Kush e rrahu Shamikuqen?

0
45

Nga Preç Zogaj

“Shamikuqja” është një punonjëse e Bashkisë së Kamzës, ajo që pat denoncuar për ngacmime seksuale kryetarin e Bashksië, Xhelal Mziu para zgjedhjeve vendore të këtij viti. Shumëkush e mban mend, sepse bëhej fjalë për një denoncim publik të pazakonshëm, kurajoz, delikat, sensitiv në të gjitha pikëpamjet. Denoncimi publik erdhi pasi vajza u ishte drejtuar pa sukses disa drejtuesve të lartë të PD-së, përfshirë zonjën Topalli.

Më thotë mendja se ajo kishte dashur të mbronte dinjitetin e saj dhe mundësisht të ndalonte rikandidimin e Mziut nga PD për një mandat të dytë në bashkinë e Kamzës. Duke menduar ndoshta se PD nuk i falte këto gjëra! Duke besuar se zonja Topalli, e forta, e hekurta, bënte namin si mbrojtëse e grave, nënave dhe motrave. Pa ditur asgjë me sa duket për faktin se Kamza është një lloj çifligu i lidhur direkt me Berishën dhe kupolën e tij.

Pasi nuk ia doli me mesazhe dhe takime të mbyllura me drejtues të Partisë ku thoshte se aderonte dhe pasi e pa se problemi i saj nuk kishte asnjë peshë në ruletën e interesave politike dhe ekonomike të lidershipit demokrat, vajza iu drejtua publikut përmes shtypit. Duke dashur të arrinte kësaj radhe nëpërmjet votës së qytetarëve të Kamzës atë që nuk e kishte arritur nëpërmjet zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe partisë në pushtet: largimin e Mziut nga kreu i Bashkisë.

E vetëdijshme, besoj, për gravitetin e betejës që kishte nisur, e vetëdijshme gjithashtu se pushtetarët indiferentë ku kishte qarë hallin e saj mund ta akuzonin si gënjeshtare që po punon për interesat e opozitës, duke e ditur tashmë se me kë kishte të bënte, ajo publikoi një prej sms-ve që i kishte dërguar Xhelali, një si bejte ku ai i drejtohej vajzës me epitetin “shamikuqe”, të huazuar nga një film i vjetër turk.

Shamikuqja që ndrin, por që po e humb lirinë (si gjithë të tjerat). Ja kështu i shkruante kryetari i bashkisë punonjëses së bashkisë, duke ekspozuar ndër të tjera një njohje jashtë kompetencave të tij për çfarë kishte humbur vajza. Në vështrimin e një burri jopuritanist kjo bejte, shprehje e parazitarizmit dhe vanitetit që mbretëron në shumë hallka të pushtetit në vendin tonë, nuk dukej diçka fort e rëndë, edhe pse e palejueshme, e dënueshme.

Kur dimë se ka dhe më keq dhe shkruhet dhe më rëndë, kjo bejte të bën të vesh paksa buzën në gaz dhe madje të duket edhe elegante në krahasim me brutalitetin kafshëror që disa burra u rezervojnë grave. Por nga ana tjetër, denoncimi i këtij ngacmimi, që është paraprirë nga mesazhe dhe ngacmime të tjera të dërguesit, na lejon të krijojmë një ide për natyrën e vajzës, si vajzë korrekte, e prerë, që nuk i honeps këto gjëra, që e di se po toleroi një ngacmim të lehtë seksual, do të përballet me të dytin dhe më të tretin derisa të vihet para sprovës për t’u dhënë.

Dikush që po lexon këto radhë mund të më thotë mua: “Më kot e ngatërron denoncimin e shamikuqes me fushatën e elektorale! Kjo është të luash me koincidenca! Politikanët dhe gazetarët politikë duan ta lidhin gjithçka me politikën. Por jo të gjithë mendojnë politikisht si ju. Njerëzit e thjeshtë ndjekin një problem të tyre dhe synojnë ta çojnë deri në fund, pa parë fare çfarë ka në kalendarin politik dhe në skakierën politike të periudhës. Sigurisht këta njerëz të thjeshtë rrezikojnë të shkelin në një tokë të minuar, pasi ata që i dëgjojnë, pushtetarët e trashë dhe të pashpirt, i gjykojnë vetëm politikisht, në funksion të interesit të tyre të ngushtë vetjak, partiak, klanor, interes i cili është vrasësi i sigurt i skrupujve dhe ndjenjave humane.

