KUSHTETUESJA RREZON MARREVESHJEN E KUFIRIT ME GREQINE

0
51

Gjykata Kuushtetuese

TIRANE – Gjykata Kushtetuese rrëzon me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Vendimi i marrë mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:30, është konfirmuar zyrtarisht për “Gazeta Shqiptare”. Nëntë anëtarët e Kushtetueses kanë pranuar kësisoj kërkesën prej 13 faqesh që Partia Socialiste depozitoi në datën 20 tetor 2009 pranë këtij institucioni, me objekt shqyrtimin e pajtueshmërisë me ligjin themeltar të shtetit të paktit detar shqiptaro-grek. Pritet që vendimi bashkë me argumentin e shkaqeve anti-kushtetuese që çuan në rrëzimin e marrëveshjes, të publikohet zyrtarisht gjatë një prej ditëve të ardhshme. Ndërkohë mësohet se një ndër arsyet më të forta që detyruan Gjykatën të merrte këtë vendim, ka qenë fakti se anëtarët e grupit negociator të palës shqiptare nuk e kishin marrë lejen speciale nga Presidenti i Republikës për të negociuar me palën greke.

Kufiri me Greqine

Pra, ekspertët nuk kanë pasur plotfuqishmërinë për të negociuar në emër të shtetit shqiptar. Rrjedhimisht, marrëveshja nga pikëpamja ligjore është quajtur nul nga Gjykata Kushtetuese. Burime brenda këtij institucioni kanë sqaruar për “Gazeta Shqiptare”, se “ky fakt ka përbërë një cenim e shkelje të parimeve dhe të frymës së Kushtetutës, e cila kërkon kooperimin institucional si procedurë, nëpërmjet së cilës garantohet rendi juridik, shteti i së drejtës, e nëpërmjet tyre, edhe interesat kombëtare të mbrojtura nëpërmjet zbatimit të dispozitave të Kushtetutës. Në këto rrethana, përfaqësuesit e shtetit shqiptar kanë negociuar një marrëveshje që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë, pa pasur plotfuqinë e kryetarit të shtetit, Presidentit të Republikës, pra pa pasur autoritetin e duhur për të filluar bisedimet dhe negocimin e marrëveshjes”. Ky argumentim mësohet të jetë pjesë edhe e vendimit përfundimtar të Kushtetueses.

“Gazeta Shqiptare” dhe TVNews24 kane qenë te paret në vendin tonë që arritn të zbardhin qysh në 28 prill 2009 (dita e nënshkrimit të paktit nga Basha-Bakojanis) faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në disa numra rresht, GSH vërtetoi asokohe se qeveria Berisha i kishte dhuruar Greqisë nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje një sipërfaqe të madhe ujore në detin Jon. Fakti i pretenduar do të vërtetohej vetëm pak muaj më vonë nga ish-drejtori i Institutit të Tipografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli Myslym Pasha. Në datën 9 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese filloi zyrtarisht procesin e shqyrtimit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste dhe disa javë më vonë e konkretisht në datën 26 nëntor 2009, Gjykata Kushtetuese vendos të pezullojë procedurat e ratifikimit në Kuvend, të marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar me Greqinë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)