Kush na mbron ne shqiptarët?

0
140

Nga: KIÇO BLUSHI

Përditë njoftohemi për fëmijë të helmuar, për burra e gra që papritur dhe pa kujtuar i zë barku dhe të vjellat; ca nëpër plazhe, ca nëpër ekskursione, ca nëpër dasma. Shumica janë ushqyer e më pas helmuar në restorante. Në Elbasan, për një javë qenkan helmuar mbi 400 vetë, në vend mbi 6 mijë të kapluar nga virozat, nga pisllëku…E pra, jo vetëm në Durrës, ku pranë pushimtarëve që bëjnë plazh për shtatë palë qejfe derdhen rrëkerat e ujërave të zeza.

Por, tash edhe tuneli i Kalimashit qenka bërë një kosh mbarëkombëtar plehrash! Detet, lumenjtë, liqenet, uji i pijshëm i ambalazhuar ose jo, buka, ajri, varrezat e makinave buzë rrugëve, trotuaret që çalojnë, pusetat e vjedhura, spitalet pa çarçafë e pa ilaçe, kronikat e lajmeve me vrasje, vetëvrasje e aksidente, filmat me pullë të kuqe, spektaklet, sherret në Kuvend, mishi i therur që shitet buzë xhadeve, lëkurat e shalqinjtë dhe shishet plastike nëpër plazhe e lumenj… gjithçka është e ndotur, e pistë. Mjedisi jashtë shtëpisë shërben si një kazan gjigant plehrash dhe infeksionesh ku herë truri, herë stomaku, herë mushkëritë detyrohen të lavazhohen… Secili për vete, por Zoti, natyrisht jo shteti, duhet të verë dorën në zemër për të gjithë!

E megjithatë, ne kemi edhe ministri Mjedisi, ministri Bujqësi-Ushqimi, ministri Shëndetësie, ministri të Brendshme, komisariate, ambulanca, spitale…me një fjalë, jemi një shtet ku nuk na mungon asgjë, paçka se askush syresh nuk e mbron konsumatorin dhe mjedisin nga ndotjet, nga krimi ndaj pronës publike, nga pisllëku dhe infeksionet, nga bllokimet e rrugëve kombëtare! Nga një kontroll rutinë doli se në Tiranë shiten me shumicë ushqime të skaduara.

U dha ky lajm dhe si zakonisht, nuk u panë autoritetet përgjegjëse të na thoshin: ç’u bë më pas? A u ndëshkua njeri? Cili është dëmi që iu shkaktua konsumatorëve? A do të kemi garanci që nuk do të shiten më ushqime të skaduara? Autoritetet e shtetit tim nuk ndjehen as kur grekët racistë vrasin pas një ndeshjeje futbolli shqiptarin, as kur repartet speciale këndojnë këngë makabre (“me zorrët e shqiptarëve do të bëjmë lidhëze këpucësh!”), as kur vidhen disa km det, as kur linçohen fëmijët dhe të burgosurit në burgjet greke. Por, nuk pipëtijnë as kur ministria e Jashtme greke i hedh benzinë zjarrit të përçarjes në territorin tonë, për një vrasje me motive ordinere!

Sepse ne harrojmë edhe atë që nuk harrohet. Besojmë edhe kur nuk duhet besuar. Ne dorëzohemi pa kushte. Pajtohemi kollaj me të keqen, ngaqë e keqja, zezona, mbrapshtia, dhuna, fukarallëku historikisht na ka vënë poshtë. Na duket e pashmangshme trysnia e së keqes kur vjen nga lart, nga pushtetet okulte, nga institucionet e abuzimit, nga babëzia e monopoleve…

Në kapitalizmin tonë specifik (edhe socializmin e kishim dikur specifik!, më i forti ka gjithmonë të drejtë, më i dobëti quhet fajtor, meqë ka mbetur i tillë…Ngaqë, jetojmë si individë vetmitarë, nuk funksionojmë dot si bashkësi, nuk bëjmë rezistencë së toku, ndaj ulim kokën se jemi të pafuqishëm, se i dorëzohemi dëmit edhe kur na rrezikon shëndetin apo jetën…

Ja përse ai që quhet opinion publik nuk ka ndikim te të zgjedhurit, te pushteti, te institucionet. Edhe kur bëhemi bashkë, bëhemi për të bllokuar rrugët e njërit-tjetrit e jo të së keqes që vjen nga lart. Se mos Himarjotët dhe dukaqjotët ja bllokuan rrugën kryeministrit që pushonte në Dhërmi? Jo, ja zunë rrugën vetes, ne, domethënë të njëjtëve, që nuk kemi asnjë faj e që vuajmë të njëjtat pasoja të ndotjes globale qeveritare.