Por meqenëse janë bërë me hije politikanët, kjo nuk do të thotë se janë bërë me hije dhe ecin me paramendime edhe njerëzit hallexhinj. Shamikuqja u ka shkruar krerëve të PD-së që në fillim të muajit mars. Ajo thjesht ishte një nëpunëse që nuk duronte ngacmime seksuale nga shefi, siç ka të tilla në gjithë botën. Kaq. Ajo thjesht ka reaguar si qindra mijëra vajza dhe gra në gjithë botën, me shpresën apo me bindjen se këto gjëra i ndalon ligji dhe etika.

Midis heshtjes komprometuese dhe reagimit konfrontues ajo ka zgjedhur të dytën. Kështu i ka thënë mendja dhe zemra. Dhe ne duhet ta mbajmë në këto koordinata betejën e saj. Ta pranojmë, ta gjykojmë dhe madje ta nderojmë si të tillë, si një betejë në koordinatat e dinjitetit dhe papajtueshmërisë me çdo formë të fyerjes apo poshtërimit maskilist, ku ngacmimet seksuale nga eprori janë ndër më të ulëtat që njeh marrëdhënia burrë-grua. Natyrisht, e gjithë kjo pasi të dëgjojmë edhe palën tjetër dhe të krijojmë një bindje për vërtetësinë e skandalit të denoncuar”.

Pala tjetër nuk foli kurrë kur doli sms-ja e Shamikuqes. Ç’të thoshte? Ta përgënjeshtronte? Mesazhi i një celulari në celularin tjetër nuk mund të falsifikohet.

Ndërkaq, Xhelal Mziu fitoi përsëri në zgjedhjet për kryetar bashkie në Kamzë. Shamikuqja humbi. Në kuptimin njerëzor të fjalës. Por ndoshta edhe ajo fitoi diçka. Ndoshta njohu më mirë se më parë Shqipërinë e saj, qytetin e saj, qeverinë dhe qeveritarët e vendit të saj. Veçse jo plotësisht. Duhet të kalonte vera dhe të hynte shtatori për t’i njohur edhe më mirë akoma. Shamikuqen e rrahën para pak ditësh në qytetin e Kamzës. Atë dhe të fejuarin e saj.

* * *

Sa herë kam kaluar në Kamzë kësaj vere, në rrugën Tiranë-Lezhë dhe kthim, vetvetiu më është kujtuar episodi me shamikuqen. Dhe si një ide bashkëshoqëruese kam menduar se një ditë prej ditësh do të lexoja në ndonjë gazetë një lajm për të, më saktë një lajm për largimin e saj me ceremoni nga puna. Thellë-thellë kam menduar se me mandatin që i kishte dhënë populli i Kamzës, Xhelalit i kishte lindur e drejta t’ia mbyllte derën e bashkisë asaj që ishte rrekur ta rrënonte. Por ndoshta shamikuqja do të largohej vetë, pa pritur t’i mbyllnin derën. Ky do të ishte varianti më i butë.

Në mejtimet e mia të rastit doja të ndodhte kështu, sepse ai qytet i mbingarkuar në një dekor triumfi qeveritar, ai qytet si një seli e madhe partie totalitare, me portretet sa hataja të Sali Berishës dhe Xhelal Mziut ngjitur me njëri tjetri, një tandem i pashembullt që nuk e kam ndeshur kurrë në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë, ku Xhelali duket sikur u thotë banorëve unë jam Berisha i Bashkisë dhe Berisha është Xhelali i Shqipërisë, pra ai qytet sikur paralajmëronte për shamikuqen një hakmarrje më të madhe se largimin e saj nga puna…

Por mund të ndodhte edhe e kundërta. Për të njëjtat arsye, për të cilat mund të hakmerrej, Xhelali mund të mos hakmerrej fare duke e lenë të tretej në harrim historinë me shamikuqen. Ai kishte fituar. Fitimtarit nuk i ka hije të kthejë kokën prapa. Fitimtarit nuk i ka hije të merret me një nëpunëse. Shamikuqja u kishte shkruar me kohë Topallit dhe disa të tjerëve. Nëse ata i kishin injoruar mesazhet e saj për shkak të fushatës, tani fushata kishte përfunduar dhe ata nuk do të rrinin indiferentë…

Por hakmarrja primitive i zhgënjen gjithnjë shpresat tona se do të mënojë. Shamikuqen e rrahën në Kamzë para pak ditësh. Bashkë me të fejuarin e saj. Ajo i dëshmoi policisë dhe reporteres së gazetës “Shekulli” se kishte qëlluar në një kafene ku ndodhej edhe Xhelal Mziu. Kryetari u ngrit dhe në dalje u rrahu shpatullat policëve të bashkisë. Pak minuta më vonë do të kuptohej se ajo rrahje shpatullash ishte një urdhër për sulm tamam si në skenat me bashibozukë. Policët bashkiakë u sulën mbi vajzën dhe të fejuarin e saj duke mos harruar t’i përcillnin “ të falat e kryetarit” në një shfaqje dhune që fyente jo vetëm çdo lloj uniforme shtetërore, por edhe gjithë traditën fisnike shqiptare të paprekshmërisë së femrës.

