Kushtrimi amerikan

0
57

GRID RROJI, 28 qershor 2012

Teksa dëgjoja ambasadorin Arvizu, i cili u bënte thirrje shqiptarëve të mos e pranojnë gjendjen e tyre të tanishme si të pandryshueshme, m’u kujtua kushtrimi i atdhetarit amerikan Patrik Henri në Asamblenë e Virgjinisë (23 mars 1775), në të cilën bënin pjesë edhe presidentët e ardhshëm Xhorxh Uashington dhe Tomas Xheferson: “Më mirë i vdekur, sesa në robëri” (Give me freedom or give me death). Në thelbin e vet kjo ide përmban çelësin e suksesit të Amerikës, i cili bazohet te liria e çdo amerikani për të shprehur vullnetin e vet politik e për t’iu kundërvënë tiranisë.

Nisma e Ambasadës Amerikane “Vepro tani!” mishëron pikërisht besimin e saj në shpirtin e lirë e të parobërueshëm të shqiptarëve. Në gjykimin tim, nisma dhe deklaratat e z. Arvizu synojnë rizgjimin e kësaj ndjenje me anë të angazhimit qytetar. Pikërisht për këtë arsye unë mendoj së kjo është ideja e duhur në gjendjen ku ndodhet shoqëria shqiptare.

Disa analistë e gjykuan në mënyrë cinike nismën. Dikush qaravitej duke fajësuar popullin e vet si të papërshtatshëm për kësi idealesh, a thua se ata vetë nuk janë pjesë e tij. Ndonjë tjetër e gjykonte z. Arvizu si të painformuar apo të pazotin për të na dhënë zgjidhjet “që duam ne, e jo ato që do ai”. Edhe ata që kishin gjykim thelbësisht mirëdashës ndaj nismës, shprehnin mëdyshjen se ajo mund të reduktohej në një shkëndijë mediatike, ashtu siç jemi mësuar me betejat politike në Shqipëri.

Mirëpo përsiatjet e këtyre analistëve nuk arrijnë të depërtojnë përtej interesave të vogla politike e të përftojnë frymën e një lëvizjeje të tillë. Në gjykimin tim, nisma mbart në vetvete supozime të cilat u japin përgjigje disa pyetjeve thelbësore mbi gjendjen aktuale në Shqipëri: 1) a ka dështuar sistemi politik aktual? 2) Cilat janë forcat shoqërore që do të krijojnë baticën për ndryshim? 3) Cila do të duhet të ishte ideologjia mbi të cilën do të mbështet fillimi i pastër?

Së pari, duket se kjo nismë amerikane vjen si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme të “demokracisë shqiptare në zhvillim”. Sistemi i tanishëm politik është oligarkiko-plutokratik, jo në shërbim të lirisë së qytetarit, por të pasurimit të aktorëve të politikës dhe, si pasojë, nuk ka se si të jetë në interes të shqiptarëve. Një sistem ku Presidentin (sipas përcaktimit të z. Arvizu) e “caktojnë tre veta”, nuk mund të jetë demokratik. Një sistem në të cilin ndryshojnë emrat e ministrave dhe siglat partiake, por nuk ndryshon vlerësimi vazhdimisht negativ i raporteve të Departamentit të Shtetit mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar, nuk është sistemi që meritojnë shqiptarët.

Një sistem ku interesat e klaneve dhe tarafeve post-Ramiziane kanë dominuar dhe vazhdojnë të dominojnë skenën publike, nuk mund të jetë bartës i ndryshimit që kërkojnë dhe duan shqiptarët. Një sistem ku Drejtësia është shndërruar në një pazar korruptiv si një grykë pusi së cilës nuk i duket fundi, nuk mund të jetë një sistem demokratik. Po të mos kishte dështuar sistemi aktual, nuk do të kishim nevojë për nisma të rigjallërimit të demokracisë nëpërmjet angazhimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve, sepse në një demokraci të konsoliduar këtë rol e luajnë mekanizmat normalë demokratikë.

