• Në 2009-n nga partitë e majta mbi 10 mijë vota kanë marrë vetëm 3 parti, PSD, PDS dhe G99. Nga e djathta avantazh PDIU, PR, PLL dhe PAA
Luis Tanushi, 24.03.2013
– Fitorja e zgjedhjeve është edhe një mundësi shumë e mirë për partitë politike për të ndarë pushtetin e ardhshëm. Me afrimin e zgjedhjeve, partitë politike kanë filluar që të bëjnë dhe llogaritjet e votave dhe të koalicioneve të mundshme për të marrë maksimumin në çdo qark. Dy partitë e mëdha, ajo Socialiste dhe Demokratike u kanë vendosur kushte aleatëve të tyre për t’i futur në qeveri nëse do të fitojnë zgjedhjet. Nga njëra anë socialistët kanë vendosur si kusht minimal të tyre për t’i pranuar në qeveri sigurimin e 10 mijë votave, ndërsa për demokratët kusht për postin e ministrit mbetet sigurimi i një mandati deputeti.
Kushti vlen vetëm për postin e ministrit, pasi në rang zëvendësministri, pragu ulet edhe më tej. Për demokratët, skema e shpërblimit ndryshon nga ajo e PS-së, pasi sigurimi i posteve të zëvendësministrave do të varet ndjeshëm nga ndihma që ato do t’i japin koalicionit sipas qarqeve. Nëse diferenca midis të djathtëve dhe të majtëve për mandatin e fundit në atë qark është tepër e vogël, shanset për vlerësimin e kontributit të partive të vogla rriten ndjeshëm.
Koalicioni i majtë
Partitë që do të sigurojnë mbi 10 mijë vota përveç deputetëve në Kuvendin e ri, do të marrin dhe poste kyçe në qeverisje si ministër dhe zëvendësministër. Nga analizimi i zgjedhjeve të rezultateve të 2009, janë vetëm 4 parti nga lista prej 34 partive politike që u mblodhën pak ditë më parë në tryezën e organizuar nga PS-ja. Përveç partitë kryesore, asaj Socialiste që mori rreth 621 mijë vota, forcat e tjera që kanë shanset për t’u futur në qeveri në rast të rotacionit politik do të jetë Partia Socialdemokrate që siguroi 26.700 vota në rang kombëtar, Partia Demokracia Sociale e drejtuar nga Paskal Milo me 10 395 vota .Pretendente nisur nga zgjedhjet e kaluara parlamentare paraqitet edhe Partia G99 e drejtuar tashmë jo nga Erjon Veliaj, por nga Ervin Mete. Kjo forcë rezultoi në rang vendi me rreth 13 mijë vota.
Në rast se konfigurimi i aleancave parazgjedhore do të jetë I njëjtë me partitë pjesëmarrëse në tryezën e një jave më parë, atëherë do të mungonin 18 mijë votat e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të cilat duken solide në zonat ku ka më shumë përqëndrim të minoritetit grek në jug të vendit. Në rast të një koalicioni paszgjedhor me këtë forcë politike, postet do të jepeshin vetëm nëse PBDNJ do të arrinte të konvertonte votat e saj së paku në një mandate deputeti. Në mbledhjen e aleatëve të zhvilluar pak ditë më parë kryesocialisti u ka propozuar 34 aleatëve që nëse një parti merr nga 500 deri në 1000 vota në çdo qark, ajo do të ketë një vend të garantuar në bashkëqeverisjen lokale të atij qarku. Ndërsa, kontributi në pushtetin qendror, që nënkupton drejtimin në rang drejtorish, lista do fillonte me vlerësimin nga 5 mijë vota deri në 10 mijë vota në çdo qark. Por, ajo parti që do arrijë të marrë më shumë se 10 mijë vota do të ketë një vend të sigurt në qeverinë e re, në rast fitore të koalicionit të majtë më 23 qershor.
