Nga Mero Baze, 30 Gusht 2013
Lulzim Basha kishte disa arsye për t’u takuar me ambasadorin e SHBA në Tiranë. Ka më shumë se dy javë që partia e tij zyrtarisht, e drejtuar nga Sali Berisha, kanë nisur një fushatë denigruese ndaj tij. Jozefina Topalli, deri më tani kryetare e Kuvendit, dhe aspirante për ekipin e ri të Bashës, e fyeu deri në racizëm, duke përçmuar edhe gjatësinë e tij fizike, e cila i duket e papranueshme. Genc Pollo, një njeri që vetëm një hall i madh e detyron të flasë kundër ndërkombëtarëve, po ashtu ju vërsul dy ditë radhazi me të njëjtin ton si Topalli. Dhe, siç përfundojnë rëndom fushatat e Berishës, ato mbyllen nga Paloka, që bën ose akuza seksuale, ose korruptive. Ky i fundit e bëri ortak me bizneset e Edi Ramës.
E gjithë kjo fushatë e nisur nga Partia Demokratike, ku sapo kishte emëruar në krye një kryetar të ri, dukej ose si një fushatë jashtë kontrollit të Lulzim Bashës, ose si një përpjekje e tij për të bërë atë që i pëlqen më shumë historisë së asaj partie, të fillojë betejën me një ambasador amerikan.
Për këtë arsye, një ndjesë e tij ndaj zotit Arvizu, apo një sqarim publik për arsyet përse ja vërsuli gjithë partinë mbi shpinë, kishin kuptim.
Por, çfarë bëri në të vërtetë Lulzim Basha?
Asgjë më shumë se sa aftësisë së tij për të bërë politicka të vogla me hile ndaj të gjithëve. Për t’u treguar atyre të partisë që i ka përdorur për të qenë djem të këqinj dhe vetë të dilte djalë i mirë, ftoi ambasadorin Arvizu në selinë e Partisë Demokratike, një ditë pasi Pollo dhe Topalli i kishin marrë erzin. Kësisoj, e përdori këtë si thashetheme brenda PD, që ata, d.m.th Topalli dhe Pollo, plus ndonjë tjetër, e sulmojnë ambasadorin “për të më prishur mua me SHBA, por unë kam lidhje direkte me të”.
Bëri ndonjë javë politikë më këto hile të vockla brenda PD-së, të cilat mund t’i hante dikush poshtë tij, pasi të tjerët as që e dëgjonin, duke qenë se urdhërat reale i kishin marrë nga Berisha. U vu në siklet nga shija e hidhur që la në opinion heshtja e tij, dhe mosdeklarimi për të qartësuar pozicionin, por ja arriti të mos fliste. Kur erdhi data e takimit me ambasadorin, bëri trukun e dytë. Çoi dy ditë para një tavolinë tek SHQUP, mori një flamur të madh amerikan, e vuri pas vetes dhe priti ambasadorin e SHBA-së në selinë e re. Gjithandej nëpër redaksi përhapi lajmin se ambasadori amerikan po shkon ta urojë tek selia e re në shenjë legalizimi, për të mos e prekur më vendimin socialistët.
Aq shumë u dha pas kësaj fabule, sa televizionet e tij titror, e paraqisnin hyrjen e Arvizusë në SHQUP, si hyrjen e Shaban Memisë tek ALUIZNI. Falë aftësisë së tij të vetme për të mos u skuqur, ai shtrëngoi muskujt kur ambasadori, që e kuptoi lirshëm trukun e tij, u desh të sqaronte para medieve, pa e pyetur njeri, se prona ku kishte hyrë, kishte një problem ligjor, ndaj të cilit SHBA do ruante neutralitetin, duke kërkuar shtet ligjor dhe se ftesa i ishte bërë kur Basha kishte zyrën në selinë e vjetër. Një sqarim kaq i hollësishëm dhe i detajuar pa e pyetur kush, tregon se e vetmja gjë që diplomati amerikan ka kuptuar qartë nga kryetari i ri i opozitës, është se ai do të përdorë në favor të vet edhe sulmet ndaj tij, edhe ftesën ndaj tij. Dhe, thjesht ju desh të sqaronte se nuk kishte shkuar në atë godinë në rolin e Shaban Memisë dhe as ishte i lumtur që kryetari i PD-së vë gjithë ditën njerëz ta fyejnë si “burrë i vogël” dhe në mbrëmje i bën ftesa si “burrë i madh”.
Por, përtej këtyre trukeve banale, ajo që mbetet është portreti i një lideri, i cili mendon se të bësh politikë, do të thotë të bësh hile. Në historinë e karrierës së tij të katapultuar nga Sali Berisha, ai ka krijuar një keqkuptim të madh me veten dhe shoqërinë, se vetëm duke aktruar dhe duke bërë sikur je ai që nuk je në të vërtetë, ecën përpara.
Ai trukoi si i ri, trukoi i shkolluar, trukoi biografinë e tij, trukoi të shkuarën në Holandë dhe Kosovë, trukoi duke i buzëqeshur vajzës se shefit, trukoi pastaj si ministër rrugësh duke devijuar qindra milionë euro, trukoi si ministër i Jashtëm duke devijuar qindra metra katror det në favor të Greqisë, trukoi si ministër i Brendshëm duke vrarë katër persona, trukoi si fitues në bashki duke vjedhur mandatin dhe të gjithë këtë e quan histori suksesi. E ka keqkuptuar historinë e tij. Nuk janë histori suksesi të tij, por është një histori e prodhuar nga Sali Berisha. Historia e tij fillon tani. Dhe po fillon tamam si një ilanjoz i vockël dhe i paaftë. Siç mund të jetë një produkt fallco!