Më tej, rokadat e pushtetit nga njëri te tjetri klan i oligarkisë nuk kanë prodhuar ndryshim thelbësor në konceptimin e shtetit dhe demokracisë. Një shprehje amerikane thotë se “nuk mund të presësh rezultate të ndryshme kur bën të njëjtin veprim çdo herë”. Pra, ndryshimi që kërkohet duhet të jetë më thelbësor se sa rrëzimi i një qeverie të korruptuar me pritshmërinë se ndoshta pala tjetër do të sillet ndryshe. Shoqëria shqiptare duhet të angazhohet që të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e organizimit të politikës. Unë besoj që këtë synon edhe nisma amerikane.

Përgjigjen për pyetjen e dytë ambasadori Arvizu e tha shprehimisht në fjalën e tij gjatë prezantimit të nismës. Të gjithë shqiptarët duhet të ndihen të lirë dhe të ndiejnë detyrimin moral për të mos e pranuar status quo-në dhe për të reaguar ndaj padrejtësive dhe shkeljes së ligjit. Mirëpo në politikë disa shtresa të shoqërisë janë më aktive dhe më të prira për të vepruar. Mes tyre disa janë më të përshtatshme për ndryshimin që duam se të tjerat. Për shembull, nuk mund të presim që ndryshimin ta bëjnë figura të ricikluara nga sistemi i tanishëm, sepse interesat e tyre janë të lidhura tashmë pazgjidhshmërisht me fijet e klaneve oligarkike. Shpresa e shqiptarëve atëherë vjen nga brezat i rinj të edukuar brenda dhe jashtë vendit, të cilët kanë avantazhin e të qenit të papërlyer, por edhe ndiejnë përgjegjësinë historike për të ndërtuar një të ardhshme të begatë për kombin. Më tej, brezat e rinj mbartin energjinë pozitive të nevojshme për të krijuar premisat për një ndryshim aq rrënjësor sa ç’kemi nevojë. Unë besoj se optimizmi i ambasadorit mbështetet te besimi që ai ka te këto shtresa.

Së treti, fillimi i pastër nuk mund të mbështetet në ideologjinë sunduese të tranzicionit, pseudo-liberizmin gllabërues të përshkruar nga Engelsi që ka adoptuar paria oligarkike e Tiranës. Fillimi i pastër duhet të mbështetet në idenë e ndërtimit të një shteti komb të konsoliduar dhe modern, me struktura efikase, të cilat të pengojnë personalizimin e shtetit dhe përdorimin e tij nga politika për interesa personale. Praktika tregon se nuk mund të ketë demokraci reale pa një shtet komb të konsoliduar. Pa ndryshuar konceptin ideologjik të sistemit, do të jetë e pamundur të çlirohemi nga politika kanceroze që kemi mbi krye. Përndryshe do të mbetemi edhe më tutje peng i një sistemi ku “tre veta” vendosin fatet e një kombi. Pra, konsolidimi i demokracisë me anë të angazhimit qytetar është i lidhur drejtpërdrejt me nevojën shoqërore për të ndërtuar dhe konsoliduar shtetin-komb.

Për ta përfunduar, nisma amerikane “Vepro tani!” është një ide e mirëpritur dhe një ogur i mirë për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Ajo tregon se SHBA, si aleati dhe miku ynë më i madh, jo vetëm kanë interesa për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri, por besojnë te forca morale e shqiptarëve për të luftuar për liri, dinjitet dhe pastërti. Deklaratat e z. Arvizu na tregojnë gjithashtu se ai është shumë më i informuar se sa ndonjë analist që rrallë e lë Tiranën mbi shpirtin e parobërueshëm të shqiptarëve dhe vullnetin e tyre për ndryshim real. Nisma është një dëshmi e qartë e idealizmit kombëtarist që formëson qasjen amerikane ndaj vendeve mike. Siç ka thënë poeti Arçibolld Mek Lish: “Ka ca që thonë se liria e njerëzimit, liria e njeriut dhe e mendjes është një ëndërr. Ata kanë të drejtë. Ajo është ëndrra amerikane”. Për këtë arsye, z. Arvizu meriton falënderime, e jo skepticizëm cinik.