Nga Andrea Stefani
Kryeministri Berisha ka hedhur përsëri në qarkullim idenë e heqjes së imunitetit të deputetëve nëpërmjet një ndryshimi në rregulloren e Kuvendit. Një ide që fatkeqësisht e kanë mbështetur edhe Presidenti i Republikës dhe disa “ndërkombëtarë”. Veç qëllimi i Kryeministrit nuk është që me heqjen e imuniteteve të luftojë korrupsionin, por që t’i shtojë edhe një tjetër mjet arsenalit të tij autokratik të shantazhimit të opozitës. Dhe nuk mund të shërbejë si argument pro heqjes së imunitetit përvoja e Gjermanisë. Sepse në Gjermani nuk ka prokurori dhe gjykata të kërcënuara apo të kapura nga politika si në Shqipëri. Këto dyshime janë nënvizuar vite më parë edhe nga Komisioni i Venecias në një opinion të dhënë për këtë çështje.
* * *
Me t’u rikthyer në pushtet në vitin 2005, një nga hapat e parë të Berishës ishte pikërisht iniciativa për kufizimin deri edhe heqjen e imunitetit të deputetëve. Prandaj që në vitin 2005, qeveria i bëri një kërkesë Komisionit të Venecias për një opinion mbi projektligjin “Për kufizimin e imunitetit të deputetëve” për rastet e krimeve korruptive dhe abuzimit me detyrën. Opinioni që mbërriti nga Venecia në mars 2006 nuk ishte aq mbështetës për iniciativën e Berishës duke nuhatur në distancë rrezikun e hetimit selektiv dhe diskriminues të deputetëve të opozitës.
Opinioni i Komisionit të Venecias shpjegon se imuniteti parlamentar është krijuar si mekanizëm kushtetues që të mos lejojë pushtetin ekzekutiv (qeverinë) dhe shumicat parlamentare tiranike që të pengojnë Parlamentin në funksionet e tij normale dhe veçanërisht, duke dobësuar opozitën me hetime selektive. A mund të besohet se autoritaristi Berisha nuk mund të mos ushqejë ambicie të tilla kur qysh në fillim të karrierës së tij si pushtetar, një nga manipulimet e para që realizoi me anë prokurorësh dhe gjykatësish të kapur, ishte burgosja e liderit të opozitës Fatos Nano? Vërtet lufta kundër korrupsionit ka nevojë për heqjen e imunitetit të deputetëve që autokrati Berisha e kërkon me kaq ngulm?
Prandaj opozita duhet të shqyrtojë me vëmendje dyshimin e shprehur edhe në opinionin e Komisionit të Venecias nëse vërtet ekziston një nevojë urgjente për kufizimin e imunitetit të deputetëve në Shqipëri. A kemi vërtet të bëjmë me një kërkesë që nxitet nga nevoja për luftën kundër korrupsionit apo një taktikë dinake autokratike për të goditur opozitën politike në emër të kësaj lufte? Janë të shumta indiciet që mbështesin këtë opsion të dytë. Dhe gjërat nuk duhen shqyrtuar në dinamikën e deformimeve që kanë sjellë në sistem mendimet e Kushtetutës më 21 prill 2008.
Pas rreth një viti e gjysmë, kryeprokurores i mbaron mandati dhe janë të gjitha rreziqet që në postin e Ina Ramës të jetë një prokuror i tipit “Qeleshi” pra, si ai që u përdor nga Berisha në nisje të tranzicionit për të burgosur politikisht liderin e opozitës Fatos Nano po në emër të luftës kundër korrupsionit. Atëherë janë të gjitha shanset për Berishën që me procese hetimi të montuara, si dhe me procese gjykimi të harmonizuara me këto hetime të një prokurorie të kapur, të dërgojë në qeli cilindo kundërshtar të rrezikshëm për pushtetin. Opozita ishte me fat që më 21 janar në postin e kryeprokurores ishte Ina Rama, një kryeprokurore që ka refuzuar t’i bindet tutelës së pushtetit.
