Nard Ndoka, 03.03.2010
Prej disa muajsh Prokuroria e Shkodrës mban pezull një denoncim të Partisë Demokristiane për zgjedhjet e 29 Qershorit.
Partia Demokristiane është e vetmja parti politike, që respektoi institucionet e shtetit, duke ndjekur etapat ligjore për denoncimin e manipulimit të votave kryesisht në Qarkun e Shkodrës.
Komisionet Zonale 40 e 42 të Shkodrës aty ku shumicën e kishte pushteti, pra PD-ja, vendosen të mos pranojnë vëzhguesit e koalicionit “Poli i Lirisë”, duke shkelur në këtë mënyrë haptazi Kodin Zgjedhor. Kjo është prova e parë, ku pushteti nuk njeh shtetin.
Kemi bërë ankimim në KQZ për rinumërim të votave në disa kuti votimi në Qarkun e Shkodrës, kanë votuar dy anëtarë të KQZ-së, por KQZ-ja ka votuar me shumicë votash kundër ligjit, pra edhe këtu pushteti ka injoruar shtetin dhe ligjin.
Në respekt të ligjit dhe institucioneve ne bëmë ankimim në Kolegjin Zgjedhor, mbi vendimin joligjor të KQZ-së, por Kolegji Zgjedhor votoi përsëri ligjin zgjedhor dhe me shumicë votash, bllokoi rinumërimin e votave dhe legjitimoi manipulimet e Partisë Demokratike dhe pushtetit. Faktet e mësipërme mjaftojnë për të treguar se pushteti ka bërë “grusht shteti” ndaj shtetit gjatë këtij procesi të dështuar zgjedhor.
Përballë një atentati të tillë ndaj zgjedhjeve të lira, ku u implikuan përveç mazhorancës edhe institucionet e prodhuara prej saj, ne bëmë ekspertizën e procesit zgjedhor në Qarkun e Shkodrës, dhe dokumentuam me prova deformimin e votës së demokristianëve.
Nga shqyrtimi i kasetave filmike në provuam se Partisë Demokristiane i janë vjedhur me shumë se pesë mijë vota në këtë qark, pra i është vjedhur një mandat deputeti, ndërsa Partia e mazhorancës, PD, i ka shtuar vetes më shumë se 11 mijë vota.
PDK, duke ndjekur rrugën institucionale, ka disa muaj që ka depozituar në Prokurori të gjitha provat tona të pakundërshtueshme për vjedhjen e votave, prova që prokuroria e Rrethit Shkodër i pranoi dhe filloi procesin hetimor, një proces që duhej të kishte përfunduar me kohë dhe personat përgjegjës për deformimin e procesit zgjedhor, duhej të ishin ndëshkuar nga drejtësia. Kështu do të ndodhte në çdo shtet normal, ku demokracia funksionon dhe pavarësia e institucioneve është e garantuar.
Por, në gjysmëdemokracinë tonë, Prokuroria dhe institucionet e tjera të drejtësisë ndihën të pasigurta dhe janë të paafta për të kryer funksionet e tyre kushtetuese.
Ndryshe nuk ka se si shpjegohet heshtja e prokurorisë përballë fakteve dhe provave të pakundërshtueshme të vena në dispozicion të saj.
Është e qartë se prokuroria hesht, sepse pushteti ka asfiksuar shtetin, se ne nuk qeverisemi po sundohemi nga një individ që ka grumbulluar në oborrin e tij të gjitha pushtetet. Këto janë prova të mjaftueshme për të kuptuar, se çfarë arrin të bëjë një pushtet i dalë nga zgjedhjet e manipuluara.
Tashmë është e qartë se një pushtet që paralizon shtetin që e shtrin sundimin e vet mbi shtetin dhe e shndërron atë në shërbëtor të tij, është problematik për qytetarët, është problematik për vendin, është problematik për funksionimin e institucioneve.
Nëse institucionet kushtetuese nuk garantojnë të drejtat e qytetarëve, atëherë kush do t’i garantojnë këto të drejta, si do t’i mbrojnë qytetarët të drejtat e tyre? Dhe e drejta e lirisë së zgjedhjes, është një ndër të drejtat themelore të njeriut, e drejtë që në vendin tonë u shkel brutalisht, duke prodhuar një pushtet të pavotuar.
Si mund ta mbrojnë qytetarët këtë të drejtë të shenjtë, kur institucionet që duhet ta garantojnë këtë, i binden pushtetit dhe jo ligjit. Zvarritja e procesit të hetimit të zgjedhjeve në Shkodër është një ogur shumë i keq për demokracinë dhe një sinjal që duhet të alarmojë të gjithë qytetarët shqiptarë që kërkojnë të jetojnë të lirë në një shtet demokratik, institucional dhe europian.
Tashmë janë të qarta edhe shkaqet edhe pasojat e heshtjes së Prokurorisë së Shkodrës; së pari, Prokuroria hesht dhe përpiqet ta zvarrisë hetimin pa fund, duke siguruar kështu një “paqe” me pushtetin dhe një regres me ligjin; së dyti, një denoncim në respekt të ligjit, në respekt të institucioneve, në respekt të së vërtetës duhej të ecte shpejt madje shumë shpejt, pasi kriza që po kalon vendi ka lidhje në mënyrë të drejtpërdrejtë me paralizën e shtetit nga pushteti; së treti, njeriu nuk është i lirë, nëse qeveria nuk është e kufizuar. Këtu jo vetëm që qeveria nuk është e kufizuar, por është kthyer në një uzurpatore që po i “mbyll gojën” çdo institucioni që përpiqet të jetë i pavarur.
Unë mendoj se ka akoma shpresë, madje mund të them se është detyra jonë si opozitë që të çlirojmë shtetin nga pushteti, duke u dhënë fund praktikave totalitariste të qeverisjes dhe të sundimit të pushtetit mbi shtetin.
Për arritjen e këtij objektivi thelbësor për demokracinë tonë të deformuar, së pari, duhet të largohet nga pushteti personi që ka kapur peng shtetin: ai ka një emër dhe ai quhet Sali Berisha; së dyti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të marrë masa, sepse gjyqtarët me votën e tyre politike po dhunojnë sistemin e drejtësisë; së treti, të gjithë ne duhet të respektojmë shtetin dhe të punojmë për ta bërë sa më funksional atë; së katërti, të punojmë që ta kufizojmë pushtetin e individëve, duke garantuar funksionimin e institucioneve. Çështja “Rruzhdija” tregoi, se segmente të veçantë të shtetit ende funksionojnë.
Ka rastisur një zhvillim larg vëmendjes së pushtetit, ka qëlluar një prokuror i përgjegjshëm, nuk mund të them se cila është e vërteta, (megjithëse do dëshiroja shumë këtë të dytën), por ama është një shenjë që shteti akoma nuk ka vdekur.
Ashtu siç Prokuroria e Fierit hapi kutinë e “Ruzhdijes” në Fier, ashtu me të njëjtin standard, madje me prova më të forta, edhe Prokuroria e Shkodrës duhet të hapë tre kutitë e “Nexhmijes”, në Shkodër.
Kemi informacione, se KQZ-ja nuk ka pranuar t’i vërë në dispozicion për hetim tre kutitë e kërkuara nga Prokuroria e Shkodrës për hetim të mëtejshëm. Ky do të ishte një problem më vete, që do të kërkojë një vëmendje të veçantë kur informacioni të jetë zyrtar.
* Autori është kryetar i Partisë Demokristiane të Shqipërisë