Lorenc Vangjeli, 17.04.2010
Të dy partitë e mëdha të vendit, PD e PS kanë arritur t´ja hedhin njëra-tjetrës aty ku kanë mundur. Kuti me zero vota për rivalin nga PD-ja në veri të vendit, e njëjta monedhë e çuditshme këmbimi në jug të vendit nga PS për kundërshtarin e saj. MAPO liston një numër kutish votimi me rezultate që ngjallin dyshim, por dhe japin provën indirekte se edhe kësaj here, partitë politike arritën shënojnë një “fitore” të padiskutueshme: fitoren mbi standartet e zgjedhjeve. Standarti evropian i hedhjes dhe numërimit të votës, është humbësi i natyrshëm i 28 qershorit
Në Shqipërinë “dixhitale” të vërtetat shpesh fshihen edhe aty ku mund t´i gjejë gjithkush. Me pak vullnet në dispozicion dhe me predispozitë për të vërtetën e fshehur mund të tërhiqen përfundime “interesante” dhe jo vetëm mund të hamendësohet për atë që ka ndodhur në 28 qershor, në zgjedhjet e përgjithshme që prodhuan qeverinë Berisha 2. Për shembull, në site-n www.cec.org.al, mund të zbulohen jo befasisht një pjesë e mistereve të mbajtura mbyllur në kutitë e votimit.
Mistere të cilat mund të turpërojnë të dy forcat kryesore politike në vend PD dhe PS gjithmonë në raport me të vërtetën. Ato janë një dëshmi dhe provë indirekte se të dy palët kanë përdorur hilen në vend të votës, numërimin e keq dhe shumë të keq, siç tashmë është bërë zakon të thuhet, mbas përkthimit nga anglishtja në shqip të kësaj fraze.
Të dy palët janë të dëmtuara nga këto hile, por në thelb, i dëmtuari kryesor është gjithë procesi elektoral i shkuar, të cilit gjithmonë e më tepër, po i humbet edhe cipa e parafundit që i mbulon lakuriqësinë. Si cipë e fundit, mbeten muret e hollë të magazinave të KQZ-së në Lundër dhe plastika në dukje transparente e kutive të votimit. Të mjafta për të kuptuar se vota e djeshme, edhe në 28 qershor 2009 ishte një biznes i falimentuar, që për më shumë, nuk jep asnjë garanci për të qenë ndryshe, edhe në të nesërmen.
KQZ-ja si shpellë “hajdutësh”
Koncepti i shpellës si vend për të fshehur diçka nga sytë e botës, ka evolucion interesant. Nga vendet e humbura dhe larg banimeve njerëzore, sot, në Shqipërinë dixhitale siç është bërë e udhës të quhet tashmë Atdheu, shpella mund të jetë dhe një adresë zyrtare e një institucioni. Për shembull, www.cec.org.al është site zyrtar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe në këtë rast, ai është shpella ku me ngulm po kërkohet të mbahen fshehur të dhëna jashtëzakonisht të rëndësishme për të shkuarën e sidomos, për të ardhmen e vendit.
“Sekretet më të rëndësishme, që të ruhen mirë, duhet të mbahen aty ku nuk i shkon mendja njeriu. Domethënë, në vende të dukshme”: një aksiomë e tillë e vjetër e një libri gjithashtu të vjetër me histori agjentësh gjermanë e sovjetikë të Luftës së Dytë Botërore jep një këshillë të mirë për KQZ-në e sotme shqiptare. Edhe pse këtë të fundit, e detyron ligji të bëjë publikime për të cilat pakkush interesohet. Por mjaftojnë pak orë në dispozicion, e natyrisht edhe vullnet dhe çuditë nuk kanë të sosur. “Shpella” në Pallatin e Kongreseve, në krah të stadiumit kombëtar Qemal Stafa, të habit me “xhevahiret” që mban brenda.
PD, PS, zerot në mes
Në kapitullin Zgjedhjet për Kuvend 2009, në site-n e KQZ-së, mund të konsultohen të gjitha rezultatet e dala nga votimi (sipas numurimit zyrtar dhe shënimit të tyre në procesverbalet përfundimtare), por që në një vështrim asnjanës e të ftohtë hedhin dyshime të nxehta për vërtetësinë e tyre. Kuti të veçanta zgjedhore mbajnë rezultate të cilat llogjika normale nuk i pranon dot. Në këto kuti, herë Partia Demokratike dhe herë Partia Socialiste nuk kanë mundur të sigurojnë dot as votën e komisionerëve të tyre. Domethënë janë kuti me zero vota për to.
