Kushtetuta frankenstein-iane dhe shqetësimi për votën e lirë

0
49

Mustafa Nano, 16.08.2011

Në numrin e djeshëm të “Shqip”-it, Andrea Stefani polemizonte me shkrimin tim të një dite më parë me titull “Përparësia nr.1 e opozitës: të mbrohet vota”, në të cilin unë i sugjeroja opozitës të fokusohej më fort te një objektiv i vetëm, te mbrojtja e votës së lirë të shqiptarëve, e të mos hapërdahej shumë në çështje të tjera të rëndësishme, pasi kështu edhe do të binte forca e goditjes opozitare, edhe vetë opozita rrezikon të mos fusë gjë në qese. Dhe te çështjet e tjera “të parëndësishme” fusja dhe diskutimin mbi ndryshimet kushtetuese. A. Stefani thotë, se nuk mund të mbrohet vota pa u bërë ndryshime kushtetuese. Dhe ka të drejtë. Të njëjtën gjë mendoj dhe unë, dhe kam përshtypjen se kjo ide duhej të ish e nënkuptuar në shkrimin tim. Nëse jo, është faji im, që s’e kam bërë të qartë idenë. Po e bëj tani.

Kur kam folur për diskutimin bjerradit mbi ndryshimet kushtetuese, kam pasur parasysh atë lloj diskutimi, që synon ndryshimin e ndryshimeve të bëra me amin-in e Ramës, e me diatribën e njohur të Stefanit atëmot. E prandaj kam nënvizuar që Berisha nuk mund të kandiset për t’iu futur historisë së ndryshimit të asaj që është ndryshuar para tre vjetësh. Ai e ka të gatshme përligjjen e refuzimit: “nuk mund të fusim duart në Kushtetutë sa herë të na teket”. E thosh sot dhe Nishani në shtypin e sotëm: “edhe një ligj nuk mund të ndryshohet tre vjet pas miratimit; e jo më një amendament kushtetues”. Unë e di që Berisha, tok me Nishanët e vet, mund ta ndryshonin Kushtetutën sa herë t’u duhej (nëse do të mundnin); ata bëjnë dhe një gjë më të rëndë sesa kjo; ata e shkelin dhe e dhunojnë Kushtetutën.

Por puna është se kjo që thonë është logjike, e nuk ka gjë më ironike sesa rasti kur njerëzit e prapë kanë për aleat logjikën. Në këtë kuptim, fajin s’na e ka Berisha. Fajin na e ka Rama. Atëherë? Atëherë, rikthimi te ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, dhe me procedurën e votëbesimit të qeverisë në Kuvend, është një gjë praktikisht e pamundur për t’u arritur në negociata me Berishën. Nuk ka për të rënë dakord Berisha dhe pikë. Dhe mirë na e bën të gjithëve, me në krye karafilin Rama.

Saktësoj në mënyrë të përmbledhur: diskutimin mbi ndryshimet kushtetuese e quaj të kotë, nëse me ndryshime kushtetuese nënkuptojmë ndryshimet e ndryshimeve. Mirëpo, kur flas për përparësinë e votës së lirë, apo kur flas për përpjekjet e opozitës për ta blinduar votën e shqiptarëve, afërmendsh nuk mund të përjashtoj asgjë që është në këtë funksion, rrjedhimisht as ndryshimin e Kushtetutës. Fjala vjen, nëse gjatë diskutimeve mazhorancë-opozitë mbi reformën zgjedhore (kjo është përparësia nr. 1, për të cilën flas në shkrim) do të lindë nevoja që të ndërhyhet në Kushtetutë, atëherë do duhet të këmbëngulet nga opozita që të kryhen këto ndryshime që bëjnë të mundur reformën zgjedhore.

