Rudolf Marku, 09.06.2010
Në kujtimin e Ndoc Gjetjes. Poeti pati ndjekësit e vetë në qytetin e Lezhës që sikur u zgjua nga prania e tij. Nuk janë pak të rinjtë poetë dhe piktorë të epokës më të mirë krijuese të Gjetjes, të influencuar nga poezia, mendimi dhe paqja e tij
Gjithmonë kam menduar se nuk ka gjë më të natyrshme nga vdekja e një Poeti. Poetët janë në shoqërinë e përhershme të vdekjes.
Si ata zbutësit e kafshëve të egra, që fshikullojnë kamxhikun në ajër për të zbutur tigrin a luanin a elefantit e sapodalë nga pyjet, apo si ata snake-charmers (sharmanët) që u bien tingujve misteriozë të fyejve për të zbutur kobrat helmues, ashtu dhe Poetët gjatë gjithë jetës së tyre janë zbutësit e bishës më misterioze e më të paparashikueshme, Vdekjes.
Por duke qenë në shoqërinë e përhershme të Vdekjes, vetë Vdekja duket se shpesh bie në dashuri me Poetët, duke i rrëmbyer para kohës në mbretërinë e vet të mistershme. Fundja kjo është dhe hakmarrja e Vdekjes për pavdekshmërinë e tyre.
Një miku im, poeti Preç Zogaj, më njofton sot me e-mail se “u shua Ndoc Gjetja”. Dhe shton: “me shuarjen e jetës së tij shuhet dhe një pjesë e jetës tonë”.
Me Ndoc Gjetjen mua dhe shumë të tjerë (Frederik Rreshpja, Preç Zogaj, Visar Zhiti, Moikom Zeqo, Agim Spahiu, Bujar Xhaferri, Kujtim Dashi, Shpresa Kapizysi e deri tek brezi i poetëve të talentuar si Elinda Marku, Marash Mirashi, Alfons Zenelaj, Ferdinand Nika, Alban Bala) na lidhin me mijëra kujtime të një ndjeshmërie delikate, ndjeshmëri që sot duket një kod i humbur dhe i padeshifruar, për të mos thënë një appendix i tepërt dhe krejt i panevojshëm.
Në qytetin e Lezhës, një provincë e denjë për personazhet çehovian dhe gogolian, me zyrtarë dhe pushtetarë sa mjeranë aq dhe të pamëshirshëm në egërsinë e tyre primitive, na shfaqen një ditë ca njerëz që guxojnë të shkruajnë poezi, që guxojnë të diskutojnë për libra, për letërsinë botnore, për pikturën dhe muzikën.
Poezia ishte vërtetë një peshë e tepërt për t’u mbajtur nga një qytet provincial, i cili kishte vite që ishte mësuar me përgjumjen, minaren e vet që kish mbirë mbi varrin e Skënderbeut,me përshëndetjet hipokrite majtas dhe djathtas, me humorin e Kolës së Mishit dhe me batutat e Beqirit të Furrës së Pjekjes, me Berberhanën në qendrën e qytetit dhe me komentet estetike për filmat me luftë të Dulaq Lekiçit…
Ndoc Gjetja, ky djalosh thatuç, shëndetlig, aq më tepër djali i Kolë karrocierit, për herë të parë filloi jo vetëm të shkruante poezi, por dhe të botonte në gazetën “Drita”, dhe në revistën “Nëntori”. Qyteti i përgjumur filloi të tronditej. Njëra nga poezitë e para të botuara nga Ndoci titullohet “Puthja”:
Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja/
Ndodhin në mesin e rrugës së madhe/
Po ajo më njerëzorja/
Më e bukura/
Puthja/
Përse duhet të mbetet ilegale?
Fakti që jam në gjendje ta mbajë mend këtë poezi dhe ta riprodhojë të gjithën pa tekst përpara, këtu në Londer, 40 vjet pas botimit të saj, by heart (siç e thotë me të drejtë anglishtja, duke barazuar kujtesën me zemrën) flet shumë…
Poezi ishte dorashka që i ishte hedhur qytetit, injorancës dhe zhulit turkoshak, mendjetrashësisë së zyrtarëve dhe vetësigurisë boshe të pushtetarëve. Ashtu si në një tregim të famshëm të Ernest Koliqit, zyrtarët filluan t’i kontrollojnë sidomos vajzat e tyre që të bëhen të sigurt se çfarë lexojnë, me qëllim që t’i mbajnë sa më larg nga librat me poezi.
