Shekulli Online, 01.12.2009
TIRANË- Ndërkohë që PS ka njoftuar se protesta e radhës për hapjen e kutive mbërrin sot në Athinë, ku emigrantët shqiptarë do të kërkojnë të shohin votën e tyre, ministri i Jashtëm Ilir Meta ka deklaruar nga kryeqyteti grek se në këtë mënyrë dëmtohet imazhi i vendit.
“Është qesharake dhe jo serioze, pasi kutitë janë hapur dhe janë firmosur. Nëse do të ketë protesta edhe në Athinë, kjo do të dëmtojë imazhin e vendit”, mësohet të ketë thënë Meta., duke komentuar lajmin për protestën e opozitës.
Deklarata është bërë teksa Meta ndodhet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të OSBE-së.
Hapja e kutive të votimit, PS sot protestë në Athinë
TIRANË – Protesta e opozitës me moton “Dua të shoh votën time!” mbërrin në Greqi. Socialistët e Greqisë, por jo vetëm, do të tubojnë sot në Athinë përballë zyrës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSCE), për hapjen e kutive të votimit dhe bërjen e transparencës së zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara në Shqipëri më 28 Qershor. Zhvillimi i këtij manifestimi, pikërisht në Athinë, bëhet me rastin e takimit të ministrave të jashtëm, si dhe përfaqësues të nivelit të lartë të OSBE-së nga 56 shtete pjesëmarrëse që do të zhvillohet në kryeqytetin helen në datat 1 dhe 2 dhjetor.
Protesta
Në pritje të skadimit të ultimatumit dhjetëditor, Partia Socialiste ka vendosur që të shtrijë protestën e saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si një përpjekje për të njohur më nga afër faktorin ndërkombëtar, lidhur me kërkesat e saj që kanë të bëjnë me transparencën e zgjedhjeve, si rruga e vetme për t’i kthyer legjitimitetin institucioneve të lindura prej tyre. Me këtë qëllim, socialistët do të organizojnë sot në Athinë një protestë paqësore para zyrës së OSBE-së, ku pritet të mbahet një takim tepër i rëndësishëm dyditor i ministrave të jashtëm të vendeve, që janë anëtarë të OSBE-së. Protesta organizohet nga dega e PS-së në Greqi dhe në të janë ftuar të marrin pjesë përveç anëtarëve të saj edhe emigrantë të tjerë shqiptarë që jetojnë atje.
Për këtë qëllim, drejtuesit e PS-së në Greqi i kanë bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që kanë emigruar në Greqi, që t’i bashkohen kësaj proteste për të kërkuar hapjen e kutive para përfaqësuesve të lartë të OSBE-së. Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të bëhet në orën 17:30, në vendin e quajtur stacioni autobusëve “Agjo Kozmas” përballë aerodromit të vjetër. Më pas, ata, të drejtuar nga krerët e PS-së në Greqi, do t’i drejtohen selisë së OSBE-së, ku dhe do të hedhin parulla për hapjen e kutive dhe votën e lirë.
Protestën e ka përshëndetur edhe Partia Socialiste, dega Veria, e cila edhe ajo ka ftuar dje të gjithë emigrantët që të jenë të pranishëm. “Partia Socialiste, dega Veria, ju bën thirrje simpatizantëve të PS-së dhe gjithë emigrantëve shqiptarë të jenë në këtë protestë, pasi në Shqipëri, qeveria shqiptare po shkel ligjet dhe Kushtetutën, nuk lejon të numërojë votat e zgjedhësve shqiptarë.
Prandaj të bashkohemi të gjithë së bashku nën moton “Dua të shoh Votën time”, – thuhej në një deklaratë të PS-së, dega Veria, një qytet në Greqinë Veriore. Ndërkohë që mësohet se për organizimin e saj janë angazhuar edhe disa deputetë socialistë nga Shqipëria. Megjithatë, protesta është nismë e socialistëve shqiptarë të Greqisë dhe në të nuk pritet të marrë pjesë kryetari i PSSH-së, Edi Rama, as edhe ndonjë nga drejtuesit e lartë të kësaj partie. Pjesë e protestës pritet të jenë dhe shoqatat e emigrantëve që operojnë në Greqi.