“Gabimet” e shamikuqes ishin dy: së pari, duke besuar se morali politik dhe qytetar nuk i pranon ngacmimet seksuale kishte publikuar gjatë fushatës elektorale njërin prej tyre. Së dyti, duke besuar se si qytetare e lirë kishte të drejtë të ulej në secilën prej kafeneve të qytetit të saj, nuk kishte menduar për Kamzën- qytet partie, nuk ishte kujtuar se Xhelali dhe xhandarët e tij do ta shihnin si dikë që u ka shkelur në pronën e tyre private. Kështu janë sot shumë njësi vendore në Shqipëri. Prona private ku sundojnë çeta vagabondësh.

Xhelal Mziu nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim në publik për këtë skandal shumë më të madh se sa ngacmimet seksuale. Po të ishte vetëm Xhelali me policët e tij akti i shëmtuar kriminal nuk do të ndodhte. Dhe po të ndodhte, kryeministri i vendit nuk do të mendohej dy herë për t’u treguar vendin banditëve duke dhënë i pari shembullin e tolerancës zero ndaj dhunës kundër grave.

Po kush e rrahu në fakt shamikuqen? Doraci është ai polici bashkiak që ka kapur e lëshuar policia. Ai është dora e zgjatur e kryetarit Mziu dhe vetë kryetari është dora e zgjatur e një sistemi harbut që nuk ka pikë respekti për individin, që nuk do t’ia dijë për ligj e për asgjë. Në këtë kuptim shamikuqen e rrahu edhe Jozefina Topalli, e rrahu jo thjesht me shpërfilljen e mesazheve të shamikuqes, por para së gjithash me atë legjendën e saj si grua e fortë, që frymëzon gratë të protestojnë kundër nëpërkëmbjes së dinjitetit të tyre, por që i lë pastaj në baltë, pasi realisht nuk bën dot asgjë dhe nuk është në gjendje të mbrojë asnjë grua me çmimin e përballjes me kupolën e pushtetit.

Shamikuqen e “rrahu” kryeministri Sali Berisha, portreti i stërmadh i të cilit rri në mes të Kamzës sup me sup me portretin e Xhelalit. Sali Berisha nuk ka urdhëruar ende heqjen e atyre portreteve që nuk u gjendet mostra në asnjë bashki të Shqipërisë, dhe ma merr mendja as të mbarë Perëndimit. Kryeministri pozon me këdo, me njerëz të thjeshtë dhe me të zgjedhur, por jo për tu mbirë në sy qytetarëve si vëllai i madh në romanin “1984” të Gjorgj Oruellit. Duke e lejuar Xhelalin të shfaqet përkrah tij si Berisha i Kamzës, kryeministri ka “licencuar” hakmarrjen primitive të Xhelalit kundër një vajze, rrahjen e saj kriminale.

Shamikuqen e rrahën gjithashtu moria e atyre OJQ-vë që marrin fonde e bëjnë programe teorike kundër dhunës ndaj grave, por që rëndom janë një farsë e madhe e heshtjes përballë rasteve konkrete të dhunës si kjo kundër shamikuqes. Një kalim i lehtë i krahut të Xhelalit mbi supet e policëve bashkiakë, i barasvlershëm me urdhrin “bjerini asaj plehre”, i shumëzon me zero tërë investimet e tyre për barazinë gjinore.

Lista mund të mos mbyllet këtu. Ia lë lexuesit inteligjent ta vazhdojë me mendjen e tij, pa rënë në teprime. Unë do të ndalem këtu duke cituar zotin Berisha në një dalje të këtyre ditëve. Dëgjova që tha se zyrtarët tanë duhet jenë të barabartë përpara ligjit. Që do të thotë se nuk janë. Por, a do të jenë ndonjë ditë? Përpara kemi rastin e freskët të rrahjes së një vajze dhe të fejuarit të saj nga policia bashkiake e Kamzës me urdhër të kryetarit Mziu. Nëse këta do të marrin ndëshkimin e merituar, sipas ligjit, do të themi se thirrja e zotit Berisha po dëgjohet. Në të kundërtën, do të mbajmë shënim demagogjinë e radhës së një kryeministri që ka vendosur në Shqipëri regjimin e pabarazisë së njerëzve dhe zyrtarëve para ligjit. Miqtë e ti, janë më të barabartë se të barabartët, siç do të thoshte Gjorgj Oruelli. Është treguesi më i saktë se nuk jemi në shtetin e së drejtës.