Kush e rrahu arkitektin Maks Velo

0
59

Fatos Lubonja

Fatos Lubonja, 30.05.2010

Lexova para disa ditësh në gazetën “Shekulli” një lajm të rëndë, shqetësues , për rrahjen dhe kërcënimin me vdekje të arkitektit Maks Velo nga një individ që identifikohej si pronar apo agjent i një pronari që po ndërton diçka në Tiranë. Bëhej fjalë për një godinë në një shesh (që nuk jepej me emër), për të cilin Velo thuhej se kishte shkruar para dy muajsh se ishte një dhunim i arkitekturës dhe urbanistikës, por nuk jepej informimi se ku dhe kush.

Përbri lajmit kishte edhe një letër solidariteti me Velon, e firmosur nga emra të njohur të jetës sonë intelektuale, ku denoncohej akti. Por edhe aty vura re se nuk përmendej autori dhe sheshi, ndonëse ngjarja kishte ndodhur ditën për diell, kur Velo kthehej nga shëtitja e mëngjesit në Parkun e Liqenit, dhe agresori nuk thuhej se kishte qenë i maskuar.

Për të marrë vesh se për cilin shesh dhe për cilin pronar bëhej fjalë m’u desh të pyes një burim konfidencial me të cilin pata, pastaj, edhe një bisedë paksa më teorike. Më rezultoi se, sipas gjithë gjasave, bëhej fjalë për ndërtesën që po ngrihet në Sheshin Italia përpara stadiumit “Qemal Stafa”, atje ku dikur ka pasur një lulishte. Burimi që më informoi më tha se pronari qënkej i revoltuar pasi ai e ka me leje atë ndërtim, duke shtuar se Velo nuk ka të drejtë që e përmend atë sepse duhet të përmendte Bashkinë që i ka dhënë leje. Shkurt, gati gati sikur po e justifikonte disi pronarin që kishte rrahur Velon.

Ajo që më intereson mua, përtej kësaj historie, është bash pyetja se kush e ka rrahur e kanosur Maks Velon, që ndryshe shtrohet në formën e pyetjes: kush ka ushtruar dhunë mbi shprehjen e lirë në emër të interesit publik, që e konsideroj si dhunë edhe mbi mua si qytetar dhe gazetar, pasi edhe unë mendoj se ajo ndërtesë vërtet është një shëmti dhe dhunë arkitektonike në atë shesh, madje edhe në kundërshtim me të famshmin ligj që e ka bërë atë zonë monument kulture?

Me fjalë të tjera solidarizohem edhe unë me një pasazh të letrës së intelektualëve të njohur, ku thuhet se “ndihemi të pambrojtur”, (pambrojtje që sipas meje shprehej qartë dhe në frikën që kishte gazeta për të investiguar autorin e krimit), duke parë se “kushdo që ka para, që merr leje ndërtimi ose hap biznese të mëdha, mund të na kërcënojë hapur”.

Mirëpo, ndërkohë që mediat që shkruan për rrahjen e Velos përqendroheshin te fajësia e biznesmenit, të cilit më në fund i doli emri, sipas bashkëbiseduesit tim, Velon nuk e ka rrahur e kërcënuar ky, por Bashkia pasi është ajo nxitësja, shkaktarja e këtij konflikti sepse ajo ia ka dhënë lejen e ndërtimit dhe prandaj në media nuk del se cili është sheshi dhe cila është ndërtesa.

Ja, dëgjo – shtoi ai – mund të ketë shumë barbarë e injorantë që nuk dinë se ç’do të thotë një monument kulture dhe që mund të ndërtojë ku t’ia dojë interesi, po janë politikanët që i kemi vënë për të na ruajtur nga këta injorantët që e mbajnë përgjegjësinë. Tek e fundit, pra, ai më hodhi idenë se një biznesmen mund të bëjë çfarë të dojë përderisa gjen politikanë të korruptuar, prandaj ne duhet të ushtrojmë presion mbi politikanët dhe ligjbërësit tanë dhe jo mbi biznesmenët tanë, siç më akuzoi se bëj unë ndonjëherë në shkrimet e mija.

Personalisht kam një problem me këtë argumentim, që në vështrimin e parë duket se s’ka të sharë. Problemi, sipas meje, qëndron në atë se shteti nuk është diçka abstrakte që punon pavarësisht nga të pasurit dhe të varfrit nëpërmjet ligjit që është i barabartë për të gjithë. Kështu thuhet se duhet të jetë teorikisht, por në praktikë, e veçanërisht tek ne, është krejt ndryshe. Shteti, në fakt, është produkt i qytetarëve të tij dhe në rastin tonë, nëpërmjet atij instrumenti që tanimë e njohim të gjithë me emrin “korrupsion”, shteti është kapur nga ata qytetarë që kanë para, e që ndajnë pushtet e interesa me politikanët në institucionet shtetërore.

