Kur qeveritë privatizojnë gjithçka

0
31

Albin Kurti, 03.09.2010

Politikanë vendës e ndërkombëtarë thonë që ndërmarrjet publike duhet të shiten meqë po vidhen. Ky është dorëzim i shtetit para hajnave. Meqë nuk qenka e mundur të ndalen hajnat, u dashka ta shesim atë që hajnat patjetër do ta vidhnin! Por, a nuk e konfirmon mu kjo qasje privatizimin si vjedhje, si kopjim e imitim që iu bëhet hajnave?

Privatizimi përherë i nxituar në Kosovë po bëhet thuajse ndodhemi para ndonjë apokalipsi. Gjithçka duhet shitur shpejt pa marrë parasysh çmimin. Njëfarë vetëdije paniku paraapokaliptik.

Janë neoliberalët ata që neoliberalizmin si njëra nga alternativat doktrinare për zhvillim ekonomik, duan ta paraqesin si nevojë të ngutshme për zhvillim ekonomik. Kjo është pjesë përbërëse e doktrinës së tyre dhe jo mbështetje për të – ajo s’jeton dot pa u paraqitur kështu.

Neoliberalizmi iu premton të varfërve se do t’i nxjerrë nga varfëria meqë të pasurit, pronarët e mëdhenj, do të rriten aq shumë saqë do t’iu nevojitet shumë fuqi punëtore dhe, rrjedhimisht, të varfrit do të punësohen. Pra, neoliberalët premtojnë se do të ketë dromca për të varfrit, të cilëve, kësisoj, iu mbetet të shpresojnë tek efektet dytësore dhe indirekte të pasurimit të të pasurve, e që do të jenë të dobishme për ta.

Por, i ashtuquajturi “trickle down effect” gjithnjë na është aktualizuar vetëm si “down effect”. Jo pse punësimi nuk është e thënë ta nxjerr njeriun nga varfëria; ne, thjesht, nuk arritëm as deri aty.

Privatizimi është proces depolitizues. Privatizimi i nxjerr qytetarët prej politikës. Kur privatizohen prona shoqërore dhe publike, sigurisht që dobësohen shoqëria dhe publiku, qytetarët e humbin të përbashkëtën e tyre, por edhe rritet hendeku midis institucioneve politike dhe qytetarëve

Vendimet kryesore politike merren nga ata, të cilët nuk preken nga ato vendime. Prona (e bërë) private është ekskluzive: ajo është e dikujt dhe e askujt tjetër. S’ka se çfarë flitet aty – të tjerët janë të përjashtuar.

Politizimi i qytetarëve sot imponohet si emancipim për socialen dhe publiken, të cilat neoliberalizmi i ka shporrë jashtë prej politikës, duke e degraduar politikën në menaxhim e teknikë. Kontrolli demokratik është i privuar nga sfera ekonomike si askund tjetër dhe si asnjëherë tjetër. Qeveria teknike, qeveria e ekspertëve apo profesionistëve, pikërisht ky është ideali i neoliberalizmit.

Qeveria të jetë teknikalitet që e rrit efikasitetin e një politike të paradhënë. Problemi rritet kur vetë politikanët duan të jenë teknikë dhe jo politikë. Me gjasë, ata vetëm duke qenë teknikë, e pikërisht pse ishin teknikë, u pasuruan.

Politikanët që kanë biznese sigurisht që janë biznesmenë, apo jo? Konflikti ndërmjet qeveritarëve dhe qytetarëve është konflikt ndërmjet përfitimit privat dhe interesit shoqëror. Privatizimi nuk është një gjë, por ai është një marrëdhënie (midis shoqërisë e publikut që shpronësohen dhe politikanëve, korporatave dhe bankierëve që pasurohen).

Kjo është arsyeja pse regjimi ndërkombëtar teknikisht nuk e lejon qeverinë teknike vendore. Ajo do të ishte formalizim i asaj që gjithmonë e kishim. Nuk është çështja që kemi shumë parti politike, por pse kemi shumë parti e pak politikë.

Qeveria e Kosovës nuk mund të na ndihmojë për kurrfarë zhvillimi ekonomik për mirëqenien e qytetarëve, pasi që ajo i konsideron kapacitetet ekonomike të Kosovës si një barrë nga e cila do që të lirohet.

Sektori publik nuk po shkatërrohet, sepse po keqmenaxhohet, por pse qëllimi është që të shkatërrohet ai. Nuk e kanë për qëllim që ta ruajnë e rregullojnë sektorin publik, por që ta shkatërrojnë atë. Nëpërmjet privatizimit po e bëjnë mu këtë.

Tash Kosova është bërë një vend, në të cilin shumë më kollaj e humbet vendin e punës sesa që mund ta gjesh një të tillë. Asistenca sociale në Kosovë nuk iu jepet qytetarëve për të pasur ata jetë të dinjitetshme, por për të mos u ngritur kundër Qeverisë dhe rendit ekzistues.

Politika pa politikën ekonomike është spektakël. Kosova ka nevojë për zhvendosje paradigmatike nga “tregu i lirë” te “prodhimi vendës”. Tregu i hapur na ka sjellë në situatën ku jemi vërshuar nga produktet e huaja e posaçërisht nga ato të Serbisë. Tregu i hapur e ka mbytur prodhimin edhe ashtu të pakët vendës duke e pamundësuar rritjen e tij.

Është ekonomia ajo që duhet ta përmbajë tregun dhe jo tregu ekonominë. Për këtë zhvendosje paradigmatike parakusht është që politika ta nënkuptojë politikën ekonomike. Pra, jo sikurse tani ku edhe furnizimi me energji elektrike është më i larti në Prishtinë meqë aty lulëzon tregtia e burokracia dhe jo prodhimi.

Zhvillimi socio-ekonomik duhet të jetë plan, kurse privatizimi eventualisht pjesë e planit. Dhe jo privatizimi të jetë pikënisje kurse zhvillimi ekonomik eventualisht pasojë. Ashtu siç pat konstatuar prof.

Ismet Hamiti në një punim të tij, me privatizimin si argument të vetvetes ngjan veçse privatizimi i profitit dhe nacionalizimi i humbjeve. Zhvillimi i tanishëm në Kosovë nuk është më shumë sesa zhvillim i privatizimit.