Prof. Dr. Shinasi Rama/politolog, 30.06.2013
-Problemi themelor me të cilin përballen shqiptarët nuk është qeverisja, por mungesa e një opozite politike serioze, ideologjike, programatike, dhe me synim marrjen e qeverisjes në zgjedhjet e ardhshme politike. Në këtë pikë, një opozitë e tillë nuk ekziston në shtetin shqiptar dhe po u vazhdua kështu nuk ka gjasa që të ndodhë. Paradoksi është se në politikën shqiptare mungon konvergimi i katër elementëve që e bëjnë të mundshme daljen e një alternative të tillë serioze: ideologjia, udhëheqësia, struktura partiake e mobilizuese dhe mendësia e popullit.
Katër elementët e një opozite të shëndoshë
Ideologjia e duhur për të bërë opozitën sot e mot, por edhe për të drejtuar shtetin është kombëtarizmi. Këta që do të qeverisin nuk janë kombëtaristë. Këta që qeverisën deri dje nuk janë kombëtaristë. Këta që morën flamurin e kombëtarizmit dolën kakarecë e sharlatanë dhe janë krejtësisht të diskredituar. Mirëpo diskreditimi i tyre nuk duhet e nuk mund të jetë diskreditimi i ideologjisë dhe i vlerave të pazëvendësueshme që ajo ideologji përçon. Udhëheqësia e duhur për të bërë opozitën sot e mot, por edhe për të drejtuar shtetin nesër duhet të përbëhet nga politikanë që nuk janë të korruptuar, që nuk janë të blerë e të shitur, që nuk janë të njollosur nga qeverisja kriminale e tranzicionit.
Udhëheqësia e opozitës duhet të bëhet nga njerëz që janë të përkushtuar ndaj popullit e ndaj shtetit të tyre e jo nga politikanë me dosje, me dosje krimi, që kanë mbushur dosjet kundër shqiptarëve, apo që duan të luajnë lojën politike me dosjet kundër shqiptarëve. Struktura partiake dhe mobilizuese e duhur për të bërë opozitën duhet të jetë një strukturë e mbështetur në ideologjinë dhe bindjen se besnikërinë e parë e të pandryshueshme anëtari apo simpatizanti i partisë nuk e ka ndaj kryetarit të partisë apo kryetares por ndaj shtetit.
Politika bëhet për ta bërë shtetin e gjendjen më të mirë, për të gjetur rrugën e duhur e jo për të përdorur njerëzit në rrugë si mitingashë për qëllimet e një individi. Struktura partiake, pra, duhet të jetë dytësore e në hije të jetës personale të individëve, që mund të jenë mësues, profesionistë, punëtorë e bujq, e në profesione të tjera, por që bashkëpunojnë për të bërë më të mirën për të gjithë shqiptarët. Koha e sistemit partishtet ka kaluar, por tek ne koha e shtet-kombit ende nuk ka filluar.
Mendësia e popullit do të jetë vendimtare në përcaktimin e të ardhmes së opozitës. Zgjidhja e vërtetë është në ndriçimin e mendjes së popullit dhe në krijimin e bindjes se ka zgjidhje, se ka shpresë dhe se ka mundësi që të bëhet më e mira për shqiptarët. Opozita e vërtetë do të tregojë se strukturat partiake, ideologjia dhe udhëheqësia e opozitës janë në funksion e në shërbim të arritjes së objektivave të ndërtimit të një shoqërie moderne e normale, e cila të krijojë siguri të jetës e të nderit, mundësi për zhvillim, e begatim, me sisteme të edukimit, të mbrojtjes shëndetësore, të kujdesit për fëmijët e të moshuarit.
A mund të bëjnë opozitën partitë ekzistuese?