Prandaj, ne kemi arritur në situatën që e shohim jo vetëm me Sheshin Italia, por edhe në shumë sheshe të tjera të Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë, pavarësisht nëse rrihet apo jo ndonjë si Maks Velo dhe pavarësisht se për masakrimin e të tjerë shesheve intelektualë si Maks Velo dhe të tjerë nuk flasin fare. Pse planet franceze e belge që shkatërrojnë sheshin “Skënderbej” çfarë janë?
Sipas meje, ajo çka ka ndodhur me Tiranën dhe jo vetëm është prova më evidente se shteti është i këtyre pronarëve.

Prandaj dhe Velon, që shfaqet në këtë rast si zë i interesave të publikut, nuk e ka rrahur as Bashkia veçmas dhe as pronari veçmas, por të dy së bashku, si dy faqe të së njëjtës dorë. Pra Maks Velon e rrahu dhe kërcënoi me vdekje shteti si instrument i këtyre pronarëve, ku politikani bën fasadën e dukshme të tij, kurse pronari përbën thelbin e tij. Dhe kur them “shteti” nuk kam parasysh vetëm Bashkinë që i ka dhënë lejen e ndërtimit atij/atyre pronarëve. Edhe gjykatat të këtyre pasunarëve janë.

Madje, madje do të thosha se ky pronari që ka rrahur Maks Velon duhet të jetë disi i frustruar apo i pafuqishëm që ka përdorur thonjtë e vet sepse ka të tjerë që kanë thonj shumë më të sofistikuar: media e instrumente të tjera shumë më të fuqishme për të të “rrahur” e “kërcënuar” në mënyrë që të mos të të lenë asnjë shenjë. Harruat që biznesmeni i njohur Taçi, pasi rrahu një gazetar e i doli boja, nxitoi të blejë një televizion? Bile bile, po shkoj edhe më larg: këta pasunarë kanë në dorë të bëjnë edhe ligje që të mbrojnë grabitjet e tyre. Pse, rastësisht është mbushur Parlamenti me milionerë?

Dikush në këtë moment të diskutimit do të më thotë: shkove shumë larg në abstragim se, tek e fundit, kështu është edhe në SHBA: lobet e fuqishme diktojnë politikën. Po edhe në SHBA, për fat të keq, ka lobe të pasurish që kontrollojnë pushtetin e që, jo rrallë, veprojnë në dëm të shumicës. Shikoni se ç’ndodhi me krizën ekonomike që shkaktoi një bandë të babëziturish me qendër në Ëall Street. Por ka dhe diferenca ama: ne jemi shumë më të paditur se ata, prandaj dhe shumë më të dhunshëm e më të babëzitur e më miopë, shumë më jashtinstitucionalë se ata, shumë më informalë se ata dhe, ç’ka është më e rëndësishmja, kemi shumë më pak instrumente në mbrojtje të interesave të atyre që nuk janë pjesëtarë të bandës dmth. të interesave të publikut të gjerë.

Dhe nuk janë diferenca të vogla.
Prandaj vazhdoj të ngulmoj se, përveç shumëçkaje që ka të bëjë me implementimin e shtetit ligjor në vend (e në këtë rast më vjen mirë që policia ka vepruar ndaj agresorit ndonëse çështja që shtroj nuk ka të bëjë me krimin e rrahjes e kanosjes ndaj Velos, por me krimin e padrejtësisë së rëndë shoqërore që është instaluar në vend për shkak të lidhjes korruptive politikë-biznes), është e nevojshme të lindë sa më parë një parti e lëvizje civile vërtet e majtë.

Një parti e lëvizje e majtë që të mbrojë vërtet interesat e shtresave të pambrojtura të shoqërisë, pasi partia e kryesuar nga Kryetari i Bashkisë, që i ka dhënë leje ndërtimi rrahësit të Velos, sikurse thonë shumë zëra kritikë brenda saj, ka pak shanse të shndërrohet në një parti siç ka emrin, “socialiste”, pasi tashmë është e kapur me thonj për fyti nga pasunarët si ky thonjvënësi i Velos që, kur s’të rrahin dot duke të blerë, të rrahin fizikisht dhe, kur as kjo s’mjafton, të kërcënojnë edhe me vdekje.