Nga Mero Baze
Ka një dëshpërim në rritje nga rezistenca që sistemi i drejtësisë u bën akuzave për korrupsion. Ka po ashtu një përpjekje për të demoralizuar administratën e re, duke fuqizuar idenë se gjithçka që ata do të bëjnë, është e kotë. Duket sikur dikush kërkon t’u thotë se nëse ti çon ish- ministra apo ish- zyrtarë të lartë politikë në gjykatë, ata do të jenë të lirë. Rasti i Mziut dhe çështjet e tjera të mbetura pezull nga drejtësia janë ilustrim i kësaj klime.
Por a është në të vërtetë momenti për t’u dorëzuar?
Jo. Në të vërtetë ka disa ngjarje emocionuese negative, por nuk ka ndonjë zhvillim cilësor negativ. Ata që kanë shkuar deri më sot në dyert e drejtësisë janë peshq të vegjël dhe denoncimet janë ende të buta. Akuza më e rëndomtë që prek gjithë ministrat është fushata publicitare për të financuar mediat e Frangajt dhe aty natyrisht mund të çosh në burg çdo anëtar të komisionit të tenderëve. Rezistenca që bën sistemi gjyqësor në këtë rast, është e motivuar politikisht, por nuk ka kundërpërgjigje politike. Është e vërtetë se Berisha u shqetësua shumë nga arrestimi i Mziut, jo se i dhimbset Mziu, por se i trembej dëshpërimit të njerëzve të vet, të cilët mund të ndjehen të rrezikuar. Por në të vërtetë festa e Kamzës dhe dalldia e Lulzim Bashës si fitimtar, janë më shumë klithma frike se shprese. Gjyqi ndaj Mziut ende nuk ka filluar dhe vendimi i vërtetë do të duket kur ai të gjykohet për atë që akuzohet dhe jo për masën e sigurisë.
Por debati real është përse PD dhe Berisha kanë një aktivizim të fortë politik për të mbrojtur të akuzuarit, ndërsa shumica në pushtet nuk po demonstron presion politik mbi drejtësinë për ta motivuar drejt ndëshkueshmërisë?
Përgjigja më reale e kësaj dileme ka të bëjë pikërisht me stekën e dënimeve dhe akuzave të ngritura deri tani. Që shumica, e cila ka votuar Partinë Socialiste më 23 Qershor, të ndjehet e mobilizuar politikisht, duhet që drejt dyerve të gjyqit të shfaqen ata që përfaqësonin pushtetin e Sali Berishës. I pari duhet të shfaqet Sali Berisha dhe familjarët e tij, të cilët kanë kapur shtetin dhe ende nuk kemi një hetim serioz për çështje të prekshme të kapjes së shtetit nga klientët e tij. Dosja e Damir Fazlliçit u mbyll në mënyrë të turpshme në vitin 2008 dhe sot ai vazhdon të sillet si biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Aq i paprekshëm është, sa kam frikë të pyes njerëzit e pushtetit të energjetikës sot, se mos e njëjta kompani fiton dhe tenderin e interkonjeksionit Shqipëri- Kosovë apo mos ende Rudnapi i Fazlliçit vazhdon të ketë monopolin e furnizimit të KESH me energji elektrike.
Monopolet e përfolura, pas të cilave qëndrojnë familjarë të Sali Berishës dhe njerëz të afërt të tij, siç është ai i ngjyrosjes së naftës apo histori të tjera të ngjashme që vazhdojnë të prodhojnë të ardhura për ta, janë ende të paprekura dhe të pashpresa për t’u hetuar në mënyrë serioze, nëse nuk skanohen nga administrata e re.
Askush nuk di të thotë sot ç’po bëhet me tregun e naftës, kush është në krye të ARMO, ç’po bëhet me dy kompanitë e mëdha që kanë marrë koncesione në puset e naftës, ç’po bëhet me koncesionet e dhëna në fund të pushtetit të Berishës për disa vendburime të tjera dhe ç’po bëhet realisht me evazionin në tregun e naftës, sidomos ata që eksportojnë transit për Kosovë, pas të cilëve fshihen gjurmët e Familjes.
Kur qeveria e re të skanojë këtë xhungël korrupsioni, që i pret Familjes burimet financiare dhe i çon ata para drejtësisë për kapje të shtetit, atëherë nuk ka nevojë për festa si e Kamzës, pasi minjtë e ndjejnë të parët tërmetin dhe largohen. Vetëm një hetim i thellë dhe serioz nga kjo administratë çon sinjalin e duhur tek drejtësia se ora e atyre që kanë qenë të paprekshëm ka mbaruar. Derisa ne të kemi akuza të përcipta për korrupsion dhe të mburremi se kemi kapur vetëm milionat e Sandrit, që janë vjedhje arrogante siç di t’i bëjë Sandri punët, atëherë natyrisht që do kemi rezistencë pasi ata e dinë mirë se kanë bërë.
Rezistenca, që duket sikur po bën sistemi, nuk është dëshpëruese për fuqinë e sistemit përballë politikës së re, por është dëshmi e pafuqisë së politikës së re për të çuar para drejtësie ata, të cilët janë koka e krimit dhe korrupsionit në vend. Nuk është dëshpëruese pse gjykatat lirojnë Mziun apo të ngjashmit. Nuk është dëshpëruese as ndonjë qokë e prokurorisë ndaj njerëzve të korruptuar. Dëshpëruese është mungesa e një sinjali të fortë dhe dëshmive se do preken ata që mbajnë sistemin me shpresë se janë të fortë. Ata nuk kanë lidhje me festën e Kamzës. Ata që festojnë atje, festojnë se shikojnë që ende nuk u ka ardhur radha. Kur shënjestra të drejtohet mbi ta, festa do pushojë dhe të gjithë do marrin mesazhin e duhur. Dhe ata gjyqtarë, që sot marrin vetëm para.