukte nga çdo media, çdo edicion lajmesh, pamjet e atij sulmi të dhunshëm! E bëri ajo personalisht! Për fat të keq të saj unë i kam pamjet dhe kjo histori do të shkojë deri në fund! Njëherësh, besoj se ai sulm i dhunshëm ka ndryshuar Kuvendin! Nga ajo ditë, në kushtet e një sigurie të tillë për jetën, vetëmbrojtja me çdo mjet e mënyrë, legjitimohet!

Deputeti Maliqi thotë se ju po fyenit Kryetaren dhe se kishit shishe uji në dore…
Zoti Ruçi më tha se Jozefina Topalli kish pasur këto pretendime! Ju thashë ishte ajo që organizoi dhe alibinë. Dua t’ju them se nuk e kam fyer. I kam thënë të vërtetën! Kur i hoqi fjalën deputetëve dhe e motivonte këtë me procedurat parlamentare i kam thënë: “IDIOTE”! Sipas fjalorit të gjuhës shqipe do të thotë: “IDIOT,-I /2. ai që është i trashë nga mendja; ai që sillet, flet a vepron si i tillë (edhe shar.) (edhe përd.mb.). Fjalë idioti. Sjellje (punë) idioti. Çfarë idioti! Fem. IDIOT/E, -JA sh. -E, -ET.”.

Kur nisi të interpretonte Rregulloren për të motivuar heqjen e fjalës deputetëve, i kam thënë “INJORANTE”! Sipas fjalorit të gjuhës shqipe do të thotë: “INJORANT,-I m. sh. -E, -ET. 1. Njeri i paditur, njeri i pashkollë (edhe përd. mb)./2. keq. Ai që njeh diçka fare cekët; ai që nuk i kupton fare gjërat ose i kupton keq ato; njeri i pagdhendur që nuk di të sillet në jetë (edhe përd. mb). Injorant i madh. Injorant në politikë (në muzikë, në art)”. A ka shqiptar, i madh apo i vogël, burrë apo grua, i cili kur sheh e dëgjon Kuvendin, nuk e thotë këtë të vërtetë për Jozefina Topallin? Pretendimi tjetër ishte për ujin? Kryetarja e Kuvendit është e vetmja grua që ka frikë nga uji! Ka të tjerë aty në Kuvend që ujin e përdorin për të bërë para, Topalli e sheh si rrezik! Unë nuk mund ta dija këtë!

Zoti Braçe, dy çështjet që ngritën në kulm tensionin në Kuvend ishin Ligji “Për Ndryshimet në Buxhet” dhe ai “Për SHISH”. Dua t’ju pyes së pari për Buxhetin, përse e kundërshtoni? Ai materializoi rekomandimet për shkurtime të FMN, nuk preku paga e pensione, të cilat u rritën…
“Ndryshimet në Buxhet” reflektuan krizën e ekonomisë reale. Qeveria, vjet në dhjetor, i bëri llogaritë buxhetore mbi një rritje ekonomike prej 6 %, sot, në letër është vetëm 2 %! Ndryshimet reflektuan tërësisht këtë realitet të ekonomisë; pasoja: ulja e të ardhurave, shkurtimi i shpenzimeve (kryesisht ato për investime)! Llogaritë u bënë gabim sërish: Qeveria parashikon rritje ekonomike në vijim 5.5 %, FMN 2.3 %, për 2011-Qeveria 6.5 %, FMN 3.2 %, për 2012-Qeveria 7.1%, FMN 3.6 %, për 2013-Qeveria 6.7 %, FMN 4.2 %! Pasoja: Çdo shifër e rritjes ekonomike e parashikuar gabim dhe kaq lart, në momentin që nuk realizohet, përmbys llogaritë, reflekton mungesë të ardhurash e detyron domosdo shkurtim të shpenzimeve, duke e tkurrur edhe më ekonominë, rritur papunësinë e varfërinë!

Rruga tjetër mbetet ajo e mbulimit të të ardhurave të munguara me borxh, duke e rritur atë! Fakti është ky: Diferenca mes “parashikimit realist” të FMN dhe “parashikimit politik” të Qeverisë, për rritjen e ekonomike, bën që borxhi publik të arrijë këtë vit në 62.5 % e GDP, të rritet vit pas viti, deri në 68.1 % të GDP në 2013! Ky është borxhi zyrtar, ai i fshehti është sot mbi 100 %! Kjo praktikisht na falimenton! Unë e di që Sali Berisha e sheh veten në pasqyrë dhe i pëlqen ta gënjejë, por shqiptarët nuk do ta falin më për herë të dytë! Qeveria e ka favorizuar krizën e ekonomisë reale. Së pari, në buxhet dhe dështimin e tij. Së dyti, në funksionimin e tregjeve nga buron dhe zhvillimi! Për të parën, u bë shumë e qartë se Qeveria ka qenë e paaftë të mbledhë të ardhurat e planifikuara. Në 6 muaj nuk arriti të arkëtojë në buxhet 16.1 miliardë lekë!

