Nga AFRIM KRASNIQI
TIRANE- Ditët e fundit janë kthyer edhe njëherë debatet publike mbi vlefshmërinë e mandateve të 64 deputetëve të opozitës. Maxhoranca, përmes figurave të saj përfaqësuese, mbron idenë fikse të zëvendësimit kolektiv të mandateve parlamentare nëse brenda datës 7 mars 2010 deputetët e opozitës nuk paraqiten për betim në parlament. Opozita këmbëngul në kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit, si parakusht i panegociueshëm për normalizimin e raporteve parlamentare. Lidhur me mandatet, deputetë dhe ekspertë të saj mbrojnë variantin e kundërt, paprekshmërinë e tyre. I gjithë ky debat nxjerr në pah disa probleme që kanë të bëjnë sa me nivelin e kulturës politike dhe kushtetuese të aktorëve politikë, aq edhe me (pa) përgjegjësinë e tyre ndaj krizës politike ku ndodhet parlamenti.
Në aspektin kushtetues çështja e mandateve nuk trajtohet dhe nuk mund të lexohet bardh e zi. Kushtetuta e Shqipërisë thotë se parlamenti përbëhet nga 140 deputetë. Nëse pranojmë logjikën e maxhorancës se 65 deputetët e opozitës nuk janë ende deputetë (praktikisht ata nuk marrin rroga, nuk marrin pasaporta shërbimi, nuk ftohen në protokollin shtetëror), atëherë prej datës 5 shtator 2009 parlamenti shqiptar përbëhet vetëm nga 76 deputetë, gjë që formalisht bie ndesh me frymën kushtetuese. Nëse i referohemi nenit 71 të Kushtetutës, që ka të bëjë me mandatet e deputetëve (mandati “fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve” dhe mbaron “kur ai nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati”, ose “kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”, çështja bëhet më e komplikuar. Logjika kushtetuese për përcaktime të tilla merr parasysh rastet kur kemi të bëjmë me 1, 2 ose disa deputetë, jo me një grup parlamentar dhe për më tepër, me 45% të mandateve parlamentare. Në rastin e trajtimit kolektiv ky nen nuk mund të zbatohet dhe as të referohet.
Sepse nëse citohet ky nen, atëherë lind e drejta të citohet edhe neni 70, sipas të cilit “deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”. Deputetët janë zgjedhur indirekt nga një parti politike dhe ajo parti ka vendosur të bojkotojë, jo nominalisht deputetët. Kush mund të ketë të drejtën t’i thotë gjysmës së parlamentit se u anulohen mandatet? Gjysma tjetër? Është e paimagjinueshme që një zyrtar, kushdo qoftë ai, apo një parti tjetër rivale, të marrë kurajën të injorojë këtë nen dhe të kërkojë aventurën, anulimin e 64 mandateve parlamentare të një opozite politike.
Një praktikë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamenteve europiane dhe as botërore (vetëm në sisteme diktatoriale) dhe natyrisht, nuk mund të ndodhë as në Shqipëri. Në Shqipëri (1996 dhe 1998) ka ndodhur që opozita të qëndrojë më shumë se 6 muaj jashtë parlamentit dhe askush nuk ua mohoi dhe nuk i vuri në diskutim mandatet parlamentare. Kështu ka ndodhur vitet e fundit edhe në Maqedoni, në Kosovë dhe në disa vende të tjera jo vetëm të rajonit tonë. Për më tepër, demokratët në pushtet, të vetëshpallur mbrojtës të shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike, nuk besoj se do t’ia lejonin vetes të hynin në një aventurë që t’i etiketonte ata si të vetmit drejtues shteti në historinë europiane që anulojnë mandatet kolektive të opozitës.
Edhe nëse Shqipëria politike zhgënjen përsëri dhe i hyn aventurës, (ka ndodhur disa herë në këto vitet e tranzicionit) ekzistojnë disa mekanizma të tjerë të pakonsumuar për zgjidhen e problemit. Më 7 mars opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim dhe ajo të ngrijë nismat partizane parlamentare deri në shqyrtimin kushtetues të kërkesës në afatet e 6-8 muajve të ardhshëm. E dyta, edhe nëse kjo nuk ndodh, nuk ka asnjë garanci se logjikës partizane do t’i nënshtrohet edhe KQZ-ja, organ që do të duhet të marrë vendime me 5 vota (raportet PS-PD janë 4–3) apo Kolegji Zgjedhor (ku natyrisht mund të kishte ankimim). Edhe nëse këto organe bien pre e presioneve politike, nuk ka asnjë garanci për maxhorancën se 64 deputetët e tjerë të PS-së do të pranojnë ushtrimin e mandatit.