Tek ne vetëm firma Gabi që punon me ngarkesë të plotë shet rroba firmato, ndërsa rrezik edhe butikët, ashtu si farmacitë dhe merkatot ofrojnë mallra fallco; por më i dëmshmi mbetet produkti shpirtëror, moral, arsimor e kulturor fallco…e sidomos, ai politik…Fallco, fallco, fallco gjithandej, si në një rrethim të një armiku barbar, i cili për të të detyruar të dorëzohesh pa kushte të hedh në pusin e vetëm të katundit një kafshë të ngordhur…Në një shoqëri të globalizuar, i vetëm, qytetari nuk mund ta përballojë këtë trysni gjigante të fallcitetit! Sa diploma, sa mastera, sa tituj janë dhënë fallco vitet e fundit?

Sa deputetë kanë marrë jo një, po disa diploma të tilla? Mund të operohesh nga një mjek që ka marrë diplomë fallco, dhe nëse vdes, kujt t’i ankohesh? Nuk ka ligj që mbron konsumatorin, aq më pak pacientin. Nuk ka ligj që ndëshkon të zgjedhurin e veshur me imunitet, edhe kur këta shesin pjesë të territorit, edhe kur veprojnë antikombëtarisht, edhe kur gënjejnë administratën amerikane…Pushteti po e bën edhe shtetin fallco, njëlloj si ushqimet dhe ilaçet!

Vajza e një mikut tim, juriste, e specializuar për të drejtat e pacientit, erdhi para disa vitesh në Tiranë që të sensibilizonte autoritetet për hartimin e një kuadri ligjor për të drejtat e pacientit. Por, profesorët e mjekësisë, ata që klinikat dhe pavijonet e shtetit i trajtojnë si private, e sabotuan sepse nuk u intereson që edhe në Shqipëri të ketë një ligj që mbron pacientin. E pra, vetëm tek ne ndodh të arrestohet një mjek, që merr ryshfet 100 dollarë, por nuk e pëson kurrkush kur mjeku, nga padia apo edhe nga makutëria, e vdes pacientin! Vetëm tek ne ndodh që të arrestohet një mësues që merr 100 euro për një provim, por nuk e pëson asnjë universitet privat që shet me shumicë diploma fallco!

* * *

Para disa ditësh erdhi në Tiranë një përfaqësues i një kompanie sllovene për të siguruar në treg mishin dhe sallamet. Ra në kontakt me një biznesmen shqiptar dhe më në fund u fol për më kryesoren; për çmimin. Shqiptari i tha që mund ta blinte mishin jo më shumë se 100 lekë të reja për kg. Slloveni hapi sytë: kaq nuk bën as transporti, nuk ka mundësi! Kaq e blejmë, i tha biznesmeni shqiptar. Sa për dijeni, transporti i mishit që vjen nga Argjentina dhe produktet e peshkut nga oqeani Indian kushtojnë shumë, por ama çmimi është akoma më i ulët, sepse pastrohen magazinat nga produktet e skaduara…Në Rusi për shembull, u zbulua para ca kohësh një anije që kishte sjellë mish dyzetvjeçar nga Argjentina…

Por, askush nuk mban përgjegjësi, askush nuk ndëshkohet, asnjë restoranti nuk i hiqet përfundimisht licenca kur helmon klientë, e jo më pastaj të burgoset fajtori që shet kalbësira! Sepse konsumatorin nuk ka kush e mbron, ndërsa biznesmenin po; atë e mbron edhe ligji, po sidomos shefi i plotfuqishëm, zotëria e tij Maliqi!
Që të bëjë prokopi, një biznesmen “bashkëkohor”, pasi gjen tregje me mallra të skaduara, duhet më pas të zërë “mik për kokë” doganierin, policin e tatimeve, shefat e inspektoratit, të shëndetit publik, të mjedisit, nëpunësit e Bashkisë, mjekun ligjor, gjithë këtë lukuni gjobëvënësish profesionistë.

Të gjithë vihen në çmimin që e paguajmë ne, sigurisht përveç TVSh-së! Janë këta që në bashkëpunim me një rreth vicioz çimentojnë çmimet e larta për mallra të skaduara e fallco. Nuk ka vdekur qerasja, ky çelës kopil që hedh në erë kuletën e të varfrit, që rrënon pacientin, njeriun në nevojë. Sot një zyrtar nuk blihet me një dopjo fërnet në turizmin e qytetit, por me verëra të shtrenjta; ndonjëherë, për të kaluar maunet, për t’i shpëtuar burgut, edhe me ndonjë apartament të falur…

Kush nga këta zyrtarë, polic a gjykatës, do të provojë fajësinë, e më pas do të guxojë t’i ndëshkojë keqbërësit për dëmin që i kanë shkaktuar konsumatorit?! E njëjta gjë që ndodh me benzinën. E furnizon makinën në një pikë karburanti, e motori pas disa kilometrash del jashtë funksionit. Nuk ke ku kërkon të drejtën e jo më të dëmshpërblehesh për dëmin dhe sidomos, për fajin që e ke paguar me para, duke blerë benzinë të nakatosur me ujë e me mazut.

