Andrea Stefani
Këto ditë mediat mbështetëse të qeverisë nxituan të përhapin një deklaratë të Robert Bosch, ambasador i OSBE-së në Tiranë, me anë të së cilës i kërkohet opozitës të reflektojë për veprimet e veta, të cilat “po dëmtojnë procesin drejt një sistemi demokratik modern”. Në qoftë se kjo është vërtet deklarata e ambasadorit të OSBE-së, atëherë mund të themi vetëm se ai nuk ka goditur në shenjë dhe se Bosch ka dalë bosh. Sepse në fakt është krejt e kundërta.
Nuk janë veprimet e opozitës, por ato të qeverisë dhe shumicës, refuzimi kategorik prej tyre i transparencës edhe më minimale për mënyrën si u zhvillua procesi i numërimit të votave më 28 qershor, që “po dëmtojnë procesin e kalimit të Shqipërisë drejt një sistemi demokratik modern”. Dhe është e habitshme sesi një deklaratë e tillë krejt e gabuar bëhet nga kreu i OSBE-së në Tiranë, kur tashmë dihet se një nga tezat më të forta të opozitës për kontestimin e votimeve si të vjedhura, është marrë pikërisht nga raporti i OSBE-së për zgjedhjet e 28 qershorit ku, ndër të tjera, është e shkruar e zezë mbi të bardhë, se në 1/3 e qendrave të numërimit votat janë numëruar keq, ose shumë keq. Dhe çdo të thotë të numërosh keq ose shumë keq, përveçse që vota të mos i shkojë forcës politike që i takon?
* * *
A e meriton krimi kronik i vjedhjes së votës një minimum transparence për t’i dhënë fund, edhe me anë të ndëshkimit nga ligji të vjedhësve, këtij kanceri 20-vjeçar dhe për të mundësuar kështu kalimin e Shqipërisë “drejt një sistemi demokratik modern”? Apo duhet ta lemë mekanizmin e grabitjes së votës të maskuar në emër “të drejtësisë” (sikundër po vepron qeveria), duke përgatitur premisat e krizave të ardhshme, ndoshta edhe më shkatërruese për Shqipërinë? Themeli i një demokracie moderne është vota e lirë. Të gjitha të tjerat vijnë më pas.
Aty ku nuk ka votë të lirë, nuk ka realisht demokraci. Prandaj, të tolerosh vjedhjen e votës, sikundër sugjeron për fat të keq ambasadori Bosch, në emër të një “sistemi demokratik modern”, është një kontradiktë në përkufizim. Aksioni i opozitës ka të bëjë, në këtë kuptim, me themelin e demokracisë së vërtetë moderne dhe ta injorosh atë, ose të sugjerosh që ai të ndalet, është si të sugjerosh ta lësh demokracinë pa themel. Kjo do të thotë se pa votën e lirë, pa themelin e demokracisë, nuk mund të kenë kuptim dhe as vlerë të mirëfilltë politike në favor të saj, as reformat e vonuara dhe as ligjet, aprovimi i të cilave sot ka ngecur për shkak të mungesës së opozitës në seancat parlamentare.
Sepse edhe reformat, edhe ligjet, do të shtrembëroheshin jo vetëm në përmbajtje, por edhe në zbatim nga shumica tiranike dhe arroganca qeverisëse e një pushteti që nuk i trembet ndëshkimit nga vota e lirë, sepse ka gjetur mjetin për ta ndëshkuar votën e lirë duke e grabitur atë. Ecja përpara me “reforma” dhe ligje pa ndëshkuar mekanizmin kanceroz të vjedhjes së votës, nuk do të na çonte drejt një sistemi demokratik modern, por drejt modernizimit dhe maskimit të mëtejshëm “me demokraci” të një sistemi grabitjeje, arrogance dhe padrejtësie. Dhe jemi të sigurt që kjo nuk është ajo që dëshiron ambasadori Bosch dhe aq më tepër OSBE.
* * *
Prandaj themi se Bosch ka dalë bosh kur i sugjeron opozitës të mendohet thellë për veprimet e saj, sepse në fakt duhet të jetë ai vetë që duhet të mendohet më thellë kur lëshon deklarata që nuk janë në të mirë të ndërtimit të një “sistemi demokratik modern”. Themi se Bosch ka dalë bosh edhe për faktin se “antiopozitarizmi” i tij nuk përligjet edhe nga faktet. E vërteta është se në gjithë këta muaj që vazhdon kriza politike, ka qenë vetëm opozita që ka bërë lëshime, ndërkohë që qeveria dhe shumica e saj kanë qëndruar të patundur, arrogantë dhe ekstremisht intolerantë në alibitë e tyre kundër transparencës.
