Kush e vizatoi flamurin?

0
55

Naser Aliu

Naser Aliu

Dhe valëvitet,
Valë – valë,
Dallgëzohet,
Dallgë-dallgë,
Madje edhe me krenari!
Kapardiset si flamur i ri!
Pa luftuar për liri!

Sfond blu
Mu në mes ka një hartë
Thua se është ujdhesë e artë!
Atje larg në Atlantik
O aty afër n’Adriatik!

Mbi hartë si gjysmëhark gjashtë yje,
Thua se ka:
gjashtë ujdhesa përreth me shumë pyje!
Thua se ka:
gjashtë kombe me peshë të barabartë e madhësi,
16,5 për qind, veç e veç, që ndërtojnë shtet të ri!
I vërteti ka sfond të kuq
Bojë gjaku e dashurie
Vulë guximi e burrnie!
Flamur Kastrioti, Ardhmërie!

Ai ka dy koka të shqipes
Dhe dy sqepa pak të kthyer
Me dy kthetra për t’rrëmbyer
Me qëndrim të përkryer!

Qindra beteja, plot histori
Flamur vuajtje, kryengritje
Me kushtrim e atdhedashurie
Për ditë feste, për ditë zie!

Flamur i lirisë, himn me ndjenja
Jo himn shurdhmemec
I zbuluar për grindavecë
Për njerëz t’hutuar, pijanecë!

Me pesë yje për kolaboracionistë!
Nga një për çdo komb kundërshtarë
Dhe i gjashti për 95 % shqiptarë!
Flamur renegat, flamur Ahtisar!

Bënë pëlhurë për Kosovën e copëtuar
Diku në Perëndim, në Evropë
Na ndanë, na bënë edhe një gropë!
Me këtë poçavër nuk kem luftuar!

Ai fryhet pranë Shqiponjës
Dhe krekoset shumë krenar
Do prodhojë komb kosovar!
Dhe, don të shtiret si shqiptar!

Vërehet liria kufizuar
Sa herë shihet ai valuar
Edhe vizatimi imponuar
Edhe ëndrra injoruar!

Ti s’guxon të valosh krenar
Ti je imponim i paparë
Ti s’bëhesh kurrë flamur shqiptar
U krijove vetëm për të ndarë!

Ty asnjë vashë nuk të qëndisë,
Ty çdo pjesëtar dëshiron të grisë
Ty mund t’përdorin për shkurorëzime,
Për vaje, aty këtu edhe për varrime!

Korrik 2009