Takimi
Ministrat e jashtëm, si dhe përfaqësues të nivelit të lartë të OSBE-së, 56 shtetet pjesëmarrëse, do të takohen sot në Athinë për të diskutuar të ardhmen e sigurisë evropiane në Këshillin e Ministrave të kësaj organizate. Ministrat e Jashtëm të OSBE-së do të miratojnë vendime dhe do të japin udhëzime politike në një gamë të gjerë temash, duke përfshirë të gjithë aktivitetin e saj. Takimi i këtij niveli zhvillohet çdo vit në vendin që ka dhe kryesimin e radhës të kësaj organizate. Duke përfaqësuar kryesinë greke të OSBE-së, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Droutsas, u tha gazetarëve dje se takimi vjen në një moment kritik dhe nënvizoi rëndësinë e një qasje të bashkërenduar operative për të adresuar sfidat e sigurisë evropiane.
Pjesë e këtij takimi do të jetë dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, njëherësh shefi i diplomacisë shqiptare, i cili gjendet në Greqi, që prej ditës së djeshme. Protesta e socialistëve që është paralajmëruar për sot, pritet ta vërë Metën në një pozicion të vështirë para homologëve të tij, për vetë faktin se qeveria në të cilën ai bën pjesë nuk i ka dhënë ende zgjidhje një debati të tillë, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për dialog. Pas protestës së Athinës, socialistët do të përcaktojnë edhe axhendën e veprimeve të mëtejshme në kërkim të hapjes së kutive të votimit.
* * *
Rama ndan ftesa në Kombinat: Ejani në protestë
TIRANË- Hapja e kutive, që mban të fshehur të vërtetën e 28 qershorit është rruga e vetme e integrimit të Shqipërisë. Kështu ka deklaruar lideri i PS-së, Edi Rama nga zona e Kombinatit në Tiranë, ku në një takim me banorë ka shpërndarë ftesta për protestën e opozitës, nesër në sheshin “Skenderbej”.
Rama ka ftuar banorët në protestën që sipas tij bëhet në emër të transparencës së zgjedhjeve, duke u thënë atyre se me këtë protestë i duhet treguar Berishës se nuk preken votat.
Një ditë më parë, Rama u shpërndau ftesa për protestë, qytetarëve në rrugën “Komuna e Parisit”. Në një rrugëtim derë më derë në këtë zonë të kryeqytetit Edi Rama në bashkëbisedim me qytetarë të ndryshëm u ka kërkuar atyre që të bëhen pjesë e protestës së opozitës në 20 nëntor. Edi Rama në këto takime spontane për të sensibilizuar qytetarët e Tiranës ka e cilësuar si demagogji të paturpshme deklaratën e kryeministrit Berisha kur mohoi kontributin e opozitës për anëtarësimin në NATO:
“Me paturpësinë më të madhe, sot Sali Berisha po mohon rolin historik të opozitës, ndërkohë që edhe në NATO do të kishim hyrë më përpara, nëse Sali Berisha nuk do të ishte bërë pengesë me shembjen e shtetit gjatë pushtimit të parë të Republikës. Sot unë jam këtu, për t’i kërkuar personalisht qytetarëve e qytetareve të Tiranës, të gjithë ata që duan të jetojnë të lirë; të gjithë ata që dua të kenë të drejta të barabarta me pinjollët e familjes në pushtet dhe me kryefamiljarin që e ka kthyer qeverinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në një mjet për pasurimin e tij; të gjithë bizneseve që nuk duan të falimentojnë në janar, për shkak të kalimit arbitrar si biznes i madh nën regjimin e taksave të papërballueshme; të gjithë të papunët; të gjithë mësuesit; të gjithë mjekët; të gjithë ata që konsiderohen si qytetarë të dorës së dytë në këtë vend; të gjithë ata që sot nuk e gjejnë te Maliqi të drejtën që u ka dhënë ligji; të gjithë shqiptarët e shqiptaret, që më 20 nëntor, pasdite në sheshin “Skënderbej”, kanë të gjitha arsyet e Zotit dhe të ligjit, për t’i rezistuar këtij pushteti të korruptuar që po e zhyt përditë Shqipërinë në një zullum. Zullum, që reflektohet edhe në listën e djeshme të publikuar nga TIA, ku jemi pas Ugandës, pas Ruandës dhe në shoqërinë e atyre ish republikave sovjetike të një korrupsioni dhe një diktature të pushtetit të parasë dhe të parasë së pushtetit, model që ne e refuzojmë dhe do ta shpërbëjmë me çdo mjet dhe me çdo çmim.”