Ishte opozita që iu bind kërkesës së ndërkombëtarëve (edhe të Bosch) që ajo të hyjë në Parlament dhe ta zgjidhë krizën atje. Opozita është sot në Parlament për të zgjidhur krizën e votës me anë të transparencës dhe nuk është faji i saj që shumica dhe pushteti i shmangen së vërtetës së fshehur në kuti si hajduti hetimit nga policia të vjedhjes që sapo ka bërë. Dhe opozita nuk mund të braktisë një transparencë që ka të bëjë me themelin e demokracisë, vetëm pse kjo nuk i leverdis një pushteti që, siç po duket përditë e më qartë, është ngritur mbi shkatërrimin e këtij themeli.
Opozita nuk mund ta braktisë aksionin e saj të drejtë vetëm sepse ambasadori Bosch thotë se ajo po vonon reformat, në një kohë që është pikërisht qeveria dhe shumica që po vonojnë reformat, duke refuzuar transparencën që na çon tek e vërteta dhe kjo e fundit te drejtësia, te vota e lirë dhe e ndershme, te themeli i një “sistemi demokratik modern”. Opozita sugjeroi më pas që të hapeshin vetëm kutitë e dokumentacionit të qendrave të votimit dhe jo kutitë e votave për rinumërim.
Dhe kjo ofertë u bë duke toleruar edhe “ekzigjencat” e Kryeministrit për të respektuar Kushtetutën dhe vendimin e Kolegjit Zgjedhor (pavarësisht se faktet e shumta për projektligje e vendime antikushtetuese të qeverisë Berisha e bëjnë këtë ekzigjencë një tallje groteske me publikun dhe ndërkombëtarët), por pa braktisur parimin e transparencës. Iniciativa u nxit edhe nga faktet skandaloze që zbuloi hetimi në fshatin Ruzhdie. Por përsëri qeveria e refuzoi këtë ofertë konsensusi. Dhe tani së fundi është përsëri opozita që, përsëri në respekt të parimit të ndarjes së pushteteve, të pavarësisë së gjykatave, po qarkullon idenë e hapjes së kutive jo në zonat e përfshira në vendimin e Kolegjit Zgjedhor, por në disa zona të tjera zgjedhore.
Ky është një opsion që respekton edhe Kushtetutën edhe transparencën, dy çështje të rëndësishme këto për demokracinë edhe sipas komisionerit të BE-së për zgjerimin, Stefan Fule. Është gjithashtu edhe një opsion që i jep mundësi Kryeministrit Berisha, që të pranojë transparencën për zgjedhjet pa dhunuar as Kushtetutën dhe as vendimin e Kolegjit Zgjedhor, pra të zbatojë angazhimin e sapo bërë në Bruksel, se ai dhe shumica do të jenë të hapur të kryejnë çdo hetim që nuk cenon Kushtetutën e vendit. Por, si përherë, Berisha të tjera thotë në Bruksel dhe të tjera bën në Tiranë.
Ndërsa ky refuzim konstant i pushtetit për transparencën ka forcuar shumë dyshimet për vjedhjen e votave, ne dëgjojmë kreun e OSBE-së, Bosch, që në vend t’i kërkojë Kryeministrit të respektojë angazhimin për të qenë i hapur për hetime që nuk cenojë Kushtetutën, e gjen fajin për vonesën e reformave përsëri te vendosmëria e opozitës për transparencë dhe jo te kokëfortësia e dyshimtë e pushtetit për antitransparencë. Dhe ndërsa shkaqet e vërteta të kundërshtimit të vendosur të Berishës për të mos pranuar asnjë grimë transparence bëhen gjithnjë edhe më të kuptueshme, mbetet mister se përse kreu i OSBE-së shfaqet kundër saj.
Mos vallë se transparenca do të hidhte poshtë jo vetëm mitin berishian për zgjedhjet më të mira të tranzicionit, por edhe një pjesë të mirë të raportit të OSBE-së për to? Por edhe sikur të jetë kështu, a ka më vlerë ruajtja e “çmimit” të pamerituar të një organizate prestigjioze si OSBE për një palë zgjedhje, apo hedhja e themeleve të votës së lirë që do ta çonin Shqipërinë drejt një “sistemi demokratik modern”? Sipas vetë deklaratës së Bosch, ky i fundit është më i rëndësishmi. Prandaj na duket se edhe në vlerësimin e rëndësisë së ekstremeve të kësaj balance, ambasadori Bosch ka gabuar, duke dalë bosh.