Nëse Qeveria nuk do të rriste represionin mbi bizneset do të mungonin edhe më shumë. Kjo zgjedhje e dhunshme e Qeverisë po i kthen kusurin: Qeveria e Sali Berishës, në 6 muaj ka vendosur 2.7 miliardë lekë të reja gjoba, duke shtyrë në mbyllje aktiviteti deri falimentim disa qindra biznese! Ky është demi. Dhe është në vijim: për 2009-ën, Qeveria e Sali Berishës vendosi 3.4 miliardë lekë të reja gjoba mbi biznesin!!!
Në anë tjetër, Qeveria ka qenë e falimentuar në realizimin e investimeve publike që mund të ndihmonin ekonominë. Shihini shifrat e realizimit: Min. Ekonomisë 21 %, Min. Bujqësisë 6 %, Min. Punëve Publike 61 %, Min. Arsimit 7 %, Min. Turizmit etj., 18 %, Min. Shëndetësisë 19 %, Min. Drejtësisë 9 %, Min. Punës 12 %, Min. Mjedisit 17 %! Ka edhe më keq: Deficiti buxhetor arriti në 209 %, ndërsa huamarrja e brendshme arriti në 254 %! Vetëm për kaq do të mjaftonte për të zënë me shkelma bythëve të rrumbullakosura, ministrat e kësaj Qeverie!!
Për të dytën, Qeveria ka qenë e vendosur të tkurr lirinë ekonomike! Liria ekonomike është përthyer teorikisht për çdo qytetar në: Mundësitë që kanë njerëzit për të përdorur burimet ekonomike, kombëtare e lokale, për qëllime konsumi, prodhimi, shkëmbimi, pra tregtie; përfitimet ekonomike që një njeri ka, do të varen gjithnjë e më tepër nga burimet që ai zotëron apo disponon, mundësitë që ai ka për t’i përdorur si dhe, nga kushtet e shkëmbimit ku funksionimi konkurrues i tregjeve është jetik!
Ekonomia, tregu është i kapur dhe kriza buron këtu! Burimet ekonomike kombëtare administrohen ekskluzivisht e në mënyrë të korruptuar nga Qeveria apo jepen në mënyrë po të korruptuar në një grusht njerëz, klientë politikë të saj, të njëjtët që kontrollojnë në kushte monopoli dhe oligopoli tregjet më fitimprurëse!

Këto janë të dhënat e reja, raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për xhiron vjetore për 2009-ën: Tregu i Energjisë (xhiro vjetore mbi 600 mln eu), tregu i hidrokarbureve (xhiro vjetore mbi 800 mln eu), tregu i telefonisë (xhiro vjetore mbi 500 mln eu), tregu i punëve publike- kontratave qeveritare (xhiro vjetore ’09, mbi 750 mln eu), tregu i importit të grurit, prodhimit dhe shitjes së miellit për bukë (xhiro vjetore ’09, mbi 85 mln eu), tregu i duhanit (xhiro vjetore ’09, mbi 150 mln eu), tregu i çimentos (xhiro vjetore ’09, mbi 120 mln eu) tregu i transportit ajror (xhiro vjetore ’09, mbi 90 mln eu), tregu i shërbimit të automjeteve (xhiro vjetore ’09, mbi 22 mln eu), tregu i pullave fiskale (xhiro vjetore ’09, mbi 150 mln eu), tregu i koncesioneve (energji, çimento, ujë), kontrata të nënshkruar me një vlerë 244.8 mld lekë, 1.8 mld eu), tregu primar dhe sekondar i bonove të thesarit, janë në kushtet e monopolit shtetëror, monopolit të një kompanie private, oligopolit dhe abuzimit me pozitën dominuese në treg!

Këto tregje jo konkurruese që xhiruan për 2009 5.5 miliardë euro kontrollohen nga vetëm 60 kompani! Të gjitha të afërta me klientë të Qeverisë së Sali Berishës! Kanë emër e mbiemër, tani janë shumë të njohur! Kjo është arsyeja pse këto kompani dhe Sali Berisha me 40 ministra e zëvendësministra, kanë para dhe qytetarët vetëm paguajnë e nuk kanë më para! Burimet ekonomike dhe tregjet janë kapur. Kjo po e rrënon ekonominë reale!