Koalicioni i djathtë
Ndarja e pushtetit në kampin e djathtë ka një tjetër skemë. Ndryshe nga PS-ja që u ka caktuar një kufi strikt aleatëve PD-ja vlerësimin do e bëjë të mbështetur nga kontributi i asaj force në një qark të caktuar. Për ta konkrtizuar këtë, le të marrim një shembull nga zgjedhjet parlamentare të 2009-s, ku partia e drejtuar nga
Artur Roshi mori pothuaj të njëjtin numër votash sa ajo e drejtuar nga Arjan Starova, nuk u shpërblye me post zëvendësministri. Votat e Bashkimit Liberal Demokrat të cilët morën vota tepër të rëndësishme për koalicionin e djathtë në Dibër. Nisur nga rezultatet e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, mbi 10 mijë vota kanë rezultuar rreth 6 forca politike. Në krye renditen aleatët besnikë republikë të cilët në 2009-n siguruan 32, mijë vota, ndërsa të dytët renditen çamët që në atë kohë morën 15 mijë vota. Legaliteti siguroi rreth 11 mijë vota, ndërsa Partia Agrare Ambientaliste mori 13 mijë vota.
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive
Partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Për një parti pjesëtare të koalicionit, numri i kandidatëve nuk mund të jetë më i vogël sesa gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 5 000 zgjedhës në shkallë kombëtare. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 7 000 zgjedhësve në shkallë kombëtare.
Nga 500-1000
• Vota në çdo qark, do të thotë që ajo parti do të ketë një vend të garantuar në bashkëqeverisjen lokale të atij qarku (Prefekturë ose Këshill Qarku).
Nga 5000-10000
• Vota në çdo qark, ajo parti do të ketë mundësi të marrë drejtimin e drejtorive të mëdha në qarqe si: Drejtori Doganash, tatimesh, arsimore, shëndetësore, policie, etj
Mbi 10 mijë
• Vota, ajo parti do të ketë përveç deputetëve në Kuvendin e ri, por do të marrë dhe poste kyçe në qeverisje si ministër dhe zëvendësministër
Amerikanët: Partitë kujdes me tonet e larta
Institutit Demokratik Amerikan apelon për qetësim të situatës parazgjedhore. Në përfundim të vizitës në Tiranë , drejtuesi I delegacionit të NDI-së, Hoëard Dean, thekson se tensioni parazgjedhor cenon standardin elektoral. “Në çdo vend ky lloj diskursi kaq i acaruar ka një ndikim në besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor. Të gjithë e dinë se trysnia shtohet sa më shumë me afrimin e ditës së votimit. Duhet të mos harrojmë që në fund të fundit, ata duhet të qeverisin vendin sepse fituesi një do të jetë. Ne inkurajojmë politikën shqiptare që të mendojë jo vetëm për fitimin e zgjedhjeve, por edhe sesi do të qeverisin vendin pasi ti fitojnë zgjedhjet”, shprehet në një intervistë për Vizion Plus. Sipas ekspertit amerikan, partitë politike duhet të tregojnë një sjellje korrekte gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj, pavarësisht se cili do të jetë rezultati i tyre. “Në përgjithësi, nuk dua të flas për ato që diskutojmë në takime private. Por, të gjithë politikanët që takuam në Tiranë, thanë se do t;i fitojnë ata zgjedhjet dhe jo pala tjetër. Unë besoj se ka patur progres çdo herë që ka patur zgjedhje në këto 20 vitet e fundit.
Tani që kemi një ligj të mirë zgjedhor, u kërkojmë gjithë partive politike të bëjnë të pamundurën që të organizojnë zgjedhje korrekte”, deklaroi Guver. Në raportin e saj NDI thekson se, Shqipëria nuk ka mbajtur akoma zgjedhje që të konsiderohen plotësisht të besueshme nga këndvështrimi i standardeve demokratike. Instituti amerikan, ka theksuar se duhet të bëjnë kujdes disa nga faktorët real në zgjedhje siç janë; kandidatët për deputetë, komisionerët zgjedhorë, numëruesit e votave si dhe personeli i sigurisë (policia). Sipas vëzhguesve amerikanë, partitë politike kryesore kanë detyrën parësore që të sigurojnë që procesi zgjedhor të jetë i lirë nga ndërhyrjet e panevojshme dhe manipulimet partiake, ndërsa elektorati duhet të marrë pjesë aktive në procesin zgjedhor – si votues, mbështetës dhe vëzhgues – për të nxitur transparencën.
