Kush janë humbësit dhe fituesit e vërtetë!

0
60

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Ky ndoshta është editoriali i fundit i “Faktor Plus”. Për dy vite radhazi jemi takuar çdo natë për të diskutuar mbi atë çfarë përpiqet të fshehë politika dhe pushteti nga sytë e qytetarëve. Jemi munduar të themi të vërtetat që nuk arrinin dot te publiku. Dhe për këtë kemi paguar një takse jo të vogël. Së pari, kam paguar unë vet. Pas një emisioni ku flisja për lidhjet e familjes në pushtet me mafien e tokave në bregdet dhe privatizuesit e ARMO-s, makina ime u dogj para syve të një shteti që nuk donte të shikonte dhe të kapte zjarrvënësin. Dy javë më pas biznesi i gazetës sime u rrethua me policë dhe u shkatërrua.

Një sëre historish të rënda të pushtetit kundër meje dhe familjes time vijuan dhe vijojnë deri në momentin që flasim. I vetmi lajm i mirë është se në të gjithë këtë fushatë revanshi, kryeministri Berisha ka pasur guximin të ishte gjithmonë qartazi në krye të çdo fushate. Dhe kjo më ka lehtësuar. Kanë pësuar dhe ish-kolegët e mi në televizion. Për shkak të këtij emisioni, Sali Berisha urdhëroi çdo zyrtar të lartë të PD-së të mos shkelte në televizion dhe sidomos në këtë emision.

Përpjekja e tij për të na futur në llogore lufte ishte një shqetësim i përditshëm. Pas dy vitesh ai ka humbur qetësinë dhe nuk e duron dot më këtë betejë, madje as llogoren ku ka hyrë me dëshirë të tij. Për këtë ka pritur me gëzim ofertën e pronarëve të rinj, që u kanë ofruar në tepsi kokën e gazetareve plangprishës të Vizionit me qëllim që të kenë përfitime për biznesin e tyre.

Në deklaratën me shkrim që i kthejnë përgjigje shoqatave të gazetarëve, ata thonë: Po citoj se, “Interesat tona të biznesit janë ato që përcaktojnë të gjitha politikat, përfshirë dhe aktivitetin redaksional”. Ky është një kumt i rëndë për gazetarinë shqiptare, pasi për herë të parë në historinë e saj, pronarët e një media deklarojnë qartazi se po i përdorin mediat për bizneset e tyre.

Ky zhvillim na rikthen dhe një herë te raportet hipokrite të Sali Berishës me pronarët e mediave në këtë vend. E keni dëgjuar Sali Berishën të thotë se gazetarët në këtë vend nuk janë të lirë prej pronarëve. Nëse e ka seriozisht, e ftoj të dalë në anën tonë kundër pronarëve. Në të vërtetë, e vetmja aleancë e madhe këtu, është mes pronarëve të medias dhe pushtetit.

Ata pronarë që rezistuan dhe tentuan të tregojnë integritet, u shkatërruan me gjoba dhe presione financiare mbi biznesin duke dhënë shembullin e ndëshkimit. Dhe tani gjendemi përpara kësaj situate, e cila është një lajm i keq për çdo gazetar shqiptar. Por taksën e këtij emisioni po e paguajnë shtrenjtë edhe qytetarët shqiptarë. Për të shkatërruar median kritike dhe për t’i mbyllur gojën kujtdo që flet kundër qeverisë, Sali Berisha ka rikthyer në skenë gjithë njerëzit që përdori gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 1997.

Operacionin financiar kundër gazetës sime, por dhe tri, katër mediave të tjera kritike me qeverinë si gazeta Korrieri apo Shekulli, i udhëhoqi gjeneral Agim Shehu, njeriu që drejtoi forcat e policisë në vitin 1997. Në krye të televizionit tonë është emëruar si bashkëdrejtor Genond Mesareja, një ish-këshilltar i Ministrit të Pushtetit Lokal në vitin 1997, i cili ishte pjesë e Shtabit të Gjendjes së Jashtëzakonshme në Tiranë, një nga detyrat e të cilit ishte dhe të kontrollonte ato pak gazeta që dilnin në atë kohë se mos kishin ndonjë lajm kundër qeverisë.

Unë që kam qenë dhe atëherë gazetar dhe mbaj mend zyrën e prefekturës së Tiranës ku duhet të çoje gazetën para se të botohej, nuk mund ta harroj kurrë ditën e djeshme në Vizion Plus, kur i njëjti person kërkonte të shikonte lajmet dhe përmbajtjen e emisionit “Faktor Plus” para se të transmetohej. Sali Berisha nuk i mbyll dot gojën medias me njerëzit e vitit 1997 dhe as me komunistët e vitit 1967.

Ai ka humbur më shumë se sa ne, duke demonstruar urrejtje të verbër ndaj fjalës së lirë. Ai ka humbur më shumë se sa ne gazetarët, që nuk e shkëmbejmë lirinë tonë, as me licenca hidrocentralesh, as me poste ambasadorësh dhe as me kompromise në kurriz të shqiptarëve në Maqedoni, vetëm për t’i mbyllur gojën një televizioni. Ai ka humbur më shumë se sa ne gazetarët, pasi në finale, ai ka blerë gjithë median, dhe i ka dhënë fuqinë e të vërtetës atyre pak zërave që nuk mposht dot, edhe pse u blen pronarët.

Në një farë mënyre ne i jemi mirënjohës Sali Berishës që na bëri palë në betejën për të vërtetën, duke u bërë vetë kuçedra e fjalës së lirë në këtë vend. Ne kemi humbur mbështetjen e disa pronarëve, por jo mbështetjen e publikut, ndaj jemi shumë më të qetë, shumë më të qartë dhe shumë të vendosur se më parë në betejën tonë. Mirupafshim dhe ju faleminderit që qëndroni me ne!