Mund të më thoni si funksionon kjo?
Është e thjeshtë! Po ju jap disa shembuj:
I pari; Qeveria i kaloi monopolin e rrjetit kombëtar të shpërndarjes së energjisë elektrike, përmes një procedure të korruptuar, një kompanie të huaj. Kjo kompani, brenda vitit 2009 ka dyfishuar xhiron, ka rritur çmimet dhe qytetarët kanë paguar fatura deri 40 % më të larta!!!
I dyti; Qeveria i kaloi monopolin e përpunimit e më pas monopolin e tregtimit të gazoilit D2, përmes një procedure të korruptuar dhe vendimi antikushtetues, një grupi privat. Ky grup, brenda vitit 2009 vendos dominim të plotë mbi tregun dhe rrit me gati 40 % xhiron vjetore deri në 298 milionë euro!!!
I treti; Qeveria përmes vendimeve e garave të korruptuara e ka kufizuar tregun e punëve publike! Kontratat qeveritare për punë publike po përfundojnë në vetëm 4-5 kompani, Bechtel, Gener2, Salillari, Acmar apo Alpine, SCT! Tregu nuk ka konkurrencë dhe Ministria e Financave analizon e shënon se si kostoja e ndërtimit për 1 km rrugë rritet çdo vit me mbi 20-30% të parashikimit!!!
I katërti; Qeveria me vendime administrative, politike, abuzive deri kriminale, pastroi tregun e transportit ajror. I bëri vend kompanisë Belle Air, e cila brenda vitit 2009 vendos dominimin e plotë në këtë treg dhe thuajse trefishon xhiron deri në 70 milionë euro!!!! Ja, kështu funksionon: shqiptarët paguajnë, këta përfitojnë në tregje ku janë të vetëm ose dominojnë e abuzojnë!
KJO ËSHTË GOMORRA JONË!

Zoti Braçe, ligji për SHISH duket se është beteja e radhës mes Kryeministrit Berisha dhe opozitës. Kryeministri po insiston fort kundër të gjithëve. Ka ndonjë arsye në analizën që ju i bëni?
Duket qartë: Dikush kërkon kokën e Drejtorit të SHISH! Bashkë me të dhe të Shërbimit, njëri ndër më të rëndësishmit në radhën e institucioneve të sigurisë kombëtare në këtë vend! Zgjedhja e Sali Berishës për të qëndruar fort përballë NATO-s dhe SHBA, tregon qartë se të kujt anë janë aleatët e tij në këtë përpjekje! Ata janë individë, grupe kriminale deri shërbime, shumë influente mbi të, Sali Berishën dhe gjysmë pushtetin e tij! Natyrisht, interesat janë puqur! Po të lexosh nenet e reja të ligjit për SHISH kupton përse Sali Berisha kërkon të shkarkojë Drejtorin e Shërbimit, përse kërkon të urdhërojë direkt për çështje operative të shërbimit dhe përse kërkon të urdhërojë direkt në marrëdhëniet e ndërtuara mes SHISH dhe shërbimeve aleate!

Por, unë mendoj se raportimi publik, serioz e profesional i SHISH në Komisionin e Sigurisë në Kuvend, riaktivizoi sulmin ndaj SHISH. Në planin njerëzor, sulm katil tipik i Mafia-s. Në planin kombëtar, me rrezik shumë të lartë! Në Komision, mes deputetëve është folur për deputetë e funksionarë të shtetit, emërimi i të cilëve është sponsorizuar nga grupe të krimit të organizuar. Ata arrijnë deri në nivele vendimmarrëse dhe për ta është njoftuar Kryeministri! Në Komision është folur për kriminalizim të ekonomisë së vendit, depërtim në të, të grupeve kriminale, vendase e të huaja, e kamuflim ligjor të parave të ardhura nga aktivitetet kriminale.

Në Komision është folur për agresion të mafias ruse, serbe e më gjerë, mbi ekonominë e vendit, kamufluar pas biznesmenëve të huaj, kryesisht në energjetikë e ndërtim. Në Komision është folur për një përpjekje të madhe të investitorëve rusë e serbë, për të hyrë në sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit, kryesisht energji, me synim diktimin më pas të vendimmarrjes politike e strategjike të vendit. Në Komision është folur për një përpjekje të madhe për ta paraqitur Shqipërinë si një vend multietnik dhe se regjistrimi i ri mbi baza etnike e fetare ndihmon këtë strategji antishqiptare. Në komision është folur për rrjedhë informacioni nga diplomatë tanët në homologë të tyre, përfaqësues të vendeve joanëtare të NATO-s! Kudo ku të thuheshin këto, do të dridhej shteti e ndërroheshin shërbëtorët e shtetit!