Kush ka frikë nga libri në e-book?

0
22

Përgatiti Arjan Th. Kallço

Revista franceze “Le débat” i dedikon një mumër të veçantë të ardhmes së editorisë. Receta për bashkëjetesën midis librit në letër dhe në ekran.

Bota e librit ka marrë goditjen shok të teknologjisë. Ky është konstatimi alarmant që numëri tepër interesant monografik i revistës franceze ia dedikoi trokitjes së ebook-ut dhe pasojave në botën e librit. Në sajë të kontributeve të rreth 20 autorëve revista heton në gjerësi procesin e çmaterializimit që e transformon statutin e librit nga një send drejt prirjes së shndërrimit në shërbim.

Një situatë e tillë ndikon në rolin dhe të drejtat e autorit, por priret edhe ta transformojë, pak a shumë rrënjësisht pozicionin e editorëve, librashitësve, bibliotekarëve dhe të të gjithë mediatorëve që garantojnë ngjizjen, botimin dhe përhapjen e librit. Kalimi nga letra tek ekrani i modifikon pashmangshmërisht mënyrat dhe kushtet e leximit. Shkrimet e propozuara në faqet e revistës synojnë t’i analizojnë në mënyrë kritike premtimet dhe kërcënimet e transformimit, duke treguar disa rrugë që të shmanget një evolucion i konsideruar një mundësi, me qëllim që të mos shndërrohet në një katastrofë për shumë botues dhe librashitës. Për revistën të dyja versionet e librit duhet të bashkëekzistojnë.

Antoine Gallimard, botues
Përballë revolucionit të librit dixhital, editori më i famshëm francez është i bindur se vetë botuesi duhet të ruajë një rol qendror në treg. Rregullimi i tij i nevojshëm do të jetë garanci e konkurrencës së vërtetë. Tregu i librit përjeton një evolucion shqetësues të karakterizuar nga demonizimi i veprave dhe nga një prani e vogël e tyre në pikat e shitjes. Ky është pozicioni i dobësisë së librashitësve që duhen ndihmuar, sepse po të mbyllen, nuk do të kemi më shitje të veprave. Përballë agresivitetit tregtar të Amazon-it dhe Apple-it, botuesi duhet të ruajë kontrollin e çmimeve të ebook-ut, sepse oferta dixhitale është përgjigjia më e mirë ndaj sfidës së hapur prej teknologjive të reja.

Antoine Compagnon, historian i letërsisë
Ai konfirmon se universi dizhital po fiton çdo ditë hapësira të reja në lexime, duke u lejuar studiuesve të punojnë në një korpus tekstesh më të gjerë, në brendësi të së cilit, figurojnë vepra të pagjetshme. Libri elektronik i jep jetë librave të rrallë dhe që nuk gjenden në katalog. Leximi në një ekran të lidhur me rrjetin, po e transformon rrënjëshisht mënyrën e përfitimit të tekstit, duke favorizuar një lexim endacak dhe fragmentar, prandaj lind pyetja, nëse brezat e rinj do të dinë të lexojnë në mënyrë intensive me periudha të gjata dhe pa lundruar në rrjet. Një vepër si Në kërkim të kohës së humbur, kërkon një lexim intensiv, të durueshëm dhe të përqëndruar, mënyra që nuk përputhen shumë me universin dixhital. Suksesi i ebook-ut është kaq i shpejtë, sa rrezikon ta rivërë në diskutim vetë idenë e tekstit linear, aq sa në të ardhmen do të detyrohemi t’i riformatojmë librat e së shkuarës, që brezat e rinj të vazhdojnë t’i lexojnë. Nga kjo anë leximi elektronik duket se shënon një kthim në leximin paramodern, të praktikuar nga Gutembregu.

Françoise Benhamou, ekonomiste kulture
Për studiuesen franceze, hyrja e ebook-ut shihet në një evolucion të gjerë që lidh një revolucion industrial dhe atë njohës. Procesi i çmaterializimit të librit do të lejojë të pakësohen kostot e botimit, transportit dhe magazinimit, edhe pse për botuesit do të sjellë humbje të konsiderueshme. Meqë transformimet teknologjike kërkojnë investime të rëndësishme, ka mundësi që të ketë një lëvizje të dyfishtë përqëndrimi dhe polarizimi mes botuesve. Në sajë të universit dixhital, oferta bëhet e pafund, mungesa zhvendoset. Për pasojë që të kapësh vëmendjen e lexuesit, që është nomad dhe rrëshqet nga një përmbajtje tek tjetra, nevojiten mjete të reja të përhapjes dhe normave. Natyrisht do të jenë të nevojshme praktika të reja tregtare, duke e prishur parimin dominues që e lidh librin me çmimin, në të mirë të abonimeve, leximeve në streaming dhe çmimeve të ndryshme në kohë. Sipas autorit ebook-u ka kuptim, nëse ndahet me modelin ekonomik të librit në letër.

Pierre Assouline, kritik dhe shkrimtar
Libri elektronik kërkon një ndryshim të paradigmës që rivendos në diskutim një trashëgimi shekullore, prandaj nevojitet të mësojmë ta ndajmë librin nga teksti që përmban organet e lëkurës. Kjo do të lejojë ta shohim ebook-un në mënyrë të re, duke u bindur se suporti i ri nuk do ta vrasë as mesazhin, as leximin, por do të zgjidhë dy probleme të lexuesit bashkëkohor, pengesat dhe nomadizmin. Ditën kur ebook-u do të çlirohet nga libri letër, duke hequr dorë nga imitimi, fluksi do të bëhet e ardhmja e librit. Nga njëra anë leximi në ekran turbullon memorien hapësinore, duke mos lejuar të kujtojmë pozicionin e saktë të një fjale apo një fraze, nga ana tjetër nënvizon se midis librit në letër, që është bërë një luks, dhe ebook-ut, viktima e paralajmëruar e librit elektronik do të jetë ai i formatit xhep. Pyetja e vërtetë që duhet të bëjmë është ajo që lidhet me të ardhmen e librit dhe që lidhet me fatin e lexuesit në një univers pa territore të përcaktuara.