KUSH JE TI ? – poezi nga Mimoza Rexhvelaj

0
84

10.07.2010

Mimoza Rexhvelaj

Mimoza Rexhvelaj ka lindur më 1981, në Malësinë e Madhe. Pasi mbaroi shkollën e mesme në vendin e lindjes, u shkollua për gjuhë-letërsi në Universitetin Luigj Gurakuqi, Shkodër. Aktualisht Mimoza punon si drejtoreshë shkolle. Ajo e ka dashur poezine gjithmonë dhe e ka adhuruar atë. Siç thotë edhe vetë, jeta e saj, fryma e saj dhe shpirti i saj lodhen me poezinë. Ka shkruar që në moshë të vogël. Ka botuar edhe tre libra: “Dashuri ti je mekati im”, nga shtëpia botuese “Marlin Barleti”, 2002, “Fshima lotin” nga shtëpia botuese “Shtjefni”, 2004 dhe “Jepi fjalës kohë”, nga shtëpia botuese “Camaj-Pipaj”, 2006.

Poezia e saj ka jo vetëm ndjenjë por edhe realitet të shprehur brenda konturit me të cilin Mimoza ka mënyrën që shpalos ndjenjat. Poezia e Mimozës është si një pikë e pastër uji, që kërkon të njomë rrënjën e zhuritur të realitetit. Ajo është këngë, që shoqëron ndjenjën për nënën, dashurinë, të mirën dhe të keqen… Duke i uruar suksese, po publikojmë tre poezi të Mimozës, duke premtuar se kështu do veprojmë përsëri!

* * *

Mimoza Rexhvelaj

E shtrenjta nënë

Borxhlie gjithë jetën..
prehrit që rrita shtatin,
Duarve të rrudhosura,
për të cilat malli më ka verbuar
Jam gozhdë në shpirt ngujuar….

Si zog i arratisur nga foleja
me brengën e mallit kuror
shtegëtare në vende të largëta
mes mjegullës përplas flatrat..

Naltësohem e luaj me retë
qiellin me duar prek…
Me krahët e mi formoj ylberin,
Botën e njom, lotët më bien rrëke….

Borxhi i papaguar në zemër peshon
lidhur me hallkën e gjakut që rrjedh
vij… e kokën mbështes në prehërin tënd
ninullën e jetës këndoma…
e shtrenjta ime nënë !!

* * *

Kush je ti?

Kush je ti ?
Mëshirues i botës fatkeqe
Fatin me zinxhir ke lidhë.
Ndër leqe…

Vampir i lustruar,
i parfumosur, i krekosur
Në gjumë më sheh, po fle
Thonjtë nxjerr të më bësh dhé.

Kush je ti?
Ujk i mallkuar
Më tregon se ke ndryshuar
Po në shpirt je ai…
Egërsirë hekuri.

Kush je ti?
Etje, uri, prehën kërkon
Gjak pi, gjak don,
U ngope, i pangopur
Ushqyer, barktharë
Shpirtin me mëkat ke larë.

Kush je ti?
Idhulltar,
Medaljon ferrin
ke varë.
Nuk e di!
Kush je ti?

* * *

Mimoza Rexhvelaj

Vajtoje serenatën, kitarë

I premtove shpirtit një serenatë,
Me kitarën e vjetër të harresës,
Kumbon vaji, zërave të natës
Puhizë mbetur, shtegtare e largët.
Trupi i kitarës së pa prekur
i varur në gozhdë, murin ledhaton
Martir i dashurisë së fjetur
Tingull i vrarë, këngëzen më zgjon.

Murg në manastirin e kujtimeve
struket bosh, shpresa melodioze
Shuhet mes qirinjve të kishës
Për dikë, luten sorrat zëçjerrë….

Shpirti i zgjat dorën premtimit
Serenatën vajtoma, zemër e kitarës.
Mes gurve të varrit, simfonia
gulçon heshtjen e zhurmëshme
Tingujt shuhen…
Nën dritën e hënës…
Këndoma serenatën
kitarë!
Paqshëm të tretem
mes tingujve të latuar…

* * *

Redaktoi: Matilda Kuqi
Komentoi: Partizan Cene
cene-alb.com