Në këtë pikë, ideologjia e duhur është kombëtarizmi. AKZ është partia që e ka përqafuar atë ideologji, mirëpo trajtimi që i ka bërë ka qenë jorealist, populist, i ngarkuar me nota sharlatanizmi të theksuar dhe pa profesionalizmin që pritej. Dështimi i një politikani nuk është dështimi i ideologjisë. Por do të ishte e pafalshme që të lejohet një individ që të mbajë peng opozitën e ideologjinë e saj. Njerëzit i bashkëngjiten një ideologjie dhe nuk e kanë pronë të tyre. Ideologjia ka jetën e vet dhe në rastin tonë, kombëtarizmi është ideologjia e natyrshme, e nevojshme, e dobishme dhe e pashmangshme.
Në drejtim të udhëheqësisë dhe të strukturës, nga ana e vet, Sali Berisha mban peng të Trustit të Gështenjave masën e madhe të njerëzve që e dinë se kush janë këta që do të qeverisin dhe që duhej të ishin opozita e vërtetë. Qeverisja e degjeneruar dhe e stërkorruptuar e tij dhe e strukturave dhe e individëve që nuk lanë gjë pa bërë për të mbushur thesin me para për 100 vjet duhet të gjykohet e jo të durohet e anashkalohet.
Përpjekja e ethshme e Berishës për të imponuar një njeri të familjes në krye të PD-së dhe për të mbajtur shqiptarët peng duke thënë se do të bëjë opozitën do të intensifikohet në ditët e ardhshme. Sali Berishës nuk i duhet një opozitë për shqiptarët, atij i duhet një mbrojtje për familjen e për Trustin dhe kjo mbrojtje vjen nga prania në politikë dhe nga kontrolli mbi popullin. Sali Berisha dhe të gjithë të tjerët në PD janë të kapur, të degjeneruar, të zvetënuar, hajna e cuba të kategorisë më të fundit. Nuk ka det që i lan krimet e tyre dhe nuk mund të vihet ujku të ruajë delet e të bëjë opozitën për të mbrojtur shqiptarët.
Sepse si Sali Berisha, ashtu edhe Lulzim Basha, dhe të gjithë të tjerët janë vegla të Trustit të Gështenjave. Ata janë aty për të mbrojtur interesat e familjes e jo të shqiptarëve. Nuk duhen lejuar që ta bëjnë këtë, sepse ky do të ishte një krim që nuk do të na e falin brezat e ardhshëm. Mendësia e popullit që duhet për të bërë një opozite të shëndoshë e jo një opozitë mitingjesh, si kjo që po nis të përvijohet, është mendësia e qytetarit me bindje të qarta civile, patriot e atdhetar, e që i njeh të drejtat dhe detyrat e veta dhe i kupton shtrëngesat që vë ligji. Opozitën nuk mund ta bëjnë ata që kanë dështuar apo ata që janë të kriminalizuar. Opozita e vërtetë duhet të fillojë e duhet të jetë e mbështetur tek kombëtarizmi si ideologji. Opozita e vërtetë duhet të jetë e mbështetur tek shqiptarët patriotë.
Opozita e vërtetë do të vijë mbas një periudhe të gjatë pune e reflektimi nga ana e intelektualëve dhe mbi të gjitha e të rinjve. Opozita e vërtetë duhet të shkëputet nga trashëgimia e sharlatanëve dhe e banditëve politikë si Sali Berisha dhe të punojë për të kthyer dinjitetin e nderin shqiptarëve fisnikë. Sepse në fund të fundit këta që na qeverisën e që do të qeverisin janë këtu me një projekt afatgjatë. Nuk ka zgjidhje të lehta, rruga është e mundimshme, por opozita duhet me kenë morale, kombëtariste, e përkushtuar, në shërbim të popullit dhe mbikëqyrëse e qeverisjes së parisë së Tiranës por në interes të kombit. Koha ka ardhur për të pyetur kush do ta bëjë e në cilën anë do të jetë secili, edhe ti që e lexon këtë shënim.
Marrë me shkurtime nga shinasi.wordpress.com