Kurti: Kush saktësisht po e blen PTK-në

0
35

Bota Sot | 16.04.2013

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti i ka kërkuar kryeminsitrit Hashim Thaçi dhe minsitrit Besim Beqaj që t’i bëjnë publikë të gjithë emrat e aksionarëve që e kanë blerë PTK-në. Në një letër dërguar mediave ai thotë se kompania është e dyshimtë.

Më poshtë letra e Kurtit, “Kush saktësisht po e blen Telekomunikacionin e Kosovës” :

Qeveria e Kosovës pritet që 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës t’i shes për 277 milionë euro, minus 75% të 35 milionëve (dhe ndoshta edhe shumë më shumë se kaq siç shpjegoi Sindikata e punëtorëve të PTK-së). Kjo shitje është gjithsesi joligjore, jolegjitime dhe shumë e dëmshme. Shuma e tillë është ofruar prej një fondi investiv – AXOS. Sipas shënimeve në Handelsregister (ekuivalentja e ARBK-së në Kosovë) AXOS deklaron për vete se këshillon ndërmarje të ndryshme se ku duhet ato të investojnë.

Pra, nuk po e blejnë Telekomin kompanitë e specializuara për këtë lëmi (telekomunikacion) por fonde jotransparente që nuk ju dihet përbërja e prejardhja. Nga një burim që nuk u identifikua, më erdhi njoftimi që në kuadër të mjeteve të ofruara e që i menaxhon AXOS kanë shumë aksione edhe kompani vendëse të lidhura me politikanë të Kosovës, përfshirë këtu kompaninë ‘Zhugolli’ e cila është financuese e PDK-së, shumë e afërt me kryeministrin Thaçi, dhe fituese pothuajse e rregullt e tenderëve në KEK.

Më tutje, ky burim më tha që përmes këtij privatizimi të Telekomit, Thaçi synon të vrasë dy zogj me një gur: të marrë pjesë në blerjen e një kompanie kaq të vlefshme e fitimprurëse si Telekomi i Kosovës për t’u pasuruar edhe më tej; dhe, të bëjë shpërlarjen e miliona eurove të fituar përmes korrupsionit në Kosovën e pasluftës. Prandaj, kërkoj nga kryeministri Hashim Thaçi (dhe ministri i MZhE-së, Besim Beqaj) që t’i bëjë publike të gjithë pjesëmarrësit aksionerë në blerjen e TK-së e nën menaxhimin e kompaninë AXOS dhe të heq çdo dyshim lidhur me këtë informacion që mora.