Mund të jenë 3, 5, 7, por asnjë e dhënë nuk flet për 64 deputetë. Kështu që parlamenti do të ishte përsëri pa opozitë dhe për pasojë, nuk do të arrihej “përfaqësimi kushtetues” siç premtohet sot nga oratorët e maxhorancës. Në lojë për aksione më të larta politike mund të ndodhë që edhe ndonjë parti tjetër formale parlamentare t’i bashkohet bojkotit të kësaj aventure duke e komplikuar situatën. Edhe sikur të ndodhë që të gjithë skenarët e mësipërm të mos realizohen dhe maxhoranca të arrijë të sjellë në parlament “opozitën e opozitës” në fakt, politikisht fituese nuk do të ishte maxhoranca, por politika e lidershipit të PS-së. Këta të fundit sot përballen me presionin e drejtë në rritje për t’i dhënë fund bojkotit politik, por nëse apriori u merren mandatet kolektive të deputetëve, ata do ta kishin shumë të lehtë të gjenin aleatë të brendshëm e të jashtëm në radikalizim të akuzave dhe të protestave kundër maxhorancës.
Në këto rrethana debati juridik pro dhe kundër skadimit të mandateve të PS-së i ngjason historisë me gjurmët e ujkut. Ai nuk zgjidh asgjë dhe nuk bind askënd. Ai vetëm sa paralajmëron avragimin e debatit dhe të raporteve politike pozitë–opozitë. Siç nuk zgjidh asgjë, përkundrazi, as hyrja vetëm sa për betim në parlament apo ndalimi administrativ i rrogave apo pasaportave të deputetëve. Debati real do të duhej të ishte jo ai rreth mandateve, por ai rreth krizës politike dhe dialogut të munguar politik. BE vijon të përsërisë thirrjet për dialog e bashkëpunim konstruktiv. Dialog nuk do të thotë të komunikosh me tjetrin përmes konferencave të shtypit apo etiketimeve personale.
Dialog do të thotë, të hyjnë në veprim institucionet politike (partitë, grupet parlamentare, qeveria etj) dhe palët t’i drejtohen njëra-tjetrës me nisma konkrete politike e ligjore. Kjo do të thotë heqje dorë nga PS e politikave të bojkotit në shkëmbim të dialogut dhe marrëveshjes reale për mirëqeverisjen e vendit. Kjo do të thotë, heqje dorë nga PD e politikave të presionit dhe të ushtrimit të pushtetit pa praninë as formale të opozitës. Kjo do të thotë që seanca e 7 marsit nuk mund të jetë seancë gjyqësore kundër opozitës, por të punohet që deri atëherë apo minimalisht atëherë, të krijohen mekanizmat realë të komunikimit politik, dialogut, trajtimit të problemeve në rrugë kushtetuese dhe gjetjeve të zgjidhjeve të arsyeshme.
Historia e tranzicionit shqiptar dhe ajo e vendeve demokratike na mëson se politikanë të aftë dhe largpamës nuk janë ata që kërkojnë bllokimin me çdo mjet të kundërshtarit politik, qoftë përmes bojkotit, qoftë përmes heqjes kolektive të mandateve. Politikanë të aftë dhe largpamës janë ata dhe vetëm ata që kanë ide, që parashtrojnë marrëveshje, që janë të gatshëm të respektojnë edhe të drejtat e tjetrit, që në një debat politik hyjnë me mendimin se çdo marrëveshje e keqe është qindra herë më e mirë sesa shkuarja drejt konfliktit. Cilat janë zgjidhjet?
Janë të shumta, janë mbi tavolinat e punës së liderëve përkatës, mjafton që këta liderë të mos shohin gjithë ditën vetëm karrigen e tyre dhe llojin e kostumeve për paradë mediatike, por të ulen për të punuar, për të gjetur zgjidhje. Vërtet Kushtetuta është 50% me të dy palët, por në raport me qytetarët dhe vendin, e njëjta Kushtetutë është 100% kundër dy palëve, të paktën në pozicionet e tyre aktuale që vijnë nga mungesa e vizionit, kulturës politike e juridike dhe paaftësia për të parë tej momentit, postit dhe privilegjeve të përkohshme që burojnë prej tij.
(GSH/BalkanWeb)