Dështon testimi i numërimit elektronik të votave
Zbardhet dosja e prokurimit publik ku KQZ-ja deklaron se testimi duhet të bëhet më 23 mars. KQZ shpall fituese për verifikimin e kartave në Tiranë kompaninë INDRA
Aplikimi i teknologjisë së zgjedhjeve do të duhet të jetë një nga risitë e zgjedhjeve të 23 qershorit. Por, duket se numërimi elektrik dhe verifikimi i kartave mund të mbetet sërish një objektiv për t’u arritur në zgjedhjet që do të pasojnë ato të 23 qershorit. Dita e djeshme ishte afati maksimal ku firma INDRA do të duhet të testonte procesin e numërimit elektronik të votave që do të aplikohet në Qarkun e Fierit. Një fakt të tillë nuk e pranon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas të cilit testimi do të bëhet në 13 prill, siç e përcakton Kodi Zgjedhor. “Përsa i përket projektit “Realizimi i Sistemit Elektronik të Numërimit te votave në qarkun e Fierit”, fituese është shpallur kompania spanjolle INDRA, me të cilën KQZ-ja ka nënshkruar kontratën për realizimin e këtij projekti.
Ashtu siç parashikohet në këtë kontratë dhe në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, më datë 13 prill 2013 do të zhvillohet testi paraprak i Numërimit Elektronik të Votave, i cili do te zhvillohet në një nga palestrat e shkollave të Kryeqytetit”, thuhet në njoftimin zyrtar të KQZ-së. Por, data e caktuar nga Kodi Zgjedhor dhe në dokumentet e përgatitura për procedurat e Prokurimit Publik për sistemin e numërimit, nuk është 13 prilli, por 23 marsi si afat maksimal. Procesi që do të kushtojë realizohet nga kompania spanjolle INDRA dhe do të kushtojë 1,381,075 euro pa TVSH, parashikonte edhe një provë paraprake 90 ditë para zgjedhjeve. Sipas dosjes që i është vënë kompania dhe që është publikuar edhe në faqen e KQZ-së, është vetë ky i fundit që pranon se afati final do të duhet të ishte 23 marsi.
“Jo më vonë se 90 ditë përpara datës së zgjedhjeve, pra më datë 23 mars 2013, duhet të zhvillohet, në prani të palëve të interesuara dhe medias, një provë e plotë, duke simuluar një numërim real, në lidhje me funksionimin e SEN-it. Gjatë testimit duhet të numërohen të paktën 3 për qind të sasisë të fletëve të votimit të qarkut të Fierit (15 QV me rreth 6 mijë fletë votimi)”, thuhet në dokumentacionin e fletëve të votimit. Sipas rastit KQZ-ja mund të kërkojë kryerjen e një auditimi të pavarur nga një subjekt i specializuar, i cili paraqet një raport në KQZ, jo më vonë se 75 ditë përpara ditës së zgjedhjeve. Kompania që është përzgjedhur për zbatimin e SEN-it duhet të bashkëpunojë plotësisht me subjektin auditues, duke i dhënë çdo informacion që kërkohet nga auditi, me qëllim vlerësimin e integritetit të SEN-it.
Verifikimi elektronik
Për sistemin elektronik të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve në Qarkun e Tiranës, fituese u shpall kompania spanjolle INDRA. Vlera e ofruar nga kompania INDRA për realizimin e këtij projekti dukë përfshirë të gjitha ndryshimet e përmendura më sipër është 2.660.995 Euro pa TVSH. Sipas KQZ-së, vonesat në përzgjedhjen e kompanisë fituese për këtë projekt erdhën jo vetëm për shkak të kompleksitetit të tij, por edhe të faktit se si rezultat i zbatimit të kërkesave të reja të Kodit Zgjedhor, sipas të cilave në Qarkun e Tiranës Qendrat e Votimit u rritën nga 875 QV në zgjedhjet e vitit 2011 në 1420 QV këtë vit. Testi i parë i këtij projekti do të zhvillohet me datë 23 prill 2013.