Kush e synon shpërfilljen e Migjenit?

0
42

Anila Dushi*

Më 13 tetor është 100 vjetori i lindjes së Migjenit. Kush ishte Migjeni është e panevojshme të rithuhet pasi brezat me vite dhe deri në ditët tona e njohin atë permes veprës së tij, e cila me madhështinë e saj i ka “mbijetuar” edhe këtyre viteve të vështira të bjerrjes së çdo vlere.

Ndryshe nga vitet e tjera, kur përvjetorët e lindjes apo të vdekjes së shkrimtarit të madh liheshin në harresë, – dhe kjo jo pa qëllim, – këtë vit duket se diçka po bëhet. Por përballë aktivitetete që kanë marrë përsipër të organizojnë institucione të ndryshme në Shkodër, ajo që bie në sy është përsëri harresa e Migjenit nga ato që kanë tagrin dhe detyrën për të mos i harruar figura të tilla.

E kam fjalën për drejtues vendorë në Shkodër por dhe më tej, në institucionet qendrore në Tiranë. Migjeni nuk është vetëm i Shkodrës, ai i përket gjithë shqiptarëve dhe pse përpjekjet për t’i ndryshuar atij deri edhe kombësinë nuk kanë munguar. Është quajtur serb, edhe pse ishte një ortodoks Shkodre i mirëfilltë. Është quajtur nga komunizmi poet “revolucionar”, por në fakt asgjë nuk e lidhte Migjenin me komunizmin dhe idetë e tij. Është quajtur me pëçmim ateist dhe pse ai besonte në Zot.

Përballë harrresës jo të paqëllimshme të këtyre 20 viteve, përballë tentativave për njollosjen e figurës së tij qëndron vepra e tij që me madhështinë e saj flet vetë dhe nuk do t’ia dijë për asgjë. Për fat të mirë ajo vazhdon të jetë e pranishme në tekstet mësimore të nivele të ndryshme të arsimit tone publik, pa dashur të pyesë për harresën.

E megjithatë, këtë vit diçka po bëhet në Shkodër. Një konferencë shkencore “Migjeni i shekujve “organizuar nga Universitetit i Shkodrës, një javë migjeniane e shkollave të qytetit e organizuar nga DAR në Shkodër, një takim për Migjenin i organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shkodrës, një shfaqje me krijimtarinë e Migjenit nga teatri që mban emrin e tij. Falë angazhimit të drejtuesve të teatrit, më së fundmi edhe busti i tij “u riparua “dhe u zhvendos nga vendi aspak i përshtashën ku ndodhej duke u futur brenda rrethimit të teatri. Por të gjitha çfarë bëhen për Migjenin janë përpjekje individuale të inelektualëve shkodranë. Institucionet qendrore të artit e të kulturës asgjë nuk kanë bërë deri tani. As në këtë 100- vjetor të lindjes së poetit “Nder i Kombit” nuk ka patur një program të organizuar zyrtarisht. Përmenda më sipër titullin “Nder i Kombit për Migjenin sepse janë të shumtë ata që çuditen kur njihen me këtë fakt.

Para pak kohe pata shkruar tek “Shekulli” për dhënien e këtij titulli, mbi një vit pasi ai ishte firmosur nga ish-presidenti Alfred Moisiu, ku nipi i Migjenit rrëfente për gazetën se si nuk ishte bërë asnjë ceremoni për këtë titull por ishin thirrur dhe ia kishte dorëzuar kabineti i presidentit aktual që e kishte gjetur diku në sirtare. Për qytetarët e Shkodrës, të vjetër e të rinj, arsyeja për këto shpërfillje nuk është e paditur.

Megjithatë Migjeni në jetën e tij të shkurtër la një vepër letrare jo vetëm të madhe për nga vlerat por edhe sfidante të kohës. Përjetësinë e tij Migjeni e ka fituar me veprën e vet.

*Autorja është korrespodente e Shekullit në Shkodër