Kur sulmohet deputeti, ç’mbetet për të tjerët

0
49

Fatmir Toçi

Nga Fatmir Toçi

Im vëlla, ushtarak me detyrën e kryetarit të Degës Ushtarake të Kavajës, është liruar nga detyra, madje dhe si ushtarak,… sapo emri im është shpallur si kandidat për deputet i Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Këtij persekutimi nuk i kanë shpëtuar edhe anëtarët e tjerë të familjes sime: vajza inxhiniere, vëllai tjetër që punonte në organet e rendit dhe deri tek kushërinjtë, me të cilët ndaj të njëjtin mbiemër, në një fshat të largët të Vlorës.

Mund të mos e bëja këtë shkrim kur bëhet fjalë, në dukje, për interesat personale të familjes sime. Për disa muaj arrita ta bindja veten se nuk ia vlente të bëja publike për sa do të shkruaj më poshtë. Dikush më sugjeroi se duhet t’i shkruaja një letër kryeministrit. Një letër publike, ndoshta më mirë. Por, nuk e pashë të udhës. Dy muaj pas zgjedhjeve të 28 qershorit botova në ‘Gazetën Shqiptare’ një shkrim të gjatë, i shqetësuar për pushimet masive nga puna të komisionerëve, militantëve dhe simpatizantëve të PS. Vetëm e vetëm sepse ishin socialistë, sepse morën pjesë ose mbështetën të majtën gjatë fushatës së zgjedhjeve, sepse i rezistuan presioneve dhe tentativave korruptive të njerëzve me pushtet për të manipuluar në procesin zgjedhor, sepse nuk pranuan kartën e anëtarësimit në PD në këmbim të ruajtjes së vendit të punës.

Dhe, kam paraqitur lista të gjata të njerëzve të pushuar nga puna; njerëzve që punonin në sektorin e naftës, të arsimit, në shëndetësi, në administratën shtetërore etj. Dhe, këta njerëz jo vetëm që janë akoma pa punë, pa asnjë shpresë për të siguruar mbijetesën e familjeve të tyre, por listat vazhdojnë të shtohen çdo ditë, siç po shtohen në mënyrë të frikshme listat e njerëzve që e marrin bukën dhe ushqimet me listë në gjithë Shqipërinë, duke rritur ndjeshëm edhe pakënaqësinë popullore të masave ndaj qeverisë dhe qeverisjes.

Indiferenca e qeverisë ndaj ankesave, proceseve gjyqësore, reagimeve të vazhdueshme të mediave, denoncimeve publike të opozitës etj, është e pashembullt. Slogani “o me mua, o kundra meje” është bërë lajtmotivi i maxhorancës. Por, duke mos reshtur së qeni solidar në çdo çast me këta njerëz dhe familjet e tyre që po vuajnë për shkak të të qenit të lirë në mendimet e veprimet e tyre, në këtë shkrim dua të tregoj se egërsia e pushtetit dhe hakmarrja primitive e njerëzve të veshur me pushtet nuk kursejnë as edhe njerëzit e zgjedhur nga populli, familjet dhe të afërmit e tyre për shkak të pozicionit politik që ata zgjodhën.

Dhe, më konkretisht: me t’u votuar si deputet i PS-së në fundqershorin e këtij viti, me idenë dhe dëshirën për të kontribuar sadopak në sensibilizimin e politikës ndaj njerëzve të kulturës e librit në Shqipëri dhe për një vëmendje më të madhe për zhvillimin progresiv në Qarkun e Vlorës, në jug të vendit, kusuret filloi t’i paguajë familja dhe të afërmit e mi. Vajza ime, inxhiniere ndërtimi që punonte në një ndërmarrje shtetërore, u detyrua të largohej nga puna për shkak të presioneve se ishte vajza e një deputeti opozitar. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe njëri prej vëllezërve të mi, që ka shërbyer prej gati dy dekadash në Rajonin e Policisë në Kavajë.

Një kushëriri im i parë, mirëmbajtës i rrugës në fshatin malor Kuç të Vlorës, u pushua nga puna me telefon dy ditë pas zgjedhjeve. Shkaku: se familja e tyre nuk ia dha votën PD-së apo ndonjë aleateje të saj, por kushëririt të tyre kandidat për deputet me të cilin ndante një mbiemër. Nuk mbaron këtu kalvari. Dy kushërira të mia, fajtore se mbanin të njëjtin mbiemër me mua, mësuese letërsie në shkollën e mesme të fshatit, me arsim të lartë, pushohen nga puna dhe zëvendësohen nga një veteriner me shkollë të mesme, i cili vazhdon t’u mësojë letërsinë nxënësve kuçiotë (Dhe, këtë vend pune e siguroi në këmbim të anëtarësimit në PD). Njëra prej tyre u kthye në punë, pas ndërhyrjeve të shumta, si ndodh rëndom, vetëm pasi drejtori i Drejtorisë Arsimore të Qarkut të Vlorës, me një lukuni inspektorësh lakej nga pas, shkoi deri në këtë fshat të largët për t’i ngrënë drekën, si haraç në natyrë “për nderin” që po i bënte.