Nuk ka konsumator e pacient më të pambrojtur se qytetari shqiptar! Ne pranojmë të trajtohemi si jetimë në shtetin tonë. Mund të biesh natën në një puset, të gremisësh këmbën apo kokën e askush nuk mban përgjegjësi nga pushteti vendor. Faji edhe në këtë rast do të jetë vetëm yti, sepse edhe të afërmit do të gjykojnë: po ti, ku i kishe sytë? Rritet çmimi i grurit se kanë rënë zjarre në Rusi, rritet të nesërmen çmimi i bukës; po ashtu edhe i naftës.

Por, kur çmimi i tyre në bursë bie, çmimet bëjnë vendnumëro; ato ecin vetëm la e më la! Ne kemi çmimet më të shtrenjta jo vetëm të karburanteve, por edhe të shërbimit telefonik, të energjisë, të biletave të trageteve e avionëve për në Evropë a SHBA. Këtu një biletë kushton më shtrenjtë se në Athinë, në Romë, në Shkup apo në Podgoricë…As për ujin, as për energjinë, as për naftën, as për shërbimin telefonik, as për faturat e klinikave private, shteti nuk ka vënë çmime tavan. Çmimet i vendosin monopolet.

Para disa vitesh, pa u vendosur ende monopoli në karburante, kam parë në një benzinatë një djalë me motor që erdhi e lëshoi këtë ultimatum: ose rritni çmimin, ose ju hodhëm në erë! Autoriteti i konkurrencës e të tjera “autoritete” të sajuara sipas standardeve e modeleve të Evropës tek ne janë kryekrejt formale: sepse ofiqarët e tyre varen nga monopolet, nga aleancat mafioze politikë-biznes, ndaj ata nuk i shërbejnë konsumatorit, sepse është biznesmeni trafikant ai që paguan ryshfet…

Kështu, sa për të dhënë një shembull, nëse një anije me naftë vonohet të ç’doganohet disa ditë në port, pronari do të detyrohet të paguajë disa mijëra euro për qëndrimin në port, por nëse gjysmën e jep nën dorë, ç’doganimi bëhet brenda ditës apo natës. Kjo pra, është fytyra reale e politikës së brendshme, po ca më e pistë qenka edhe politika e jashtme! Pasojat e kësaj të fundit do t’i ndjejmë më vonë…

* * *

Ndryshe nga makinat që u del motori jashtë përdorimit pas disa kilometrash, efektet e ushqimeve dhe ilaçeve të skaduara do t’i ndjejmë më vonë; por më keq kanë për ta pësuar fëmijët tanë që ushqehen me hamburger e sufllaqe të gatuara me mish të kalbur Argjentine, të cilin as macet e as qentë nuk e hanë… Bëjeni provë! Shkencëtarët thonë se nga ushqimet e përpunuara gjenetikisht, nga OMGJ-të, detyrimisht do të shpifen sëmundje të panjohura, por edhe deformacione të paparashikuara gjenetike në racën njerëzore, te pasardhësit tanë, te fëmijët, për të cilët bëjmë aq shumë.

Por, më e rëndë se helmimet që na bëhen në stomak është ndotja kulturore dhe arsimore që shkaktohet në shpirt e në tru…E dinë vallë prindërit se me çfarë ushqimi kulturor e arsimor mëkohen dhe edukohen fëmijët e tyre nëpër shkolla, nëpër rrugë, para ekraneve, nëpër pabe e diskoteka? Nuk përbën vetëm droga dhe sida rrezik…

E pra, këtë “faturë”, si për ironi të fatit, me sa duket do ta paguajnë më shtrenjtë të pasurit, ata që kanë vënë pasuri me kontrabandë, me korrupsion, me allishverishe, me tregtim të mallrave fallco…Sepse në një shoqëri të infektuar askush nuk mund të jetë i imunizuar, i mbrojtur, i paprekshëm! Sepse të pasurit vërtet fitojnë shumë, por japin më pak; e ndërkohë janë më pak të lirë e më të ekspozuar ndaj infeksioneve sociale dhe rrezikut prej ndotjes morale. Në fund të fundit, edhe ata vetë janë konsumatorë të pambrojtur, po aq sa ne, viktimat e tyre!

(Botuar ne Gazeta Shqiptare me 15 gusht 2010/balkanWeb)