Poetët Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi janë të parët që e ndihmojnë Ndoc Gjetjen që të botojë në shtypin prestigjioz kombëtar. Emri i Ndoc Gjetjes bëhet i njohur në qarqet letrare, poezitë e tij kopjohen në fletoret e shkollarëve dhe lexohen dorë më dorë… Qyteti i Lezhës fillon të bëhet ajo që poeti dhe romancieri i talentuar Visar Ziti e ka quajtur Meka e Poezisë. Dhe jo vetëm e Poezisë.
Poezia e Ndoc Gjetjes dallohet nga një sinqeritet ndjesor dhe nga një idiomë vetjake, e drejtpërdrejtë, bisedore. A është sinqeriteti një element që i duhet Poezisë? Poezisë lirike, të paktën? Ndoci mendonte se po.
Dhe po kështu kthjellësia. Ndocit i pëlqente të thoshte shpesh se një pellg uji që mund të jetë një centimetër i thellë, ngaqë nuk mund t’ia shohësh fundin, ngase është i turbullt, nuk do të thotë se është më i thellë nga thellësia e liqenit të Ohrit, të cilit mund t’ia shohësh fundin dhe në një thellësi prej 20 metrash.
Poezia e Ndoc Gjetjes dhe personaliteti paqtues dhe pranues i tij bënë që qyteti i përgjumur i Lezhës të zgjohej. Ndoci u bë inkurajim i shumë e shumë poetëve të tjerë që erdhën pas tij. Gjatë jetës sime nuk kam njohur njeri tjetër që të jetojë aq intensivisht me poezinë siç jetonte Ndoc Gjetja.
Mund të thuhet pa ekzagjerim se ai, edhe po qe se do të shkruante një faturë banale, do ta shkruante poetikisht. Sepse kishte dhuntinë e shenjtë që të jetonte si frymë dhe jo si materie.
Për njerëzit cinikë, të cilët i kemi me aq shumicë në mëhallat tona të jetës së përditshme, kjo mund të jetë shenja e mungesës së prakticitetit të poetit, e marrisë së tij, e fluturimeve të tij. G. K. Chesterton mendon ndryshe. Janë njerëzit praktikë, materialistë, matematicienët ata që janë më të mundshmit për t’u çmend.
Sepse tipat logjikë, praktikë, matematikë, politikë, me atë lakminë e tyre materialiste, zgjasin kokën drejt qiellit dhe reve, ngase duan t’i përfshijnë të gjitha, retë, qiellin, yjet, brenda kokës së tyre.
Poeti zgjat kokën mes reve, përtej tyre, i kënaqur që të shohë veçse çfarë ka përtej. Dhe vetëm kaq. Dhe vërtetë, Ndoci, ky poet kaq fluturues dhe ëndërrimtar, ishte njeriu me gjykimin më të shëndoshë që kam parë ndonjëherë.
Nuk kam se si të mos mendoj po ashtu se dhe piktorët që bënë emër në Lezhë, Agostin Shyti, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Martin Luca, i kanë borxh poezisë së Ndocit. Dhe një poet i mirë gjithmonë ka ndjekësit e vet.
E megjithatë, në jetën e Ndoc Gjetjes gjithmonë do ndjeje një notë tragjike. Ajo notë tragjike që në fund të fundit i shkon poetit (O Zot! Sa të frikshëm që janë poetët e lumtur!). Ajo notë tragjike që ishte një element i frymës së tij dhe i poezisë së tij.
Ndoc Gjetja nuk është më. Të paktën jo në këtë botë shqisore, materiale. Të paktën jo më në këtë vorbull banaliteti të jetës sonë të përditshme. Të paktën i prehur në një qetësi aq të dëshiruar prej tij. Në qetësinë e amshimit. Me vdekjen e zbutur që do qëndrojë kruspull si qen i rrahur te këmbët e Poetit.
Londër 7 Qershor 2010