Por, ajo që më bëri të kap penën për të bërë publike këto dy radhë është pushimi nga puna i vëllait tim më të madh në moshë, ushtarak, deri para pak kohësh shef i Degës Ushtarake në qytetin e Kavajës, me gradën major. Interesimit të tij dhe timit për të pasur të paktën një shpjegim për këtë largim pa dinjitet nga radhët e Ushtrisë ku kishte milituar që fëmijë, iu përgjigj një memecëri e çuditshme që nga strukturat përkatëse, e deri te ministri i sapoemëruar i Mbrojtjes.

Ajo për të cilin dua të pyes kryeministrin e Shqipërisë është se, cili është faji i këtyre njerëzve se babai, vëllai, kushëriri i tyre mendon ndryshe dhe ka vendosur një ditë të bukur të merret edhe me politikë. Dikur persekutoheshin familjet e të përndjekurve dhe atyre që dënoheshin deri në tre breza, madje edhe fizikisht, deri në internime në zonat më të thella, mosushtrim të profesionit dhe me një diskriminim të paparë shoqëror. Sot, duket se po ndodh e njëjta gjë, aq sa i lejon koha dhe epoka në të cilën jetojmë. Dhe, bindja na forcohet kur shikojmë se shpata e hakmarrjes nuk kursen as punonjësit më të pakualifikuar, si shoferët, rojtarët, portierët, pastruesit e institucioneve etj.

Si mund të ketë zhvillime normale ky vend kur preokupacioni kryesor i partiakëve maxhoritarë është vetëm sistemi në punë e shpërblimi i militantëve dhe mbështetësve të tyre, duke shkelur hapur Kodin e Punës, Kartën për të Drejtat e Njeriut, Statusin e Punonjësit Civil etj. Kur kujtoj sulmin e pashembullt që iu bë veprimtarisë sime botuese gjatë fushatës në QTU, ku është e hapur një njësi për tregtimin e librave, vetëm e vetëm se isha në listën e kandidatëve socialistë për deputet, më bën të mendoj se asgjë nuk është e rastësishme, por një strategji presioni ndaj të gjithë atyre që nuk u shkojnë pas fillit dhe për të trembur të tjerët që të mos bëjnë si ata.

Pyetja e dytë është më e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: Kur persekutohet familja e një deputeti dhe ushtrohet ndaj tij një presion kaq naiv e primitiv, ç’mund të mendohet se ndodh me njerëzit e thjeshtë, të pambrojtur e pa mbështetje, të cilët nxirren në rrugë pa mëshirë e me përbuzje anti-humane të pashembullt për një shoqëri të civilizuar ku duhet të mbizotërojë ligji?

Mund të mos e shkruaja këtë shkrim që ka të bëjë, në dukje, me njerëzit e mi të familjes. Dhe, nuk do ta shkruaja nëse do të kishte të bënte vetëm me ata. Edhe pse ata nuk kanë asnjë faj pse unë vendosa të bëhesha pjesë e politikës. Ata janë njerëz të thjeshtë dhe asnjëri prej tyre nuk do t’ia dijë për politikën. Ashtu si unë para pak vjetësh.

Por, e shkrova për të treguar se sa e brishtë është liria e mendimit dhe e fjalës në një vend si Shqipëria, edhe pse pretendon të kandidojë për anëtarësim në Komunitetin Evropian; për të treguar krizën moralo-politike që ka përfshirë çdo qelizë të këtij vendi; për të treguar se sa e pasigurt është jeta në një vend si ky i yni dhe se sa e pavlerë është jeta e njerëzve kur nuk vihen në shërbim të pushtetit.
Unë mund të mos e kisha shkruar këtë letër publike, i bindur se me miq e shokë që do të ndërmjetësonin, si ndodh rëndom, te kryeministri do të mund t’i riktheja vëllezërit në punë.

Edhe vajzën time; edhe kushërinjtë e kushërirat në fshatin e largët, të cilëve iu shua shpejt gëzimi se njeriu i tyre u bë deputet dhe u bënë kurbanet e parë të këtij deputeti. Por kjo rrugë, që do të mund të zgjidhte problemet e një familjeje, nuk do të ishte zgjidhja e problemeve të atyre dhjetëra e qindra njerëzve, të cilët për të njëjtat arsye sot enden rrugëve për gjetjen e një pune për të ushqyer familjet e tyre të varfra. Ndaj, solidar me ata që na votuan dhe mendojnë si unë, do të kërkojmë zgjidhjen e këtij problemi me drejtësi, me përmbysjen e këtij klani militantësh, që e përdorin pushtetin si një mjet hakmarrjeje ndaj atyre që nuk vihen në shërbim të tyre.
(s.g/BalkanWeb)