Dhe Berisha në këtë pikë nuk mund të bëjë naze, pasi po bëhet fjalë për rregullat e lojës. Përveç kësaj, opozita do të ketë me vete edhe komunitetin ndërkombëtar në këtë betejë. Nëse Berisha hedh vickla, atij do t’i thuhet nga shumë drejtime, që opozita ka të drejtë ta thotë fjalën e vet, kur bëhet fjalë për hartimin e rregullave të lojës. Jam i sigurt që ambasadorët, edhe pse i kemi qortuar e denoncuar (edhe unë, edhe Stefani) si mbështetës të këtij regjimi, do të mbështesin opozitën në këtë pikë. Ata me siguri do t’i thonë Berishës “të bjerë dakord me opozitën në krijimin e një set-i ligjesh e rregullash elektorale”. Përsëris: nëse në këtë mes do të lindë nevoja për ndryshime kushtetuese (dhe do të lindë se s’bën), ato duhen kërkuar në mënyrë ultimative.

Mund të thuhet se ndërkombëtarët mund t’ia bëjnë rrup-sup Berishës, e mund ta detyrojnë t’u rikthehet ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit të vitit 2008. Nuk më rezulton që ndërkombëtarët të jenë të gatshëm për të ushtruar presion lidhur me këtë çështje. Nuk kanë gojë për të hapur, pasi është fjala për ndryshime të bëra gjithë qejf nga Rama. Por edhe sikur t’i bëjnë presion Berishës, ky i fundit do ta ketë të lehtë t’u thotë atë që na thotë dhe neve: ju kam xhan, ju kam miq, por unë do të zbatoj ligjet e Kushtetutën e Republikës. Dhe në fakt, Kushtetuta e lejon të zgjedhë President e kryeprokuror kë t’i dojë qejfi.

Si mund të futesh në zgjedhje me një Berishë që ka në dorë Presidentin, kryeprokurorin e të gjitha institucionet e tjera?, pyet Stefani. Sigurisht, që ka të drejtë me këtë shqetësim, por prandaj opozita duhet të bëjë çmos të blindojë (aq sa mundet) votën e lirë të qytetarëve të këtij vendi në rrethanat, kur Berisha kontrollon institucionet. Duhet bërë çmos që Berisha të mos ketë në dorë asnjë prej hallkave të procesit e të procedurave elektorale. Nuk them se duhet t’i ketë opozita. Jo, them se të gjitha këto hallka, struktura, institucione zgjedhore duhen ndërtuar me një logjikë non-partisan-e. Logjika bi-partisan-e ka provuar se nuk e mbron votën, e prandaj duhet tentuar me logjikën non-partisan-e.

Kjo është një ide e imja, sidoqoftë. Mund të ketë ide të tjera më të mira. Por nuk është kjo e rëndësishme. Idetë vijnë më pas. Problemi është të caktohet si përparësi absolute reforma elektorale, dhe synimi i kësaj reforme: procesi zgjedhor të mbetet jashtë kontrollit të partive e palëve. Dhe të nisë menjëherë kjo reformë. Të mos lihet me mendimin “hë, se ka kohë”, se pastaj vjen një kohë, kur veç kohë s’ka. Kështu ka ndodhur.

Po pse të mos bëjnë çmos që ta pengojnë Berishën të zgjedhë të vetët në postin e Presidentit e të prokurorit? S’e tha askush këtë. Përkundrazi, duhet bërë çmos që ç’ke me të. Duhen bërë debate e beteja këtu në Tiranë, duhen sensibilizuar ndërkombëtarët në nivelet më të larta të tyre, u duhet thënë të gjithëve se me marrjen e këtyre institucioneve në Tiranë do të kemi një Llukashenko më të ndyrë sesa Llukashenkoja i vërtetë. Të gjitha këto duhen bërë, e ndoshta mund të arrihet sukses. Por deri atëherë, hesapet duhen bërë me këtë Kushtetutë Frankenstein-iane. Dhe me monstrën që Frankenstein-i ka prodhuar.