Kryesisht në veri të vendit, ka kuti në të cilat PS nuk ka mundur të marrë asnjë votë, kryesisht në jug të vendit, këtë fat e ka pasur PD-ja. Të tjera kuti mbajnë rezultate gjithashtu të çuditshme, gjithmonë sipas procesverbaleve zyrtare. Herë PD e herë PS kanë mundur të marrin një, dy apo dhe vetëm tre vota kundrejt disa dhjetra votave të kundërshtarit direkt.
Në faqen zyrtare të KQZ-së, faqe lehtësisht e kontrollueshme nga çdokush, rezulton se:
Në Shkodër, në ZAZ 40, në qendrën e votimit 0196, PD ka marrë 96 vota, kurse PS zero të tilla, në QV 0187, PD 17 vota, PS zero, në QV 0075, PD 111 vota, PS zero, e pastaj me rradhë, në QV 0257 PD 143 vota, PS vetëm një, në QV 0046, PD 26 vota, PS një, në QV 0074 PD 208 vota, PS 6, në QV 0190, PD 107 vota, PS 4, në QV 0188 PD 211 vota, PS 9, në QV 0191 PD 116, PS 2.
Edhe Partia Socialiste nuk mbetet pas. Ajo kthen reston me të njëjtën monedhë në ZAZ 2 dhe ZAZ 4 në Berat, ku në QV 3374 merr 31 vota dhe PD asnjë votë dhe në QV 3569, në të cilën merr 60 vota dhe PD sërish zero. Në Vlorë, në ZAZ 62, në QV 4586 merr 21 vota PS, kurse PD vetëm 1 të tillë apo në Gjirokastër ku në ZAZ 25 merr gjashtë vota PS dhe vetëm zero PD-ja.
Ka dhe zona në të cilat, në të gjithë kutinë janë gjetur vetëm dy vota të vlefshme, ku PD e PS i kanë ndarë mes njëra – tjetrës në mënyrë të barabartë si në ZAZ 27, QV 4131; në të njëjtën ZAZ, në QV 3411, gjithashtu në Gjirokastër, gjashtë votat e vetme të vlefshme janë ndarë tre me tre mes dy partive të mëdha. Një tjetër rezultat i çuditshëm është dhe ai në një qendër votimi në Kukës, në të cilën PSD-ja ka marrë 300 vota, kurse partitë e tjera i numërojnë fletët e tyre me gishta.
Një tabelë e pjesshme e këtyre rezultateve po botohet në këtë numër të MAPO-s. Mjaftojnë dhe vetëm këto shifra për të krijuar dyshimin, që të paktën në kutitë e „hapura” nga KQZ-ja në faqen e saj në internet, kanë ndodhur çudira. Dy partitë e mëdha, me një shtrirje kapilare në të gjithë territorin, në këto kuti nuk kanë mundur të garantojnë as votat e komisionerëve të tyre. Ose të paktën dhe më saktë, nuk kanë mundur të numërojnë as votat e komisionerëve të tyre. Si për të dhënë dhe një arsye më shumë për të besuar në “syren” përkatëse të raportit të OSBE/ODIHR-it, se në një të tretën e qendrave të numurimit, votat janë numuruar keq ose shumë keq.
Diferenca
Dy partitë e mëdha që kanë ndarë në këtë mënyrë votat e tyre, ndahen nga njëra-tjetra edhe në qëndrimin e tyre final për cilësinë e procesit elektoral të 28 qershorit. PD-ja, që në bazë të këtyre rezultateve rikonfirmoi veten në pushtet, e konsideron procesin më të mirin e deritanishëm në Shqipëri, PS e konsideron atë si një krim elektoral që ka deformuar vullnetin e votuesit shqiptar. Dy partitë ndahen edhe në idenë e hetimit të asaj çfarë ka brenda kutive ende të mbyllura të votimit: PD e konsideron çështjen një kapitull të së shkuarës, PS proteston dhe kërkon garanci për të ardhmen. Por të dyja partitë, të paktën në shembujt e dhënë nga revista MAPO, ngjan se kanë arsye të gjejnë me faj njëra-tjetrën pikërisht për këto rezultate të çuditshme.
Ta gjejnë me faj njëra-tjetrën për dështimin e sistemit që nëpërmjet votës, cakton ngjyrën e qeverisjes. E thënë ndryshe, të dyja, aty ku kanë mundur, kanë dashur ta shohin të mundur deri në “zero” rivalin. Në fakt, të paktën për momentin mund të thuhet vetëm një gjë me siguri: partitë politike në vend, edhe në 28 qershor kanë mundur bindshëm standartet e zgjedhjeve të djeshme. Çka vazhdon të jetë garancia më e keqe e mundshme për zgjedhjet e nesërme. Pavarësisht se një palë nuk e pranon këtë të vërtetë të hidhur, kurse pala tjetër nuk rresht së protestuari për të marrë garancitë për të nesërmen ndryshe.