Kush do ta vrasë Sali Berishën?

0
36

Nga Mero Baze, 10 Qershor 2013

U përballa me eskortën e Berishës ndërsa po kthehesha nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës, mesditën e së dielës. Po përpiqem të përshkruaj gjithë policët që ishin angazhuar për ruajtjen e tij. Në dalje të Sarandës, tek kryqëzimi për Vlorë, ishte një furgon policie dhe një patrullë në rrugë, që vëzhgonte dhe ndalte në mënyrë selektive veturat. Duke zbritur poshtë, dy policë të tjerë në sheshin e Metoqit. Pak më poshtë tek ura e Vrionit, një tjetër furgon dhe tre vetura policie. Policë të shumtë në rrugë. Duke ecur në drejtim të Bistricës, u përballëm dhe me 2 vetura të tjera police në distancë 1 km nga njëra-tjetra. Tek kryqëzimi i Kranes, tre vetura police, një furgon policie dhe forca të shumta policie në rrugë. Tek ura në Bistricë vetëm dy policë.

Në rrugën nga Bistrica tek Syri i Kaltër, përballemi me një veturë policie që patrullonte. Tek kryqëzimi i Syrit të Kaltër, ishte më keq. Rreth 15 vetura militantësh të PD-së ishin parkuar në anë të rrugës me flamuj në pritje të Berishës, ndërsa vetura ime dhe e një qytetari para meje po shkëmbehej me ta. Por dy furgonë me forca speciale me shpejtësi marramendëse dhe natyrisht arrogancë u futën përballë nesh duke bllokuar rrugën që ishte kthyer në njëkalimëshe. Na bën shenjë të ktheheshim mbrapa. Nuk lëvizëm nga vendi. Zbritën disa civile nga furgonat e forcave speciale, u afruan tek veturat tona, na panë nga jashtë, folën në radio dhe nuk bënë asnjë gjest të dhunshëm. Urdhëruan militantët të hapnin rrugën që të kalonin ata. Në të dy furgonat ishin rreth 20 policë të forcave speciale.

Vazhdojmë rrugën për në Qafë të Muzinës. Nga Dhrovjani në Qafë të Muzinës shkëmbehemi dhe me tre makina të tjera policie… dhe ja më në fund, në Qafë të Muzinës shfaqet eskorta e Berishës me 6 vetura. Vetë kishte hipur në Benz-in 700 mijë euro, që thotë se nuk e përdor për vete. Makinat që hapin rrugën, që ndërkohë ishte e hapur dhe e zbrazur, të bllokojnë kalimin derisa kalon ai. Shikojnë të heshtur derisa eskorta kalon dhe pastaj lirojnë rrugën. 200 metra pas tij ndeshem me një autokolonë të gjatë veturash, bllokuar në rrugën e rrezikshme të Muzinës. Një tjetër veturë policie përpiqet të qetësojë qarkullimin dhe t’u mundësojë vazhdimin e rrugës.Në fund të Qafës së Muzinës duke zbritur, u ndesha dhe me nje autoambulancë të stërmadhe që kish ngelur shumë mbrapa pacientit të mundshëm…

Hapa radion dhe dëgjova se po shkonte në Delvinë dhe më pas në Sarandë.

Dy gjëra ishin qartazi të frikshme, numri anormalisht i lartë i forcave të policisë që shoqërojnë kryetarin e Partisë Demokratike në fushatë, dhe shpenzimet marramendëse që duhen për të siguruar lëvizjen e tij.

Arsyetimi për supersigurinë e Sali Berishës, është bërë tanimë legjendë urbane. Dikush thotë se ruhet nga një hasëm në Tropojë, të cilëve thuajse u ka shuar fisin. Të tjerë thonë se është rënduar paranoja e tij për armiqtë që mund të ketë prodhuar gjatë tetë viteve në pushtet. Të tjerë thonë se kërkon të terrorizojë kundërshtarët dhe t’i bëjë ata të dëshpëruar si njeri i paprekshëm.

Imazhet e takimeve të tij me 40 roje, ndërsa takohet me elektoratin, këmisha që mbulon antiplumbin, dhe rrethimi i hekurt me policë i territorit ku lëviz, e bëjnë atë një bunker të vërtetë shëtitës. Deklaratat e tij se ai nuk do të përdorë mjetet e shtetit kur lëviz në fushatë, janë më shumë se hipokrizi. Ai po përdor jo vetëm mjetet e shtetit, por gjithë shtetin, për të shëruar veten nga paranoja se dikush do ta vrasë patjetër. Dhe nuk është puna se e ruajnë vërtetë, por thjesht sa shërojnë paranojën që ai ka se dikush do ta vrasë.

Edi Rama e ka bërë disa herë temë të debatit të tij publik, talljen me antiplumbin e tij. Berisha po përpiqet ta shmangë sulmin duke e futur antiplumbin poshtë këmishës. Por ndërsa atë mund ta fshehë duke qepur këmisha pak më të mëdha, eskortat e pafund, forcat speciale, Benz-in e blinduar dhe gjithçka tjetër, ai nuk mund t’i fshehë. Ai shkon me to mes shqiptarëve, dhe ata nuk kanë parë kurrë ndonjë kryeministër më të rrethuar nga ky se kushdo kryeministër tjetër që nga koha e Hoxhës. Dhe përfytyroni që gjithë këto masa supersigurie, këta furgonë policie dhe vetura patrullimi, këto forca speciale dhe jelek antiplumb, ky njeri do t’i ketë deri më 23 qershor. Nëse ky njeri është vërtet kaq i sëmurë sa shfaqet në publik i super-ruajtur, ç’do të bëjë pas 23 qershorit, kur të mbetet vetëm në shtëpi me Lirinë dhe nipat e mbesat? Kush do ta mbrojë këtë njeri pas 23 qershorit?

Mendoj se askush nuk ka nevojë ta mbrojë, pasi askush nuk ka ndërmend ta vrasë. Por ai ndërkohë ia ka ndjellë vetes fatin që dikush do ta vrasë. Është aq i ruajtur dhe i super-ruajtur me paret tona kundër këtij fati, sa duket se jeton përditë me atë frikë. Dhe duket se ka zgjedhur dënimin më të mirë për vete. Dhe pas 23 qershorit, tortura më e rëndë ndaj tij, do të jetë pikërisht kjo: mungesa e një vrasësi fizik për të. I vetmi që do ta vrasë përditë nga pak është vetë Sali Berisha.