Sepse nëse në postin e kryeprokurorit do kishte qenë një delfin i Berishës, me shumë gjasa sot do kishim të provuara nga hetimi i prokurorisë të gjitha shpifjet monstruoze të Kryeministrit për vrasjen e 4 demonstruesve nga vetë opozita me pistoleta, stilolapsa-pistoletë e deri me thika me helm. Do kishim, me shumë gjasa, të vërtetuara me “prova” nga një prokurori jo e shtetit, por e pushtetit, akuzat e rreme të ministrave të Berishës për vetura me dinamit apo kamionë me kallashë ditën e tragjedisë së 21 janarit. Fundi i gjithë kësaj maskarade të facilituar edhe nga heqja e mundshme e imunitetit do të ishte burgosja e disa deputetëve të opozitës dhe liderëve të saj në emër të “luftës kundër korrupsionit”, por në të vërtetë në emër të një autokratizmi të korruptuar që e sheh shpëtimin nga ndëshkimi ligjor vetëm te qëndrimi i përjetshëm në pushtet.
E vërteta është se imuniteti i deputetëve nuk përbën pengesë për të luftuar korrupsionin nëse shumica ka vullnet ta luftojë korrupsionin në radhë të parë aty ku ai është më prezent, në radhët e pushtetit dhe qeverisë. Edhe Komisioni i Venecias ka sqaruar se Parlamenti ka të drejtë t’ia heqë imunitetin çdo deputeti të tij, sepse imuniteti nuk është një privilegj privat i deputetit, por një rregull për të mbrojtur vetë Parlamentin dhe funksionimin e tij normal. Prandaj edhe Kushtetuta e Republikës i njeh Kuvendit të drejtën të heqë imunitetin për secilin nga anëtarët e tij. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë se Kushtetuta shqiptare i ka të gjitha standardet europiane lidhur me heqjen e imunitetit të deputetëve.
Sikundër ndodhi dje me Ilir Metën, mund të veprohet me çdo deputet, të majtë apo të djathtë, të akuzuar për korrupsion. Kjo do të thotë se heqja e imunitetit në tërësi jo vetëm nuk favorizon luftën kundër korrupsionit, por vë në rrezik funksionimin normal të Parlamentit duke rrezikuar opozitën përballë një pushteti autoritarist dhe të korruptuar.
* * *
A duhet të hiqet imuniteti i deputetit rast pas rasti apo në avancë për të gjithë deputetët? Ky është problemi që ngrihet dhe Komisioni i Venecias shqyrton rreziqet e një persekutimi të mundshëm politik të opozitës.
Dhe thekson se vërtet ka një praktikë të Bundestagut (Parlamentit) gjerman për heqjen e pjesshme të imunitetit për të gjithë periudhën e mandatuar parlamentare, por shton se edhe Gjykata Kushtetuese në Gjermani nuk ka mundur akoma të vendosë nëse kjo praktikë është me të vërtetë Kushtetuese. “Dyshimet bazohen pjesërisht në shqetësimin se heqja e përgjithshme e imunitetit mund të ndikojë në punën e Parlamentit, sepse mund të lejojë hetime selektive, arbitrare ose edhe politikisht të motivuara”, thuhet në opinionin e Venecias. Ndaj dhe sugjeron që çështja të shqyrtohet me seriozitet dhe në kontekstin shqiptar, sepse në Gjermani, krejt ndryshe nga Shqipëria, ekzistojnë ndërkaq masa mbrojtëse dhe mbi të gjitha një drejtësi shumë më e pavarur që mbrojnë deputetët nga hetime selektive me motive arbitrare.
“Një tjetër set rregullash që mbrojnë kundër hetimeve arbitrare dhe politikisht të motivuara janë ato që mbrojnë pavarësinë e prokurorisë nga ndikimet politike dhe marrjes së instruksioneve nga nivele të ndryshme politike”, thuhet në opinionin e Komisionit. Në kontekstin e Shqipërisë, ku mungojnë ende garancitë e balancat dhe një tendencë e fuqishme autoritariste ekziston në kokën e politikës, heqja e imunitetit për të gjithë deputetët nuk mund të mos çojë në hetime selektive dhe politikisht të motivuara.
Prandaj do ishte e rrezikshme për demokracinë! Duhet të jesh i verbër të mos shohësh se ky është edhe qëllimi i kësaj “reforme” të iniciuar nga Kryeministri Berisha që në momentet e para të riardhjes së tij në pushtet. Në horizont po projektohet një kurth i ri politik. Autokrati Berisha kërkon të asgjësojë opozitën nën maskën e luftës kundër korrupsionit, sikundër u përpoq gjatë qeverisjes së tij të parë që ta asgjësonte nën maskën e luftës kundër komunizmit.